Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së huadhënies për ofrimin e shërbimeve publike, mes Bankës Botërore dhe Qeverisë:
Faleminderit Tahseen!
Ky është një moment, jo thjesht sepse firmoset një marrëveshje, por sepse përmbushet një fazë e parë me një rëndësi themelore në adresimin e një problemi themelor.
Problemi ynë themelor ka qenë dhe mbetet korrupsioni në marrëdhëniet e qytetarit me shtetin, në marrëdhëniet e çdo individi që me të drejtë të plotë kërkon një shërbim, me dikë në një sportel që padrejtësisht kërkon një ryshfet.
Qysh në krye të herës, unë kam qenë dhe mbetem i bindur se lufta me këtë formë korrupsioni, është në radhë të parë luftë për modernizimin e sistemit. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit. Nëse ne duam që njerëzit të mos korruptohen, duhet të ndërtojmë një sistem që ta bëjë të pamundur korruptimin e tyre. Në këtë drejtim kemi adresuar problemin madhor të marrëdhënieve individ-shtet në çdo pikë kontakti, për ta transformuar, nga një marrëdhënie e ndotur gjerësisht prej korrupsionit, në një marrëdhënie transparente, ku qytetari të shërbehet shumë më shpejt, me shumë më tepër cilësi dhe mbi të gjitha pa pasur nevojë të zgjedhë alternativën e korrupsionit, në pamundësi për ta marrë ndryshe atë që i takon. Sepse në fund të fundit korrupsioni nuk është asgjë tjetër, përveçse një alternativë. Aty ku shteti nuk ekziston apo ku shteti është i paaftë t’i përgjigjet qytetarit, korrupsioni është një alternativë shumë e lakmueshme, sepse i jep fund zgjidhjes së një problemi që përndryshe mbetet i pazgjidhur.
Sigurisht që është e lehtë ta thuash, është e vështirë ta bësh në përgjithësi, por në këtë rast është e lehtë ta thuash dhe është jashtëzakonisht e vështirë ta bësh, pasi ajo çka ne kemi trashëguar nuk është forma e një shteti, por është një shtet pa formë.
Faktikisht për të arritur që shërbimet publike të jenë të shpejta, të jenë cilësore dhe të jenë transparente duhet në radhë të parë që të disponojmë një bazë solide dhe të integruar të dhënash.
Në këtë vendin tonë të dashur dhe të vogël, vandakët e dokumenteve, e regjistrave, e dosjeve janë pafund dhe ndërkohë ndërlidhja e informacionit është jashtëzakonisht e dobët për të mos thënë inekzistente.
Kemi trashëguar një situatë ku numri i dokumenteve, i certifikatave, i licencave, i autorizimeve dhe i garancive është shumë herë më i madh se sa ç’nevojitet.
Prandaj prej një viti e gjysmë, jemi fokusuar në hedhjen e themelit të këtij projekti që do të sjellë një transformim rrënjësor njëherë e përgjithmonë të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit, sepse do t’i japë shtetit aftësinë për t’i shërbyer qytetarit dhe do t’i japë qytetarit mundësinë që shtetin, në fund të këtij procesi ta ketë praktikisht në smartphone-n e vet.
Sado utopike mund të duket, kjo tanimë është plotësisht e realizueshme. Ne nuk kemi asgjë për të shpikur. Ne kemi vetëm për të vënë në jetë një proces, duke mësuar nga ata që janë më të përparuar dhe duke shfrytëzuar teknologjinë për të mbyllur hendekun e madh, mes një vendi të prapambetur për shkak të një shteti pa asnjë lloj forme dhe aftësie, dhe vendeve te tjera ku shteti, jo vetëm ka një formë, por ka një aftësi për t’ju përgjigjur menjëherë qytetarëve.
Procesi nuk është i thjeshtë, por tanimë ka hyrë në rrugën e duhur. Për këtë arsye, sot ne marrim edhe këtë financim që do të na japë mundësi të hymë në fazën e dytë të procesit, duke filluar nga ndarja mes zyrave të shërbimeve e sporteleve dhe duke i transformuar sportelet në pika, jo vetëm kontakti për qytetarët, por edhe shërbimi për të avokuar të drejtat e qytetarëve dhe njëkohësisht për të gjeneruar raporte, lidhur me performancën e zyrave të shërbimit.
Sportelet nuk do të varen nga institucionet, por do jenë një institucion më vete. Një rrjet i tërë i një mekanizmi të ri, i cili do të funksionojë si zëdhënës i qytetarit pranë zyrës dhe si shërbëtor për qytetarin në kontaktin me të.
Fillon edhe gjithë procesi i dixhitalizmit dhe i integrimit të bazës së të dhënave, për të arritur në atë moment kur shërbimet të mund të merren të gjitha pa pasur nevojë që qytetari të marrë rrugën për të shkuar deri tek sporteli dhe pa pasur nevojë që qytetari të presë me ditë, me javë, me muaj që nga sporteli t’i vijë letra apo dokumentacioni i shumëkërkuar.
Është një ambicie e madhe, që ne duam ta përmbushim në një kohë të shkurtër. Jam i bindur që përmbushja e kësaj ambicie do të kthejë këtë vend në një vend normal, përsa i përket marrëdhënieve qytetar-shtet dhe do të sjellë shkatërrimin përfundimtar të këtij niveli korrupsioni. Të korrupsionit endemik, të korrupsionit që është si një sëmundje e shtrirë në të gjithë lëkurën e organizmit të shtetit, që është karakteristikë e vendeve të pazhvilluara, pa shtet të aftë për t’ju përgjigjur qytetarëve. Do të na japë mundësinë që më në fund, pas 20 e kusur vitesh, ne të jemi në gjendje që këtë çështje ta mbyllim njëherë e mirë dhe të mos e ndjejmë veten si jashtë Europës, duke qenë në mes të Europës.
Kjo do të sjellë një transformim të madh edhe të marrëdhënieve të biznesit me shtetin, sepse nga njëra anë, ulja drastike e dokumenteve të kërkuara dhe nga ana tjetër, shpejtësia në dhënien e licencave, të autorizimeve apo të dokumenteve të nevojshme do të krijojnë kushte tërësisht të reja për t’u marrë me biznes në vendin tonë. Parimi bazë që është shumë i rëndësishëm në këtë proces është që, një orë e më parë, ne të arrijmë në ditën kur çdo dokument që qytetarit i duhet, brenda për brenda shtetit, për të marrë po nga shteti një autorizim apo një dokument përfundimtar, të jetë detyrë e shtetit që ta sigurojë. Nëse sot, ne kemi shërbime ku qytetari, përpara se t’i marrë, duhet më parë të koleksionojë nga një zyrë në tjetrën, nga një sportel në tjetrin, nga një institucion në tjetrin, një numër dokumentesh që shkon deri në 17 apo 20 dokumente për shërbime të caktuara, të gjithë këto dokumente, që janë dokumente që jepen nga shteti, të jetë detyrë e shtetit që t’i japë. Qytetari bën kërkesën në sportelin përkatës. Është ai sportel që inicion kërkesën në drejtim të të gjithë institucioneve për të plotësuar dokumentacionin dhe për t’i dhënë qytetarit atë që i takon.
E njëjta gjë për sipërmarrjen. Ne kemi sot të trashëguar një situatë skandaloze, ku për çfarëdo veprimi, sipërmarrësi duhet të prodhojë dhe riprodhojë dokumente nga gjithfarë burimesh zyrtare apo sportelesh publike. Shteti do të marrë përsipër që të gjithë këto dokumente t’i prodhojnë për sipërmarrjen dhe sipërmarrësi të marrë vetëm shërbimin përkatës në sportelin përkatës.
Kjo nuk mund të bëhet në një ditë, nuk mund të bëhet as në një vit. Për këtë arsye na është dashur jo pak, por një vit e gjysmë kohë, që ne të vijmë në momentin e futjes në fazën e dytë. E përsëris është çështje që lidhet me bazën e të dhënave. Nuk ka çfarë të ofrojë salla e ngrënies, nëse në kuzhinë nuk gjenden se ku janë ingredientët. Prandaj vendosja e të gjithë ingredientëve të shërbimit në vendin e tyre dhe krijimi i kushteve të ndërveprimit të menjëhershëm mes gjithë të dhënave, për të dhënë një shërbim, është parakushti që shërbimi të jetë cilësor, i shpejtë, transparent.
Besoj se në mbyllje të këtij mandati ne do të kemi rezultate të prekshme të këtij procesi dhe në harkun e 5 viteve, qytetarët e këtij vendi, pa as më të voglin dyshim, do ta kenë shtetin në telefon. Sportelet do të jenë thjesht dhe vetëm një alternativë e dytë për të asistuar në mënyrë të përqendruar, pasi, paralelisht, ne po përgatitemi edhe për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Shërbimeve Publike, ku në mënyrë të përqendruar do të mund të merret çdo shërbim. Nuk do të jetë më nevoja që njerëzit të shkojnë derë më derë e zyrë më zyrë, për të mbledhur të gjitha copat e letrave që ju duhen për të marrë një shërbim, por do të jetë një shërbim i përqendruar, i cili do të ketë gravitetin e vet në Tiranë dhe do të shtrihet pastaj në të gjitha njësitë e reja administrative të Republikës së Shqipërisë, përmes teknologjisë së re.
Kemi bërë hapa shumë të rëndësishëm me portalin e shërbimeve qeveritare. Ka një numër të konsiderueshëm shërbimesh që sot jepet nëpërmjet portalit. Zgjidhëm problemin e pagesave të energjisë elektrike dhe radhëve të pafundme për të paguar energjinë elektrike, duke i dhënë mundësi të disafishta qytetarëve që pagesën ta bëjmë pa pasur nevojë të shkojnë në sportelet e OSHEE. Të njëjtën gjë duam dhe do të bëjmë për të gjitha shërbimet në Republikën e Shqipërisë.
Pak ditë më parë, ne ishim dëshmitarë të fluksit të jashtëzakonshëm të kërkesave në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në kuadrin e operacionit më të ri që kemi ndërmarrë kundër informalitetit. Faktikisht, Qendra Kombëtare e Regjistrimit prej kohësh ishte e gatshme ta ofronte shërbimin drejtpërdrejt përmes kompjuterit, pa qenë nevoja për të shkuar aty, për të mbajtur radhë dhe për të pritur me orë të tëra. Që do të thotë që ky proces ka nevojë edhe për një periudhë aftësimi psikologjik të qytetarëve, për të kuptuar se shumëçka që duket më e lehtë dhe më e vërtetë për t’u realizuar në marrjen e një shërbimi, duke shkuar në një sportel, mund të realizohet fare thjeshtë përmes teknologjisë së re, përmes kompjuterit apo qoftë edhe smartphone.
Dua ta falenderoj me gjithë zemër, skuadrën e Bankës Botërore këtu në Tiranë, drejtoren e misionit, padyshim edhe drejtoren rajonale, që është një partner i pazëvendësueshëm për ne, siç është i pazëvendësueshëm edhe misioni i Bankës Botërore në Tiranë. Kemi ndërtuar një dialog real, kemi ndërtuar një punë në ekip të përbashkët, kemi pasur rolin tonë në rritjen e shpejtësisë së Bankës Botërore, – duhet ta themi edhe këtë, – sepse Banka Botërore është një lloj makinerie shumë e madhe, që kilometrazhin e ka sipas rrugës ku ecën. Nëse i shtrohet një rrugë për të ecur më shpejt, ecën më shpejt, nëse rruga është me gropa dhe pengesa, ecën më ngadalë. Ndërkohë që, ne kemi shtruar me shpejtësi çdo rrugë ku makineria e Bankës Botërore duhet të vihet në lëvizje, në mënyrë që të mos pësonin pasojat e kilometrazhit të ulët, me të cilin Banka u mësua vitet e fundit, jo për faj të vet, por për shkak se në anën tjetër nuk kishte shpejtësi. Këtë besoj që nuk do ta pranojnë me gojë, por me veten e tyre e dinë edhe vetë që kjo është e vërtetë. Pra, e kemi bërë Bankën Botërore në Shqipëri, një institucion shumë më të shpejtë dhe shumë më efecient. Kjo është merita jonë, por ishte edhe faji ynë, jo i joni, por i paraardhësve tanë, që Bankës i ra kilometrazhi deri në zero dhe stopoi dhe shkruante raporte se gjërat po ecin mirë, por gjë s’po duket në horizont.
Shumë faleminderit!
***
Sot u nënshkrua në Sallën e Hartave “Marrëveshja e huadhënies për ofrimin e shërbimeve publike” midis Bankës Botërore dhe Republikës së Shqipërisë.
32 milionë dollarë do të mundësojnë hyrjen në fazën e implementimit intensiv të reformës së shërbimeve publike.
Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë Tahseen Sayed dhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani.