Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e hapjes së Vinea Resort & Spa, Arapaj, Durrës:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Është realisht një kënaqësi, se zakonisht në raste të tilla fillohet me fjalën kënaqësi, por në këtë rast është një kënaqësi vërtet e veçantë që një tjetër gur i një kurore që është ende në formim por sot një gur që ka një shkëlqim të veçantë në kurorën e saponisur të agroturizmit shqiptar bëhet i prekshëm për publikun dhe bëhet i afërt për këdo që do dojë të vijë dhe ta shohë duke e shijuar në të gjithë përmasën e vet, që jam i bindur ekrani i televizionit nuk arrin dot ta përshkruajë.
Më vjen shumë mirë që sot kemi një tjetër dëshmi vërtet fantastike të një force të panjohur më parë të ekonomisë rurale, por dhe të ekonomisë në tërësi të një komponenti jashtëzakonisht të dobishëm të turizmit, agroturizmit që në vështrimin tim është me të vërtetë komponenti i shumëmunguar në Shqipërinë e shumë viteve dhe komponenti që pa asnjë diskutim në vitet që vijnë do të rritet dhe do të bëhet gjithmonë e më i pranishëm në industrinë tonë të turizmit.
Nga ana tjetër, sot, më vjen mire, sepse kemi jo vetëm një agroturizëm më shumë në dispozicion të publikut, në dispozicion të të gjithë atyre që duan të shijojnë një moment jashtë rrëmujës dhe rrëmetit të zonave urbane por kemi një shembull, një model ku të tjerë mund të marrin frymëzim, të tjerë mund të marrin nxitje, të tjerë mund të marrin mësime për të zhvilluar më tutje dhe për të shtuar gurë të tjerë të kësaj kurore.
Megjithatë, besoj, duke shprehur edhe mendimin e ideatorit dhe të realizuesit të të gjithë kësaj ndërmarrjeje fantastike, mikut tim, Lefterit, ajo që e bën super të veçantë këtë mbrëmje hapjeje është prania e një figure që kuzhina italiane mund të jetë lehtësisht e krahasueshme për nga statura nëse do bënim krahasime me politikën, apo me sportin, qoftë me Giulio Andreottin, qoftë me Enzo Bearzotin një yll të vërtetë që i ka dhënë një shkëlqim të veçantë kuzhinës italiane, mjeshtrin Gianfranco Vissani i cili me shumë bujari iu përgjigj ftesës time për të ardhur dhe për të qenë vlerë e shtuar e kësaj mbrëmjeje por njëkohësisht dhe për të dhënë mesazh të rëndësishëm nga goja e dikujt që ka të gjithë kompetencën e nevojshme për të gjithë ata që mbase duan por që ngurrojnë të investojnë në agroturizëm, ashtu sikundër dhe për të çuar më tutje këtë projekt, duke e kthyer këtë agroturizëm në një destinacion, jo vetëm për banorët e vendit, jo vetëm për turistët e zakonshëm por dhe për evente që shkojnë përtej kufirit dhe përtej Adriatikut.