Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi sot me qytetarët përmes rrjetit social FaceBook mbi zhvillimet e fundit në selinë e Partisë Demokratike:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot është një komunikim disi shumë i veçantë sepse është një komunikim, i cili i adresohet miqve demokratë në këtë rrjet social, edhe përmes mediave që mbase do ta ndjekin këtë komunikim, të gjithë demokratëve, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, njerëzve të arsyeshëm, prindër, familjarë, shqiptarë që për 1001 arsye i përkasin asaj pjese të kampit politik që identifikohet me Partinë Demokratike tani e 30 vjet.

Ndodhia e djeshme ishte një ndodhi shumë e rëndë për demokratët pa diskutim, por ishte e rëndë në fakt edhe për të gjithë shqiptarët, ishte e rëndë për vetë Shqipërinë.

Tre apo katër miq të huaj më kanë marrë të më pyesin fare të habitur, “a është e vërtetë që është sulmuar selia e opozitës nga mbështetësit e saj”? Sepse lajmi mori dhenë dhe faktikisht një lajm absurd, një lajm krejt befasues, sa i rëndë aq edhe qesharak që në një vend demokratik sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj, është diçka e pa ndodhur kurrë në dijeninë time, në historinë e botës demokratike, diçka ekstreme, diçka që shkon përtej çdo logjike e diçka për të cilën sigurisht shumëkush mund të mendojë se për mua është e mirëseardhur, por në fakt jo. Nuk i vë faj kujtdo që mendon se kjo është “e mirëseardhur” në aspektin cinik të politikës e të përfitimit të ngushtë politik, por një zhvillim i kësaj natyre që patjetër e dobëson kundërshtarin politik, në fakt godet vendin, godet shoqërinë, godet të gjithë ngrehinën e kulturës politike, e cila për të gjithë arsyet që dimë për shkak të historisë së traditës, jo dhe aq bujare të shqiptarëve, në raport me institucionet në raport me shtetformimin e kështu me radhë, përbën realisht një problem kjo kulturë politike, e cila dje ka marrë një goditje të tmerrshme.

Kjo shkon përtej dobësimit të një kundërshtari politik, ky është një shkatërrim që nuk dëmton vetëm PD-në si parti, por dëmton ngrehinën institucionale të këtij vendi, dëmton institucionin demokratik të opozitës patjetër, por dëmton edhe gjithë kornizën institucionale të vendit e patjetër që kjo është përgjegjësi e dy personazheve që janë të dy pa asnjë vizion ardhmërie, pa asnjë projekt politik, pa asnjë mesazh më të fortë se sa akuza ndaj njëri-tjetrit se kush nga të dy është “shërbëtori” im. Pikë e zezë!

Ajo që përbën në fakt të vërtetën e thjeshtë është që këta dy personazhe janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë, e njëjta mbetje politike e asaj parie e ndarë përgjysmë. Një mbetje për arsye të ndryshme, e pariciklueshme në funksion të të ardhmes.

Arsyeja pse unë sot jam këtu e ndërmora këtë hap që të flas drejtpërdrejtë me demokratët në fakt nuk janë këta të dy. As njëri e as tjetri nuk është zgjedhja ime dhe siç e thashë, në sytë e mi, jo si kundërshtar i tyre, as si kryetar i shumicës aktuale qeverisëse, por si dikush që e ka ndjekur historinë politike të këtij vendi, janë shumë afër në pozicione të ndryshme, këta të dy janë “njëri” në fakt. “Njëri” i ndarë në dy pasqyra, sepse faktikisht historia e zhvillimeve të Partisë Demokratike është historia e të dyve sëbashku, nuk është historia e “njërit” apo e “tjetrit”, për sa kohë i dyti është futur në skenë nga i pari, si hija e tij.

Ama për mua nuk është kjo sot, për mua është nevoja për paqe dhe për urtësi në këtë moment delikat, jo thjeshtë për Partinë Demokratike si opozita, si boshti i pashmangshëm, i pandryshueshëm, i pazëvendësueshëm për momentin të paktën opozitar i Shqipërisë, por është një moment delikat për ngrehinën e sistemit tonë demokratik dhe dje ajo shfaqje mesjetare realisht, me SHQUP-in e kthyer në një kështjellë në mes të Tiranës, me një palë ushtri brenda e karikuar në një sistem fortifikimi mbrojtës me hekura, llamarina, teneqe e me një ushtri jashtë e karikaur për të sulmuar me çekiç, me trapan, me shkallë, me vare, mund të kishte degjeneruar në gjakderdhje, mund të kishte degjeneruar në diçka të pangushëllueshme për Partinë Demokratike, për demokratët, por edhe për shoqërinë tonë dhe si njëri e si tjetri nga të dyja kufomat politike që e kanë marrë peng atë parti në kacafytjen e tyre, për fat të keq ishin papërgjegjshmërisht të gatshëm ta luanin deri në fund lojën e mbrojtjes apo marrjes së kështjellës, me gjakun e demokratëve, atyre demokratëve që për 1001 arsyet e tyre, unë nuk po hyj t’i diskutoj e as t’i vë në diskutim sepse janë arsye legjitime të gjithsecilit nga pozicioni i vetë, u gjendën brenda apo u gjendën jashtë godinës.

Që të dy ishin gati të sakrifikonin njerëz papërgjegjshmërisht dhe policia dje ka pasur sfidën e vet më të vështirë sepse për herë të parë në historinë e vet, policia është sfiduar nga një ngjarje me potencial gjakderdhje në oborrin e një partie politike, jo për shkak të sulmimit të saj nga kundërshtarë, por për shkak të një kacafytje në oborr mes veti, një kacafytje barbare dhe policia, e stërvitur në fakt në tërë këto vite për të përballur këtë lloj materieje politike, këtë lloj qasjeje e këtë lloj drejtimi politik që e përfshin dhunën si mjet politik në agresionin ndaj godinave, dje meritoi respektin e të gjithëve dhe sot meriton një falenderim shumë të posaçëm një përgëzim të posaçëm për hir të vërtetës sepse mbajti të njëjtin standard, siç e ka krijuar, në mbrojtjen e godinës së qeverisë nga kjo materie, nga kjo prurje, nga kjo turmë, e cila dje ishte e ndarë përgjysmë. Njëra pjesë brenda, njëra pjesë jashtë godinës dhe sulmet e të dy palëve, pasi u shmang tragjedia, pasi gjërat u kthyen në një farë normaliteti anormal, për Partinë Demokratike, ndaj policisë, janë një shëmbëlltyrë e një të vërtete shumë të hidhur, se të  dyja këto kufoma politike që kanë marrë peng PD-në, janë shumë larg idesë së shtetit, janë shumë larg kulturës së respektit për institucionet e shtetit, janë shumë larg kulturës së ligjit dhe ligjshmërisë sepse janë në fakt e njëjta gjë, e njëjta mbetje politike e ndarë përgjysmë. Njëra më e vjetër, njëra më e re por e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë dhe e vjetër apo e re këtu është thjesht biologji, por nuk është absolutisht asgjë tjetër.

Duke qenë se ky është një bashkëbisedim, do të doja që të vazhdoja t’i trajtoja këto  aspekte të kësaj teme duke iu referuar dhe atyre që shkruajnë. I falenderoj shumë që janë angazhuar masivisht.

Koment nga FB: Kam dëgjuar të thonë, në dy që zihen, i treti del fitimtar. Ju vazhdoni të qeverisni e të punoni për vendin.

Kryeministri Edi Rama: Patjetër, por një gjë dua ta theksoj. Për mua ky është mandati i tretë qeverisës. Mua, për arsye që besoj mund t’i kuptojë gjithëkush, nuk më intereson fitorja në vetvete në aspektin e mundësisë për të drejtuar një qeveri të shumicës, sepse këtë e kam përjetuar dhe e kam tejkaluar e nëse që në krye të herës e kam menduar fitoren si një mundësi për vendin, për kombin, për shoqërinë, për njerëzit, sot realisht e mendoj plotësisht si të tillë e nëse deri dje brenda kësaj mundësie, patjetër kam ndjerë dhe atë aspektin personal të kënaqësisë që të jep fitorja, të kënaqësisë që të jep një arritje në aspektin individual, të kënaqësisë që të jep të qenit në majë në momentin e parë kur nuk e di në fakt se sa e vështirë e çfarë mundi e sakrifice ka në të vërtetë maja, se sado ta kesh lexuar nga të tjerët duhet ta provosh për ta kuptuar deri në fund, sot është ndryshe. Sot më intereson vetëm sa fiton vendi, sa fiton kombi, sa fitojnë njerëzit, shoqëria, në të përditshmen e punës sime e të qeverisjes tonë, e cila nuk diskutohet, është larg së qeni më e mira e mundshme, por patjetër që është më e mira që kemi pasur e që mund të kemi në këtë fazë sepse shikoni se çfarë bëhet me ofertat e tjera.

Koment nga FB: Herakliti thoshte se nuk kalohet dy herë i njëjti lumë, por Berisha beson se mund ta bëjë, madje të sfidojë dhe gravitetin që po e tërheq me gjithë fuqi, do ta tërheqë dhe Lulin, por po punojnë për Ramën pa dashje nga epshi i pakontrolluar për epërsi…

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk argëtohem unë duke parë se si i ndukin puplat njëri tjetrit se këtu nuk ka më asgjë për t’u argëtuar. Këtu është e domosdoshme që të gjithë të bëjnë diçka për paqe e për urtësi, për normalitet. Kjo ndarje e thellë, kjo përçarje që i pari, pra plaku, e ka mishëruar që ditën e parë, si një mjet për t’i përçarë dhe sunduar shqiptarët dhe që i dyti, pra pasardhësi i marrë me dorë dhe i vendosur aty si hija e plakut, e ka vazhduar përsëri si një instrument, thjesht politik, “përça e sundo”, fatmirësisht pa arritur kurrë më të sundojë, siç i pari arriti në dy momente, duhet parë me sy të hapur nga gjithë shqiptarët. Gjithë shqiptarët e sotëm, gjithë njerzit e zakonshëm, të gjithë njerëzit që punojnë, që e mbajnë familjen e tyre me punë, që aspirojnë për fëmijët e tyre, do ta shohin që nuk mundet, të jenë kontributorë me ushqimin e këtij gjaku të prishur. E këtij gjaku të prishur të politikës, të ndarjes mes komunistëve, antikomunistëve, partizanëve, ballistëve, atyre edhe nesh, sepse jemi shumë të vegjël për të qenë të ndarë në këtë farë feje dhe në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për një luftë ideologjike, sepse përsa më takon dhe na takon Partia Socialiste, e ka braktisur llogoren e ideologjisë, atë të trashëgimisë ideologjike, por edhe të të menduarit si një kafshë politike ideologjike, dhe ka zgjedhur frontin e betejës për ideale dhe ide që i përkasin një spektri të qendrës së majtë, por që e bëjnë këtë qendër të majtë një hapësirë, e cila është e gatshme të koagulojë rreth vetes forca që shohin te qendra, që shohin te vija e drejtë dhe pa kthesa majtas-djathtas mundësinë për të gjetur të gjitha zgjidhjet më efikase.

Pra nuk dua t’ju lodh me këtë, por dua tju them vetëm kaq: Këtu nuk është çështje argëtimi, nuk ka argëtim në skenat e djeshme. Skenat e djeshme janë trishtim, sëkëlldi, janë ulërimë e brendshme e një mungese të madhe përgjegjshmërie, qytetarie, vetëdije dhe e një kafshërie që është një fazë e avancuar e degradimit të një qenie politike, siç është një parti politike, apo siç është një person politik.

Dje pamë kafshëri në kuptimin e zgjedhjes së mjeteve për t’u mbrojtur apo të mjeteve për të sulmuar, dhe pamë një përpjekje për kafshim në kuptimin e drejtpërdrejtë mes palëve dhe fatmirësisht u shmang kafshimi i përgjakshëm. Por pavarësisht se u shmang kafshimi i përgjakshëm, kafshuesit, nxitësit e kafshimit, janë aty dhe janë përgjegjës. Përgjegjës që nuk marrin përgjegjësi, por vetëm vazhdojnë të sulmojnë njëri-tjetrin.

Zënka për godinën është një përshkallëzim i degradimit. Është një ekstrem i degradimit sepse, në fakt, shpreh ezaurimin e të gjitha mjeteve të logjikës, të urtësisë, të politikës, të kulturës, politike, morale, qytetare, njerëzore dhe e gjitha përkthehet në një agression fizik. Përballje mes gojësh që flasin, jo në emër të trurit, por në emër të muskujve. Sigurisht që kjo vjen si rezultat i delegjitimit të plotë të të dyja palëve. Janë të dyja palët pa legjitimitet. Janë të dyja palët që kanë humbur mundësinë të udhëheqin demokratët. Të dy kufomat e kanë të pamundur të udhëheqin demokratët dhe kacafytja e tyre është në thelb një nevojë ekstreme e tyre për njëri-tjetrin.

Sot që flasim, sado absurde e paradoksale të duket kjo, sepse mbahen të dy që të mos bien të dy. Ndërkohë që ne duam të ndihmojmë paqen. Ne nuk jemi këtu për të zëvendësuar opozitën. Unë s’jam këtu për të kërkuar sot nga demokratët që të bëhen votues në Partinë Socialiste e as për të thënë që “o sa mirë që u shkatërrua opozita”. Absolutisht jo!

Unë jam këtu për t’u komunikuar demokratëve e për t’ju thënë që duhet të bëjmë çmos të gjithë së bashku që ta çlirojmë politikën e këtij vendi, këtë aspekt po themi, që na mban peng të gjithëve të ndasisë së thellë dhe të një urrejtjeje të brendshme mes të dyja kampeve dhe në të njëjtën kohë, duhet me patjetër që të gjendet rruga që kjo kacafytje të mbarrojë dhe që të mos kemi më skena të tilla që janë të destinuara të tentohet përsëri.

Ndërkohë që demokratët duhet ta gjejnë vetë atë që i duhet për të udhëhequr. Por sigurisht, në kushtet ku jemi dhe mënyra se si e shoh unë këtë situatë, kjo do të kërkojë kohën e vetë, ama nga ana tjetër është shumë e rëndësishme, të gjithë ta kuptojnë që nuk bëhet fjalë këtu të fërkojmë duart, për t’u argëtuar, për t’u ndier mirë që u shkatërrua nga themeli një forcë politike, e cila, sigurisht është forca kundërshtare, sigurisht ka krijuar në vijimësi të gjithë arsyet që të na dhembi koka ne të tjerëve, por në fund të fundit ka mbajtur në ekuilibër sistemin demokratik dhe gjithë kjo frymë agresiviteti që ushqehet edhe nga njerëz që nuk kanë asnjë lloj instikti tjetër, përveç instiktit të shkatërrimit, dhe që flasin për rregjim, flasin për luftë kundër rregjimit, flasin për përmbysje të rregjimit, flasin për vegla të rregjimit, nuk na çon aty, ku në fakt të gjithë duam të shkojmë, në një rrugë më të shpejtë të afrimit të të ardhmes dhe të garantimit të gjitha atyre kushteve ekonomike dhe shoqërore për të cilat ka nevojë vendi.

Pyetje në FB: A ka opozitë ky vend apo nuk ka sepse një shtet pa opozitë ka marrë fund.

Kryeministri Edi Rama: Jam shumë dakord me ty Ajmir. Sigurisht që, ky vend ka nevojë për opozitë. Sigurisht që ky vend nuk ka opozitë sot. Por, nuk ka opozitë sot, jo sepse ndodhi ajo dje, por ka kohë që ky vend nuk ka opozitë Ajmir, sepse nuk është opozitë. Nuk është opozitë ajo që është shfaqur përpara nesh në të gjithë këto vite. Nuk është! Këtë unë e kam thënë me kohë e me vakt. Një opozitë, e cila të sfidon fizikisht, nuk është opozitë dhe është e destinuar të humbasë në vijimësi. Një opozitë që nuk të sfidon mendërisht, që nuk të sfidon me kurajon për të parë të ardhmen në një mënyrë më të avancuar, që nuk sfidon me guximin për ta projektuar të ardhmen me reforma shumë më të avancuara sesa ato të pozitës e të tjera, por që të sfidon me molotov, sepse ata që dje ishin të ndare, mos harroni, kanë qenë për kaq shumë vite bashkë, kanë ardhur këtu poshtë e kanë përdorur të njejtat mjete, të cilat sot, disa vazhdojnë t’i përdorin por disa të tjerë i pësojnë drejtpërdrejtë në kurrizin e tyre.

Ishin të rrethuar dje se ishin brenda dhe unë e besoj, realisht, që kaluan orë shumë të vështira, por uroj që gjate atyre orëve të kenë menduar se sa orë të vështira kanë bërë që të kalojnë njerëzit në këtë godinë nga ku po flas unë.

E nuk flas për politikanë por gra e burra, vajza e djem që, në këtë godinë, janë prej më tepër vitesh sesa vitet që unë kam këtu apo që kanë ardhur me pas, dhe që janë këtu për t’u shërbyer shtetit e jo partisë në pushtet.

Sa orë, si ato orë dje, kanë kaluar, për shkak edhe të atyre që dje ishin brenda?

E pra, ky vend nuk ka pasur opozitë në këto vite dhe nuk ka as sot.

Nuk është opozitë të dërdëllitësh çdo ditë “Regjimi, regjimi” dhe të bësh thirrje për përmbysje të regjimit.

Nuk është opozitë të flasësh për armiq në një vend demokratik dhe kaq të vogël.

Ne nuk jemi armiq, ne jemi kundërshtarë politikë.

Ne jemi konkurrentë, ne jemi rivalë, por nuk jemi armiq.

Kush flet për armik, flet për legjitimimin e të gjitha mjeteve për të përmbysur armikun, dhe më fal që po ta them, por nuk është opozitë një opozitë, e cila pretendon vijimësisht se vidhet në zgjedhje dhe sot është në sytë e te gjithë shqiptarëve, që nuk arrin dot të ketë, as në njërën palë e as në palën tjetër, minimumin e ndershmërisë, në raport me një proces zgjedhor të brendshëm.

Njëri thotë “Kam mbledhur dhjetëra, mijera njerëz që kanë votuar për mua” dhe ka kurajon ta thotë, ndërkohë që të gjitha votimet i ka bërë vetë.

Tjetri thotë “kisha 5mijë veta”, në një sallë me 2 mijë karrike.

Të dy këta ankohen se janë viktima të masakrave zgjedhore që i bëj unë dhe që i bën kjo shumicë. Është e gjitha një farsë dhe nuk lidhet me demokratët, nuk lidhet me atë që demokratët apo që kritikët apo kundërshtarët e kësaj shumice apo kundërshtarët e kritikët e mi mund të nxjerrin në skenë.

Mund të nxjerrin në skenë shumë më tepër dhe shumë më mirë sesa kaq, por skena sot është një skenë e ndarë, pasi ka qenë aty dhe është ende aty, me të njejtët personazhe që janë vënë, aty, bashkë, nga të dy.

Ç’domethënë kjo? Kujt mund t”i thuhet sot “Shiko se unë nuk e njihja këtë?”

Si nuk e njihje ti këtë? Si nuk e dije ti? E të tjera e të tjera.

Janë të gjitha të bëra bashkë.

Koment në FB: Edhe pa gjë nuk është ky muhabet. Tjetri, i zgjedhur nga populli, nuk të vjen në Parlament thuajse një mandat. Vjen në zgjedhje edhe pse e di që nuk do t’i pranojë. Humbet dy mandate dhe thotë “Do jemi më të fortë këtu e tutje”. Përçan PD i vendosur dhe pa mëshirë. Ti thua të bëhen vetëm këto punë?

Kryeministri Edi Rama: Këtu ideja është që Lulzim Basha e ka bërë këtë punë me mua, apo jo? Në fakt, jo. Këto gjëra nuk bëhen vetëm, bëhen bashkë dhe bashkë i kanë bërë të dy këta, në të gjitha këto vite. Mos kini asnjë lloj iluzioni miqtë e mi demokratë.

Kjo është historia e një mbetjeje politike e ndarë përgjysmë. E ndarë përgjysmë në një kufomë politike me seli SHQUP-in dhe në një kufomë politike pa seli. Një kufomë politike që ka selinë blu dhe një kufomë politike që është në listën e zezë. Të dy bashkë, deri dje, dhe dje jo përpara disa vitesh, por deri dje përpara pak muajsh, ishin një, ishin e njejta gjë.

A nuk iu imponua gjatë gjithë këtyre viteve demokratëve Lulzim Basha, ekzaktësisht nga Sali Berisha? Iu imponua nga unë? Iu imponua nga Amerika?

Iu imponua nga Sali Berisha.

E të dalësh e të thuash “ Unë nuk e kam njohur, ju kërkoj ndjesë”, është të tallësh ndenjësen me të gjithë ata që janë mbledhur aty e rrinë ne këmbë për të te duartrokitur.

Pyetje në FB: Pse kur të intereson ty PD-ja, dërgon Forcat e Armatosura? Pse nuk merr masa për personat që përdorën gaz lotsjellës? Pse policia jote ndaloi protestën? Pse i ndalon të drejtat e njeriut? Pse futesh aty ku nuk të takon? Pse e mbron kaq shumë Lulin tënd? 

Kryeministri Edi Rama: Lulin tim! Ok! E para njëherë, dje policia ka mbajtur të njejtin standard që ka mbajtur edhe në sulmet që i janë bërë godinës së Kryeministrisë. Pra, përsa kohë protestuesit  janë marrë me muret e janë marrë me dyert, policia nuk ka ndërhyrë. Nga ana tjetër, policia nuk ka ndërhyrë edhe për një arsye tjetër. Sepse, njësoj si pala jashtë, edhe pala brenda, papërgjegjshmërisht, ishte e gatshme për gjakderdhje, për të përdorur njerëz si viktima. Kjo është e vërteta. Nëse nuk do të ishte kjo e vërteta, gjëja më normale në botë do ishte që ata, të cilët e kanë zyrtarisht vulën dhe selinë e Partisë Demokratike, sot për sot që flasim, edhe pse nuk kanë asnjë legjitimitet për ta drejtuar atë parti, qartësisht duhet të kërkonin mbështetjen e policisë qysh në sekondin e parë.

“Kemi një lajmërim, një njoftim që do të bëhet një miting në oborr, kemi të gjitha arsyet të mendojmë se mitingu mund të degradojë në sulm fizik ndaj godinës. Ju lutemi, hajde na mbroni godinën”. Shumë e thjeshtë.

“Ah jo, nuk e marrim policinë se nuk duam të dukemi që jemi të Ramës, se duhet të themi që Rama është me Berishën” e të tjera, por të gjitha këto janë lodra të rrezikshme me fatin e njerëzve, me jetën e njerëzve. Janë lodra të rrezikshme udhëheqësish të papërgjegjshëm, udhëheqësish pa vizion, udhëheqësish pa pikën e turpit. Kjo është e vërteta.

Policia ishte aty patjetër. Se dëgjova “Po si ka mundësi që policia ndërhyri menjëherë”? Policia meriton përgëzimet më të mëdha për gjithçka bëri dje, në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, jashtëzakonisht delikate, unikale se s’di ç’të bëjë njeriu. S’di ç’të bëjë njeriu kur e mendon e jo më kur ka detyrën të veprojë në emër të shtetit, si drejtues i Policisë së Shtetit, në këto kushte shumë të rrezikshme, provokative, të ulëta, të poshtra, të pabesa.

Përsa i përket masave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe Policia nuk kanë bërë dallime brenda e jashtë. Janë marrë me te dyja palët dhe kanë bërë të gjitha gjërat që duhet të bënin dhe ju takon atyre ta çojnë deri në fund dhe sigurisht që kush është përfshirë në dhunim, duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk mund të thuash ti që ne i përdorim ato fikëset e zjarrit për të mbrojtur demokracinë. Nuk mund të përdorësh zotrote fikëset e zjarrit për të mbrojtur demokracinë dhe të rrezikosh të përvëlosh sytë e njerëzve e t’i çosh njerëzit në spital. Nuk mund të përdorësh fikëset e zjarrit për të mbrojtur demokracinë.

Për të mbrojtur demokracinë, përdoret demokracia.

Për të mbrojtur demokracinë përdoren zgjedhjet e lira e të ndershme brenda forcës politike.

Për të mbrojtur demokracinë përdoret sfida demokratike. Urdhëro, të masim forcat. Kjo nuk është natyrisht puna ime. Puna ime është të them që jo, demokracia nuk mbrohet me fikëset e zjarrit në sytë e njerëzve.

Demokracia nuk mbrohet me njerëz me shkopinj që shfaqen nga penxheret për t’i dhënë hu atyre që hipin nga shkallët. Dy palë viktima, dy palë mish për top nga dy kufoma që vijnë vërdallë brenda e jashtë godinës si udhëheqës. Udhëheqësit e kujt?  Udhëheqësit e karvanëve mesjetarë? Udhëheqësit e çetave të vitit të mbrapshtë? Udhëheqësit e kujt? Në emrët të kujt? Të luftës me regjimin? Me cilin regjim? E pra, unë nuk mbroj kaq shumë Lulin tim. Unë nuk kam asnjë lloj respekti, më vjen keq ta them hapur, as për Lulin tim, as për Saliun tënd. Janë dy pengmarrësit e demokratëve dhe jo thjesht të demokratëve, por të skenës demokratike të Shqipërisë.

Koment nga FB: Dikur ziheshin kush ju heq, sot zihen kush ju ka, sot është koha…

Kryeministri Edi Rama: Po, sot zihen të dy se kush është shërbëtori im. Njëri thotë ,“ai pengu i këtij”. Tjetri thotë, “ai, tubi i oksigjenit të këtij”. Dhe kujt ia thonë? Ia thonë pikërisht demokratëve, duk i trajtuar si budallenj e duke i tërhequr prej hunde sa më shumë pas vetes, të dy për interesin e tyre krejt personal. Vetëm interesi krejt personal mund ta mbajë një drejtues, një udhëheqës të një partie politike që synon të marrë pushtetin, si të ishte një princ mesjetar i mbyllur në një kështjellë që nuk guxon të dalë e të thotë, “ja ku më keni, ju sfidoj të provojmë kush e ka shumicën”. Kaq e thjeshtë është kjo. Mosbërja e këtij akti, është shumë thjeshtë ekzekutimi me gjak të ftohtë i demokratëve për interesin krejt personal të asaj karrigeje. Se nuk po e diskutoj tjetrin fare se tjetri është shumë e qartë se çfarë është. Tjetri të kujton atë poemën:

“U ngrit fati i partisë si i vdekuri nga varri/ mori rrugën e Shqipërisë, të luftonte si i marri”,

Sepse qëndronte atje, e kishte lënë këtë dhe kishte këtë që ia bënte të tëra ato që donte ai, siç i donte ai, dhe i dilte përpara çdokujt që merrej me këtë. E ka mbrojtur këtë më shumë se ky ka ditur të mbrojë veten e vetë. I ka dhënë gjithçka, sepse e kishte administratorin e pronës. Mirëpo ja që bota u rrotullua ndryshe, u rrotullua mbrapsht e tani zihen se me kë jam unë, e i kujt jam unë, e me kë punoj unë, e kush më ka marr mua peng e kush më jep mua oksigjen.

Kjo është diçka për të cilën unë sigurisht mund të argëtohesha, por për të cilën unë mendoj se janë demokratët që duhet ta zgjidhin vetë, për veten e tyre, për ta kuptuar që as njëri e as tjetri nuk i thotë të vërtetën. Asnjë lloj të vërtete, vetëm ju tërheqin prej hunde për të vazhduar t’ju marrin për budallenj siç ju kanë marrë gjithë këto vite. “Do djegim mandatet, do rrëzojmë Ramën, hajdeni ta heqim, Rama ik, mblidhuni, hipni nëpër autobusa, turruni këtu”. Mos vallë këta humbën ndonjë gjë? Vetëm ju!

Koment nga FB: Vazhdon, nuk është se nuk ju pëlqen kjo tragjikomedi e jona, e të dyve, e Salës dhe e Lulit.

Kryeministri Edi Rama: Po të jetë për këta të dy, do më pëlqente shumë, nuk do kisha, jo keqardhje, por asnjë arsye që të mos më pëlqente, por nuk është puna tek këta të dy, është puna tek ai dëm i madh që i bëhet këtij vendi prej këtyre të dy. Është puna tek ai shkatërrim i madh që shkon përtej po ju them politikës së numrave, se po të ishte për cinizmin e numrave, më falni t’jua them pa modesti, i kam mundur të dy, madje i mund prap jo të dy, për të tre, se nuk janë dy, janë tre. Por i treti rri e vështron, por prisni se do vijë dhe i treti të futet këtu në këtë mes.

E pra, nuk është personale kjo, nuk është as partiake kjo. Kjo është shoqërore, është shqiptare, është njerëzore, është morale, është si të doni ju. Nuk mundet ne të jemi vend që na tregojnë me gisht si njerëz me bisht, që del e merr dhenë lajmi se mbështetësit e opozitës sulmuan godinën e partisë së tyre.

Ku ka bërë kjo vaki? Në cilin pyll? Në cilën xhungël ka bërë vaki kjo? Është e paimagjinueshme. Unë ndihem i turpëruar si shqiptar kur më marrin miq personalitete e më thonë, “është lajm i rrem ky”? se nuk e kuptojnë njerëzit se çfarë është kjo. Nga ato fotografi me shkallë, duke u kacavjerrë si jeniçerë, por dhe po kaq qesharakë, se t’i kishin të paktën shkallët si të jeniçerëve. E me çekiç, e me vare, e me matrapik, e me grushta duke i rënë hekurit. E me fikëse zjarri duke ja hedhur syve nga brenda njerëzve. E me shkopinj bejsbolli duke ju dalë nga ballkoni e duke i rënë të tjerëve, e me gurë  e me ca dreqin hidheshin nga lart. Mungonin vetëm kovat me zift që të hidheshin nga lart.

Koment nga FB: Unë sot pash një ujk të ngordhur buzë Lanës. I lodhur dhe i konsumuar, por prap ishte ujk dhe po e mund lloji i tij se ti nuk e munde dot ndaj ki pak respekt për kundërshtarin tënd të ri…

Kryeministri Edi Rama: Tani të lutem, kjo nuk është çështje kundërshtarësh të mi, të rinj apo të vjetër. Kjo është çështje e një nevoje të madhe për të kapërcyer këtë llum 30 vjeçar, këtë llum që shkon përtej socialistëve dhe demokratëve, përtej partive, përtej të gjithave sepse po të ishte ndryshe, unë rrija sot në shtëpi, ditë e dielë, nuk vija të flisja me demokratët, rrija në shtëpi, fërkoja duart, “vrafshin veten, hëngshin kokat, le të vazhdojë kjo pafundësisht se kjo është rruga që i çon në shkatërrim”. Por me çfarë kosto? Të vriten njerëz? Të shkatërrohen njerëz? Të shkatërrohet  komplet imazhi i këtij vendi? Se larg qoftë ndodh një herë tjetër dhe shkon më larg kjo punë.

Koment nga FB: Demokratë nuk ka patur ai vend kurrë!

Kryeministri Edi Rama: Më falni ju që shkruani nga jashtë, një gjë kam unë, mos i flisni këtij, mos flisni për këtë vend, si vendi i dikujt tjetër. “Ai vend, ai vend”, jo mo, ky është vendi yt dhe ky vendi yt, ka pasur demokratë kur ti s’kishe lindur akoma. Ky vendi yt, ka pasur njerëz që janë torturuar. Njerëz që janë vrarë, njerëz që edhe janë varrosur nëpër burgje dhe nuk i janë lënë as trupat të dalin nga burgjet sepse kanë qenë demokratë. Kur zotrote as maces me lugë s’kishe filluar t’i bije akoma. “Ai vend s’ka pasur demokratë”. Ka pasur ky vend demokratë që ç’ke me atë punë dhe ka dhe sot. Ka dhe sot me patjetër, nuk diskutohet. Fatmirësisht!

Koment nga FB: Shpresoj që demokratët të nxjerrin politikanë të rinj, më inteligjentë, më të njerëzishëm, për ndryshe me këta të dy, me këta “hoxhi-doxhi” as ty fitorja nuk të duket interesante.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është çështja sa interesante më duket mua fitorja! Por me këta,“hoxhi-doxhi“ dëmtohet  seriozisht tani, jo vetëm Partia Demokratike se, në fund të ditës mund të thosha, “po çfarë pune kam unë, le të dëmtohen, le të shkatërrohen”. Këtu dëmtohet i gjithë mjedisi social i Shqipërisë, nga këta të dy “hoxhi-doxhi” dhe këta të dy “hoxhi-doxhi” nuk janë problemi im. Janë problemi i demokratëve dhe unë nuk jam sot këtu për t’i thënë demokratëve hajde bëhuni anëtarë të Partisë Socialiste ose hajde më jepni votën, se sot s’kemi zgjedhje, as nesër. Zgjedhjet janë në vitin 2025 në mos gabohem. Por unë jam këtu për t’ju thënë demokratëve që ne jemi të gjithë shqiptarë. Ne jemi të gjithë njerëz në radhë të parë dhe nuk duhet ta harrojmë këtë. Nuk duhet ta harrojmë që jemi në radhë të parë njerëz dhe nuk jemi bisha.  Ne nuk jemi kafshë! Ne nuk jemi majmunë! Ne nuk jemi mesjetarë, barbarë mesjete! Politika nuk është dhe s’mund të jetë logjikë e forcës, por duhet të jetë forca e logjikës. Politika nuk mund të katandiset në një luftë me çekiçë edhe me fikse zjarri syve.

Koment nga FB: Gjuaj gurin dhe fsheh dorën i thonë kësaj që thua ti!

Kryeministri Edi Rama: Cilin gur dhe cilën dorë po fsheh unë? Unë s’po fsheh asnjë dorë! Unë, për fat të mirë kam mundësi që duart t’ua tregoj gjithmonë, për çdo gjë. Unë nuk kam hedhur asnjë gur dhe s’kam fshehur asnjë dorë dhe po ju them përsëri që për mua kjo është dramatike sepse është turp për ne si shqiptarë. Kaq di të them unë! Është turp për çdo demokrat! Është turp për çdo socialist! Është turp për çdo shqiptar që nuk e njeh veten si një prej këtyre dy kategorive politike! Është turp për çdo qenie që jeton në shekullin e 21-të të pranojë që në kryeqytetin e vetë, në zemër të kryeqytetit të vet, të zhvillohet një shfaqje si ajo e djeshmja dhe rri pezull vendi se çfarë do të ndodhi një javë rresht nëpër ekrane, nëpër portale, nëpër lajme, nëpër kafene, sa porta të blinduara janë? Sa hekura ka brenda? Sa teneqe, sa llamarina, sa suprina, sa vitrina e nga ana tjetër si do merret kalaja? Me çekiç, me matrapik, me vare! Kjo është e pa imagjinueshme! Sepse ka mbaruar politika. Se kanë mbaruar arsyet! Sepse kjo është vetëm personale! Se këtu s’është përplasje e asnjë vizioni për të ardhmen. S’është përplasje e asnjë qasje të ndryshme për mënyrën si funksionon një parti demokratike sepse të dyja palët nuk njohin institucionin e zgjedhjeve dhe të dyja palët bëjnë sikur bëjnë zgjedhje dhe sikur kanë shumicën dhe të dyja palët nuk kanë asnjë legjitimet. Zero! Se nuk arrijnë dot të përballen së bashku në arenën ku së bashku demokratët votojnë si të duan. Shumë e thjeshtë! Ç’lidhje ka kjo me gurin dhe me dorën time?

Koment nga FB: Kur nipi i tij e pyet se si duket kjo kohë gjysh, dhe plaku u përgjigj: “Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur se sot asnjëherë”

Kryeministri Edi  Rama: Në fakt jo. Shqipëria nuk është sot më e çoroditur se asnjëherë se Shqipëria ka njohur çorodira të mëdha dhe duke gjykuar nga fakti që shkruan Romina, me siguri duhet të ketë parë diçka nga ato çorodia të mëdha. Sot nuk është Shqipëria e çoroditur si asnjëherë! Përkundrazi! Shqipëria nuk është aspak e çoroditur sot. Shqipëria sot është e goditur nga një çorodi ekstreme e forcës balancuese të sistemit që është opozita. Është e paimagjinueshme, por është kështu.

Koment nga FB: E vërtetë që ju s’keni gisht, por keni frikë nga ujku dhe bëni shoqëri me dhelprën. Të njoh nga afër. Ke guxim, por ke pak frikë! Që të heqësh frikën, duhet të mundësh ujkun!

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk është çështje ujku dhe dhelpre. Kjo nuk është as çështje frike. Kjo nuk është as çështje mundje sepse, për t;i qëndruar metaforës tënde, me ujkun dhe me dhelprën unë e kam mbyllur më shumë se sa njëherë, prej vitesh tanimë. Domethënë ujkun e kam çuar në shtëpi, ndërsa dhelprën, ujku e la në vend të tij. E pra, është e kotë që ta shohim këtë nga kjo anë dhe nuk jam këtu për të bërë këtë që e bëjmë normalisht përditë, përplasjen pozitë-opozitë. Këtu jam për të folur me një grup të madh shqiptarësh që janë demokratë. Jo për tu kërkuar votën, jo për t’i ftuar të bëhen anëtarë të Partisë Socialiste, por për t’ju lutur atyre tu varrin teneqen që të dy këtyre dhe të gjejnë rrugën, të shpëtojnë opozitën dhe për t’ju thënë që unë jam i gatshëm këtu dhe ne jemi të gatshëm tu japim çdo ndihmë. Nëse duan dy seli përkohësisht, t’i ndihmojmë! Çfarëdo qoftë, nuk e di.

Koment nga FB: Ishte fasadë e gjitha që kur u formua. Një ditë do binte në mënyrën më të turpshme duke goditur godinën me dhunë dhe me pabesi. Kryeministër vlerësime gjithë ato goditje, shkatërrime kundër Qeverisë që keni përballurar me maturi dhe pa derdhur gjak! Respekte!

Kryeministri Edi Rama: Ka qenë një sfidë shumë e madhe për të mos u derdhur asnjë pikë gjaku dhe për të mos u plagosur askush. Edhe për fat të keq, të plagosurit që numërojmë në gjithë këtë periudhë qysh se unë kam hyrë në këtë godinë, për shkak të këtyre, të të dyja palëve, të të dyja kufomave, se kanë qenë të dyja bashkë dhe goditjeve të kësaj godine i ka prirë ai që ishte i mbyllur brenda dje dhe thirrje për të bërë ndaj kësaj godine, pa asnjë farë legjitimiteti dhe pa asnjë farë të drejte, atë që donte të bënte ai tjetri dje ndaj asaj godine, i ka bërë ai që dje ishte i mbyllur! Sa për kujtesë se është shumë e rëndësishme kjo. Ai që dje ishte i mbyllur brenda, udhëhiqte këtu ato lloj sulmesh. Ai që dje vinte vërdallë për të treguar xhama të thyer, ka thyer xhama edhe ka djegur e shkatërruar pronë këtu, pronë të popullit shqiptar, jo të Partisë Socialiste, shumë herë më shumë sesa ato xhama që u thyen dje dhe ka bërë predikimin e madh që godina, xhamat, pronat s’kanë asnjë rëndësi.

Ka qenë shumë themelore derdhja e asnjë pike gjaku, mos ketë të plagosur, por për fat të keq gjithë të plagosurit që numërohen janë nga anën e Policisë së Shtetit! Të gjithë! Deri policë shteti që kanë humbur gishta e kanë humbur sy duke u përballur me këtë çetë barbare tani të ndarë në dysh. Dhe kur them çetë barbare nuk kam  parasysh njerëzit që i ndjekin, nuk kam parasysh asnjë nga deputetët që i ndjekin, për hir së të vërtetës, jo se dua të bëj diversion, por asnjë. Për ta kam vetëm mëshirë sepse janë të paaftë të kuptojnë se çfarë po bëjnë.  Qoftë njëra palë, qoftë pala tjetër! Qoftë pala që rri pas atij që saldon dyert e ndërron bravat, qoftë pala që rri mbas atij tjetrit që vjen vërdallë buzë Lanës për të luftuar me Amerikën, faktikisht, por jo për të luftuar me Amerikën se s’lufton dot me Amerikën, por për të ndarë shqiptarët në emër të ndarjes së tij nga Amerika ose të ndarjes së  Amerikës me të.

Pyetje nga FB: Zoti Kryeministër një pyetje kisha si qytetar i komunës së Preshevës, pse humb kohë të merresh me këta dy persona?

Kryeministri Edi Rama: Nuk do të humb asnjë minutë për tu marrë me këta dy persona sepse kam humbur shumë në fakt kohë me këta dy persona dhe edhe në Parlament e kam thënë që s’ka legjitimitet asnjëri nga të dy që të meritojë replikën time dhe nuk do më shihni duke replikuar me njërin apo me tjetrin, kur të vijë besoj, me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem, por merrem sepse për shkak të këtyre dy personave, po shkatërrohet një aset aq i rëndësishëm që është opozita e këtij vendi dhe për shkak të këtyre dy personave, përsëri Shqipëria u bë gazi i gotës.

Sa e sa herë, janë shpërndarë për Shqipërinë fotografitë e djegieve, e sulmeve mbi institucionet nga këta. Sa e sa herë? Dhe për çfarë? Për një arsye shumë të thjeshtë, se këta nuk fitojnë dot zgjedhje me Partinë Socialiste. Jo për shkak të regjimit, as për shkak të patronazhistëve, as për shkak të bandave, as për shkak të etj, etj, etj, por për një shkak shumë të thjeshtë, se këta janë pakicë në popull! Kjo është shumë, shumë, shumë e thjeshtë! Këta janë një pakicë në popull dhe janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë. Kaq e thjeshtë është kjo, por ama, dëmi që bëjnë shkon përtej tyre se faktikisht për interesin e tyre krejt personal, totalisht personal duhet të jesh qorr që të mos shohësh që, që të dy janë në një kacafytje personale për një interes krejt persona.

Harrojeni që njëri po mbron Partinë Demokratike nga agresioni anti-amerikan dhe po mbron ligjin Amerikan të Partisë Demokratike dhe tjetri po mbron dinjitetin njerëzor përballë mafies që ka kapur Departamentin e Shtetit.

Këto janë përralla për të cilat të gjithë ata që i besojnë do të shqetësohen realisht sesi mund t’I hanë këto dokrra pas moshës 18 vjeç. Si mund të hanë dokrrën që njëri po mbron linjën euroatlantike të Partisë Demokratike dhe prandaj po rri heroikisht, aty i mbyllur me hekura dhe tjetri po mbron dinjitetin njerëzor dhe prandaj po sulmon me çekiç. Ky është një qamet i madh! Ky është një fund tragji-komik i një politike që prej 30 vjetësh ka përsëritur të njëjtën gjë dhe sot është katandisur ta përsërisë për herë të fundit në oborrin ku ajo politikë është plazmuar për 30 vjet! Është koha miqtë e mi demokratë për t’u ndarë nga kjo politikë! Realisht! Është koha për t’u ndarë! Është koha për t’i braktisur, për t’u varur teneqet të dy këtyre personave. E ndërkohë e përsëris: Për mua kjo nuk është një çështje votash, nuk është një çështje thirrjeje për të ndërtuar një vend  me një parti. Për mua kjo është një thirrje për të shpëtuar realisht institucionin e opozitës dhe shpresoj  që të gjenden forca edhe brenda atyre që ndjekin për momentin dy kufomat, por edhe jashtë tyre. Ndërkohë, unë jam këtu, jam në dispozicion për çdo gjë që mund të bëjmë që çdo gjë të bëhet me paqe, të bëhet me urtësi. Le të marri kohën e vet, sepse nuk i duhet askujt, nuk i vlen askujt, nuk i shërben askujt edhe në djall të vejë edhe vetë pushteti nëse Shqipëria nuk shkon mirë, apo jo!

Faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.