Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për financimin e projekteve:
1.“Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”;
2.“Program për menaxhimin e Mbetjeve”;
3.“Program Menaxhim të Mbetjeve 2”:
Gjermania për ne është një partner i pazëvendësueshëm në një rrugë ende shumë të vështirë, po ku lidershipi i Kancelares Merkel i ka dhënë një përmasë krejt të re shpresës së shqiptarëve dhe të gjithë popujve të tjerë të rajonit lidhur me perspektivën europiane, si një perspektivë reale dhe si një destinacion drejt të cilit ne jemi shumë të angazhuar të shkojmë. Jo sepse na e kërkon dikush, por sepse është e vetmja rrugë për të modernizuar Shqipërinë. Është i vetmi proces për të ndërtuar institucione të besueshme, në një periudhë shumë komplekse dhe të vështirë, ku pavarësisht turbullirave të gjithanshme, ne mbetemi të vendosur në përkatësinë tonë europiane dhe euroatlantike.
Sot ka disa investime konkrete në dy fusha jashtëzakonisht të rëndësishme: energjia dhe mjedisi.
Gjermania ka dhënë një kontribut fantastik në Shqipëri në 20 e kusur vite, por një nga xhevahiret më të shkëlqyer të kurorës së këtij bashkëpunimi është kontributi i Gjermanisë për linjën e interkonjeksionit që lidh Shqipërinë me Kosovën, një autostradë energjetike në funksion, jo vetëm të rritjes së kapaciteteve dhe diversifikimit të burimeve të energjisë, duke u vendosur një raport komplementar Shqipëria dhe Kosova, por edhe në funksion të tregut rajonal.
Jam shpresëplotë që roli i Gjermanisë dhe i Kancelares personalisht në Procesin e Berlinit, por edhe me shtysën për të çuar përpara dialogun mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të mungojnë edhe në përpjekjen për të përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare të problemit të interkonjeksionit, që, tanimë është gati dhe kërkon vetëm një mirëkuptim nga pala serbe, që shpresojmë të vijë sa më parë.
Por, sot, falë kontributit të Gjermanisë në procesin e ndërtimit të një tregu të integruar energjetik rajonal, ne e çojmë më tutje projektin tjetër shumë të rëndësishëm të interkonjeksionit me Maqedoninë, i cili, faktikisht, siguron një autostradë tjetër energjetike nga Turqia në Bullgari, Maqedoni, në Shqipëri.
Mirënjohje për këtë kontribut financiar të shtetit gjerman! Përsëri do ta nënvizoj atë që them gjithmonë, sa herë më jepet mundësia të flas për ndihëm gjermane; Ndihma gjermane është para dhe në volumin e parave e vendos Gjermaninë si një donator të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet bilaterale. Por ndihma gjermane është mbi të gjitha dije dhe kulturë administrimi.
Kjo ka bërë që kontributet e Gjermanisë në fushën e ndihmës të jenë kontribute të shoqëruara me rezultate mbresëlënëse jo në momentin e mbarimit të veprave, por edhe më pas, në administrimin e tyre.
Mjafton të shikojmë se si administrohen ujësjellësat e investuar nga ky bashkëpunim, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është aspekti tjetër i investimit tek njerëzit. Me të gjithë mirënjohjen, respektin për ndihmën e partnerëve të tjerë, unë kam besuar dhe besoj që nëse e gjithë ndihma e huaj do të ngrihej në cilësinë e ndihmës gjermane, gjithë këto para, që bujarisht i jepen Shqipërisë, do të kishin një efektshmëri më të lartë.
Është edhe mbështetje në vazhdim që Gjermania i jep Shqipërisë për të mbyllur një epokë jashtëzakonisht problematike në raport me mbetjet.
E dimë të gjithë se si ka qenë situata për vite të tëra.
Faleminderit për komplimentet për Tiranën e pastër, por besoj se duhet t’ju korrigjoj që, nuk ma ha mendja që kemi arritur në fazën që ju duhet të mësoni nga ne për pastërtinë e qytetit. Ka qenë një kohë, para jo shumë vitesh, që këtu mendohej se ishim të dytët pas Gjermanisë, si një “luan i vogël ekonomik”.
Por unë besoj që kemi vite dritë që na ndajnë. Sa më shumë ne të përfitojmë nga drita e diturisë tuaj, aq më mirë është për ne.
Kur vjen puna te konkurrenca, e vetmja gjë që mund të ndodhë është që t’ju mundim në futboll. Më shumë se kaq ne nuk besoj se do arrijmë ndonjëherë.
Megjithatë, edhe në qoftë se nuk ju mundim, të paktën, edhe në skuadrën tuaj kombëtare ka një kontribut të drejtpërdrejtë shqiptar. Shkodran Mustafi nuk është i juaji, është i joni, ju e morët. Gjermania ka fanellë më hijerëndë. Sidoqoftë, besoj se në këtë bashkëpunim bilateral, ai për Gjermaninë ka peshën e interkonjeksionit që ne sot firmosim, madje, rrezik se është më i shtrenjtë se interkonjeksioni.
Sot ne çelim procesin për fushën e re sanitare të qarkut të Vlorës. Praktikisht, falë edhe kontributit gjerman, kemi një hartë të re në territor, pasi, së shpejti përfundon fusha sanitare e Korçës, që do të jetë një fushë e suksesshme, sepse, përsëri dhe në atë rast, jo vetëm paratë, por edhe dija e palës gjermane është vënë në dispozicion, duke garantuar një përgatitje të shkëlqyer për administrimin me sukses të fushës dhe koordinimin me sukses të bashkive që tanimë kanë firmosur një kontratë aksionare në atë fushë.
Kemi fushën e Elbasanit, që, tanimë është edhe ajo një çështje e zgjidhur dhe po shkon drejt përfundimit dhe pjesa tjetër e projektit që ka të bëjë për inceneratorin për mbetjet lokale aty në Elbasan.
Kemi projektin tjetër që është futur në rrugë të Fierit.
Me Tiranën, kemi çelur një proces tjetër, shumë të rëndësishëm, për të transformuar në themel gjithë sistemin e mbledhjes, riciklimit dhe të administrimit të fushës.
Duke futur dhe Vlorën, faktikisht, nga pikëpamja territoriale, kemi transformuar kushtet në mbi 70% të Republikës, duke marrë parasysh edhe fushën sanitare të Bushatit që është ndërtuar më parë dhe që më në fund ka filluar të japë shenjat e para të funksionimit. Për ne është diçka fantastike që ky proces të fillojë dhe në Vlorë dhe që gjithë qarku zgjidhi përfundimisht problemin e mbetjeve, për sa i përket mbledhjes së tyre.
Sigurisht, është një proces shumë kompleks, pasi ne duam që të futemi në një fazë të re për ndarjen në burim dhe riciklimin e mbetjeve. Me siguri që do të na duhet të bëjmë shumë punë dhe na duhet shumë kohë për këtë, përderisa edhe gjermanët vetë që janë kampionë të Europës në këtë fushë, akoma nuk kanë arritur nivelin ku të jenë të kënaqur.
Përderisa edhe qytetarët gjermanë që nuk punojnë për të jetuar, por jetojnë për të punuar, ende jo të gjithë i ndajnë si duhet mbetjet në burim, parafytyroni qytetarët e vetëvendosur të Shqipërisë.
Megjithatë, ky është një proces që ne do ta hapim dhe jam i bindur që ndihma gjermane nuk do të na mungojë dhe në këtë aspekt, pasi paketa e mbështetjes gjermane për mjedisin është një paketë që është prej shumë vitesh konsistente në këtë kornizë të ndihmës.
Duke i shprehur edhe njëherë falenderimet më të sinqerta Kancelares, të cilës do kem fatin së shpejti t’ia paraqes edhe personalisht, për sa i takon këtij programi të ri me KfW-në që në vitet e ardhshme përbën një volum shumë të konsiderueshëm financiar mbështetjeje; duke i shprehur falenderimin të gjithë atyre që janë këtu sot nga ana e palës gjermane dhe që në një mënyrë, ose në një tjetër, kanë një kontribut të drejtpërdrejtë ose indirekt në fuqizimin e këtyre marrëdhënieve; duke përshëndetur edhe në mënyrë të posaçme një mik të shtrenjtë që na priti më shumë se shkëlqyeshëm në Hamburg me një grup investitorësh dhe miqsh të Shqipërisë, unë dua t’ju them se ne jemi sot edhe më mirënjohës, edhe më të vendosur për t’i forcuar edhe më shumë marrëdhëniet me Gjermaninë.
Për të mësuar sa më shumë nga këto marrëdhënie, pasi, siç e nisa po e mbaroj, Gjermania është më e forta jo se ka më shumë, por se di më shumë. Ka më shumë, pikërisht se di më shumë.
Faleminderit!
***
Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë firmosën sot pjesën e dytë të marrëveshjes për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”. Në total, huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion euro.
Projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabullit nënujor me Italinë.
Po sot, mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunimin financiar 2011-2013-2014, për Projektin: “Program për menaxhimin e Mbetjeve”, si dhe për Projektin “Program Menaxhim të Mbetjeve 2”.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, Z. Hans Joachim Fuchtel, Sekretar Shteti i Gjermanisë, u shpreh ndër të tjera se Gjermania është donatori më i madh bilateral i Shqipërisë. “Bëhet fjalë për një shumë 85 milionë euro që do të jepen për bashkëpunimin e dy viteve të ardhshme,” deklaroi Z. Hans Joachim Fuchtel, duke nënvizuar përkujdesjen e vetë Kancelares federale Angela Merkel në këtë bashkëpunim. “Dëshiroj gjithashtu t’i referohem edhe Konferencës së Ballkanit Perëndimor të këtij viti dhe të nënvizoj sërish se Gjermania është e gatshme të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të mëtejshme drejt Bashkimit Europian dhe ta mbështesë Shqipërinë në zbatimin e reformave të nevojshme drejt këtij qëllimi,” theksoi ndër të tjera Sekretari Joachim Fuchtel.