Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubeve sportive:
I nderuar zoti President,
Të nderuar të pranishëm,
Sot, ne jemi mbledhur këtu si rezultat i nevojës për një reagim të përbashkët ndaj një fenomeni që nuk mund të tolerohet më, fenomenit të dhunës. Por, nga ana tjetër, unë besoj që gjithmonë aty ku ka një krizë, ka një mundësi dhe është kjo mundësi që na jepet sot, për ta parë më gjerë futbollin si aktivitet, si organizim dhe si një forcë e madhe që përfshin shoqërinë dhe edukon rininë.
Unë do të doja që sigurisht, ne të adresojmë sëbashku fenomenin e dhunës, por njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të nisur një proces reformimi të thellë të futbollit, në mënyrë që ta çojmë atë më përpara. Është e padyshimtë se, nëse kthejmë kokën pas, në një dekadë më parë, ndryshimet e ndodhura janë mbresëlënëse, por është po ashtu e padyshimtë që, nëse shohim përpara, jemi ende mbrapa në raport me ku mund dhe duhet të jetë futbolli.
Për këtë arsye, ne sot kemi ardhur këtu, sëbashku me jo vetëm ministrin e Brendshëm, por edhe me ministren e Financave, me dy kryetarët e komisioneve të Ligjeve të Ekonomisë, me të gjithë komisionin parlamentar, si dhe me zëvendësministrat e Drejtësisë dhe të Arsimit dhe të Sportit, ky i fundit është edhe përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i qeverisë në këtë proces.
Kemi ardhur këtu për të hapur një diskutim dhe uroj dhe besoj që, ashtu siç kemi diskutuar paraprakisht me Presidentin, do të mund të organizohemi menjëherë, me një grup të përbashkët pune dhe të ngremë disa grupe të posaçme dhe t’i vëmë vetes objektiv që në një kohë të shkurtër të rikthehemi në këtë tryezë me një dokument reforme tërësore të futbollit.
Së pari, unë besoj se për zgjidhjen e problemit të dhunës, ne kemi të gjitha mundësitë që të kemi një qasje të bazuar jo thjeshtë tek nevoja për t’ju përgjigjur një emergjence, por tek nevoja për të vendosur një bazë solide dhe për të hyrë në një fazë pa kthim në raport me dhunën. Për këtë arsye, unë besoj, bazuar edhe tek njohuritë e mia të kufizuara dhe tek përgatitja për këtë takim, se pjesëmarrja në stadium e çdo sportdashësi si spektator duhet të konsiderohet me një status të veçantë, për t’i dhënë spektatorit më shumë detyrime për përgjegjësinë që ka brenda një mjedisi ku çdo veprim individual i një spektatori mund të konsiderohet edhe nxitje për të tjerët, për mirë ose për keq dhe kjo nuk është një shpikje, por është një gjë që vendet e tjera kanë.
Ashtu sikundër, besoj se është koha që Policia e Shtetit dhe Federata të mos ia lënë topin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë seriozisht. E di që ka një pengesë aktuale ligjore, lidhur me organizimin e shërbimeve policore në mjediset e brendshme të stadiumeve, pasi këtë, ligji nuk e lejon dhe që rikthimi i policisë në stadiume do të kërkonte amendimin e këtij ligji, ashtu sikundër edhe një vendim të posaçëm të qeverisë. Por kjo nuk është një arsye për t’u fshehur pas gishtit, apo për të parë gishtin kur gishti tregon hënën, por është një nga aspektet që ne duhet të trajtojmë bashkërisht, pasi unë besoj se, aq sa është e rëndësishme që policia të përfshihet në këto kushte, aq është e rëndësishme që të mos mbetemi thjeshtë tek policia.
Një nga problemet e konfliktit mes Policisë së Shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit lidhet me cilësinë e impianteve sportive. Duke qenë se ka mjaft impiante që është objektivisht e vështirë që të hyjnë në parametrat normalë të lejueshëm të sigurisë, atëherë policia nga njëra anë e hedh topin tek Federata, nga ana tjetër, Federata nuk ka se si të mos e kthejë topin tek policia, ndërkohë që duhet bashkërisht të garantojmë monitorimin me kamera të të gjitha impianteve. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe teknologjia na jep mundësinë që pa kosto të larta, – por siç kemi treguar me Federatën se kostot dimë t’i përballojmë bashkërisht, kur bëjmë projekte të përbashkëta, – të organizohemi menjëherë dhe klubet të detyrohen që të pajisin impiantet me kamera, duke i dhënë mundësinë policisë të identifikojë të gjithë keqbërësit në stadium dhe duke i bërë të pakthyeshme kërkesat e prokurorisë në adresë të gjykatave, me prova.
Kur flas për status të veçantë për spektatorin, kam parasysh praktikat më të mirë ndërkombëtare dhe domosdoshmërinë për të përcaktuar disa nivele detyrimesh dhe detyrimisht ndëshkimesh, duke filluar nga veprat që meritojnë gjobë, përshembull, presidenti sapo përmendi një ankesë të autoritetit të mediave audiovizive që i kërkon Federatës, me të drejtë, që stadiumet të mos jenë arena ku këndohet në kor libri i shtëpisë së arbitrit, apo të kundërshtarit dhe ku ajo kënga e famshme kundër kompetentit në Vlorë të mos kthehet në një himn të stadiumeve, sa herë që ka një pakënaqësi ndaj një vendimi, apo ka një nevojë për t’u shfryrë, por të hyjë menjëherë në proces ligji dhe në bazë të statusit të spektatorit të merren dhe ndëshkimet përkatëse.
Edhe hyrja në stadium për një afat kohe të caktuar dhe përfshirja e detyrimit që në orarin e ndeshjes, elementët turbullues të shkojnë të rrinë në komisariat dhe të mos shkojnë në shkallët e stadiumit, është diçka që është diskutuar, është tentuar, por nuk është realizuar, por unë dua të them sot se ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal dhe kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Jo gjobë deri në tre vjet, por 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që aty janë duke ushtruar detyrën e tyre, qofshin futbollistë, qoftë edhe arbitri apo arbitrat.
Kështu që kemi domosdoshmërinë ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë menjëherë këtë dënim, minimumi 3 vjet. Ndërkohë që nga njohuria ime e kufizuar, ndëshkime shumë më të rënda sesa tre vjet burg u praktikuan në vitin 1989 në Angli, me iniciativë të kryeministres së kohës, për t’i dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete që karakterizonte futbollin anglez dhe jo vetëm që u zhduk dhuna nga stadiumet, por u zhdukën edhe telat, edhe barrierat dhe u kthyen stadiumet njësoj si opera, njësoj si teatër, ku nuk i shkon ndërmend një fryme të gjallë që të kapërcejë vijën e bardhë, sepse shkon drejtpërdrejtë në burg e jo në shtëpi, edhe sot që flasim. Kështu që burgimi dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atyre që prekin vijat e bardha do të jetë hapi i parë që ne do të bëjmë me Parlamentin, duke ndryshuar Kodin Penal.
Besoj që përcaktimi i statusit të spektatorit i këtyre niveleve të ndëshkimit dhe vendosja e kamerave janë një qasje e duhur.
Ashtu sikundër ka ardhur koha që t’i drejtohemi shembujve të Gjermanisë apo të Spanjës, mund të ketë dhe të tjerë, por unë po i drejtohem këtyre shembujve, ku Ministritë e Brendshme, në bashkëpunim me Federatën dhe Ligën profesioniste u dakordësuan dhe firmosën të ashtuquajturën Rregullore për Sigurinë në stadiume. Duhet një marrëveshje dhe në këtë marrëveshje, policia duhet të përfshihet drejtpërdrejtë në sigurinë e ndeshjes, edhe brenda impianteve sipas nevojave të përcaktuara dhe sipas kushteve të marrëveshjes në bashkëpunim me Federatën.
Një sektor i posaçëm në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit, me një grup të kufizuar njerëzish duhet t’i dedikohet aktiviteteve sportive, futbollit në radhë të parë, për të garantuar që ato të kthehen në aktivitete që tërheqin njerëzit normal dhe që garantojnë shikueshmërinë e futbollit edhe nga familjet, edhe nga vajzat, edhe nga të rinjtë e pakontaminuar me mikrobet e “librit të shtëpisë”.
Nga ana tjetër besoj që kjo nuk mjafton. Nuk kemi tani sesi vazhdojmë të kërkojmë futboll modern dhe kërkojmë që futbolli kombëtar të jetë burimi i shëndetshëm i ushqimit për ekipin kombëtar, me klube që i deklarojnë rrogat e lojtarëve sikur janë fasonë, njësoj, me minimumin 300 mijë lekë, për të mos paguar asnjë taksë. Lojtarë që paguhen nga 100.000 euro figurojnë me 300 mijë lekë. Ky teatër nuk mund të vazhdojë më. Edhe kjo hyn brenda kornizës së një gjendjeje që duhet të ndryshojë.
Natyrisht, ne e kuptojmë shumë mirë “pse”-në e kësaj. Le ta diskutojmë, le ta zerojmë për një periudhë kohe tatim-fitimin mbi të ardhurat për të gjitha klubet, me kushtin që të deklarohen të vërtetat mbi të ardhurat e futbollistëve dhe klubet e futbollistët të mos jenë të detyruar të paguajnë tatim-fitimin për një periudhë kohe. Edhe këtë le ta përcaktojmë 5 apo 7 vjet, mos u kapni tek fjalët që të mos vijë ndonjëri nesër të thotë “e ke thënë 10 vjet”. Po e them si ide. Heqja e tatimit mbi fitimit është një nga mënyrat për të formalizuar aktivitetin financiar të klubeve me marrëveshjen. Natyrisht që kush kapet pastaj paguan shumëfish për mashtrim.
Ne nuk kemi dashur të hyjmë në sparkatë në llogaritë e klubeve, sepse nuk kemi dashur që të mbyllim futbollin. Asnjë klub, e them me përgjegjësi, nuk është në lartësinë e kërkesës së ligjit dhe mirëkuptoj edhe faktin që në kushtet e sotme, ata që paguajnë për futbollin janë të painteresuar për të qenë formalë dhe për të pasur një marrëdhënie formale me ligjin, sepse janë dhe s’janë. Atëherë, patjetër na duhet një qasje tjetër. Kam qëkur kam qenë unë në Ministrinë e Kulturës dhe të Sportit që diskutonim privatizime, liberalizime dhe jemi akoma sot në një fazë të ndërmjetme, “as mish, as peshk”.
Së dyti, duhet të shikojmë dhe të diskutojmë heqjen e taksave mbi ndërtimet sportive, njësoj siç kemi bërë për hotelet me 5 yje, njësoj siç kemi bërë për agroturizmin. Nuk kemi pse të mos ta bëjmë dhe për ndërtimet sportive heqjen e taksave, ashtu sikundër edhe uljen në 6% të TVSH-së. Nuk është se ne jemi duke ndërtuar stadiume në të katër anët e vendit, nuk është se jemi duke ndërtuar palestra dhe pallate sporti me kontribute private dhe po na goditet buxheti. Është një fazë që kemi nevojë për një shtytje të fortë përpara të të gjithë futbollit dhe për ta kthyer futbollin nga një aktivitet i organizuar me tifozllëk, me pasion dhe me fanatizma gjysmë okulte, në një industri të mirëfilltë, që do të thotë, që duhet të bëjmë as më shumë e as më pak, por atë që kanë bërë të tjerët. Nuk po them të bëjmë siç ka bërë Hungaria, se atë nuk e bëjmë dot, që vetëm nga incentivat fiskalë i kalojnë 12 miliardë futbollit, kjo është diçka e paarritshme për ne, por të bëjmë hapjen e një rruge që iu jep mundësi atyre që investojnë që ta kenë investimin të garantuar dhe atyre që janë jashtë që të jenë të interesuar të hyjnë në investime në këtë industri.
Mallrat me destinacion sportiv që lidhen me klubet e organizuara të futbollit, apo dhe me klubet e tjera, duhet të lehtësohen nga doganat, nga ngarkesat e tepërta. Ne kemi lehtësuar makineritë bujqësore, kemi lehtësuar makineritë dhe pajisjet e nuk lehtësuakemi dot impiantet sportive! Kështu që, lehtësirat doganore për mallrat me destinacin këtë industri besoj që janë një tjetër temë që duhet ta diskutojmë.
E di shumë mirë që presidenti dhe të gjithë presidentët e federatave janë të fiksuar te një ligj i ri për sponsorizimet. Ne jemi gati ta diskutojmë, por këtu sigurisht që është më mirë të mos themi fjalë që pastaj nuk i mbajmë dot, por ta studiojmë dhe të shikojmë sa mund t’iu krijohet hapësirë atyre që sponsorizojnë, që të deduktojnë nga taksat e tyre.
Ne flasim për stadiume, por deri më sot, ne s’kemi faktikisht asnjë stadium të menaxhuar normalisht dhe është bërë Federata e Futbollit si ambulancë që merr përsipër menaxhimin, ndërkohë që normaliteti do të kërkonte që pronarët e stadiumeve, bashkitë në këtë rast, në bashkëpunim me klubet të hynin në një logjikë të re. Hyrja në një logjikë të re, sipas meje, do të thotë që ne të diskutojmë seriozisht për një fond për infrastrukturën sportive, një fond siç është shembulli anglez, por ka dhe shembuj të tjerë, ku shteti ka qenë bashkëfinancues në investime impiantesh sportive, ka hyrë në partneritet me klubet apo shoqëritë që kanë pasur pronësi në këto stadiume dhe ka ruajtur një përqindje pronësie, por ka qenë mbështetës, ndërkohë që u ka takuar dhe u takon klubeve, pronarëve të klubeve, pronësisë së klubeve që të bëjnë edhe administrimin e stadiumit. Rrimë akoma në situata absurde me bashki që refuzojnë bashkëpunimet me investitorët, me një legjislacion që është i hapur për çdo lloj spekulimi dhe për çdo lloj abuzimi dhe praktikisht çfarë korrim?
Korrim dhunë në stadiume që s’kanë asnjë standard, edhe t’i quash stadium e madje ofendon të gjithë stadiumet që meritojnë të quhen të tilla. Kështu që, shteti fare mirë mund të jetë aksioner në këtë fond, fare mirë mund të mbështesë këtë fond, sipas projekteve të veçanta me Federatën, me klubet dhe gjithçka që përfiton e riinveston po në këtë fond.
Kjo është pak a shumë ajo që unë besoj do të çonte drejt një nxitjeje dhe drejt një frymëzimi të njerëzve për të investuar më shumë në futboll. Nuk mundet që me stadiume që janë në situatë “as mish, as peshk”, edhe me pronësira klube që janë pronësira dhe s’janë pronësira, janë sponsorë, janë donatorë, sot janë, nesër s’janë, hedh para, s’di ku shkojnë, të vazhdojmë më tutje. Ajo që unë propozoj, – këto janë disa ide, nuk diskutohet që eksperienca e shumëkujt këtu është më e vlefshme se të gjitha leksionet dhe se të gjitha shembujt e mësuara me lexime, Federata vetë ka shumë kontribute për të dhënë në këtë drejtim, – të krijojmë një komision të reformës dhe me grupe të veçanta, një grup të merret me dhunën dhe me mënyrën si adresohet, marrëveshja e Policisë së Shtetit me Federatën një grup tjetër, një grup të merret me aspektet ekonomike dhe fiskale.
E fundit që kam është nevoja për të parë mundësinë e zgjidhjes së problemit të arbitrazhit gjyqësor, në mënyrë që kjo të mundësohet brenda për brenda. Nuk e di si e shikon Federata këtë, por realisht është diçka që unë e kam dëgjuar vazhdimisht, si një ankesë, që duhet shkuar në Lozanë. Pse të mos krijohet një strukturë këtu? Çfarë mund të japim si kontribut, ne jemi të gatshëm ta japim.
Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë, nuk diskutohet Ministria e Arsimit dhe Sportit do të punojnë për këtë projekt të reformës. Të dyja komisionet parlamentare, qoftë ai i Ligjeve, qoftë ai i Ekonomisë dhe Financave do të jenë në dispozicion, sepse këtu nuk është vetëm fjala të bëjmë diçka, por është fjala ta bëjmë shpejt.
Adresimi i problemeve të dhunës dhe ndërhyrjet në Kodin Penal besoj duhet të bëhen shpejt dhe të japim një mesazh të qartë se në këtë pikë nuk do të tolerohet më askush.
Ndërkohë që të tjerat, në një kohë pa u vonuar, por brenda 100 ditësh, ne t’i kemi mbyllur si materiale dhe të rikthehemi këtu për të bërë një prezantim dhe për të njohur publikun e për të marrë secili detyrat e veta për “kush” do bëjë “çfarë” dhe sa do bëjë njëri e sa do bëjë tjetri.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht Federatën, të mbështesim fuqimisht futbollin. Me Federatën kemi shembuj shumë domethënës bashkëpunimi për impiantet sportive. Së shpejti do të kemi stadiumin e ri në Kukës. Kemi në radhë kandidatura për stadiumet e tjera, Durrësin, Fierin, Vlorën dhe me siguri edhe të tjerë, por nuk mund të vazhdojmë në mënyrë të pastrukturuar. Le ta shkojmë këtë gjë në mënyrë të strukturuar. Të bëjmë një plan konkret disavjeçar dhe secili të bëjë punën e vet.
Besoj se kjo do na japë mundësi që ta çojmë në një nivel tjetër futbollin, duke shfrytëzuar eksperiencën tuaj, mundësitë tona dhe vullnetin e mirë të përbashkët, që është baza. Presidenti e tha, me vullnet politik bëhet gjithçka. Jam shumë dakord, por vullnetin politik s’duhet ta kenë vetëm politikanët, duhet ta kenë edhe aktorët e tjerë, që do të thotë edhe presidentët e klubeve, klubet, duhet të jenë kryetarët e bashkive, se kryetarët e bashkive me shumë të drejtë kërkojnë të kenë skuadra futbolli që të gjithë, duan t’i nxjerrin të gjithë në Champions League dhe kur vjen puna për të vënë një gardh, thonë s’kemi lekë. Nëse s’keni lekë, kaloni në volejboll dhe futbollin lëruani atyre që kanë lekë. Futboll pa lekë nuk bëhet. Futboll pa lekë, me 100 tifozë depresivë, që vijnë të dielave për të ushtruar talentin e tyre si mundës dhe si boksierë të dështuar, nuk i duhen dreqit, jo më futbollit shqiptar. Secili të marrë detyrimet e veta. Kush nuk i zbaton detyrimet, s’ka pse të ketë skuadër futbolli. Shumë e thjeshtë.
Shumë faleminderit!