Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria dhe Zvicra angazhohen për të çuar përpara marrëdhëniet dhe zgjeruar fushat e bashkëpunimit. Ky angazhim u konfirmua sot nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Konfederatës Doris Leuthard, në takimin mes tyre në Bernë, ku Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare.

Presidentja Leuthard theksoi si mjaft të dobishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, faktin që kjo është vizita e parë një kryeministri shqiptar në Zvicër që pas vitit ’91-të. Leuthard tha se një komunitet i gjerë shqipfolës në Zvicër kontribuon për lidhje të ngushta mes dy vendeve. Presidentja Leuthard vlerësoi reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe realizuar në këto tre vite, duke veçuar si shumë të rëndësishme reformën në drejtësi. Presidentja zvicerane përshëndeti rëndësinë dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.

“Kjo është hera e parë pas 25 vitesh që një kryetar i qeverisë shqiptare zhvillon një vizitë zyrtare në Zvicër. Dua të përgëzoj Kryeministrin e Shqipërisë dhe qeverinë e tij për reformat që kanë ndërmarrë në tre vitet e fundit, veçanërisht reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj, që është me shumë rëndësishme për Zvicrën, por mendoj edhe në procesin e anëtarësimit në BE. Është e vështirë që gjithë këto reforma të zbatohen, por keni mbështetjen e Zvicrës për t’ju ndihmuar dhe për t’ju këshilluar. Zoti Kryeministër, falënderoj ju dhe delegacionin tuaj për këtë vizitë. Ju garantoj se do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugën e reformave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës,” – theksoi qëndrimin e saj Presidentja Leuthard, në krah të Kryeministrit Rama në një konferencë për shtyp pas takimit.

Kryeministri Rama i shprehu Presidentes Leuthard mirënjohjen për kontributin e gjithhershëm që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë e sidomos për mbështetjen e dhënë në tre vitet e fundit, posaçërisht për suksesin e reformës administrativo-territoriale. Kryeministri theksoi se reforma në drejtësi, duke filluar me Vetting-un, është strategjike, me rëndësi të shumëfishtë për sundimin e të drejtës, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.

Në takim u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh dhe çuarjen përpara të tij në fusha me interes të veçantë për vendin si energjia, turizmi dhe arsimi profesional.

“Ajo që dua të theksoj është mirënjohja jonë ndaj vendit tuaj dhe qeverisë suaj për faktin se ke keni ndihmuar shumë dhe na keni qëndruar pranë gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht gjatë tre viteve të fundit, ku luajtët një rol të madh me ndihmën që na dhatë për reformën historike të qeverisjes vendore dhe administrimit territorial. Jam gjithashtu shumë mirënjohës për atë që Zvicra ka bërë në nivel rajonal dhe për vëmendjen dhe dëshirën për të bërë më shumë. Vlerësoj shumë gjithçka është diskutuar dhe bërë në këto vite, por sot dua të nënvizoj se vlerësoj shumë prononcimin tuaj të hapur si në takimin tonë ashtu edhe përpara shtypit në lidhje me rëndësinë strategjike të zbatimit të reformës në drejtësi, duke filluar nga ligji për Vetting-un, si një mjet për të përmirësuar ekonominë tonë, një mjet për të përmirësuar shifrat që kanë të bëjnë me investimet e huaja direkte dhe si një mjet për t’i hapur rrugë rritjes së punësimit dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Në përfundim të takimit, në prani të Kryeministrit Rama dhe Presidentes Leuthard u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.