Fjala e Kryeministrit Rama në bashkëbisedimin me studentet në sallën e rikonstruktuar të studimit në Konviktet e Mjekësisë:
Kryeministri Rama: Ne ishim aty përpara pak ditësh në një tjetër inspektim tek godinat e Qytetit Studenti dhe morëm një tjetër mësim që na solli këtu, sot, bashkë me ju, pasi vajzat që takuam atje më pas, kur ne u larguam, u ankuan se pse ne nuk qëndruam aty për të folur për të gjitha aspektet e këtij momenti të rëndësishëm dhe u mjaftuam vetëm me rindërtimin e godinës. Duke e marrë shënim atë mësim, ne sot jemi këtu, pasi kemi inspektuar ecurinë e punës me godinën dhe për t’ju përshëndetur, por edhe për t’ju dhënë mundësinë që përveçse në whatsapp të na shani edhe live.
Këtu është ministrja e Shëndetësisë. Unë e ftova të vijë pikërisht sepse është drejtpërdrejtë e lidhur me fushën tuaj. Nga ky proces, duke dëgjuar edhe drejtpërdrejtë, por edhe duke lexuar mijëra tekste studentësh, unë kam mësuar shumë për specifikat që ka çdo fakultet, përveç problemeve që janë të përbashkëta. Ndërkohë, për të adresuar specifikat, ne kemi shkuar shumë më tutje sesa kërkesat dhe një nga ato pika ku ne kemi shkuar më tutje është pikërisht krijimi i partneriteteve mes ministrive dhe universitetit, sipas fushave. Që do të thotë që Ministria e Shëndetësisë do të ndjekë Universitetin e Mjekësisë dhe problematikat e komunitetit të studentëve dhe pedagogëve si një partner, duke vënë në dispozicion edhe burime financiare për aspekte të ndryshme, që kanë të bëjnë me nevojat e Universitetit.
Edhe me gjithë universitetet e tjera kemi konstatuar probleme dhe çfarë po bëjmë, është që çdo ministri, sipas fushave specifike të partneriteteve, me universitetin, me fakultetet përkatëse kanë ngritur, ose po ngrenë grupe pune për të bërë gjithë inventarin e nevojave, nga pikëpamja e nevojave të infrastrukturës apo të logjistikës, pra, hapësira studimi, hapësira të tjera nga pikëpamja e infrastrukturës fizike dhe logjistikë, laboratorë, mjete etj.. Mbi bazën e gjithë këtyre inventarëve do të ndërtohet projekt-zbatimi i këtij aspekti i Paktit për Universitetit.
Me hapësirën fiskale, të krijuar nga spostimi i projektit të Partneritetit Publik Privat Thumanë – Kashar tek Pakti, kemi në dispozicion një shumë të konsiderueshme financimi, në bashkëpunim me sipërmarrjen private, për të filluar, pasi të kemi projekt-zbatimin, për të bërë një thirrje publike e për të lidhur kontrata për fillimin e punimeve dhe për adresimin e nevojave në të dyja këto drejtime, infrastrukturë dhe logjistikë. Kështu do të fillojë ndërtimi i Kampusit Universitar, do të fillojnë ndërtimet në të gjithë universitetet dhe fakultetet e kështu do adresohen problemet e logjistikës, laboratorëve e mjeteve didaktike e të tjera me radhë.
Me shumë dëshirë, unë, me ndihmën e Ogertës dhe të Erionit, do t’i përgjigjsha çdo pyetjeje, çdo shqetësimi, çdo kritike, çdo ankese dhe ju e dini që unë i përgjigjem edhe atyre fjalëve të tepërta, sepse këtë na ka dhënë mundësi Facebook-u dhe whatsappi, që të jemi të barabartë, pra, nuk ka që unë jam më i vogël dhe të bie ty kokës e ti duhet të jesh i urtë e të thuash faleminderit. Kush nga ju do që të ngrejë ndonjë shqetësim, ja ku më keni.
Studente: Përshëndetje! Unë doja të ngrija shqetësimin mbi gjendjen e dhomave tona, që janë skandaloze. Muret i kemi me myk, dritaret në gjendje skandaloze, hyn era kudo. Gjithashtu dyshekët i kemi copë-copë. Kjo është pjesa e parë, që është rregulluar dhe është mirë, po pjesa kryesore dhe dytësore kur do rregullohet?
Kryeministri Rama: Sa fëmijë jeni në shtëpi?
Studente: Familja ime përfiton ndihmë ekonomike. Prindërit i kam pa punë. Jemi katër fëmijë.
Kryeministri Rama: Ju kanë bërë me radhë, apo ju kanë bërë menjëherë?
Studente: Ne na kanë bërë tamam, siç duhet.
Kryeministri Rama: Tamam nuk diskutohet, por ju kanë bërë me radhë, apo menjëherë.
Studente: Me radhë, me radhë. Edhe unë prandaj po ju pyes, kur?
Kryeministri Rama: Dakord. Sapo kemi bërë këtu fëmijën e parë, sallën e leximit. Po punojmë për fëmijën e dytë, për gjithë infrastrukturën që është jashtë dhomave, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në dhoma ndërkohë ju jeni duke jetuar. Me t’u krijuar mundësia pas përfundimit të sezonit, ne menjëherë do të punojmë për dhomat, në mënyrë që në vitin e ardhshëm akademik, kur të vini, ta kemi bërë edhe fëmijën e tretë. Pastaj për fëmijën e katërt do punojmë fort, bashkërisht, do të na marri pak më shumë kohë dhe jam i bindur që brenda këtij mandati do kemi një transformim rrënjësor të infrastrukturës dhe të logjistikës.
Studente: Meqë mu dha rasti, doja të ngrija dhe një shqetësim tjetër. A jeni në dijeni se çfarë bëhet me bursat e Fakultetit të Shkencave Sociale? Nga shkojnë? Ku përfundojnë? Unë vitin e kaluar e humba bursën. Bashkë me mua, edhe disa shoqe të miat që e meritonim, po nuk e di nga shkojnë këto bursa. A jeni në dijeni ju si Kryeministër?
Kryeministri Rama: Patjetër!
Studente: Këtë pyetje nuk kemi ku e dërgojmë. Unë këtë vit po e humba bursën, prindërit e mi do e denoncojnë, do hedhin në gjyq fakultetin, por nuk e kuptoj, ju si Kryeministër duhet të jeni në dijeni se ku përfundojnë bursat, se kjo është detyra juaj, apo jo?
Kryeministri Rama: T’u duk sikur nuk e kuptova pyetje?
Studentja: Unë thjesht jam e revoltuar.
Kryeministri Rama: Revolta është e shëndetshme, sepse një njeri i revoltuar është një njeri që kërkon më shumë dhe sidomos revolta jote, që je e revoltuar dhe e buzëqeshur, sepse na jep mundësinë të komunikojmë si njerëz, pavarësisht se shqetësimi është shumë i madh dhe ke shumë të drejtë.
Jetojmë në një vend në transformim dhe në një shoqëri interesante. Në vitin ‘90, bashkëmoshatarët tuaj të asaj kohe bënë një zgjedhje, dolën në rrugë dhe thanë nuk e duam më këtë sistem, duam një sistem tjetër. Kjo zgjedhje ishte një ndarje e qartë me një sistem ku shteti kishte një përgjigje për të gjitha, ku shteti ishte nënë, ishte babë, shteti ishte komshi, ishte kushëri, shteti ishte hoxhë, shteti ishte prift, shteti ishte avokat dhe të gjitha. Bashkëmoshatarët tuaj të asaj kohe thanë nuk duam më këtë, duam një vend ku kush vrapon më shpejt, të marrë atë që i takon sipas meritës, kush vrapon më avash, të qëndrojë aty ku i takon e kush nuk vrapon dot, të ketë mbështetjen e shtetit që të mund të ecë.
Kjo është zgjedhja që kemi bërë dhe pjesë e kësaj zgjedhje është ndarja e pushteteve.
Unë jam më i revoltuar kur ndeshem me njerëz, të cilët janë të dëshpëruar për shkak të padrejtësive në sistemin tonë gjyqësor. Jo më larg se dje, kur ju ishit duke fjetur me siguri, sepse njerëzit normalë në atë orë flenë, unë kam qenë në komunikim me një shqiptar që fliste nga Gjermania e që kishte një problem shumë të madh me gjykatën. Po mundohesha t’i shpjegoja që të mirëkuptoj, por nuk jam unë personi që mund ta zgjidh problemin, sepse ka marrë gjykata një vendim. Vendimi gjykatës, – vazhdova, – ti thua është i korruptuar dhe unë nuk të kundërshtoj, por nuk mund të them unë që vendimi i gjykatës është i korruptuar. Për këtë arsye, ne po bëjmë reformën në drejtësi. E kuptoj që ka 30 vjet që njerëzit presin drejtësi dhe tani thonë ç’reformë në drejtësi, “kapini, futini brenda”. “Kapi, futi brenda” është prapë t’i kthehesh asaj kohe, përpara se a bashkëmoshatarët tuaj të dilni në rrugë e të kërkonin ndryshimin e sistemit, kur vërtetë të kapte e të fuste brenda shteti, partia shtet, Kryeministri, sekretari i partisë, duke të thënë je armik dhe do shkosh në burg, je hajdut dhe do shkosh në burg. E nuk kishte shans të kishe avokat, të kishe apel, të kishe çfarë të doje.
Sot kemi ndryshuar sistem e duhet të kemi mirësinë të kuptojmë që në këtë sistem, gjykatësi është i pavarur. Nëse marr një gjykatës dhe i them çfarë ke bërë, unë duhet të shkoj përpara gjyqit, si një person që ndërhyn në një pushtet tjetër.
Përse po i them këto?
Universiteti është autonom. I kemi dhënë autonomi. Autonomia nuk është liria e pedagogëve që të bëjnë grevë e t’i lënë studentët rrugëve, por është edhe përgjegjësi. Është përgjegjësia e pedagogëve që studentëve t’u japin atë që u takon, mësimin për të cilin studentët paguajnë, bazuar në mundin e prindërve e për të cilin kanë ardhur këtu.
Autonomia nuk është liri për të thënë më sill lekët, se unë do bëj çfarë të dua. Por është edhe përgjegjësi, që të tregosh çfarë bën me lekët.
Autonomia nuk është liri për të thënë unë ngujohem dhe në emër të një pakice pengoj shumicën të vijë të marrë mësim dhe pastaj, shumica vjen tek unë, tek ne dhe thotë na lironi rrugën, se na e kanë zënë ca njerëz që gjysma nuk janë as studentë dhe ne nuk bëjmë dot mësim e do humbim vitin. Por është edhe përgjegjësi dhe është përgjegjësia e atyre që drejtojnë universitetin.
Pse nuk hyn dot Policia në universitet? Është autonomia që e ndalon policinë të hyjë në universitet, pasi në bazë të autonomisë, liria akademike dhe përgjegjësia e organizmit të mësimit i takon stafit akademik, i takon rektorit, i takon dekanit. Ata janë përgjegjësit për të organizuar mësimin dhe ata janë, ose më saktë, titullari, rektori është ai që duhet të thotë dikush po na pengon mësimin, sillni policinë. Nuk mund të çojmë ne Policinë.
Kur është puna për lirinë, shteti nuk ekziston. Dua të bëj çfarë të dua dhe do të ankohem se unë nuk dua të paguaj taksa, nuk dua të paguaj drita, nuk dua të paguaj ujin, nuk dua të paguaj asnjë gjë, por kur është puna për përgjegjësinë, shteti duhet të bëjë për mua që të gjitha.
Lidhur me bursat, ato kanë qenë një instrument i lënë në dorë të bashkive. Ti bursën e ke marrë nga Bashkia. Në cilën bashki jeton? [Studentja: Burrel] Bursën e ke marrë nga Bashkia e Burrelit, sikundër kush ka bursë këtu, e ka marrë nga bashkia. Bashkitë nuk varen nga qeveria dhe nuk u thotë dot qeveria bëje kështu, apo bëje ashtu. Ajo çfarë kemi parë ne në këtë proces është se sistemi i bursave është një sistem shumë jo serioz. Për shembull, – nuk e di në rastin tënd, por këtu mund të jetë dikush tjetër që mund të dëshmojë që ka bashki që i ndajnë bursat, – të takon bursa “X” lekë dhe ju thonë, ne nuk i kemi lekët për të gjithë ju që meritoni bursë, por do t’jua ndajmë në dysh, apo në tresh. Një bursë që ti me ligj duhet ta kesh 50 mijë lekë, sepse je me ndihmë ekonomike p.sh, thonë nuk ta jap dot, sepse ne kemi 100 mijë lekë dhe e kemi për 5 veta, kështu që do ta ndajmë për pesë. Ndërkohë që duhet për dy.
Në këtë pikë, ju vini prapë tek ne. Tani e kemi marrë ne këtë gjë. Ne kemi lekët dhe i kemi lekët aty për bursat dhe për të paguar tarifat, sipas angazhimit që kemi marrë: ne do ta paguajmë 50% të tarifës për të gjithë studentët, 100% të tarifës për studentët me ndihmën ekonomike dhe për ata me 9-ta e 10-ta, plus disa kategori të veçanta që janë më specifike, të verbër apo aftësi e kufizuar, ata me prindërit invalidë. Plus bursën, që nuk e kërkuat ju, nuk ishte tek kërkesat, 100 mijë lekë në muaj për ty e për të gjithë ata që janë ose me ndihmë ekonomike, ose me 9-ta e 10-ta, do e paguajmë ne.
Ne kemi lekët, por dokumentet për ty dhe për gjithë studentët duhet t’i sjellë universitetit. Ti je tek Shkencat Sociale dhe aty nuk bëhet mësim. Tek Shkencat Sociale është bllokuar sekretaria, është bllokuar e drejta jote për të marrë bursën dhe e drejta jote për t’u paguar tarifa, përveçse të është bllokuar e drejta për të bërë mësim, në emër të nuk e di se kujt e me cilën të drejtë. Se jo që janë një pakicë atje, por edhe shumicë të ishin, edhe 99% të ishin, një student apo një studente të thoshte nuk dua t’ia di fare për këtë, unë dua mësim, unë paguaj tarifën, prindërit e mi rropaten që unë të vij këtu, të jetoj në Tiranë, të ushqehem, të vishem, dua pedagogu të vijë të bëjë mësim këtu. Një pakicë ju mban peng.
Por po nuk na solli sekretaria e universitetit të gjitha të dhënat për ty e për gjithë studentët që janë aty, të thotë kemi kaq me ndihmë ekonomike, me emrat përkatës, kemi kaq me 9-ta e me 10-ta, me emrat përkatës, ku t’i çojmë ne lekët?
Edhe një gjë, se sqarohet e nuk sqarohet. Nuk keni punë fare të shkoni nëpër sekretari e të kërkoni të paguani gjysmën. Sekretaritë duhet të sjellin listat e gjysmën e tarifës për të gjithë universitetin do e paguajmë ne. Ju nuk keni punë fare. Ju thjesht do paguani atë 50% tuaj. Nëse e keni paguar, keni mbaruar punë. Nëse nuk e keni paguar, do ta paguani. Nëse keni paguar 100%, kjo do shihet si do të rimbursohet vitin e ardhshëm. Pra, nëse ke paguar 100% këtë vit, vitin tjetër akademik nuk do paguash asnjë gjë për arsye teknike.
Për bursat, ne bursën duam ta çojmë në konton tënde bankare. Ti do kesh konton tënde bankare dhe do shkosh në bankë e do marrësh bursën.
Pra, qeveria i ka lekët, po si qeveri listën e studentëve, ku ta gjej? Shkoni tek fakulteti, me të gjithë shoqet e shokët që ju takon bursa dhe u thoni nxirrini letrat këtu. Si e keni më kollaj, të mblidheni e të protestoni kundra meje dhe bukur shumë dhe e keni kaq të vështirë të protestoni për gjënë që ju takon dhe nuk ju lënë t’ju jepet disa Mark Markë rrugëve atje, që kanë hallet e tyre?
Unë nuk shkoj dot as ta hap derën e universitetit me dhunë, as të marr me dhunë letrat. Unë po ju them çfarë mund të bëjmë ne, duke ju shpjeguar që kemi ndryshuar sistemin.
Autonomia universitare është liri dhe përgjegjësi. Përgjegjësia e sekretarive dhe e stafeve drejtuese është që për secilin nga ju të përgjigjen e të thonë, këta njerëz të cilët prindërit i sjellin këtu, kanë marrë nga qeveria këto të drejta. Kush janë këta tani që jua pengojnë të drejtat? Kaq pula jeni ju që rrini mbyllur edhe prisni? Çfarë prisni? Shkoni dhe kërkoni të drejtën tuaj!
Do t’ju digjet viti po ju them. Lëreni se çfarë thonë, se kam dëgjuar dhe teorinë që, “ne do ta djegim vitin, do bëhemi mullar tek dera, do vijnë të tjerë nuk do ketë vend, do bëhet kolaps dhe pastaj do të lindë një jetë e re”. E kuptoni se çfarë janë këta? Do t’ju digjet viti. Se si do e merrni vitin duke mos shkuar në shkollë? Ose do t’ju shtyhet. Ti do dhomën, por nëse mësimi nuk vazhdon e një moment do hapet, do rrish këtu, do rrish tek kjo dhoma edhe në korrik, edhe në gusht dhe nuk do futemi dot ne ta rregullojmë dhomën. Kështu që nuk ke çfarë kërkon. Atëherë, siç dolët në dhjetor dhe bëtë shumë mirë, për të drejtat tuaja, më vjen shumë mirë që e keni marrë vesh të gjithë që unë nuk të vras, nuk të bie me kopaçe kokës, unë maksimumi që mund të bëj, të çoj ndonjë shigjetë me fjalë kur bëjmë debat në whatsapp, por të dëgjoj dhe aty ku ke të drejtë, ke të drejtë. Më pëlqen mua, nuk më pëlqen mua, më vure në pozitë, nuk më vure në pozitë, unë jam këtu të të dëgjoj dhe të të shërbej ty. Ke të drejtë, nuk kam çfarë të them. Po të mos kishe të drejtë, do të thoja, nuk ke të drejtë dhe kjo nuk bëhet. Po të kishit dalë në protestë, dy vjet përpara do ju thoja, të drejtë keni, por nuk bëhet. Nuk i kemi lekët. Shko ti tek baba dhe tek nëna, çoji listën dhe thuaji, “këto janë kërkesat e mia, ose plotësoi ose unë nuk të flas”. Shihe çfarë të thotë baba ty! Shko, provoje. Thuaji, lista ime janë 8 pika, ose plotësoi ose bashkë babë nuk kemi punë. Babi thotë hajde të shpjegoj. “Nuk dua. Plotëso kërkesat e mia”. Ku e keni parë këtë?
Megjithatë, sot është e mundur të plotësohen këto. Po tani ju çfarë do bëni? Do prisni? Prisni! Nuk keni për ta marrë dot bursën. Nuk do marrësh asnjë lekë. Nuk do paguajmë dot tarifën tënde, sepse nuk kemi dokumente. Dokumentet duhet t’i sjellin ata, ata që tani thonë, ta çojmë një hap përpara protestën e studentëve. Çfarë proteste? Cilën?
Ndërkohë, unë mendoj, ju duhet t’iu bëni Mark Markëve një pyetje, sepse kërkesat e studentëve, nëse juve nuk do të ngatërronit kohën me sistemet, lidhen me ata, universitetet. Të gjitha këto që kërkoni ju, duhet t’i bënin ata, të gjitha, edhe tarifat, duhet ti bënin ata. Megjithatë, çfarë kemi pasur ne mundësi t’i marrim përsipër, i kemi marrë por duhet t’i pyesni pak, a janë dakord ata për vlerësimin e titujve akademikë Mark Marku me shokë? E duan ata, vlerësimin e titujve akademikë, e duan, apo nuk e duan? Jo të thonë po, por të thotë si e duan dhe kur e duan. Këtë nuk e thonë ata. Ee keni parë atë pikën që thonë, “të ndalohet denigrimi i pedagogëve”? Kush po i denigron pedagogët? Pse nuk kanë të drejtë studentët kur thonë që, na shesin librat e tyre edhe thonë ose bli librin tim, ose unë nuk të vë notën? Pse nuk kanë të drejtë?
Atëherë, pyetja e dytë që duhet t’i bëni është, janë dakord ata, apo nuk janë dakord të ndalojë tregtia e librave të pedagogëve për notën e studentit? Duhet ta thonë, nëse janë dakord. Jo të thonë “po”, por të thonë si dhe kur!
Pyetja e tretë është, a janë dakord ata, apo nuk janë dakord që çdo vit studentët të bëjnë një vlerësim? Janë mekanizmat. Të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve. Është një mekanizëm që e përdor gjithë bota. A janë dakord ata që të vlerësohen nga ju një herë në vit? Jo të thonë po, por të thonë si dhe kur? Aty do kuptojmë ne, këta për çfarë e bëjnë grevën? E bëjnë grevën për ju, apo e bëjnë grevën se nuk duan t’iu japin përgjigje këtyre tre pyetjeve?
Për çfarë e kërkojnë ata abrogimin e ligjit? Për çfarë thonë ata që VKM-të janë kundra autonomisë? Për çfarë e thonë? Këto tre pika janë. Ok, ne duam t’iu japim përgjigje kërkesave të studentëve një për një. Një pjese të këtyre kërkesave duhet t’ua japim përgjigjen bashkë me universitetin. Nuk bën dot qeveria, nuk e bën dot Ministria e Arsimit vlerësimin e titujve akademik. Duhet ta bëjë universiteti.
Tani, të gjithë studentët më shkruajnë mua dhe më thonë, mos e lër në dorë të atyre se ata nuk e bëjnë. Ok, por duhet ta bëjnë dhe unë besoj që shumica e pedagogëve në universitet janë njerëz normal, janë njerëz për tu respektuar, për mua, por këta që bërtasin dhe këta që bëjnë greva dhe këta që ju mbajnë peng juve duhet t’iu japin përgjigje këtyre tre pyetjeve. Po i dhanë përgjigje këtyre tre pyetjeve, jemi në rregull, nuk kemi asnjë problem. Po e morët dot përgjigjen, hajde më lajmëroni. Po e morët dot përgjigjen për titujt akademike nga këta, se si e duan dhe kur e duan, për vlerësimin e studentëve për ta, se si e duan dhe kur e duan dhe për librat që ju shesin juve, ato libra mizerabël për të cilat ju duhet të paguani qimet e kokës, se ndryshe nuk merrni notën, po e morët përgjigjen nga këta ju atëherë më lajmëroni dhe mua dhe pastaj jam unë që përsëri fajtori, nuk ka problem.
Studente: Përshëndetje! Meqë jetoj në këtë konvikt, kam jetuar më parë dhe në konviktet e mëparshme, dua të them që ju jam shumë mirënjohëse për ndryshimet që keni bërë!
Kryeministri Rama: Mos u merr me mirënjohje se do thonë që je e FRESSH-it. Më mirë me kritika, më dëgjo mua, se do të sulmojnë, se edhe këtu tek Mjekësia i kemi disa nga këta ujqit e Instagramit dhe të Facebook-ut që i sulmojnë ju sulmojnë me sharje, me gjëra. Nuk ka nevojë për vlerësime, bëj vetëm kritika ose sharje, që të jesh rehat.
Studente: Çdo ndryshim që bëhet në konvikt, sado i vogël, duket një punë shumë e madhe, të paktën për ne vajzat që jetojmë këtu. Pyetja ime për ju është, nëse në planin e vitit të ardhshëm do merret parasysh fakti që unë jetoj në një dhomë që nuk mund të them se është shumë e përshtatshme për katër veta, pasi mund të jetë 3.5 metra me 2.5 metra dhe do doja të dija nëse do ketë një reduktim të numrit të vajzave në dhoma? Mua më duket, për shembull, për katër veta, në një dhomë aq të vogël, sa mos të dish as ku të rrotullohesh, do e vlerësoja nëse do kishte një reduktim për këtë.
Kryeministri Rama: Do t’ju them diçka që thjesht t’i thërrisni pak kujtesës tuaj. Juve jeni rritur të gjitha nëpër shtëpitë tuaja, kthehuni pak në kohë, që kur mbani mend ju shtëpinë dhe kujtojeni pak, shtëpia, përgjithësisht, ishte më e mirë atëherë, apo është më e mirë sot dhe sa kohë u deshën që shtëpia të përmirësohet? Sepse ju jeni, pak a shumë, të lindur në periudhën kur realisht ishte momenti i kthesës nga varfëria ekstreme dhe të gjitha shtëpitë njësoj tek krijimi i mundësive për shkak të emigracionit, për shkak të lirisë etj., që do të thotë që, e njëjta gjë është edhe për konviktet. Po të kishim pasur mundësi për t’i bërë më parë, do t’i bënim më parë. Patjetër që këtë që po bëhet sot e bëjmë sepse ishte shtysa juaj shumë e fortë që nuk ka më kohë, nuk presim dot më dhe kjo nuk është as turp, as sekëlldi, përkundrazi, unë jam shumë krenar që ne i kemi dhënë Shqipërisë një qeveri që e dëgjon edhe reflekton se ne nuk i dimë të gjitha. Në atë sistemin tjetër prezumohet që të gjitha i di partia. Qeveria nën udhëheqjen e partisë i di të gjitha. Madje edhe përgjigjet e çdo pyetjeje i di partia. Ti nuk ke çfarë kërkon përgjigje dhe nuk ke çfarë dyshon. E mira është kjo. E keqja është kjo. Në demokraci askush nuk i di të gjitha. Askush. Asnjë parti nuk i di të gjitha, asnjë qeveri nuk i di të gjitha, asnjë pushtet nuk i di dhe nuk i bën të gjitha, janë të gjitha të ndara dhe mbi të gjitha, në demokraci, ne kemi dëgjuar të thuhet por unë besoj që është e para herë gjatë këtyre viteve që kjo po merr një formë, pushteti i qytetarëve është pushtet që nuk mund të neglizhohet. Si shprehet pushteti i qytetarëve? Patjetër që shprehet me votë, nuk diskutohet, por shprehet dhe midis dy votimeve me protesta, me kërkesa, me presione e kështu me radhë. Pse po ti them këto? Patjetër që këto që po bëjmë nuk janë mrekullira. Nuk diskutohet.
Do ishte shumë mirë të ishin bërë shumë më përpara. Do ishte shumë mirë që ju kur të vinit në ditën e parë të universitetit ta gjenit këtë sallë siç është sot, jo ta gjenit siç ishte, por mundësitë këto kanë qenë. Ne çfarë po bëjmë? Ne po mundohemi të rrisim mundësitë që të kemi mundësi të bëjmë më shumë. Patjetër që 4 veta në një dhomë është absurde, ashtu sikundër, jo vetëm 4 veta në një dhomë, por aty ku janë katër, futet dhe i pesti nuk diskutohet, por unë po flas për standardin. Edhe dushet, i pashë që po rikonstruktohen, shumë Ok, por ama, ne, sidoqoftë, jemi të vetëdijshëm që, me një tualet në kat, e ku di unë, janë standarde, d.m.th., kjo godinë është ndërtuar në 1955-ën.
Tani unë nuk dua t’i hyj si erdhëm deri këtu, etj., është histori tjetër, mos ju marr kohë, por patjetër që, e para na duhet që të garantojmë që të përmirësohen ndjeshëm kushtet në infrastrukturën që kemi. E dyta, do fillojmë ndërtimin e kampusit të ri universitar ku do zgjerojmë mundësitë e akomodimit, që do të thotë që, sot jeni 4 bashkë, na duhen më shumë ndërtesa, nuk na duhet thjesht të rregullojmë këto që kemi, atëherë ndërtesat e reja do të bëhen në kampusin universitar që do të fillojë të ndërtohet tek Qyteti Studenti.
Tani, pse nuk është bërë përpara? Konkursin e kampusit e kemi bërë në 2015-ën, por ja ku e keni këtu ngjitur, në anën tjetër të korridorit atë lokalin, ajo ka qenë hapësirë e konviktit, apo jo? Ka qenë mensa juaj. Çfarë është aty? Aty është lokali i një ministri, vëllai a kunati, a ku di unë, lokali i një ministri, e keni këtu. Çfarë po bëjmë ne tani? Ne po mundohemi të prishim kontratën e bërë nga ministri për vëllain e vet këtu, mirëpo një fjalë goje është prishja e kontratës, por duhet të ruhesh se kur shkon në gjyq, gjyqi nuk rri të shohë që, a ishte e drejtë që ministri ia dha vëllait etj., këtë e shihni ju kur votoni, gjyqi thotë, “kjo është kontratë e rregullt, ti ia prishe, jepi lekët.” Tani, të paguajmë edhe vëllain e ministrit ne?! Kështu që, ky është një rast.
Tek Qyteti Studenti është plot e përplot. Më bëri përshtypje ky Bujar Nishani. Unë thashë vëllai i një presidenti, nuk përmenda emra. Ky u hodh përpjetë tha, “nuk jam unë”. Po kush i tha këtij që është ky? Nuk jam unë tha, do ta çoj në gjyq. Hajde shkojmë në gjyq, por kush ta tha ty? Pse hidhesh ti përpjetë? Unë vërtet jam kryeministër, por po të thonë që motra e një kryeministri, – unë nuk kam motër, – kështu që unë nuk hidhem përpjetë. Ky çfarë ka? Kjo është situata e trashëguar. Këtu nuk është puna për ti vënë fajin të tjerëve që nuk diskutohet që fajin e kanë ata, kjo nuk diskutohet, por këtu është për të thënë që ja se si janë të lidhura gjërat.
Studente: Unë në fakt doja të shtroja problemin e lokalit që sapo përmendët, për arsye se nuk është se frekuentohet dhe në rast se ai ambient i lokalit aktual do konvertohej në hapësira dhomash, edhe ne do na leverdiste se do kishte më pak persona nëpër dhoma. Unë doja të thoja që, pavarësisht se me disa pika të protestës të gjithë si klasë jemi dakord, ne kemi bërë një peticion për t’iu rikthyer mësimit dhe kemi të gjithë javën që sapo u mbyll që paraqitemi në shkollë edhe nuk i gjejmë as sallat të hapura, që do të thotë që nuk është vetëm përgjegjësia jonë, as sekretaritë nuk i kemi aty, që është diçka tamam një thikë me dy presa, që ne duam mësim edhe ashtu. Ndërsa për sa i përket pseudo protestës që po bëhet aty, ne jemi paraqitur për të parë se çfarë po bëhet më shumë, për kureshtje, aty mblidhen studentët e arteve dhe diskutojnë pse po prishet teatri, pse po bëhet kjo me teatrin në Fakultetin e Shkencave Sociale. Ne, një pjesë e madhe duam mësim, se kemi kontaktuar edhe me degët e tjera dhe nuk po na lejojnë. Nuk e di se përgjegjësi e kujt mund të jetë d.m.th. fakti që nuk hapen sallat, se atëherë i bie të kalojmë në kafene të bëjmë mësim. Edhe diçka tjetër, brenda mundësive, unë kam mbaruar Bachelorin për degën Filozofi, pastaj kam bërë një ndërprerje për arsye se kisha nevojë, masterin familja ime nuk kishte mundësi ta paguante edhe kam punuar 2-3 punë, edhe gjatë kohës që kam qenë në Bachelor kam punuar 2-3 punë, kam jetuar në konvikt prej 5 vitesh, aktualisht dhe nuk është se kam pasur mundësinë që të studioja mjaftueshëm, pavarësisht se studioja gjithë natës, nuk kisha mundësi të studioja mjaftueshëm sa të dilja ekselente. Tani që jam në master viti i parë, normalisht nuk më përket bursë për arsye se nuk e kam mesataren mjaftueshëm sa të më përgjysmohet dhe i bie të paktën të bëhet një privilegj se unë jam dhe në master shkencor që kushton akoma më shumë. Të bëhet të paktën një lëshim sado i vogël. Për ne edhe një 30% është goxha shumë.
Kryeministri Rama: Mirë, tani për pjesën e parë, besoj e keni dëgjuar që ka shumë profesorë të vetëshpallur dhe shumë kritikë të vetëdeklaruar që thonë, një kryeministër nuk duet të flasë kështu, një kryeministër nuk duhet të vishet kështu, një kryeministër nuk mund të merret me kështu, një kryeministër nuk bën “ththth”. Tani, unë nuk jam bërë kryeministër për tu bërë dikush tjetër dhe nuk dua që duke qenë kryeministër të bëhem dikush tjetër dhe pastaj kur të vazhdoj jetën të mos njoh veten time. Unë jam bërë kryeministër si ky që jam, me të gjitha të metat, dobësitë dhe të këqijat e mia dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj veten time që t’ju dukem si kryeministër këtyre që nuk dinë çfarë flasin.
E them këtë përpara për të thënë që unë e shoh shumë të rëndësishëm t’iu qëndroj besnik njerëzve dhe pika e parë e besnikërisë është t’ju them atë që mendoj, të sillem ashtu siç më vjen, të vishem ashtu siç dua dhe në vitin 2018, 2019, 2020 të jap dhe unë kontributin tim që në këtë shoqëri, njerëzit të mos jenë kaq të prapambetur sa të mos merren me, “si e tha”, “si u vesh”, “si doli”, të gjitha muhabete katundi.
Po ta them copë, unë kam qenë protestues. Nuk kam pyetur njeri se si bëhet protesta, se si ta arrij atë që dua. E kam bërë siç e kam menduar. Është e pabesueshme për mua që ju, pas asaj proteste që bëtë, përsëri nuk kuptoni forcën tuaj. Është e pabesueshme! Ajo protesta që bëtë ishte për disa kërkesa të përgjithshme. Kjo sot që po ju ndodh ju është kërcënim i drejtpërdrejtë për ju dhe për prindërit tuaj që të humbni vitin. Është kërcënim i drejtpërdrejtë që të mos merrni dot të drejtat që i fituat me protestën tuaj, sepse nuk keni për ti marrë dot tarifat, nuk do merrni dot bursat, sepse po nuk i solli universiteti listat, nuk kemi se kujt t’ia japim lekët.
Ju të pranoni që një grusht njerëzish atje, bashkë me një grusht pedagogësh t’ju kërcënojnë në atë farë feje dhe t’ju kompleksojnë, jo “jeni tradhtarë”, jo “ju jeni grevëthyes”, jo kështu e jo ashtu, grevëthyesit e kujt dhe të mos mblidheni bashkë, “shkojmë ne atje, po ata nuk na lënë”, të mos mblidheni bashkë, jo për tu zënë, jo për tu kacafytur, por për të qëndruar atje tek dera dhe për të kërkuar llogari deri kur të hapet dera dhe për t’i shkuar në shtëpi rektorit, tek dera e shtëpisë e për t’i thënë: “Dil jashtë tani, se ti je rehat në shtëpinë tënde, me familjen tënde dhe me fëmijët e tu, se merr paga dhe nga 13 borde. Prindërit e mi mezi më paguajnë mua këtu dhe unë e fitova këtë të drejtë. Dil jashtë nga shtëpia, hajde më hap universitetin, hajde më jep dokumentet se unë do marr lekët që më takojnë. Qeveria ka vendosur që shoqëria më detyrohet mua si student të më paguajë gjysmën e tarifës, të më japë bursë kur jam me 9-ta e me 10-ta, të më japi bursë kur e kam familjen me ndihmë ekonomike. Tani, familja ime me ndihmë ekonomike, unë rri këtu, në Tiranë, familja ime në Burrel, duhet të më paguajë mua dhe unë edhe bursën që merrja, të mos e marr dot, as atë 50 mijë lekësh, jo më të marr 100 mijë lekëshin që më ka dhënë qeveria. Pse? Se ti do të bllokosh universitetin. Për çfarë? Për Saliun? Për Lulin? Për Monikën? Ca më duhet mua kjo? Ti dil bëj çfarë të duash. Ti nuk mund të më ndalosh mua rrugën”.
Nëse e kërkoni këtë nga unë e nga qeveria, e kërkoni në derën e gabuar. Ne nuk mund të shkojmë dot në universitet të fusim Policinë nëse nuk e kërkon universiteti, nëse nuk e kërkon rektori. Rektori me çfarë merret? Me çfarë merret Rektori nëse nuk garanton dot që ti të shkosh në mësim, edhe sikur të ishe vetëm, jo shumicë. Prindërit e kësaj vajzës këtu nga Burreli çfarë borxhi i kanë rektorit? Kanë çuar vajzën në universitet, presin që vajza të mbarojë shkollën, shpreson që vajza nesër të hyjë në një punë dhe familja të jetojë pak më mirë. A kanë ata mundësi dhe luks që të humbë vajza vitin dhe të rrinë ata pa bukë e të paguajnë ato 5 lekë për vajzën që të rrijë këtu në Tiranë të presë të hapet dera? Po si është kjo? Unë vij me ju. A doni të vij edhe unë të hapim derën? Po, por mblidhuni atje. Jo, shko atje, por “e di si është puna, ne na thonë që ju jeni të FRESSH-it, ju jeni kundër”. Çfarë është kjo? Prandaj ju thashë, më intereson mua se çfarë më thonë këta? Jo “u veshe me atlete”, jo “dole pa pantallona”. Pse, për këta jetoj unë?
Studente: Rektori na e aprovoi atë peticionin, ra shumë dakord me ne dhe ka 10 ditë, apo dy javë që na zvarrit, hajde nesër, hajde nesër.
Kryeministri Rama: Unë ta thasha dhe jua them të gjithëve atyre që më marrin, sepse më vjen realisht shumë keq. Mund të ishe fare mirë vajza ime dhe realisht ju shoh të gjithëve si fëmijët e mi. Vihem në pozitën e prindërve tuaj dhe ndihem shumë keq, por nuk e kam të mundur dot të ndihmoj më shumë, sepse autonomia e universitetit është kthyer në një instrument pengmarrjeje nga këta, nga Mark Markët dhe nga Kadri Qorrët që ku di unë se cfarë duan. Unë e di se çfarë duan ata, por nuk dua të merrem me ta tani. Ata duhet t’i përgjigjen atyre pyetjeve që thashë, Mark Markët, atyre 3 pyetjeve:
E duan vlerësimin e titujve akademikë? Kur e duan dhe si e duan?
E duan vlerësimin e studentëve për performancën e tyre një herë në vit? Kur e duan dhe si e duan?
E duan ndalimin e tregtisë së librave në këmbim të notave? Kur e duan dhe si e duan?
Të përgjigjen për këto të treja ata dhe jemi në rregull me ata.
Unë po flas për të drejtën e pamohueshme të çdo prindi që vajzën që çon në shkollë, ta ketë në shkollë. Këtë detyrë e kanë këta që nuk janë vetëm rektorë, nuk janë vetëm dekanë, nuk janë vetëm pedagogë, janë edhe prindër.
Për sa i përket masterit, masteri nuk është arsim i detyrueshëm. Masteri nuk është detyrim i shoqërisë për të paguar. Masteri është investim që ti bën për veten tënde dhe për të cilin duhet t’i dalësh zot vetes tënde.
Dua të sqaroj një gjë. Është përhapur shumë që, nuk futesh dot në punë po s’pate master, është e pavërtetë.
Ne kemi 800 vende pune sot që flasim, të shpallura tek Platforma “Punë e mbarë” për studentët me 9-ta dhe 10-ta, 500 janë me Bachelor.
Në Departamentin e Administratës Publike, bëhen konkurse vazhdimisht dhe ka plot me Bachelor. Natyrisht nëse ke Bachelor futesh në punë nuk diskutohet, por deri në një nivel të caktuar. Nëse do të shkosh në një nivel më të lartë, të bëhesh drejtor i përgjithshëm po themi, duhet të bësh masterin.
Nuk është e vërtetë që nuk futesh dot në punë me Bachelor. Është tërësisht e pavërtetë. Kini parasysh edhe një gjë, që është çështje kostosh. Kjo që ne bëjmë për tarifat dhe për bursat, e bëjmë sot sepse kemi mundësi. 5 vite më parë as nuk mund të imagjinohej fare. 5 vite më parë ne ishim gati duke u zhytur fare si vend për shkak të borxheve dhe duhet t’i ulnim edhe rrogat dhe pensionet që kishim.
Dy vite më parë ju mund të ishit akoma ju tek Ministria e Arsimit atje, të jeni të sigurt që unë do të thosha “jo”. Jo se nuk dua dhe jo se nuk keni të drejtë, por sepse nuk do ishte e mundur. Është si ajo që i thashë asaj vajzës më parë, shko në shtëpi tek babai, ata gdhihen dhe ngrysen duke u sakrifikuar që të të rrisin ty dhe 3 fëmijët e tjerë, çoja kërkesat me shkrim dhe thuaji “1,2, 8 pika, o babë, o bëji, o unë s’flas me ty” dhe shiko se çfarë merr përgjigje. Pra, është e njëjta gjë. I kemi mundësitë sot, e bëjmë, por nuk mundet dot të shkojmë përtej mundësive tona, është e pamundur.
Tek masteri nuk është vetëm puna se është e pamundur, është e padrejtë. Parimisht është e padrejtë. Po ta them hapur dhe në sy, është e padrejtë që shoqëria të paguajë për masterin, ndërkohë që, shoqëria është e angazhuar të paguajë librat falas për fëmijët. Këtë vit kemi futur edhe klasën e 5-të, do fusim deri në klasën e 9-të brenda këtij mandati. Janë para. Të gjithë fëmijët e Shqipërisë deri në klasën e 9-të do i marrin librat falas. Të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike ose ata që janë me 9-ta dhe 10-ta në gjimnaz do i marrin librat falas, por hap pas hapi.
Ka këtu vajza që vijnë nga fshati, prindërit janë fermerë, iu kemi hequr taksën e inputeve bujqësore, e kemi bërë zero, pra do kenë më shumë lekë në xhep. Sa? Në varësi të masës së inputeve që ata konsumojnë.
Pas 28 vitesh, e kam premtuar unë në vitin 2013, nuk e bëmë dot as në 2014, as në 2015, as në 2016, as në 2017, por, ama, nuk e harrova premtimin. Sot mund ta bëjmë, sepse kemi mundësitë. Po të mos i kishim mundësitë do të thoshim prisni nuk mund ta bëjmë akoma.
Tek shëndetësia, meqë këtu shumica janë shëndetësi, kemi premtuar që do shkojmë drejt një shëndetësie që është falas për qytetarët dhe po shkojmë hap pas hapi. Nuk shkohet përnjëherë. “Ku e ke shëndetësinë falas?” Hap pas hapi. Para pak ditësh ishim me ministren për të gjithë paketën e lenteve të syrit falas. Po prit, se janë lekë, mbi 1 milionë euro që shumë njerëz dhe pjesa më e madhe pensionistë duhet t’i nxirrnin nga xhepi, sot nuk i nxjerrin nga xhepi, sepse i bën spitali falas.
Unë jam shumë dakord me të gjitha kritikat, me të gjitha shqetësimet, nuk jetojmë në Gjermani e as në Francë, nuk jemi të dytët, as pas Francës dhe as pas Gjermanisë, jua thashë, kujtojeni shtëpinë tuaj si ishte kur keni lindur ju dhe si është sot. Është më e mirë sec ishte. Po përse nuk ishte kaq e mirë sa atëherë? Përse nuk është aq e mirë sa do të donit ju? Sepse aq janë mundësitë.
600 mijë njerëz deri përpara katër vitesh që nuk janë të siguruar për shkak se e kanë të pamundur i paguanin ilaçet kokërr më kokërr dhe nuk diskutohej fare kjo gjë. Sot rimbursohen të gjithë, njësoj si të siguruarit. Po janë miliona e miliona që i paguan shteti për ata. Parjetër, nuk është maksimumi, por të gjitha këto nuk hyjnë tek shëndetësia?!
Për të shkuar tek mjeku i parësorit paguhej 10 mijë lekë vetëm për t’i thënë, “mirëmëngjes doktor! Kam pasur pak dhimbje fyti mbrëmë”. Ai thonte, “po, 10 mijë lekë bën përgjigja ime”. Imagjinoni se sa vizita ka në ditë në parësor. Është falas nuk paguan më. Hap pas hapi.
Sa janë paketa të tjera?
Çeku i bebes ishte 50 mijë lekë, e vendosa unë në Bashkinë e Tiranës, për një bebe 50 mijë lekë të vjetra. 50 mijë lekë ishte deri vjet. E mori qeveria?! Jo se e merrnin të gjithë. Unë kam akoma mesazhe, bebet po bëhen për të kërkuar tarifën e universitetit, s’kanë marrë akoma 50 mijë lekëshin. E bëmë 400 mijë për fëmijën e parë, 800 mijë për të dytin, 1 milionë e 200 mijë për të tretin. Ti je e katërta, do kishe ardhur me bursë me vete, por në kohën kur linde ti ishte e pamundur. Sot është e mundur.
Studente: Jam Kristina, studente infermierie master shkencor, viti i parë. Kam një sugjerim për Platformën e Punësimit “Punë të Mbarë” për studentët ekselentë. Unë kam aplikuar për të dyja thirrjet e Platformës, por nga ajo që unë pashë tek vendet vakante, profesionet e UISH-it, vendet vakante të tyre i kanë nëpër poliklinika, QSH dhe spitale. Në departament dhe tek drejtoria e spitalit janë vetëm 2 vende pune për ne. Sugjerimi im do të ishte nëse 1/3-ta apo ¼-ta e vendeve vakante të UISH-it që i atribuohen portalit Infermierë për Shqipërinë t’i kalohen ose t’i jepen favor studenteve të ekselencës të sapo licencuar për UISHin, jo për mjekët, sepse ata janë të Ministrisë. Infermierë, mami, fizioterapistë dhe laborantë që janë të portalit për infermierët t’i kalojnë portalit Punë të Mbarë, sepse s’mund të lëmë edhe pjesën tjetër, sepse infermierë dhe mami janë një numër i konsiderueshëm ekselentë. Duhet vënë një tavan mbi 9.5.
Kryeministri Rama: Kur thoja unë, “hajde flasim”, thonit “për çfarë do flasim?” Kur flet, siç ka ndodhur dëgjon shumë gjëra të reja e specifike. Tjetër infermieria, tjetër Stomatologjia, tjetër Arkitektura etj..
Faktikisht janë dy gjëra të ndryshme komplet, sepse Platforma Punë e Mbarë është për ata që duan të punojnë në administratë, por ndërkohë, bonusi për ju besoj që është gjëja e duhur. Kjo është një nga gjërat më revolucionare që ka prodhuar protesta dhe që nuk ishte fare tek 8 pikat.
Është momenti që të gjitha vendet e punës të lira në administratë do të vihen në dispozicion të studentëve me 9-ta dhe 10-ta. Kjo është një incentiv edhe për ata që janë me notë mesatare mbi 8 apo 7, që dhe ata të marrin 9-ta dhe 10-ta. Ky është sistemi që kemi zgjedhur.
Kjo është një ndihmë e madhe për mua dhe për ne që të ndalojmë të gjitha ato prurjet e tepsisë, duke iu vënë përpara këtë fakt, që, në administratën shqiptare, unë po jua them solemnisht, deri kur të jem unë të paktën, zgjedhja e parë do të jetë për ata që kanë mbaruar shkollën me 9-ta dhe 10-ta, vendet e lira.
800 vendet e para janë shpallur. Për fat të keq, kemi afro 400 aplikime, sepse thonë që nuk kemi dokumente, sepse nuk shkojnë dot tek Sekretaria. Pse nuk shkojnë tek sekretaria?! Sepse Kadri Qorri do të bëjë revolucionin marksist-leninist, kurse Mark Marku do të bëjë revolucionin e 16 shkurtit. Janë në botën e tyre ata. Ndërkohë, njerëzit nuk marrin dot dokumentet. Është kaq e thjeshtë, kaq e rëndë, kaq qesharake dhe kaq dramatike, por bëhet në emër të autonomisë. Ne nuk shkojmë dot në Sekretari të sekuestrojmë dokumentet.
Çdonjëri nga ju që ka të drejtë, të kërkojë edhe të thotë, “do bëni ngujime dhe përqafime revolucionare në kurrizin tim, në kurriz të prindërve të mi?! Do vazhdojnë të paguajnë prindërit e mi 100% të tarifës, se ju doni të bëni ngujime kur unë s’kam lidhje fare me ju?! Do humbas vitin unë dhe prindërit e mi do paguajnë një vit më shumë se ju doni të bëni greva, ndërkohë që jeni aty të paguar nga prindërit e mi dhe nga të gjithë prindërit tanë, nga taksat e tyre, që të më jepni mua mësim?!”
Si lejohet kjo?! Si mund të rrini ju kështu si pula që prisni që të vijë kokoshi nga Kryeministria t’ju shpëtojë?!
Studente: Përshëndetje! Unë jam dega Infermieri, viti i tretë. Ju dëgjova gjatë gjithë fjalimit dhe dëgjova që gjatë gjithë kohës ia hidhnit fajin universiteteve. A nuk është ligji që firmosët ju që ia dha autonominë universitetit? Pse pikërisht ata duhet ta kenë ata fajin?
Kryeministri Rama: E para njëherë, unë nuk mendoj që gabimi është tek autonomia, siç nuk mendoj që gabimi është tek demokracia. Unë nuk mendoj që bëmë gabim që ne zgjodhëm sistemin demokratik kur ndeshem me njerëz që derdhin lot, apo që më ulërijnë në telefon për padrejtësitë që iu bëjnë gjykatësit. Nuk më shkon në mendje të them, “sa keq bëmë që zgjodhëm demokracinë! Ishim më mirë në kohën kur gjykatësin e çoje në pushkatim po të të bënte një padrejtësi të kësaj natyre”, se vërtet mund ta pushkatoje, por ndërkohë gjykatësi ishte aty për të mbajtur në këmbë një sistem të padrejtë që shkelte të drejtat e njeriut dhe që burgoste dhe sakatonte njerëz.
Autonomia jo s’është gabim, por është rruga e duhur.
Ligji, që këta Mark Markët dhe këta Kadri Qorrat thonë duhet abroguar, është i duhuri. Nuk ka ligj të shkruar në gur, çdo ligj është i përmirësueshëm, por akoma sot unë s’kam dëgjuar një argument të vetëm, ku të jetë ligji pengesa. Pengesa është papërgjegjshmëria dhe paaftësia në administrimin e universitetit.
Kjo është ajo që ka ngritur studentët, me sa kam kuptuar unë.
Unë e kam dëgjuar me shumë vëmendje çdokënd nga ju që ka folur gjatë gjithë atyre ditëve, që nga ata që janë për tu kthyer në fillore tek libri i edukatës qytetare, tek ata që nuk e di se si e kanë marrë provimin e gjuhës shqipe në klasë të 9-të dhe tek ata që, pavarësisht se mund të kenë pasur dhe mund të kenë ide komplet të ndryshme nga të miat, kanë të drejtën e tyre të shprehen. Ama, të gjithë, komplet këta, një emërues të përbashkët e kishin: duan një sistem universitar serioz, ku secili të marrë përgjegjësinë e vet dhe ku administrimi të jetë transparent dhe i besueshëm.
Unë nuk është se po ia hedh fajin dikujt. Kjo nuk është çështje hedhje faji, kjo është çështje sqarimi. Pse unë dhe pse qeveria nuk zgjidh dot çështjen e çlirimit të atyre vatrave të bllokuara nga këta? Pse autonomia universitare është liri dhe përgjegjësi?
Autonomia është, në njëfarë mënyre, momenti kur u thua prindërve, “unë do iki nga shtëpia, nuk dua të jetoj më me ju, sepse unë kam lirinë time”. Ke lirinë tënde?! Në atë moment ke marrë përgjegjësi për veten tënde. Nuk i thua prindit, “unë kam lirinë time, unë do iki nga shtëpia por tek shtëpia tjetër do të më mbash ti mua përsëri”, se ai të thotë “jo. Do të të mbaj unë? Rri këtu. Do të shkosh atje? Vazhdo, por ama do i dalësh zot vetes.” Në momentin kur thua do t’i dal zot vetes, ke kërkuar lirinë dhe ke marrë përsipër përgjegjësinë që të mbash veten, apo jo? Kështu është autonomia e universitetit. Liria akademike është e pacenueshme. Programet nuk i bëjmë ne. Ne për tarifat kemi vënë vetëm një tavan.
E dini ju që të gjitha universitetet kur kanë sjellë tarifat ishin dyfish i këtyre që keni?
Këtu unë nuk ua hedh fajin atyre. Arsimimi juaj kushton më shumë sesa tarifat. Prandaj edhe në shumë aspekte çalon, sepse jemi nën kosto. Ky është fakt. Nuk kemi çfarë bëjmë. Një student ka koston e tij.
Tarifat janë të ulëta të gjitha. Edhe tarifat më të larta që janë tek Mjekësia, janë të ulëta në raport me kostot. Por ama, ne vendosëm tavanin, duke pasur parasysh mundësitë. Imagjinoni sikur ju t’i kishit tarifat dyfishin e kësaj që keni te Mjekësia. Edhe kaq sa janë, thoni, jo prit. Megjithatë i paguani. Ne vetëm kaq kemi vendosur, tavanin për tarifat.
Kur thuhet, ulni tarifat, s’duhet t’ia kërkoni fare qeverisë. Duhet t’iu thoni atyre ul tarifat. Ata kanë detyrën që t’ju shpjegojnë tarifën. Dekanati duhet tu dalë përpara studentëve dhe të thotë, “ja pse tarifa është kaq”. Duhet ta zbërthejë tarifën, se pas çdo tarife ka një llogari, pse kushton kaq? Nuk është, “hajde sill lekët”. Ti duhet ta dëgjosh si student edhe të thuash, është bindëse, ose nuk është bindëse dhe nëpërmjet Senatit të Universitetit, me përfaqësuesit e tu, ti duhet të luftosh për tarifën atje. Këto në ligj janë të gjitha dhe të gjitha janë sic dhet.
Më thoni pak, kur e morët vesh që ekzistonin këshillat studentorë? E morët vesh kur filluan të dilnin. Por këshillat studentorë janë themelorë, sepse nga këshillat studentorë shkojnë ata që shkojnë në Senat. Zgjedhja dhe funksionimi i këshillave studentorë dhe i Senatit janë elementë që garantojnë që autonomia të mos jetë rrumpallë, por të jetë përgjegjësi dhe që ti si student s’ke nevojë fare. Ti nuk do të përfshihesh në këto, por në çdo moment duhet të kesh akses në informacion, të shohësh të gjithë vendimet, nëse të interesojnë, por ama ke përfaqësuesit e tu që garantojnë që zëri i studentit të dëgjohet dhe që vendimet të jenë transparente. Të gjitha këto nuk janë bërë. Kush e ka fajin këtu? Qeveria?! Si e bën qeveria?!
Kërkojnë dhe iu kanë mbushur mendjen edhe juve që, pse bordet e universiteteve kanë shumicë nga qeveria. Është e vetmja gjë që na siguron të kemi një sy në mënyrën si harxhohen lekët.
Keni dëgjuar ju për konfliktin e rektorit me dekanët?! E dini për çfarë bëhet konflikti?! Për tenderat jo për ju. Nuk ka lidhje fare me ëndrrat dhe me shpresat. Paguajmë për roje për universitetin një mal me lekë, ndërkohë që s’ka nevojë të merren fare roje private për universitetin. Rojet private e bëjnë edhe më qesharak universitetin. I keni parë se si janë? Disa të mbaruar atje që vijnë vërdallë e që as ruajnë, as të ruajnë. Janë komplet të panevojshëm, të padobishëm dhe marrin paratë e dynjasë. Universitetet mund të kenë rojet e tyre në organikë. Nëse ka diçka më shumë sesa një roje i thjeshtë, siç e kemi pasur ne kur ishim në universitet, vjen Policia. Mirëpo ato janë para pafund që universiteti mund t’i përdorë fare mirë për bibliotekën.
Autonomia është gjëja e duhur. Demokracia është gjëja e duhur. Ndarja e pushteteve është gjëja e duhur. Problemi është dallimi mes vendeve të konsoliduara dhe vendeve në zhvillim është pikërisht ky. I kemi njësoj ne kushtetutat dhe ligjet, por dallojmë tek, se sa të forta i kemi institucionet dhe se sa të përgjegjshëm i kemi ata që merren me ndërtimin e institucioneve.
Studente: Quhem Denisa, studioj në Fakultetin e Shkencave Mjekësore. Pavarësisht se ju jeni juventin dhe unë interiste, puna që duket, duket, është pikërisht ajo që ne kërkonim.
Kryeministri Rama: Interistët jetojnë që, njëherë në jetën e tyre të humbë Juventusi. Ndërsa unë mendoj që, të paktën mua, të gjithë interistët, jo vajzat, djemtë, duhet të ma dinë për nder, se, e di sa lekë iu kam kursyer unë atyre me mbylljen e basteve, apo jo? A e di kush janë fituesit më të mëdhenj të mbylljes së basteve? Të gjithë tifozët e Interit. U bënë copë nga lekët. Kështu që ti me Interin, shokun e bankës juventin. Më dëgjo mua.
-Si fillim, doja t’ju falënderoja për të gjitha kushtet komode të sallës, po ashtu edhe punimet, të cilat janë progresivisht në rritje edhe vërtet jemi të kënaqur. Janë pikërisht ato që ne kërkonim. Mendojmë se ka shpresë që do ndryshojë gjithçka. Atëherë, si fillim, unë dua t’ju kërkoja edhe diçka, nëse më lejohet, aksesi i internetit të jetë edhe nëpër kate. Është diçka që e kërkon shumica nga ne, sepse impenjimet dhe vështirësitë që ne kemi në Fakultet na kërkojnë edhe domosdoshmërinë e internetit.
Kryeministri Rama: Kur më shkruani mua në 3 të natës jeni në kat të parë ju, të gjitha?! Si e bëni këtë? Whatsappi do internet. Si e realizoni ju këtë?
Studentja: Në kat të parë.
Kryeministri Rama: Zbrisni në kat të parë në 3 të natës?! Epo kjo është e mira kur nuk është dhoma e mirë, se rri jashtë. Është shumë e qartë dhe besoj që në këtë pikë lali do ta ketë parasysh, interneti të shkojë në çdo cep, se ka dhe lali hallin e fotografive të veta, kur mbjell pemë, që të vijnë në çdo cep.
-Doja t’ju drejtoja një pyetje dhe një sugjerim. Pyetja e parë është, nëse punimet do të vazhdojnë edhe në godinat e tjera të Mjekësisë? Ndërsa sugjerimi është që të bëhet një rishikim i kurrikulave shkollore, sepse ne bëjmë shumë lëndë dhe doja t’i kushtohet pak më shumë vëmendje pjesës së praktikave mjekësore, se ne bëjmë 3 vite, plus masterin, 5 vite dhe nuk ndihemi plotësisht të aftë për t’iu shërbyer pacientëve, sepse bëjmë shumë pak praktika, edhe përveç lëndëve që ka pafund lëndë që mund të përmblidhen në 2, apo në 3.
Kryeministri Rama: Për pjesën e parë, PO, ne do rindërtojmë të gjithë konviktet dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Ndërsa ndërtimin e konvikteve të reja do ta bëjmë në një kohë pak më të gjatë, te Kampusi. Nga llogaria që bëmë, faktikisht, sot që flasim, tani që flasim, të gjitha konviktet i kemi të mbuluara me forcat që do bëjnë rindërtimin. Janë fondet që nxori qeveria, ia dha Bashkisë së Tiranës dhe Bashkia e Tiranës po bën procedurat për t’i lëvruar. Janë kompanitë që Bashkia e Tiranës dhe ne bashkë me Bashkinë kemi ftuar për të kontribuuar dhe jam shumë i kënaqur, ne do bëjmë dhe një ceremoni ku të shprehim mirënjohjen publikisht për një numër të konsiderueshëm kompanish që janë përgjigjur dhe janë fondet e marrëveshjes me Gjermaninë për 9 konvikte që do të rindërtohen siç janë rindërtuar 4 konvikte te Inxhinieria. Janë fondet e agjencisë turke të ndihmës që po ashtu do mbulojë 2 konvikte. Kështu që të gjitha janë mbuluar. I gjithë stresi është, a do kemi kohë dhe mundësi tek të gjitha konviktet në verë që të punojmë nëpër dhoma, se, aty ku mësimi nuk po bëhet do shtyhet në verë. Ky është i vetmi stres. Por që të gjitha konviktet do mbulohen edhe të Mjekësisë etj. dhe pastaj do adresojmë edhe çështjen që tha vajza tjetër, që, sa shtretër të rinj duhen për të ulur numrin e njerëzve në një dhomë. Për praktikat, në të gjitha rastet kur unë kam folur, qoftë në ato takimet e nxehta, qoftë në komunikimet në zyrën time online në whatsapp, praktikat kanë qenë një nga pikat kyçe të shqetësimeve. Edhe njëherë, ja pse duhej dhe duhet dialogu: praktikat nuk ishin asgjëkund te kërkesat, nuk shkruheshin. Kështu, tek partneritetet mes ministrive dhe universiteteve ne do kemi një kapitull për praktikat. Pra, ministria e Shëndetësisë, në rastin konkret që është partnere me Universitetin e Mjekësisë dhe që ka detyrimin të mbështesë, të ndihmojë studentët e Universitetit të Mjekësisë, do të marrë përsipër të intensifikojë praktikat, duke krijuar mundësi konkrete për praktikat.
Po shikoja pak këto fotografitë nëpër mure dhe po lexoja ciceronin që thotë, “nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet”. Tani, kopshtin po e bëjmë këtu përpara, bibliotekën ja ku e keni. Ministrja ka sjellë 4 libra të vjetër që janë librat e shkruar nga profesorë shumë prej vërteti të mjekësisë shqiptare: “Fiziologjia patologjike”, “Dermatologjia dhe venerologjia”, “Tuberkulozi” dhe “Traktati i sëmundjeve të brendshme” që i shtohen bibliotekës tuaj. Kjo është bërë me një donacion nga një mjek okulist, të cilin gjej rastin ta falënderoj, por do ta falënderojmë edhe në ceremoninë që do të organizojmë për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces. Me siguri ka shumë libra që profesorët më në moshë, apo të tjerët mund të dhurojnë në këtë bibliotekë, ndërkohë që në ato kompjuterët që keni dhe me këtë internetin në të gjitha katet që do vendosim, shumë shpejt do kemi bibliotekën digjitale të Universitetit. Kemi mbaruar pjesën më të rëndësishme të procesit, tani Ministria e Arsimit po punon për të nënshkruar marrëveshjen dhe siç e kemi shkruar në Paktin e publikuar, në mars, maksimumi, në kompjuter ju do mund të gjeni mijëra e dhjetëra mijëra tituj të bibliotekës shkencore globale të universiteteve europiane.
Ju falënderoj shumë për të gjithë këtë durim, për të gjithë këtë mirësjellje dhe për pyetjet tuaja. Shpresoj që të mos jeni penduar që kaluat të gjithë këtë kohë me mua këtu dhe që përgjigjet të kenë vlejtur sadopak, por, mbi të gjitha që të mos jeni mërzitur se kjo është në fund kryesorja. Për më shumë, në xhep do më keni në vijimësi, mjafton të hapni telefonin dhe jam aty unë që flas, që flas, që flas, kështu që whatsappin e keni, pa limit. Ju më keni mbytur duke mos pasur internet në dhomë, imagjino të jesh shtrirë, jeni dhe 4 veta në dhomë, “hajde tani, merremi me këtë…”, s’ka problem.
Faleminderit shumë!