Njoftim për shtyp
Kryeministri Rama ka takuar Presidentin Nishani dhe ka ndarë me kreun e Shtetit pikëpamjet për situatën e re të krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të Guvernatorit Ardian Fullani.
Pikëpamjet e tyre kanë qenë plotësisht konvergjente lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që në çdo hap të mëtejshëm drejt normalizimit, duhet mbajtur parasysh, qoftë forcimi i pavarësisë së institucionit, qoftë garantimi i standardeve më të larta të profesionalizmit në drejtimin e Bankës së Shqipërisë.
***
Kryeministri Edi Rama ka vazhduar kontaktet e drejtpërdrejta me disa prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar, si edhe me domosdoshmërinë e vazhdimit së funksionimit normal të institucionit.
Po ashtu, ai është takuar edhe me të ngarkuarën mbrëmë prej Këshillit Mbikëqyrës, si Guvernatore në detyrë, zonjën Elisabeta Gjoni, për t’i shprehur qëndrimin e Qeverisë e të shumicës qeverisëse në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucionit, respekti për profesionalizmin e mirënjohur të të cilëve mbetet i palëkundur.
Kryeministri ka shprehur po ashtu, besimin e tij të plotë se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më e sigurtë dhe më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme.