Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:
Sot në mëngjes rreth orës 03:00 ka ndalur një odise e gjatë negociatash me PD, por këtë herë jo vetëm mes ekspertëve tanë, por ballë për ballë përfaqësuesve të dy misioneve të ekspertizës ndërkombëtare për Reformën në Drejtësi, misionit europian EURALIUS dhe misionit amerikan OPDAT.
Është realizuar një progres i mirë në disa aspekte teknike, por vija e kuqe e SHBA dhe BE ka rezultuar e pakapërcyeshme për pretendimin e PD për të hequr nga projekti kushtetues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për të ndryshuar kornizën e veprimtarisë së këtij operacioni në funksion të pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.
Propozimi “hibrid” i kompromisit të paraqitur nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.
Por, pavarësisht faktit që unë e rikonfirmoj se deri në orën 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur buzëqeshjen reciproke mbi këtë propozim është e plotë tanimë, ne 140 deputetë e Kuvendit të Shqipërisë jemi përballë një zgjedhjeje shumë të qartë; Ose të votojmë në emër të Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që kërkojnë çlirimin nga kthetrat e të korruptuarve që kanë marrë peng drejtësinë, ose të votojmë në emër të frikës nga drejtësia duke lejuar vazhdimin e pengmarrjes së dhunshme çerekshekullore të popullit tonë prej të korruptuarve të drejtësisë.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për çlirimin, jo për pengmarrësit.
Ose të votojmë faqebardhë për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për t’u përgatitur që të ulemi me dinjitet, pas një shekulli e kusur shtet shqiptar në tryezën e bashkuar të Familjes Europiane, ose të votojmë për faqen e zezë të Shqipërisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe kundër Bashkimit Europian e ta bëjmë Shqipërinë vendin që do damkoset, sepse refuzoi botërisht ndihmën e partnerëve strategjikë, për pastrimin e shtëpisë sonë nga plehrat e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për ta çuar faqebardhë vendin dhe popullin tonë në derën e negociatave për anëtarësim në BE.
Ose të votojmë me konsensus të gjithë sëbashku, duke ngritur kartonin jeshil të dritës së çelur të së ardhmes për gjeneratën tjetër, ose të ndahemi në mbrojtës të dritës dhe imponues të errësirës, ku çdo karton i kuq është ndalim i vullnetit sovran të popullit për t’i dhënë fund maskaradave në sallat e gjykatave që prej 25 vjetësh bëjnë ujë gjakun e këtij populli.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok, për të mbrojtur dritën e të ardhmes për gjeneratën tjetër.
I bëj thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, të sillet si lider që ka mbi supe përgjegjësinë e një barre nga ato që historia nuk i sjell çdo ditë në udhëheqjen e një opozite.
I kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme.
I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në procesin e jetësimit të reformës. Nuk mund t’ia plotësonim dhe nuk mund t’ia plotësojmë dot kërkesën për t’u bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE. Vija e tyre e kuqe është vija mbrojtëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila garanton suksesin e fshesës së hekurt mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë.
Partia Demokratike ka fituar në këtë proces të gjatë dhe shumë të vështirë të gjithë atë që i takon. Sinqerisht e komplimentoj Lulzim Bashën dhe ekipin e tij për rezultatet që kanë arritur. Por Partia Demokratike as nuk mund të kërkojë e as nuk mund të marrë atë që nuk i takon e që i bie ndesh rrugës tonë të përbashkët për të bërë një shtet dinjitoz të shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët, jo të partive, me partitë dhe për partitë.
Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, si lider i Partisë më të madhe shqiptare dhe si një qytetar i këtij vendi që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike, jo për hesapin aritmetik të qeverisë që unë drejtoj, por për llogarinë morale të vendit që unë qeveris.
Ndërsa kërcënimet, shantazhet, presionet dhe bllofet me djegie mandatesh, me baltosje të individëve që mund të shkëputen nga blloku antieuropian dhe antiamerikan i Reformës në Drejtësi, janë shprehje alarmante të kulturës diktatoriale të linçimit të armiqve të brendshëm, që bashkëpunojnë me agjenturat e huaja kundër partisë së tyre.
Unë kam qenë, jam dhe do të jem deri në orën 10:00 të datës 21 korrik për konsensus. Kam bërë gjithçka për konsensusin. Por mes kërkesës për konsensus deri në absurd, që bllokon reformën, dhe miratimit të reformës që zhbllokon rrugën e një revolucioni që pritet prej 25 vjetësh në drejtësi, unë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” zgjedh vendosmërisht këtë të dytën. Kjo nuk është reforma ime, dhe nuk është reforma e një partie, e një koalicion qeverisës apo një krahu politik.
Prandaj, le të bashkojmë forcat individuale, të bashkojmë të gjitha partitë në Parlament, të bashkojmë të dyja koalicionet dhe me të dy krahët lart, të ngremë shpresën e shqiptarëve që përfaqësojmë duke miratuar bashkërisht Reformën në Drejtësi, e duke i dhënë të gjithëve një mesazh shumë të qartë se nuk ka asgjë të pamundur kur të gjithë jemi bashkë.
Faleminderit!