Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

“Në fund të gushtit dhe pastaj në mos gabohem në 30 tetor, unë pata një takim të parë dhe pastaj një të dytë, në fillim me shumë pak artistë dhe me shumë arkitektë, kryesisht të huaj, ardhur të gjithë nga jashtë, pastaj me një grup artistësh të mëdhenj të skenës së artit bashkëkohor sot, mes të cilëve ishte dhe Anri, që unë e falënderoj nga zemra, sepse për të është jo vetëm nëntori i tretë, por dhe rruga e tretë, brenda tre muajve, këtu në Shqipëri. Por, pavarësisht nga këto takime, asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk është lehtësuar në barrën e emocionit tim prej qenies si Kryeministër. A vjen kjo, që unë do të doja të isha mes jush, si njeri prej jush, apo vjen kjo ngaqë ju pavarësisht se jeni ngjitur shumë më lart se sa unë, me gjithë gjatësinë time, që jam thjesht kryeministër i një vendi të vogël si vendi ynë dhe prapë së prapë vini këtu për të qenë me mua? Nuk e di. Mbase të dyja nga pak.

Por është e sigurt që unë ndihem shumë mirënjohës dhe nuk mundet veçse ta rifilloj, njësoj si në dy takimet të tjera, me atë që në përgjithësi në komunikimin e përditshëm dhe të zakonshëm politik e bëj në fund, që është shprehja e falënderimit për prezencën tuaj shumë të çmuar sot këtu, në përgjigje të një ftese që është pjesë e një apeli të madh të Shqipërisë dhe që modestisht ne po e bëjmë në emër të Shqipërisë, si shprehje e nevojës për talentin, për aftësinë, për eksperiencën, pasionin për dashurinë dhe për ndihmën tuaj.

Para pak ditësh, në këtë sallë ishim me një grup mjekësh të diasporës së re shqiptare, bashkëmoshatarë tuaj,- meqë është dhe Zamiri këtu bashkë me Valerin mund të themi dhe tanët, sepse ne jemi pak më të thyer në moshë se shumica prej jush- dhe dëshira jonë është që ky apel të përfshijë edhe të tjerë.

Dua t’ju siguroj që për nga ana ime, për nga ana e Qeverisë sonë- më vjen keq që këtu sot mungon Ministrja e Kulturës që me shumë pasion u angazhua në realizimin e kësaj ideje, për shkak të humbjes së babait të saj dje, që i detyron ritualin tonë shqiptar të pritjes së njerëzve në shtëpinë e nënës së mbetur vetëm,- dua t’u siguroj që ky takim nuk është një qokë, por është një përpjekje për të krijuar një vazhdë takimesh në një hapësirë të re dialogu që ne duam të vendosim, për atë që unë do ta quaja me plot gojën bashkëqeverisje kulturore. Duke synuar t’i japim politikës sonë kulturore sa më shumë nga mendja juaj dhe sigurisht dhe jetës sonë kulturore sa më shumë nga zemra juaj.

E di që shumë ndër ju edhe kanë ardhur në Shqipëri, edhe kanë dalë në skenë, edhe kanë ekspozuar në mure sallash apo në hapësira të vëna në dispozicion, edhe kanë qenë prezent kur veprat e tyre të bëra gjetkë dhe të duartrokitura gjetkë janë shfaqur këtu. Por, di po ashtu që deri më sot, për shumë arsye, dhe pa bërë me faj askënd, nuk është bërë një përpjekje për të nxjerrë një përfitim të përbashkët nga ajo që gjithmonë e më shumë formësohet brenda secilit prej jush. Di diçka të vogël rreth kësaj sepse, dikur kam qenë dhe unë një artist në emigracion, formësohet si nevojë për t’i kthyer vendit diçka. Më kujtohet një moment i bukur i një piktori shumë të madh, Salvator Dali-së, kur i dhanë titullin Anëtar i Akademisë së shkencave dhe të Arteve në Francë, përballë një salle që e priti me pompozitet të madh, i cili tha: “Ju të gjithë jeni këtu për të më duartrokitur mua, por askush nga ju nuk më hyn në sy, se gjithmonë në këto raste mua më shkon mendja; A më mbajnë mend ata pleqtë e fshatit tim? E sikur të jetë e vërtetë që më mbajnë mend, e lëre pastaj të jetë e vërtetë që thonë ndonjë fjalë të mirë për mua, s’ka asgjë tjetër që ma jep kënaqësinë e këtij fakti.” Unë kam një ide, apo mbase më saktë një shpresë, apo më mirë akoma një ëndërr, se çfarë rezultate mund të kenë apo duhet të kenë këto takime, përveç kënaqësisë së paçmuar që jemi bashkë, e cila besoj është dhe kënaqësia e çdokujt që sonte na sheh bashkë përmes ekranit. Jo mua në fakt, se mua më shohin përditë dhe zor se fjala kënaqësi gjen dot vend për mua, por me siguri për ju po.

Mbase fakti që ju jeni këtu sepse unë, Qeveria jonë ju ka thirrur për ta kremtuar ndryshe Festën e Çlirimit në këtë pallat rastesh të rralla, ku në fakt protagonistët kanë qenë gjithmonë ose partizanë, ose gjermanë, ose politikanë. Por, sot janë artistë si asnjëherë tjetër. Kjo është pjesë e një kënaqësie të madhe.

Lidhur me atë që po thosha me idenë, shpresën ëndrrën. “I kujtoi të gjitha takimet për të… njerëzit flisnin për shpresën e një ngritjeje ekonomike…mendova se ato njerëz besojnë në përrallat me magji, nëse i shkon mendja se një ndërtesë mund të bëjë gjithë këtë… po pastaj miliona euro… dhe impakti social…”, thotë Frank Gehry arkitekti i Guggenheim, për takimet që e pararendën ndërtimin e muzeut të Ri në Bilbao ose ndryshe shkaktarit të efektit Bilbao siç e nënvizon intervistuesi, një gazetari të Financial Times dhe efekti Bilbao është tanimë një term global i rigjenerimit nëpërmjet kulturës. Është efekti i një muzeu të ndërtuar në vitin 1997, në një qytet praktikisht në krizë ekonomike dhe sociale dhe pa asnjë rrugëdalje në horizont që siç e dinë të gjithë tanimë u kthye në shembullin konkret të një transformimi ekonomik dhe social, por edhe rrënjësisht intelektual, të një vendi të tërë, me anë të një ndërhyrje të artit dhe të kulturës.

Sigurisht nuk jua përmend këtë shembull këtu për t’ju treguar ju diçka të re, por për të nënvizuar se unë hyj tek ata që edhe për shkak të efektit Bilbao dhe të njerëzve si Frank Gehri, apo si ju të gjithë, besojnë se me ndërhyrje artistike në hapësirë dhe në kohë, mund të vijnë transformime nganjëherë rrënjësore brenda një shpirti apo edhe brenda një territori të tërë. Besojmë tek magjia e kulturës apo tek përrallat me magji të artit. Me magjinë e kulturës dhe të artit si mënyrat më efikase për të krijuar mjete aty ku mjete të duket sikur nuk ka, për të shpejtuar zhvillimin, aty ku ai duket si i detyruar për shumë arsye të kuptueshme dhe të pakuptueshme, të vijë ngadalë si me përtesë. Për të tjetërsuar mendimin aty ku ka nevojë për shkëndira që ndezin ide e prej ideve pastaj ngjizin vepra. Për të bërë të prekshme të nesërmen aty ku ka nevojë për spektrin e një tjetër bote që ndoshta nuk arrihet dot kurrë nëse nuk beson tek magjia e kulturës dhe e artit vetë.

Asaj abrakadabras që çliron magjinë transformuese nga puqja e talentit të njeriut me pasionin për vetë njeriun, unë i kam besuar gjithmonë. Dikur si pjesëtar i botës së artit në të cilën njeriu njihet më mirë se askund, në atë reaksionin zinxhir të ideve dhe të ndjesive që e vënë në lëvizje ndryshe të gjithë hallkën e të menduarit të tij.

Por, i kam besuar dhe edhe si drejtues, aty ku njeriu ndjen më fort se askund ndoshta, presionin e përleshjes së vazhdueshme mes asaj që duket si e mundshme dhe për këtë arsye dhe e parrezikshme, dhe asaj që duket si e pamundur dhe për këtë arsye tërheqëse, i kam besuar të them të drejtën edhe si politikan, aty ku shihet ndoshta më mirë se askund, përplasja e vazhdueshme mes përllogaritjeve të vogla që dikton tërheqja magnetike e pushtetit dhe pasionit të madh për njeriun, që dikton nevojën për ta vënë pushtetin në dispozicion të njeriut. Por, i besoj edhe sot kur më ka rënë barra, por më është dhënë edhe një privilegj shumë i madh për të drejtuar vendin tonë të përbashkët, ku fatkeqësisht rrjedh akoma shumë helm që mpin shpresën, por ku ka vërtet, vazhdimisht, shumë burime energjie që ushqejnë ëndrrën. Jo ëndrrën time, por ëndrrën e qindra dhe mijëra njerëzve, të cilëve pak është që t’u soset durimi prej fitoreve të lehta të përllogaritjeve mbi pasionin, prej sfilitjes në një përleshje të vazhdueshme, mes lehtësisht të mundshmes për disa dhe të pamundurës padrejtësisht për shumë të tjerë. Prej mungesës së atij reaksioni zinxhir të ideve që pastaj ngjizin vepra, që pastaj krijojnë kulturë bashkëjetese.

Në këtë audiencë besoj se më lehtë se askund, mund të kuptohet nevoja për ta mbajtur ndezur dhe për ta kthyer në forcë krijimi hapësirash të reja që pastaj të krijojnë atë efektin zinxhir të ideve që vënë në lëvizje projekte, që vënë në lëvizje krijimin e veprave të gjithëllojshme, jo thjesht të atyre kulturore apo artistike. Atë që ishte shkëndija që i dha jetë një momenti shumë të bukur ndryshimi në 23 qershor. E këtu nuk dua të flas për ndryshimin e kahjeve politikë, por për nevojën për ndryshim që populli arrin në një moment të caktuar ta materializojë përmes mundësisë që politika i jep për ta bërë këtë. Jam i bindur se mund ta bëjmë në shumë mënyra. E di që nuk mund ta arrijmë shpejt. E di që nuk mund ta kemi menjëherë impaktin e dëshiruar, nëse nuk mbështetemi fort tek fuqia e ndërmarrjeve kulturore, e iniciativave kulturore, jo detyrimisht në formën e objekteve të prekshme, por të një zinxhiri iniciativash, projektesh, nismash artistike, bazuara në ide të reja që sjellin prurje të reja, pa nevojën e buxheteve të mëdha, që prodhojnë shembuj dhe arsye për të besuar tek historitë e suksesit. Fatja iu referua asaj që me siguri ka të drejtë, bën çdokush ndër ju, kush më shumë e kush më pak, që në mbrëmje vonë klikon për të parë se “ç’bëhet andej nga vendi ynë”. E, unë do t’i referohesha për të thënë se në këtë vendin tonë kemi nevojë për të vendosur një ekuilibër të ri në sytë e gjeneratës së re, në radhë të parë, në raport me heronjtë, kush janë heronjtë e ditëve tona.

Sot për sot, fatkeqësisht heronjtë që kanë uzurpuar pjesën më të madhe të pamjes janë ata që prodhon politika. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe kur janë të mirë, se nuk janë të gjithë të këqij pa dyshim, duken sikur s’janë dhe aq të mirë, madje duket sikur sado të mirë të jenë, boll se u ngopëm.

Ndërkohë që heronjtë e tjerë, ata që në fakt janë mishëruesit e historive të suksesit që shërbejnë për t’ju thënë të rinjve se, po, asgjë nuk është e pamundur, se po, mund të jesh një vajzë apo një djalë me një mbiemër krejt të parëndësishëm dhe mbiemri yt pastaj mund të shkëlqejë nga lavdia e fituar me shumë sakrifica, ata jeni ju, janë artistët shqiptarë që, pavarësisht vështirësive të panumërta dhe pavarësisht nisjes si krejt anonim dhe pa asnjë përkrahje në mes të një bote shumë të madhe, ia kanë dalë që të vendosin emrin e tyre, aty ku emri duket dhe lexohet, jo nga pleqtë e kafenesë së fshatit, por nga audienca të tëra, që respektojnë përulësisht historitë e suksesit.

Janë sigurisht sportistët padyshim, edhe ata, janë sigurisht sipërmarrësit, padyshim edhe ata, por besoj që është e mundur, që së bashku të krijojmë kushtet që në harmoni me të gjitha axhendat e mbingarkuara të aktiviteteve të panumërta, ekzigjencat që i marrin frymën gjithkujt, ndër ata që jetojnë përditë me stresin e madh të suksesit, siç jeni ju, të gjejnë vend, në një vend të vogël, përgjatë harkut të gjatë një viti, për të sjellë këtu kontributin e historisë së suksesit dhe shembullit të suksesit dhe për t’i dhënë mundësinë atyre që, me siguri do të jenë nesër Ambeta e gjeneratës tjetër, apo Arturi i gjeneratës tjetër, apo të tjerë me radhë, që ta prekin që sot, duke ju prekur ju nga afër, duke e prekur punën tuaj nga afër, mundësinë e realizimit të ëndrrës së tyre. Jam i bindur që, nëse ne arrijmë të jemi kreativë për t’i dhënë jetë kësaj bashkëqeverisje, mund ta çojmë një hap të rëndësishëm më tutje, përpjekjen që jo vetëm të prodhojmë më shumë kulturë dhe më shumë art, por edhe përmes kulturës dhe artit të prodhojmë më shumë energji pozitive dhe më shumë vend për shpresat dhe për ëndrrat në këtë vend.

Jam i bindur që, nëse ne arrijmë të jemi kreativë për t’i dhënë jetë kësaj bashkëqeverisje, mund ta çojmë një hap të rëndësishëm më tutje, përpjekjen që jo vetëm të prodhojmë më shumë kulturë dhe më shumë art, por edhe përmes kulturës dhe artit të prodhojmë më shumë energji pozitive dhe më shumë vend për shpresat dhe për ëndrrat në këtë vend.

Jam i bindur që nëse ne mund ta hedhim këtë hap dhe mund të ndikojmë bashkërisht që këto energji pozitive të shumëfishohen. Ajo pjesë që është pjesa e vështirë e bisedave tona këtu në Shqipëri, që lidhet me varfërinë, që lidhet me kufizimet e buxhetit, që lidhet me pamundësinë për të menduar “a la grande”, duke parë efektin Bilbao është e kapërcyeshme. E, meqë ra fjala tek kjo, vështirësitë, dua të ndaj me ju një moment në kofidencë, se jemi mes nesh këtu dhe janë ata që na shikojnë, që lidhet me një aktivitet, ku unë isha i ftuar për të marrë pjesë, që është një aktivitet që zhvillohet në një rrjet botëror fjalim-mbajtësish, ku pastaj fjalimi që mbajta kaloi në websaitin kryesor të TEDx dhe pastaj doli në rangun e fjalimeve më të zgjedhura të vitit, duke diskutuar me disa nga organizatorët, që u interesuan pastaj të shikonin të tjera fjalime, aq pak sa unë kisha në dispozicion, për t’ua çuar në gjuhën angleze. Dikush prej tyre më tha “duket pak si mungesë transparence ndaj publikut, që fjalimet e tua nuk kanë shumë shenja të vështirësive që kalon vendi yt, vështirësive ekonomike, vështirësive financiare, vështirësive sociale dhe e quanin këtë mungesë transparence të publikut, si një defekt, që e paske pasur edhe Kennedy madje edhe Obama, të cilët i sollën si shembuj që, duhet të thonim më pak dhe duhet të bënim më shumë.”

Ndërkohë që, ajo që unë mendova dhe që thashë në atë diskutim interesant dhe dua ta ndaj me ju sot, ishte se, në fakt i mohonin rëndësinë fjalës në një botë-tekst, ku pasqyrohet mundi dhe përpjekja. Në një botë-tekst ku, mund të llogarisësh me siguri shumëçka nuk kanë arritur këta njerëz, si ata që përmenda dhe që janë vite drite larg për nga madhështia e tyre si oratorë, por ku nuk mund, vështirësisht mund të llogaritësh çfarë transformimesh të brendshme ka sjellë shpresa, që ata kanë përçuar përmes fjalës së tyre dhe sa kjo shpresë ka bërë të mundura jo vetëm në vendin e tyre, por edhe përtej vendit të tyre gjëra që janë dukur të pamundura. Ka një fjali të thënë në një moment kur vetëm poezi dhe asgjë tjetër mund të dukej, nga Presidenti Kennedy, “we chose to go to the moon” dhe më pas vajtja në hënë u kthye në rutinë.

Duke i falënderuar miqtë për diskutimin, iu thashë në fund të fundit, ne nuk po kërkojmë të shkojmë në hënë dhe ajo për të cilën unë flas dhe për të cilën ne flasim, është jo vetëm e mundur, por është diçka që është normale, jo vetëm në vendet e mëdha, por edhe në shumë vende të ngjashme me vendin tonë, me Shqipërinë, për nga madhësia, për nga mundësitë, ku ndryshe është jeta kulturore, ndryshe është jeta artistike, ndryshe është trajtimi i artistëve dhe kur flas për trajtimin, flas në radhë të parë për respektin. Të paktën besoj se asnjëri ndër ju nuk pret nga Shqipëria, një trajtim më të madh, sesa respekti i shprehur në formën e atij thashethemit të pleqve tek kafeneja e fshatit. Flas për thashethemet e mira, se me siguri keni dhe nga ato që ju vijnë edhe atje ku jeni në formën e llafeve “hë mo ç’i duket vetja atij ose asaj.”

Pa dashur të zgjatem, duke qenë se kjo është vetëm pjesa e parë e kësaj mbrëmje, unë dua realisht t’ju them se ne jemi shumë të predispozuar. Predispozita nuk është e gjitha është vetëm baza, që mbase së bashku mund të ndërtojmë diçka. Nuk kemi asnjë recetë të gatshme që t’jua vëmë përpara dhe t’ju themi hajeni ose lëreni këtë, nuk kemi as pretendimin se, mund ta bëjmë një gjë të tillë edhe pa ju. Kemi bindjen se, ai ndryshim që duam të sjellim në botën tonë të vogël të kulturës dhe të artit është i mundur dhe është i mundur vetëm, nëse e bëjmë së bashku, me ju dhe me plotë të tjerë, që nuk janë sot këtu, më kanë çuar letra, i falënderoj shumë, nuk kanë pasur mundësi t’ju shkruaj mbrapsht, për pamundësinë e të qenit për arsye objektive, apo edhe të tjerë që nuk e kanë marrë vesh dhe shpresoj që kjo të shërbejë sot edhe që ta marrin vesh dhe mbase në 29 nëntorin e ardhshëm do të jemi shumë më shumë akoma, nëse deri në atë 29 nëntor, ju që jeni këtu, nuk do të zhgënjeheni dhe do t’i lini të tjerët që të vijnë dhe të zhgënjehen, për 29 nëntorin e tretë.

Ne ju kemi dhënë një shenjë, nuk e di a ka mbërritur deri tek ju, dy drejtorë të rinj të institucioneve tona kryesore i kemi zgjedhur mes jush, jua kemi marrë nga gjiri juaj i komunitetit të njerëzve të suksesshëm jashtë atdheut dhe i kemi ‘ekstraduar’ gjysmë forcërisht, Artan Shabanin dhe Ilir Kernin, që sot drejtojnë Galerinë Kombëtare dhe Tetarin e Operës dhe Baletit.

I falënderoj gjithmonë për gatishmërinë për të marrë përsipër këtë sprovë edhe pse në një kuptim ishin po aq rehat sa ç’jeni ju, por në një kuptim tjetër ajo pjesa që as juve s’ju lë rehat, ata i mori më qafë dhe i solli këtu. Jam i bindur që, duke i dhënë rëndësi këtij elementi, i kemi dhënë rëndësinë në fakt më shumë sesa dy institucioneve, i kemi dhënë rëndësi krijimit të kushteve për t’ju dhënë ju me shembuj konkret mesazhin që, ne duam ta çlirojmë botën e kulturës dhe të artit nga vandalizmi i përzgjedhjeve politike. Duam t’i japim botës së kulturës dhe artit mundësinë që të marrë frymë lirisht, falë njerëzve të kulturës dhe të artit. Duke qenë ne thjesht në mbështetje të tyre, por jo duke qenë ne, në udhëheqje të tyre.

Edhe diçka të fundit, që ka të bëjë me një nismë të re të Ministres së Kulturës, që unë vetë e konsideroj një risi shumë të rëndësishme, për t’i dhënë rëndësi të posaçme edukimit artistik, jo edukimit artistik në kuptimin e Liceut Artistik apo Akademisë së Arteve, por edukimit artistik të fëmijëve, edukimit artistik të adoleshentëve, duke i kthye institucionet, ato që kemi, të artit dhe të kulturës në hapësira ku të bëhet edhe edukimi i tyre artistik përmes një programi të mirë organizuar, kontaktesh të drejtpërdrejta me njerëz të sferës përkatëse. Sigurisht që, me didaktikën përkatëse edhe me evenimentet përkatëse dhe besoj që ndihma juaj në këtë aspekt do të ishte shumë e vyer, pikërisht, për atë që thash më parë, që shumë të talentuarve të vegjël, t’u jepet mundësia që ta prekin nga afër dikë, që jo thjesht flet për mundësinë e suksesit, por e mbart suksesin në veten e tij. Ashtu sikundër i kemi dhënë rëndësi të veçantë edhe një nisme tjetër, që është ajo e përputhjes së kalendareve kulturore me Kosovën, për të pasur një hapësirë kulturore të përbashkët dhe për të mundur, që të konsumojmë më shumë prodhim kulturor dhe artistik brenda një hapësire që tanimë kufirin e ka mendor nuk e ka fizik, e ka si atavizëm të një kohe që nuk është më. Sigurisht që, ka një kufi atje, po kapërcehet në shumë pak minuta. Pjesë e këtij kalendari të përbashkët është edhe dëshira për të integruar atë që mund të integrojmë nga aktiviteti juaj dhe i shumë të tjerëve si ju.

Duke dëshiruar që në fund të fundit të integrojmë edhe vetë hapësirën shqiptare brenda hapësirës kulturore dhe aktivitetit kulturor dhe artistik së paku të rajonit tonë. Shqipëria nuk ka mungesë artistësh të mëdhenj, me kaq sa jeni ju këtu një vend tjetër do të thoshte na dalin dhe na teprojnë, ne kemi edhe të tjerë për përmasën tonë. Ne kemi një problem të krijimit të sinergjisë dhe të bashkimit, nuk po them të forcave se duket sikur po ju bëjmë një ftesë për zbor, por të bashkimit të dëshirave dhe të mundësive, për t’i dhënë një jetë të re botës sonë të vogël kulturore dhe artistike dhe për të mos qenë domosdoshmërisht e nevojshme, që të presim 100 vjetorin e çlirimit, apo 200 vjetorin e pavarësisë, që të kemi disa nga ju në një skenë, ku salla është e mbushur me politikanë dhe me ambasadorë të huaj dhe ku në fund të ditës s’e ka marrë vesh asnjeri tjetër që ju keni ardhur.

Atëherë, së fundi, unë them që, sado të flas unë, ju me pak fjalë e keni të qartë se ku e kam syrin, dhe jam i bindur që sido që të ktheheni ju aty ku jetoni mbas kësaj mbrëmjeje apo mbas, me siguri të çmalljes së nesërme me familjen, me miqtë, ne do të jemi gjithmonë këtu të gatshëm për t’ju mikpritur në çdo ide dhe në çdo nisëm dhe po ashtu do të këmbëngulim, që t’ju nxisim që të mikprisni ndonjë ide, apo ndonjë nisëm, që mund t’ju vijë prej nesh.

Padyshim që, ju do të jeni në fund fare edhe një arsye për të rimotivuar shumë njerëz të artit dhe të kulturës këtu, profesorë të shumëkujt ndër ju deri dje, idhuj, të deridjeshëm të shumëkujt këtu, që ndihen të tërhequr, jo pa arsye, kanë të gjitha arsyet, apo të tjerë që ndihen të izoluar. Zgjerimi i hapësirës tonë kulturore nuk është një problem gjeografik është një problem shpirtëror, dhe është një problem institucional. Tani, punët besoj kështu do t’i ndajmë, ju keni barrë këtë pjesën e shpirtit, ne kemi barrë këtë pjesën e institucioneve. Dijeni që, institucionet tona dhe vetë ne, jemi në dispozicion me gjithsej të çdo dëshire të shpirtit tuaj, për të lënë këtu sado pak nga ai pluhuri yjor me të cilin ju ka bekuar Perëndia apo Natyra, për kë s’beson në Zot, duke ju bërë këta që jeni.

Ju falënderoj shumë dhe për ju me shumë dëshirë kemi organizuar një surprizë mes kësaj pjese dhe pjesës tjetër të mbrëmjes, për të cilën ia kemi lënë barrën Artan Lames. Artan Lamen me siguri e keni parë në televizor, si një gërnjar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, por sot është këtu si një njohës shumë i apasionuar i kësaj godine (Pallatit të Brigadave), që besoj pak nga ju ose ndoshta askush, nuk e ka parë në gjithë hapësirat e saj. Ndërkohë që ne po mendojmë, sesi këtë godinë ta bëjmë të vizitueshme edhe për publikun e gjerë. Sot në këtë “Natë të Bardhë”, ku hapen shumë dyer, në orë që gjithmonë qëndrojnë të mbyllura, ne vendosëm që ta hapim tërësisht për ju dhe besoj që duke qenë ju të parët që e vizitoni si publik, do të na sillni mbarësi edhe për pjesën tjetër të publikut, që ndoshta në “Natën e Bardhë” të 29 nëntorit tjetër, ju, nuk do të keni nevojë më për fjalimin tim herës tjetër kur të vini, por do të gjejmë një vend tjetër, kjo godinë të jetë e disponueshme për shumë nga ata që sot, na shohin nga televizori dhe që mbas kësaj të fundit janë bërë kurioz dhe ndoshta edhe pak xhelozë.

Faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.