Në Fier, Kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën profesionale “Petro Sota”, ku zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës dhe stafin pedagogjik mbi rëndësinë gjithnjë në rritje që formimi profesional ka në tregun e punës.
Kryeministri e konsideroi arsimin e mesëm profesional një alternativë reale të arsimit të përgjithshëm për të siguruar nesër një punë.
“Këtë vit kemi filluar të shikojmë një kthesë të rëndësishme që në vitet në vijim do të konsolidohet si një kthesë historike për rrugën e arsimimit dhe të punësimit të të rinjve shqiptarë, një kthesë që çon në drejtimin e duhur vendin, çon në drejtimin e duhur edhe të rinjtë, sepse nuk kanë më vetëm një rrugë, kanë edhe një alternativë. Kjo alternativë është arsimi profesional. Jo vetëm që nuk është alternativë e dorës së dytë, por përkundrazi është një alternativë reale e arsimit të përgjithshëm për të siguruar nesër një punë. Faktikisht, nëse do të shohim anketën e forcave të punës, shkalla e punësimit të atyre që përfundojnë arsimin profesional është pothuajse e barabartë me shkallën e punësimit të atyre që përfundojnë universitetin. 65% e atyre që përfundojnë arsimin profesional gjejnë punë dhe 67% e atyre që përfundojnë universitetin gjejnë punë. Ndërkohë që, po të shikoni shkallën e punësimit të atyre që përfundojnë shkollën e mesme të përgjithshme është 20% më e ulët sesa shkalla e punësimit e tyre që përfundojnë arsimin profesional.”
Bazuar mbi këtë qasje të re, sipas Kryeministrit, ka ndryshuar rrënjësisht edhe modeli i arsimit profesional në Shqipëri, duke përshtatur modelin gjerman ku 40% e mësimit në shkollën profesionale kryhet në praktikë pranë ndërmarrjeve lokale. Rruga është e duhura, vlerësoi Kryeministri, por ende ka shumë sfida.
“Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, sigurisht që të gjitha ato çka jo nuk u bënë, por u bënë së prapthi për vite të tëra, nuk mund të bëhen për së mbari tërësisht dhe menjëherë në vetëm 18 muaj që ne kemi ndërmarrë sëbashku këtë rrugëtim. Por, një gjë është e sigurt që jemi në rrugën e duhur dhe që hap pas hapi, ashtu si po na e tregojnë dhe rezultatet që po marrim, ne do t’ia dalim të arrijmë aty ku gjenerata e re e shqiptarëve meriton dhe aty ku ne të gjithë bashkë jemi zotuar.”
Kryeministri nënvizoi se fuqizimi i arsimit profesional do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme të punës së përbashkët edhe me pushtetin vendor dhe në këtë drejtim, vuri në dukje rëndësinë e organizimit të ri administrativo-territorial.
“Riorganizim të plotë të të gjithë hartës territoriale të Republikës së Shqipërisë nga pikëpamja administrative dhe do të kemi pas 21 qershorit, bashki të cilat do të kenë shumë më tepër përgjegjësi, do të mbulojnë shumë më tepër territor, por dhe shumë më tepër nevoja dhe do të përballojnë shumë më tepër sfida. Të jeni të bindur se arsimi profesional do të jetë një nga pikat më të rëndësishme të punës sonë të përbashkët me pushtetin vendor, për të bërë të mundur që çdo vit, ne të bëjmë më shumë se më parë dhe pastaj, në disa vite të mbledhura sëbashku, ne të bëjmë për arsimin profesional dhe për punësimin real të të rinjve atë që nuk është bërë në 20 vite të kaluara.”
Në mbyllje, Kryeministri ftoi prindërit ta konsiderojnë arsimin profesional si një mundësi reale për një të nesërme më të sigurt për fëmijët e tyre.