Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimit:

Përshëndetje të gjithëve!

Besoj që ky është vendi i duhur për të organizuar këtë Këshill Kombëtar të Restaurimit, mu në zemër të monumentit, në mënyrë që ta shohin të gjithë se çfarë monumenti është ky nga pikëpamja e marrëdhënies midis asaj që ka imagjinuar dhe ka projektuar Gherardo Bosio dhe asaj që në fakt kemi trashëguar. Përveç elementëve që i nënvizoi arkitekti si elementë të tjetërsuar në pamjen e jashtme, pjesa e brendshme është një lebeti më vete. Kjo e bën projektin e studios Arkea, edhe nga pikëpamja e respektit për trashëgiminë kulturore, një domosdoshmëri.

Nuk jemi thjesht para faktit se duhet të ruajmë një copëz të trashëgimisë kulturore, por jemi përpara nevojës që ta rilindim këtë copëz, që është barbarizuar pafundësisht për shumë vite. Dhe ja se kush është katandia!

E vërteta është që, siç e dëshmoi edhe paraqitja që i bëri arkitekti i njohur projektit të Gherardio Bosios dhe planit të restaurimit, stadiumi i Bosios nuk është ky që kemi ne. Qysh pasi ndaluan punimet për ndërtimin e tij, në vitin 1943 dhe deri në ditët tona, stadiumi ka pësuar një metamorfozë të vazhdueshme, para dhe pas viteve ’90-të. I vetmi element që i ka shpëtuar pjesërisht tjetërsimit është kjo pjesëz ballore, ku përsëri ka pasur ndërhyrje deformuese që fatmirësisht mund të eliminohen tani.

Vetëm me projektin e ri dhe me këtë ndërhyrje restauruese, me ndihmën e këtij ekipi fiorentinësh arkitektë e restauratorë, ne do të rikemi objektin që pat projektuar Gherardo Bosio dhe që përkon pothuajse 100% me çka ai ka dëshiruar të ketë këtu, si hyrje të stadiumit.

Jam shumë dakord edhe me sugjerimin e bërë nga arkitekti. Është në fakt një nga ato gabimet e së shkuarës që fatmirësisht mund të riparohen. I takon Këshillit të Restaurimit të marrë një vendim, që pastaj në vijim, sipas kushteve e mundësive, të mund të ndërhyjmë edhe në rikthimin në identitet të pjesës jugore të sheshit, duke çliruar hapësirën që sot është e zënë nga një objekt i papërshtatshëm për sheshin.

Përfitoj nga rasti që të ritheksoj vlerën e jashtëzakonshme që ka ky projekt për qytetin dhe jo vetëm për futbollin. Një vlerë e shtuar, sepse më në fund, pas nuk e di sesa vitesh, ne do kemi një stadium kombëtar, në Tiranë, të standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s. Stadium, i cili hyri në listën e zezë të UEFA-s dhe Ekipi Kombëtar u ndalua që të zhvillojë eliminatoret e europianit në këtë stadium. Por fatmirësisht, ne ia dolëm në bashkëpunim të ngushë me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe me Federatën, që të adaptojmë në kohë rekord, me standardet e UEFA-s, “Elbasan Arenën” dhe të mos lëmë që Kombëtarja të ikë në emigracion, për të bërë ndeshjet e shtëpisë.

Por nuk është vetëm kaq, është edhe se çfarë do të fitojë qyteti.

Qyteti do të fitojë një zonë të re, tërësisht të ripërtërirë urbane, me 4 hapësira publike që sot nuk ekzistojnë; njëra është parkim këtu përballë, tjetra nga prapa është një rrëmujë më vete, ndërsa në dy anët anësore të stadiumit, aty ku sot janë tribunat dhe një rrugë gjysmë qorre, që rrotullohet rreth stadiumit, do të jenë dy hapësira të reja publike, dy sheshe publike.

Përveç kësaj, stadiumi, nga një qendër biznesi mesjetare, me gjithë hapësirat e kthyera në dyqane, lavazhe, masazhe e garazhe, do kthehet në një qendër publike dhe private e një jete që do vazhdojë 7 ditë e 7 netë.

Atyre që u hodhën përpjetë, duke thënë “po e kthejnë stadiumin në një qendër biznesi”, mund t’ju thuhet fare lehtë, bazuar mbi fakte, se kjo ka 25 vjet që është një qendër biznesi, por një qendër ordinere biznesi, tamam si të ishte nja pazar mesjetar, ku kush ka mundur ka marrë një copë, ka paguar një qira dhe ka bërë çfarë ka dashur, duke e dërrmuar organikisht të gjithë monumentin. Ndërkohë që do të kemi një hapësirë publike dhe private për aktivitete publike dhe për aktivitet privat.

Të gjithë e pamë Kampionatin Europian dhe Ekipin Kombëtar. Unë pashë edhe një gjë tjetër, përveç atyre që i panë të gjithë, sesi janë rindërtuar stadiumet e Francës, si janë transformuar stadiumet ku Kombëtarja jonë luajti, nga çfarë ishin përpara Kampionatit Europian dhe çfarë janë sot. Të gjitha transformimet janë falë partneriteti publik – privat. Asnjë nga stadiumet dhe nga ndërhyrjet e reja që janë bërë në stadiume nuk është histori buxhet shteti për ditëve të diela, por është partneritet publik – privat, ku thithja e investimeve private për modernizimin e stadiumit këmbehet në një partneritet për të shtatë ditët e javës.

Vlen të thuhet se, nëse ne do ta ndërtonim së bashku me Federatën këtë stadium, jo vetëm që do ndërtonim një stadium vetëm për ditë të diel dhe që do të vlente plotësisht vetëm për ndeshjet e Kombëtares, por do të na duhej një shpenzim dhe një investim i pamundur për buxhetin e shtetit. Ndërkohë që sot, ne nuk nxjerrim asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit.

Federata kalon në investim kontributin e UEFA-s, që sipas të gjitha gjasave do të jetë 1/6 e investimit final. Përkundër këtij kontributi, Federata është bashkëpronare e këtij stadiumi.  Ndërkohë që investitori privat, që gjej rastin ta përgëzoj nga zemra për seriozitetin, për standardet europiane të kantierit, për shpejtësinë dhe disponibilitetin me të cilin po punon, kompania Alb-Stars, sigurisht që do të ketë dhe pjesën e vet të përfitimit në këtë investim.

Ajo që unë dua t’i siguroj të gjithë është se raporti i investimit të menjëhershëm me kthimin e investimit do të zmbrapste, siç zmbrapsi dy herë rresht, në dy tentativa që bëri Federata për ta ndërtuar stadiumin, në bashkëpunim me qeverinë e kaluar, me koncension, edhe kompani shumë më të mëdha.

Ne morëm bashkë me presidentin dhe i shqyrtuam me shumë vëmendje të gjitha opsionet që kishim, duke u bazuar edhe tek propozimet e bëra nga kompanitë e mëdha europiane, të cilat dhanë ofertat e tyre në një garë të bërë më parë. E faktikisht, ajo çfarë na kërkonin, ishte e pamundur. Donin koncension, pra, administrim totoleshit privat të të gjithë hapësirës së stadiumit, ku kishin brenda, njëri variant, pallate, ndërsa varianti tjetër, komercionalizim, si dhe donin garanci shtetërore. Duhej që ne t’i garantonim çdo vit t’i paguanim 6 milionë euro, – në mos gabohem, – kompanisë, sepse mund të mos nxirrte në kohën e duhur, sipas saj, atë që do të investonte.

Për këtë arsye, ne nuk arritëm ta nisim më parë këtë projekt, megjithëse dëshira ka qenë që ditën e parë, bashkë me presidentin, që ta fillonim nga “Arena Kombëtare”, por nuk e kishim të mundur. Ndaj ne e kemi mbështetur me  gjithë fuqinë tonë, Federatën dhe Presidentin, në këtë iniciativë dhe në këtë partneritet publik  – privat.

Jemi të bindur që jo vetëm kemi bërë gjënë e duhur, por që duhet të bëjmë me të njëjtën skemë, mundësisht, edhe të tjera stadiume. Sigurisht, këtu nuk mjafton vetëm skema, nuk mjafton vetëm vullneti i Federatës dhe vullneti i qeverisë, duhen dhe investitorët, të cilët marrin përsipër një risk shumë të madh. Megjithatë, kjo është e vetmja rrugë për të ripërtërirë infrastrukturën e futbollit me stadiume bashkëkohore,  të paktën në të gjithë qytetet kryesore.

Jemi në një shqetësim të madhe për stadiumin e Shkodrës, – çka po e diskutonim me presidentit e Federatës edhe sot dhe kemi një diskutim të hapur sa herë diskutojmë, – sepse është bërë i gjithi me fonde të buxhetit të  shtetit, plus me një kontribut të Federatës dhe lind problemi i administrimit. E është një problem kolosal për stadiumin, kush dhe si do ta administrojë. Frika jonë është që të mos bëhet si stadiumi “Qemal Stafa” i deri sotëm, një pazar oriental, ku hapësirat e konceptuara në një  mënyrë të caktuar të deformohen, duke u ndarë në metra katror për qira, për dyqane, për të shitur patate, për të futur vetura, për të bërë lavazhe apo masazhe.

Po ashtu, akoma sot nuk jemi në  gjendje të përfundojmë projektin për një shpronësim minimal për nga pikëpamja e sipërfaqes, por maksimal për nga impakti që duhet të ketë stadiumi.

Stadiumet nuk janë objekte që administrohen kollaj. Kërkojnë profesionalizëm, menaxhim dhe financim. Vetëm mirëmbajtja e stadiumit “Loro Boriçi” kërkon minimalisht, sipas kalkulimeve që kemi bërë, 150 milionë lekë [të vjetra] në vit. Si do dalin  këto 150 milionë, nga buxheti i bashkisë?

Ndërkohë që këtu, jo vetëm do të kemi një stadium të ndërtuar, por edhe një stadium të menaxhuar. Do kemi një stadium që do funksionojë 24 orë, do të kemi një qendër që do funksionojë 24 orë, me të gjitha aktivitetet për familjet, për më të rinjtë, për fëmijët, me aktivitete komerciale dhe me aktivitete publike.

Sigurisht, të gjitha këto kërkojnë një administrim tërësisht ndryshe nga si e imagjinojmë ne prej të shkuarës; merre, ndaje, copëtoje, jepe me qira 40, 50 a 100 m2 metra dhe secili në qejf të vet, pastaj se kush merret me të gjithë impiantet dhe mbarëvajtjen, kjo ngelet midis zotit, qiramarrësve dhe përfaqësuesit të qiradhënësve.

Një falënderim me shumë mirënjohje për Marco Casamonti, i cili mori përsipër këtë projekt shumë kompleks. Nuk është një projekt i lehtë, pasi nuk ishte e lehtë të ndërhyje sidoqoftë, në një hapësirë dhe në një strukturë të tillë dhe për më tepër, në një potencial të tillë, për të ndërtuar një stadium kombëtar në mes të qytetit.

Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë “pse nuk e ndërtuat në periferi”, ndërkohë që të gjithë arkitektët e huaj, që nga ata që  ndërtuan planin e qendrës së Tiranës, arkitektët francezë dhe tek të gjithë ata që kanë ardhur, thonë se është fat që ju mund ta ndërtoni stadiumin në mes  të qytetit. Ata që e ndërtojnë në periferi nuk i kanë mundësitë ta ndërtojnë në mes të qytetit. Kurse ne e kemi stadiumin të trashëguar në mes të qytetit dhe e rindërtojmë në mes qytetit. Stadiumi në mes të qytetit është komunitet. Ndërkohë që stadiumet jashtë qytetit janë struktura që jetojnë vetëm për ditën e ndeshjes, ose aq më shumë akoma, janë struktura që kërkojnë shpenzime kolosale edhe për njerëzit që i frekuentojnë ato gjatë ditëve të javës.

Prandaj dua që t’i shpreh komplimentet e mia, edhe publikisht, arkitektit për projektin shumë ambicioz. Jam i bindur që në këtë bashkëpunim midis studios Arkea, një studio tanimë me famë botërore dhe kompanisë shqiptare Alb-Star jemi në duart më të sigurta, për të pasur një  stadium kombëtar nga më të bukurit e Europës dhe që të jetë në lartësinë e ambicies tonë për Kombëtaren e Futbollit dhe të asaj që Kombëtarja e Futbollit bëri për të gjithë ne, me përfaqësimin e saj në Francë.

Para pak kohësh u inaugurua stadiumi i Baselit, një tjetër strukturë fantastike, me një super kullë në krah, si pjesë e strukturës të realizuar nga studio e famshme Herzog & de Meuron, një tjetër përgjigje, se janë shumë përgjigje të mundshme për stadiumet që  kanë brenda në trupin e tyre, edhe kulla, për të gjithë ata shakaxhinjtë e përparimit që nuk lexojnë, nuk studiojnë, nuk dinë e nuk kuptojnë, por nisen vetëm nga paragjykime apo gjykime parafabrikate, për të sulmuar çdo gjë të re që bëhet këtu. Por kjo nuk ka rëndësie, ne do vazhdojmë punën, siç kemi vazhduar. Nuk do shohim dhe nuk do dëgjojmë as majtas, as djathtas, por do ecim drejt dhe do të ndërtojmë stadiumin, me krenarinë e madhe që po bëjmë diçka me rendësi të madhe dhe në  lartësinë e asaj që bëri Kombëtarja për të gjithë ne.

Shumë faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.