Bashkëbisedimi publik i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët përmes rrjeteve sociale:
Përshëndetje të gjithëve!
Së pari, është me shumë rëndësi gjithmonë, të kujtohemi që e gjithë kjo përpjekje, e gjithë kjo sakrificë, i gjithë ky stres që na ka krijuar një situatë krejt e befasishme, në fund të ditës vlerësohet me rezultatin që na jep në vijën e zjarrit, aty ku bëhet edhe përballja e madhe për të mbrojtur jetë të kërcënuara në spitalet e përgatitura për të luftuar me këtë armik të padukshëm.
Aktualisht janë 35 pacientë, gjithsej. Është një numër goxha i ulët, krahasuar me kërcënimin potencial dhe me situatën deri para disa javësh. Kemi vetëm 7 pacientë në reanimacion, të cilëve u uroj me gjithë zemër ta kalojnë me sukses këtë sfidë të vështirë dhe më e rëndësishme akoma, në këtë moment që flasim nuk kemi asnjë pacient në respirator, pra, në sfidën më të vështirë.
Kemi dhënë dje vendimin përmes ministres së Arsimit lidhur me shkollat. Faktikisht, nga të gjitha vlerësimet e bëra, por edhe duke parë vendet e tjera, siç bëjnë të gjitha vendet në këtë periudhë, ne kemi arritur në konkluzionin që në 18 maj të çelim një proces mësimor vetëm për ata që janë në Maturën Shtetërore, të cilët e kanë të domosdoshme një periudhë kontakti dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me mësuesit, përpara provimit të Maturës dhe të tjerët, të gjithë do kalojnë në vitin e ardhshëm shkollor, bazuar në rezultatet që kanë pasur deri në momentin kur është ndërprerë shkolla. Kjo besojmë ishte zgjidhja më optimale për të mbrojtur jetën, për të mbrojtur shëndetin e nxënësve dhe të familjarëve të tyre, por dhe për të mbrojtur investimin e nxënësve dhe prindërve që, sipas nesh, nuk mund të hidhej poshtë me anulimin e krejt vitit shkollor.
Sot që flasim kemi një kthim masiv në punë të shumë kategorive, të shumë individëve. Një pjesë e tyre, dua ta nënvizoj, janë edhe individë që kanë marrë ndërkohë miratimin e pagës së luftës, transhin e parë të saj dhe do të vazhdojnë ta marrin, sepse, sidoqoftë, ne besojmë që është e rëndësishme të jemi bashkë dhe të jemi pranë të gjithë njerëzve që në këtë situatë u goditën në vendin e tyre të punës, në të ardhurat e tyre të zakonshme. Ashtu sikundër po vazhdojmë të disbursojmë pagesat e paketës së zgjeruar, duke vënë re një problematikë për një numër prej 3 mijë personash, të cilët kanë gabuar në aplikimin e tyre me IBAN-in dhe kanë dhënë një kod, të cilin bankat nuk kanë mundur dot ta lidhin me personin. Iu është kërkuar bankave të kthejnë të gjithë emrat që me kod nuk janë të dedektueshëm në sistemin e tyre, do komunikohet me këta persona drejtpërdrejtë dhe do u kërkohet që të korrektojnë aplikimin me IBAN-in e duhur. Po ashtu janë 3 mijë individë të paketës së parë, të cilëve, sot ose nesër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’u çojë një mesazh të dedikuar, duke iu thënë se u është akorduar paga e luftës dhe nëse për një arsye apo një tjetër e kanë pasur të pamundur që të bëjnë aplikimin, janë të lutur që të aplikojnë.
Zonat e gjelbra kanë një regjim më të lehtësuar të lëvizjes. Ne po studiojmë dhe po presim njëkohësisht edhe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe nga Ministria e Shëndetësisë propozimin për zgjerimin e tyre. Ka disa zona të tjera që mendojmë se i plotësojnë kriteret e vendosura. Janë disa kritere për t’u përfshirë në hartën e zonave të gjelbra, për ta zgjeruar kështu hapësirën e lëvizjes në një pjesë jo të vogël të territorit të vendit. Ndërkohë që disa prej zonave, duke filluar nga Tirana, mbeten në këtë moment zona delikate dhe për këtë arsye nuk përfshihen. Deri ditën e premte do kemi një konkluzion dhe do lajmërojmë për zonat e reja të gjelbra, që iu shtohen zonave tanimë të vendosura si të tilla.
Faktikisht hapja do vazhdojë me shumë kujdes. Kini parasysh çfarë ndodh rreth e rrotull, sepse shpesh herë, duke i dëgjuar me vëmendje ankesat dhe duke i lexuar me vëmendje shqetësimet e pyetjet tuaja, vërej diçka që më bën përshtypje personalisht, sikur disa nuk jetojnë në këtë botë. Por faktikisht e gjithë bota është kështu. Jo më larg se sot pashë një deklarim shumë të fortë të drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik gjerman, i cili nënvizonte faktin se ka një rritje të zinxhirit të infeksionit në kushtet kur ka filluar hapja dhe kërkonte rishikim të masave të hapjes. Po sot pashë edhe listën e regjimit të ri të lehtësimit, të deklaruar nga qeveria greke dhe duke qenë se ka shumë që janë në Greqi dhe jo pak që duan të shkojnë në Greqi dhe ankohen, desha t’u kujtoj se në Greqi nuk lejohet lëvizja nga prefektura në prefekturë, brenda për brenda. Kur flasim për kufij, “hap kufijtë, se na mbyte”, shikoni se çfarë ndodh në vendet e tjera!
Kështu që është mirë të bëjmë durim, të ruajmë qetësinë dhe të shohim që procesi po vazhdon dhe duke përfituar nga fakti që jemi tërësisht të suksesshëm deri në këtë moment që flasim në frontin e luftës me armikun e padukshëm, por edhe duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun e madh që gjithë kjo sakrificë që kemi bërë, mund të zhbëhet në një javë të vetme, nëse hapemi dhe nuk pyesim më për rregullat. Në këtë drejtim dua të them se deri pas kësaj jave dhe në javën në vijim, ne do bëjmë një analizë të thellë me ekspertët, do ballafaqohemi dhe me Komitetin lidhur me procesin e hapjes së mëtejshme të korridoreve ajrore dhe atyre tokësore. Në 11 maj mund të kemi një lehtësim në raport me domosdoshmërinë e karantinimit në hotel dhe sidoqoftë, në javën e ardhshme do duhet të shikojmë me shumë kujdes të gjithë elementët që na duhen për të bërë në analizë të saktë. Në tërësi do vazhdojmë me këtë regjim përsa i përket korridorit ajror. Është një korridor shumë i ngushtë ajror. Nuk janë hapur fluturimet në tërësi. Pra, është normale që, kur ka shumë kërkesa, ka pak vende. Një pjesë e madhe mbeten të pakënaqur, por lehtësimi do vijojë në proces.
Mbeten në proces për t’u studiuar dhe për t’u lehtësuar disa biznese shumë specifike, si floktoret, berberët, dentistët. Janë të rrezikshme, sepse mjafton që njëri nga klientët të jetë i infektuar dhe të infektojë berberin, parukieren, apo dentistin, pastaj të gjithë ata që kalojnë aty në atë sedilje marrin infeksionin. Krijohet një zinxhir. Sidoqoftë, me rregulla strikte dhe me protokolle të përgatitura do të mund të lehtësojmë edhe këtë aktivitet, ku ka jo pak të punësuar. Pastaj mbetemi te qendrat tregtare dhe te restorantet e baret. Qendrat tregtare më parë, restorantet e baret më pas, pasi duket fare mirë që janë edhe pikat më delikate.
Nuk ka ulje pensionesh. Nuk ka ulje rrogash. Dikush ka një ide dhe e thotë, – jetojmë në një vend ku të gjithë mund t’i thonë idetë e tyre, – por sa i përket qëndrimit zyrtar të qeverisë dhe timit, kurrë, asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do ketë, për arsyet e stërthëna, prekje të pensioneve apo të pagave. Përkundrazi, nëse do të preken, do të preken vetëm për t’u rritur. Nuk do të preken për t’u ulur, për asnjë arsye në botë. Është vërtetë një situatë disi e vështirë, kur duhet të përballesh me transformimin e një fjale të thënë diku, në një akuzë që pastaj kthehet drejtpërdrejtë kundër qeverisë, kundër meje, që paskam një plan të rrezikshëm kriminal për të goditur pensionet e rrogat dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të mos i marrim seriozisht e të mos qeshim pak me këtë.
Pyetje nga FB:
“Këto baret e vogla në lagje, të tipit “merre me vete” dhe mos futet njeri brenda…?”
Të jemi shumë të qartë, deri në datën 11 maj, kur do të kemi një rivizitim të të gjithë situatës së përgjithshme, nuk ka asnjë diskutim për këtë temë. Do të shohim edhe efektet e hapjes në zonat e gjelbra, të cilat do zgjerohen në javën e ardhshme dhe vetëm mbi këtë bazë do të marrim vendime të tjera.
“Nuk më ka dalë paga e luftës, ndërkohë kolegëve të mi u ka dalë emri në sistem për të aplikuar…”
Një pjesë e personave që kanë problem, që janë një numër i kufizuar në raport me të tërën, – pagën e luftës e kanë marrë më shumë se 60 mijë persona tanimë, – kanë një problematikë të tillë për arsye se; ose aplikimi nuk është bërë si duhet nga kompania përkatëse dhe nuk përputhen emrat e personave që ankohen me emrat që janë në listë; ose bëhet fjalë për persona që janë të dypunësuar, (për të dypunësuarit nuk mund të ketë dy palë paga lufte); ose janë në kategorinë prej rreth 3 mijë personash, të cilët kanë dhënë gabim kodin e tyre bankar. Iu është kërkuar bankave të kthejnë të gjithë këto emra dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’u drejtohet drejtpërdrejtë me mesazh për korrigjim, sikundër një grup tjetër prej pothuajse 3 mijë personash janë kategori të miratuara, por nuk kanë bërë aplikim fare dhe sot ose nesër do të marrin një mesazh të drejtpërdrejtë për një mundësi për aplikim, sepse u takon. Nuk kanë aplikuar, arsyet i dinë ata, por do t’u shkojmë ne nga pas, për t’u dhënë paratë që u takojnë.
“Zoti Kryeministër, e ke thënë njëmijë herë, nuk ka gjobë për ata që rrinë në Greqi. Po ju besoj, por ju lutem postoni një dokument.”
Është një marrëveshje mes dy qeverive dhe një fjalë e dhënë dhe e mbajtur nga Kryeministri i Greqisë që në ditën e parë. Nuk është një vendim zyrtar, sepse ishte një procedurë e tërë burokratike, duhet të shkonte në Parlament e kështu me radhë, por është një marrëveshje mirëkuptimi.
“Kam filluar punë në një dyqan orësh dhe aksesorësh dhe që prej 13 marsit u mbyll. Dyqani ku punoja futet tek biznesi i madh. Doja të dija, a përfitoj?
Sigurisht, 400 mijë lekë i përfiton, gjithmonë nëse je e regjistruar dhe e siguruar.
“Zoti Kryeministër, keni bërë një padrejtësi…”
Unë bëj shumë padrejtësi, me sa duket për shumëkënd ndër ju që shkruan këtu, por do ta shikojmë për çfarë padrejtësie është fjala. Për popullin mos flisni, ju lutem. Secili nga ne është një individ, secili nga ju është një individ, populli është një fjalë shumë e madhe. Populli flet vetë, populli mendon dhe shikon më mirë nga secili që individualisht flet në emër të tij. Flisni konkretisht për problemin tuaj. Popullin mos e përdorni si leje hyrje për të bërë komente që i dalin jashtë komplet të gjitha linjave të arsyes dhe të etikës, nganjëherë.
“Paga që ju e quani e luftës duhet t’i jepet të gjithë familjeve dhe jo vetëm atyre që kanë paguar siguracionin.”
Nuk ekziston një mundësi teknike dhe nuk e bën asnjë vend i botës që të shpërndajë fond për të gjithë, pa përjashtim, kudo ku janë, pa ditur më parë se çfarë kontributesh kanë, se çfarë u është goditur dhe sa është goditur. Kemi dhënë mbështetje për familjet në ndihmë ekonomike, dyfishin e ndihmës ekonomike. Do t’i japim tre herë dyfish. Kemi dhënë mbështetje për 60 mijë, – sot që flasim, i kanë në bankë, – që janë goditur drejtpërdrejtë nga vala e parë në biznesin e vogël dhe do t’i marrin tre herë ato paga, megjithëse një pjesë jo e vogël prej tyre janë në punë tani që flasim. Mbështetje për 176 mijë të tjerë. Deri tani janë afro 70 mijë që i kanë në konton e tyre bankare. Disbursohen çdo ditë nga 10 mijë paga për ta, 400 mijë. Por nuk ka një skemë se si mund të jepen për ata që nuk figurojnë e nuk janë të regjistruar asgjëkund. Prandaj shikoni me kujdes hapat që hidhni dhe mos u vononi. Unë i shikoj me shumë kujdes hapat që hedh, madje përpiqem të hedh 5 hapa përnjëherë, për t’ju ardhur në ndihmë e për të mbështetur këtë mundemi, sa të mundemi, me të gjitha mundësitë tona dhe besoj që kemi bërë në vazhdimësi, të gjitha gjërat që kemi pasur mundësi.
“Jam një biznesmene. Kam përfituar rrogën e luftës, por unë në dorë kam marrë akoma asgjë, si i bëhet? Jam vet i katër.”
Ju hyni tek kategoria e atyre që kanë shkruar gabim kodin e tyre bankar, IBAN-in, pa diskutim. Nëse të është miratuar si kategori, do të thotë si person, do të thotë që miratimi i ka shkuar bankës me një IBAN që e ke vënë ti. Bankës nuk i rezulton ky IBAN dhe nuk të gjen dot, kështu që do të kthehet nga banka gjithë numri i atyre, përfshirë dhe ty, që janë miratuar, por nuk kanë marrë pagën. Do të të vijë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkesa që ta shënosh si duhet IBAN-in tënd e do marrësh pagat.
“Edhe mua më është miratuar në 9 prill, por akoma nuk është hedhur në bankë.”
Janë hedhur në bankë, por banka nuk të gjen dot, sepse është IBAN-i i gabuar. Do të rikthehen ato para në Thesar dhe do të riangazhohen përsëri në bazë të IBAN-it të duhur që do të na japësh ti.
“Ja del dhe njëri që këtyre të dyve i thotë të çohen njerëzit e shtëpisë, pastaj dalin krushqit në valle…”
Mos flisni për gjëra që as nuk i kuptoni, as nuk jeni të detyruar t’i dini e nuk e kuptoj pse fjala e keqe del menjëherë, me shpejtësi të madhe, ndërkohë që me këtë rast, edhe mund të mësosh ndonjë gjë si funksionon.
“Përshëndetje! Ajo që doja të pyesja është që ne prindër që jemi në punë, si duhet të veprojmë, kemi fëmijët tek prindërit në Përmet dhe po bëhemi dy muaj pa parë fëmijët me sy.”
Është e vërtetë, por nuk është një situatë ku duhet të më pyesësh mua si duhet të veprojmë. Shiko botën sesi vepron. Kthe kokën nga të duash e do kuptosh që kjo nuk është një çështje se kështu dua unë, apo se kështu do qeveria. Të ishte për mua dhe për qeverinë, nuk do donim kurrë të gjendeshim në këtë situatë e nuk do donim kurrë të merreshim me këtë punë, por ne na ra kjo detyrë në këtë fazë kaq të vështirë, kaq konfuzuese për gjithë botën dhe besoj që po e bëjmë deri më tani me dinjitet. Mund të kemi të metat tona me këtë punë, por po e bëjmë me dinjitet. Shikoni rezultatin. Shqipëria është vendi me më pak vdekje për 1 milionë banorë, sëbashku me Bullgarinë, në të gjithë kontinentin. Ka një arsye kjo, nuk ka ardhur se armiku i padukshëm ka thënë me shqiptarët nuk po merrem se janë tipa të vështirë. Ka ardhur sepse kemi marrë masat e duhura, apo kemi bërë të gjitha gjërat siç bëjmë deri tani.
“Përshëndetje! Ju lutem, dua një përgjigje për ne që jetojmë me pensionistë në familje dhe kanë nevojë për urgjencë shëndetësore. Dalim për të marrë taksi, por nuk na çojnë se e kanë të ndaluar.”
Nuk e kanë të ndaluar. Mbi të gjitha, urgjenca shëndetësore ka një destinacion tjetër, jo taksinë. Urgjenca shëndetësore ka Urgjencën Kombëtare. Merrni numri 127 dhe nëse është një urgjencë, menjëherë autoambulanca. Nëse Urgjenca Kombëtare, që ka treguar një super performancë në gjithë këtë periudhë dhe i është përgjigjur qindra mijëra telefonatave, thotë bëj këtë gjë në shtëpi e nuk je për të ardhur në spital, do dëgjosh Urgjencën Kombëtare.
“Zoti kryeministër, doja t’ju bëj një thirrje. Jam nga një fshat i Beratit dhe dua të shkoj në fshat të Elbasanit, se leje nuk më japin e duhet të shkoj patjetër se më duhet një letër që ta marr nga doktori, se jam shtatzënë e nuk më lejojnë të futem brenda për të lindur, se duhen letrat. A mund të më thoni?”
Në e-albania ka një zë të dedikuar për arsye shëndetësore. Futu aty, jep arsyen shëndetësore dhe merr lejen për të lëvizur. Asnjë problem.
“Përshëndetje! Jam një qytetar nga Elbasani. Në listën e emrave të pagës së luftës në paketën e dytë, kolegët e mi e kishin emrin, kurse emri im mungonte.”
Nuk e di për çfarë mungon emri jot dhe kolegët e tu e kishin, sepse të gjithë emrat kanë ardhur në bazë të listpagesave të çdo kompanie. Në rast se thjeshtë të mungon emri, duhet të bësh një përçapje në adresën e ankesave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe do marrësh përgjigje.
“Po për rezidentët në Itali që kemi ngelur në Shqipëri dhe jemi në makinë, si do mund të kthehemi?”
Unë e kuptoj shumë mirë stresin, e kuptoj shumë mirë torturën, po të ishte për dëshirën time, nuk do kishte asnjë problem, por janë kushtet të tilla, janë ekzigjencat e kësaj lufte të tilla dhe prandaj duhet dhe pak durim. Nuk do duroni aq sa keni duruar, do duroni më pak sa keni duruar. Ne do të shikojmë me kujdes javën e ardhshme dhe në 11 maj, nëse na jep mundësi, gjithmonë, dinamika e shifrave në spital, në respirator, në nivelin e inspektimit, ne do të hapim më tutje korridorin e lëvizjes tokësore apo ajrore, për të hyrë në vendin tonë. Por vetëm nëse. Të gjitha shtetet, të gjithë kryeministrat, të gjithë autoritetet, kur marrin vendime të tilla dhe i bëjnë publike, thonë, ruajmë të drejtën që të tërhiqemi nga këto vendime, nëse situata në sistemin shëndetësor rëndohet. Shpresoj që jo.
“Zoti Kryeministër, të kam shkruajtur disa herë, kam bletët në Dibër e po më ikin kot, të lutem më mundëso.”
Dibra është zonë e gjelbër dhe nuk hyn dot, plus që nuk lejohet akoma kalimi nga një zonë në një zonë tjetër. E nuk jemi vetëm ne, janë shumë vende. Jua solla rastin e Greqisë, nuk lëviz dot nga prefektura në prefekturë.
“Si mund të marrë leje një person që jeton në qytet dhe e ka shtëpinë në fshat, për të mbjellë tokën e duhet të kujdeset, ku do ta marrë lejen?”
Varet në cilin qytet jeton e në cilin fshat je. Nëse je në zonat e gjelbra, mund të shkosh pa problem. Aty nuk ka nevojë as për autorizim. Nëse nuk je atje, do durosh edhe pak, sepse kjo është situata.
“Si do bëhet me universitetet? Kemi qera për të paguar?”
Ke të drejtë. Ne sot kemi pasur një mbledhje të fundit me ministren e Shëndetësisë, me ministren e Arsimit dhe me disa ekspertë dhe nesër, ministrja e Arsimit do të bëjë njoftimin se çfarë do të bëjmë konkretisht dhe me universitetet.
“Jam një 15-vjeçare. Prindërit i kam në Gjermani. Hapi rrugët të bashkohem.”
Ti hap rrugët unë të bashkohesh, por si ta bëj, në çfarë forme? Për çdo hap që bëjmë, ne kemi domosdoshmërinë që të konsultohemi me si është situata në sistemin shëndetësor, si është situata në dinamikën e infektimit dhe njëkohësisht kemi detyrimin moral dhe profesional që t’i nënshtrohemi mendimit të ekspertëve. Unë kam bërë debat, përshembull, ku kam pyetur shumë e në mënyrë të përsëritur për kopshtet dhe për shkollat fillore, sepse në Danimarkë, aty janë treguar më të lëshuar në këtë drejtim dhe e kam marrë përgjigjen “jo”. Unë nuk mundem dot t’i marr me kokën time këto vendime, thjesht nga dëshira që njerëzit të mos më shajnë kaq sa po më shajnë, që po më kërdisin, mirë ma bëjnë, nuk kanë faj. Më bini sa të doni. Unë e kam treguar që mbaj, ama mos më kërkoni gjëra që nuk i bëj dot. Sepse është shëndeti në plan të parë. Unë nuk mund të marr përsipër të shkoj pas berihait të disave që thonë koronavirusi është komplot ndërkombëtar, koronavirusi është sajesë e disa masonëve e ku di unë se kujt, për të vrarë pleqtë, për t’i marrë lekët, koronavirusi është nga 5G, nga antenat që po montohen natën kur ne jemi në karantinë. Nuk mund të shkojmë pas berihait të këtyre njerëzve dhe e di shumë mirë që, nëse bëhen gabime të tilla, nesër, edhe këta do thonë, mirë ne ishim budallenj, se e dimë që jemi budallenj, po ty për çfarë të kemi vënë aty?
“Përshëndetje! Në radhë të parë doja t’ju falenderoja… për riatdhesimet…”
Një falenderim atdhesimi kisha kohë që nuk e kisha parë gjëkundi. Faleminderit!
“Kush e pati të nevojshëm për t’u kthyer në shtëpinë e tij, e di mirë çfarë do të thotë. Prindërit u kthyen në atdhe, por nuk janë në shtëpi. Duke qenë se janë në një moshë mbi 70, kanë një shtëpi, askush nuk hyn e nuk del.”
Nuk bëhen rregullat për “askush nuk hyn e nuk del në shtëpi”. Rregullat bëhen për një kategori të tërë, se nuk është që ti ke shtëpi dhe shko në shtëpi. Ti që nuk ke shtëpi, rri këtu. Nuk ka mundësi të hyhet në këto detaje. Prindërit edhe pak do të rrinë në karantinë, do të dalin e do të vijnë në shtëpi, të mos shqetësohen. Ti në telefon mbaji me optimizëm, pyeti vazhdimisht, ne po u bëjmë shërbim maksimal. Nuk kemi ankesa të asnjë natyre nga njerëzit që janë në karantinë, përjashto disa ankesa në 2-3 hotele në zonën jugore, ku gënjyen sepse thanë do t’i paguajmë ne lekët e pastaj dilnin nëpër dritare e thonin ne nuk i kemi. Tani e kemi zgjidhur, do t’i mbulojmë pjesën që i mbulojmë dhe të tjerëve.
“Përshëndetje! Kam shkruajtur herë të tjera, nuk kam marrë përgjigje, kur mund të hapen kufijtë?”
Së pari, unë bëj çmos, përgjigjem, përleshem, përplasem, kacafytëm, përqafohem me ju këtu, komentoj, reagoj. Disa më sakatojnë, mirë ma bëjnë, për sa kohë unë mbaj, nuk do mërzitem e do jem këtu me ju, por si mund t’i përgjigjem tek e tek të gjithëve? E kam thënë njëmijë herë.
“Kur do hapen kufijtë me Italinë? Unë jetoj në Itali.”
Nuk do hapen për momentin, sepse mjafton të futesh në një turmë të madhe në një anije dhe e gjithë kjo mund të shkojë kot fare dhe mund të shkosh pastaj t’ia përplasësh koronën (largqoftë!) babait ose nënës, ose njerëzve të afërm.
“Zoti Rama këshillohuni me ekspertë të vërtetë për çështje të klinikave dentare.”
Ndoshta unë nuk jam i vërtetë, ekspertët tanë nuk janë të vërtetë, por më thuaj një vend ku janë hapur klinikat dentare dhe më thuaj “bëjeni si ky vend”. Në planet, klinikat dentare janë të mbyllura sot që flasim.
“Ambasada në Athinë na ka lënë në mëshirë të fatit.”
Ҫfarë duhet të bëjë ambasada në Athinë në këtë rast? Unë nuk them që ambasada nuk ka të meta, nuk them që qeveria nuk ka të meta, unë kam shumë të meta, por çfarë i kërkon ambasadës në Athinë në këtë rast, për të të sjellë në Tiranë? Si të të sjellë ambasada në Athinë, në Tiranë, në këtë moment që po flasim?!
“Kemi patur pronar rrobaqepësie Vjollca Lleshin. Na ka hequr nga puna në 12 mars. Nuk marrim asnjë pagë lufte. Na ka mbajt me rrena, na thotë do merrni ndihme ekonomike.”
Juve ju takon të merrni bonusin e përcaktuar prej 400 mijë lekësh, pikërisht sepse jeni hequr nga puna në kushtet kur Vjollca nuk është se ju ka mbajt me rrena besoj, por nuk ka patur mundësi t’ju mbajë në punë.
“Se mos na zësh në gojë internetin kur të ankohemi që nuk kemi lekë se nuk punojmë. Na thuaj që tani, të paktën të mbajnë radhën vetëm ata që duan të bëjnë like.”
Unë e zë në gojë kur me FB, me internet, dikush që nuk është fare pjesë e asaj kategorie për të cilën bëhet fjalë, flet për popullin, “populli vdes për bukë” dhe po të shikosh fotografinë e profilit, e ka të mbushur me birra. Njeri kishte therur një qingj komplet aty dhe thoshte më vjen keq që nuk e ha dot të gjithë bashkë me ju dhe bënte komente duke thënë populli po vdes për bukë. Kush e ngarkoi këtë që të flasë për vdekjen për buke me qingjin përpara?!
“Kur do të hapen universitetet.”
Nesër, ministrja e Arsimit do të japë përgjigjen për universitetet.
“Po berberët?”
Berberët hyjnë tek ato kategori që paraqesin rrezikshmërinë më të lartë, për shkak se mjafton që njëri me infeksion të ulet në karrige, berberi merr armikun dhe e kalon pastaj kokë më kokë. Këtej qeth e këtej fut bombën në kokë. Por edhe për berberët, ne do të shikojmë edhe javën e ardhshme dhe pastaj më 11 maj do të kemi një zgjerim më të madh. 11 maji do të jetë një moment ku do të kemi një zgjerim tërësor, duke parë dinamikën. Javën e ardhshme do të shikojmë dhe pastaj do të lajmërojmë përpara, siç kemi bërë gjithmonë, kush do të hapet, çfarë kushtesh kanë, çfarë protokollesh e me radhë.
“Jam punonjëse e tregut industrial Vlorë. Kam mbetur pa punë, bashkë me burrin. Kemi dy vende, kemi paguar tarifën.”
Të gjithë ata punonjës të tregjeve që janë të regjistruar përfitojnë bonusin 400 mijë lekë. Po e përsëris, përfiton bonusin 400 mijë lekë.
“Doja t’u pyesja se a është e vërtetë për atë që tha Beqja, për të ulur rrogat dhe pensionet? Do të ishte diçka shumë e rëndë.”
Së pari, nuk e ka thënë ekzakëtësisht ashtu, sepse dhe unë kur e dëgjova, thashë ta shoh si e ka thënë. Së dyti, secili mund të ketë ide. Por nga kjo, tek akuzat skandaloze, të bëra nga opozita, se qenka një plan i rrezikshëm, një eksperiment i rrezikshëm, një laborator i rrezikshëm, kriminal, mafioz dhe pastaj tek e vërteta është një distancë shumë e madhe. Jo! Asnjëherë nuk ndodh!
“A do të marrim pagë lufte të dytë, se e para ishte për tre muaj. Ku t’i çojmë më përpara, prill, maj qershor.”
Ata që e kanë marrë, do ta marrin të dytë e të tretë. 400 mijë lekëshi është një dhe është për ata, të cilët deri në datën 10 prill u goditën në vendin e tyre të punës dhe shumica prej tyre po kthehen në vendin e tyre të punës.
“Durrësi është pothuaj zonë e gjelbër. Përse nuk i jep më shumë liri mendimit, punës dhe veprimit dhe bizneset më lehtë. Na lini të punojmë. Karantinimi na mori frymën.”
Nga zonë e gjelbër në pothuajse zonë e gjelbër është një ndryshim i madh. Por Durrësi nuk është as “pothuajse zonë e gjelbër”. Durrësi është një zonë me intensitet të lartë banimi dhe me rrezik të lartë për atë që quhet rrezik komunitar, që të merr shpirtin pastaj. Kështu që nuk është se nuk dua të jap unë lirinë e mendimit. Lirinë e mendimit e keni me pashë, lirinë e punës dhe të veprimit duhet ta mendojmë mirë, hap pas hapi dhe unë duhet të ndjek me rigorozitet këshillat e mjekëve.
“Ne që jemi të vetëpunësuar, kemi kopshte private, pse të mos punojmë për përgatitjen e fëmijëve në raportin një me një , duke zbatuar rregullat e higjienës.”
Për çështjen e kopshteve, në tërësi përgjigja e ekspertëve është jo. Do të shikojmë në javën apo javët në vijim.
“Ne muzikantët që mbahemi nga dasmat, nga klubet e natës, si do ja bëjmë sepse dasma nuk ka, klube nate jo, për ne është e vështirë të bëjmë punë krahu. Ti vetë je artist e beson.
Të besoj, të kuptoj, unë kam një punë krahu një çikë më ndryshe, sepse nuk më duhen dasmorë kur shkarravis. Por durim dhe të shpresojmë se më herët se vonë do të lirohet përsa i përket çështjes së dasmave, edhe pse kam parë në disa vende që kanë lëshuar dasmat, por jo më shumë se 10 persona. Këtë do ta shikojmë në proces.
“Në lidhje me pasaportat kemi mbetur pa asnjë lloj dokumenti.”
Ҫështja e dokumenteve është një çështje e ngrirë dhe çdo dokument që nuk është i ripërtërire dhe është përtej afatit, do të quhet i vlefshëm në këtë moment. Ndërkohë është dhënë nga Ministria e Brendshme lajmërimi për hapjen e procesit për Kartat e Identitetit dhe pasaportat. Kështu që ndiqni procesin tek Ministria e Brendshme, sepse është me lajmërim dhe me kontakt.
“Ku mund të marr leje, për të kaluar vajzën në Greqi?”
Ju lutem edhe pak durim!
“Taksitë, për të dalë nga qyteti në qytet me një klient, do t’i lejoni javës tjetër?”
Jemi duke e parë dhe besoj që do të jetë një nga masat e shpejta që do të merren. Nuk e di javës tjetër, apo pas 10 ditësh, por di që jemi duke e parë dhe është një nga opsionet që po studiojmë.
“Të jesh në breg të detit e vetme, të të ndalojnë të bësh banjë dhe not. Më gjeni arsyen që s’duhet të merremi dhe me këtë aktivitet kaq të mrekullueshëm në natyrë. Të lutem më thuaj.”
Nëse ke ndonjë det privat dhe mund të ruash distancën nga të tjerët, mund të shkosh, por çështja është që nuk ka një det privat, në dijeni time. Nëse hapet për ty, do të hapet për të gjithë dhe nëse hapet për të gjithë, nuk do të jesh vetëm, do të jesh me shumë të tjerë që do të notojnë, do të vrapojnë. Nëse do t’i shikoni masat e Greqisë, të publikuara sot, në plazhet private, për numër shumë të kufizuar personash kanë lënë hapsirë, në plazhet e tjera jo.
“Jam punonjës i një institucioni në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Për shkak të situatës kemi mbetur në Venecia. Sot më erdhi njoftim nga punëdhënësi që nuk do të paguhem pasi nuk jam rikthyer.”
Nëse kjo është e vërtetë, do të korrigjohet pasi askush që ka mbetur dhe nuk ka ardhur për shkak se nuk ka mundur, nuk do të mbetet pa u paguar. Nuk e di se kush institucion është, por kemi dhënë porosi dhe do të përsërisim të njëjtën porosi. Askush nuk do të mbetet pa u paguar nga ata që janë në regjistrin e pagave të shtetit dhe që nuk janë këtu, sepse nuk vinë dot.
“Me fermerët çfarë do të bëhet? I ke lënë në mëshirë të fatit, të paktën t’i lësh të lëvizin me makinë, se mirë ndihma të tjera konkrete nuk po ju ofrohen. Kanë dy muaj kështu.”
Fermerët nuk i kemi lënë në mëshirë të fatit dhe fermerët nuk janë ndaluar kurrë. Nuk e di rastin konkret të prindërve tuaj, por fermerët që jetojnë në fshat nuk janë ndaluar kurrë të punojnë dhe kanë vazhduar të shesin, të prodhojnë, të grumbullojnë, kanë vazhduar të eksportojnë me vështirësitë që ka sjellë kjo kohë, por nuk kanë patur asnjë pengesë. Edhe makinat e tyre për produktet e tyre nuk janë ndaluar asnjë ditë. Ҫështja është që, kur shkruani një rast konkret dhe pastaj merreni me të gjithë popullin, me të gjithë fermerët, me të gjithë globin dhe nuk thoni problemin tuaj dhe faktin nëse janë fermerë të paregjistruar apo të regjistruar, sepse kjo përbën diferencë. Informaliteti është një skandal, por është edhe një situatë që të sjell në këto kushte, kur për shkak të informalitetit e ke të pamundur të figurosh dhe të marrësh atë që do të takonte nëse do të ishe i formalizuar dhe do të figuroje.
“Shumë faleminderit, mora pagën e luftës! Hallall!”
Shumë faleminderit, më në fund, njëri që tha një fjalë të mirë. Thuajeni ndonjë fjalë të mirë, se nuk na bën keq, nuk ju bën keq edhe juve. Jo lavdërime, por një fjalë të mirë. Mos e filloni mëngjesin direkt me fjalën e ligë, siç shkruante dikush sot tek postimi për Urën e Vashës, që ura i ka këmbët e holla dhe jam i sigurtë që nuk e mban dot goditjen e makinës. Nuk e di sesi e imagjinonte ai që do ta godasë makina urën, ndonjë makinë që vjen me shpejtësi rakete nga ndonjë planet tjetër për të goditur. Nuk fillohet me fjalën e keqe, kur mendja është akoma në gjumë, në raste si këto.
Shumë faleminderit edhe njëherë!
Mirupafshim!