Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Ditën e Bashkëpunimit Shqiptaro-Gjerman për Zhvillim:
Sa herë flitet për bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-Gjermani ose Gjermani-Shqipëri, mua më kujtohet gjithmonë, historia e një çifti miqsh shqiptaro-gjerman me fëmijë përsosmërisht dy gjuhësh, të cilët kur pyeteshin për detyrat përgjigjeshin gjithmonë në gjermanisht, kurse kur bënin shaka ose gënjenin, e bënin vetëm shqip. Edhe kështu, jeta ishte më e bukur.
Ambasadori tha që gjermanët kanë një shprehje, “bëj gjëra të mira dhe pastaj fol për to”. Kurse ne e kemi ndryshe, “fol sa të mundesh dhe lëri gjërat të bëhen vetë”. Për këtë arsye, besoj kemi shumë çfarë t’i japim njëri-tjetrit. Gjermanët kanë shumë për të na mësuar sesi të bëhemi punëtorë më të mirë dhe ne kemi mundësi t’ju mësojmë gjermanëve se pse duhet ta marrin jetën më lehtë, se jeta është shumë më e shkurtër se ç’ju duket gjermanëve.
Por përtej këtyre konstatimeve jo diplomatike, unë do të doja të thoja disa fjalë shumë të sinqerta për bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke përgëzuar në radhë të parë, autorin e logos, që më duket shumë i frymëzuar nga ndeshja Shqipëri-Serbi, edhe pse mungon droni, por është e qartë valëvitja e dy flamujve të lidhur me njëri-tjetrin. Dhe, asnjëri s’ka këtu problem, për faktin se falë Gjermanisë së madhe jemi pjesë e projektit të Europës së Madhe dhe bashkimi i forcave drejt Bashkimit Europian, sikundër e ka titulluar pala organizatore këtë takim, është vërtet një shtysë entuziazmuese, sepse jemi të bindur që duke bashkuar forcat tona me Gjermaninë kemi vetëm për të fituar.
Erdha me shumë kënaqësi në këtë takim, edhe për të rishprehur vlerësimin më të lartë për angazhimin e Gjermanisë në rajon dhe posaçërisht për angazhimin e Gjermanisë me Shqipërinë. Një vend i madh, që ne nuk e shohim thjesht e vetëm si një partner me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, por edhe si burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të të gjithë rajonit. Eksperienca modeste na jep mundësinë ta shohim dhe ta kuptojmë sesa ndërmarrje e komplikuar është lidershipi dhe sesa edhe më e komplikuar bëhet ndërmarrja e lidershipit, në kushtet e një Europe që sot ngjan më e gatshme për t’u çoroditur sesa kurrë më parë. Ndërkohë që, duket se garancia për ecurinë e mëtejshme të projektit të Europës së Bashkuar është pikërisht lidershipi, qetësisht i vendosur i Gjermanisë dhe besoj se merita e veçantë, e jashtëzakonshme e Kancelares gjermane në raport me ne dhe në raport me rajonin, është se pikërisht në këtë moment çorodie dhe pasigurie që ka kapluar Europën, ajo i dha Ballkanit, i dha shqiptarëve dhe Shqipërisë si pjesë e gjithë rajonit, një perspektivë shumë inkurajuese dhe një shpresë të rilindur tek mundësia për të ecur përpara me projektin europian, pavarësisht turbullirave dhe lëkundjeve që kalon sot, Europa e Bashkuar.
Nga ana tjetër, përveçse udhërrëfyese në ecjen përpara të një Ballkani që është në paqe, por që paqen e ka shumë të brishtë, Gjermania është njëkohësisht, edhe një garanci për një Europë që ndodhet e sfiduar në kufijtë e vet nga ambicie të natyrave të ndryshme, vendesh që po e testojnë në mënyrë dramatike fuqinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërive të hapura dhe të Europës së Bashkuar, si një organizatë e madhe shoqërish të hapura.
Angazhimi rajonal dhe bashkëpunimi që Gjermania kërkon me vendet e gjithë rajonit dhe përkatësisht edhe me Shqipërinë, sot na vendos përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Përgjegjësia e natyrshme e të qenit në lartësinë e një partneri kaq serioz në bashkëpunimin dypalësh dhe përgjegjësia e të qenit në lartësinë e rolit që ky partner lider për Europën kërkon nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të rajonit në këtë moment jashtëzakonisht delikat.
Bashkëpunimi, mëse çerekshekulli tanimë, shqiptaro-gjerman, qysh prej vitit 1988, për të qenë të saktë, ka sjellë në Shqipëri mbi 1 miliard euro investime me natyrë strategjike, në funksion të çuarjes përpara të përmirësimit të mënyrës së funksionimit të sistemeve prioritare. Që nga energjia, tek uji i pijshëm, tek bujqësia, tek ndërmarrjet e vogla e të mesme, tek mbrojtja e burimeve natyrore, tek turizmi dhe së fundmi, edhe tek arsimi profesional janë kontribute që kanë ardhur drejtpërdrejt përmes këtij bashkëpunimi nga Gjermania dhe që ka ndikuar jo pak në ecurinë pozitive, për aq sa ka pasur një të tillë, në secilin prej këtyre sektorëve. Mjafton shembulli i projekteve, që edhe ambasadori i solli në vëmendjen tonë, që kanë të bëjnë me lidhjet apo ndërlidhjet në sektorin energjetik, që nga linja e tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, e financuar nga Qeveria Federale përmes KfW, tek linja e interkonjeksionit drejt Prishtinës, apo sigurimi i një mbështetjeje tjetër për linjën drejt Maqedonisë, për të kuptuar rëndësinë e madhe strategjike të këtij bashkëpunimi dhe të projekteve të financuara përmes këtij bashkëpunimi.
Nuk dua që të tjerë të pranishëm ose të papranishëm, donatorë të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm ta marrin ters, por nuk mund të rri pa e nënvizuar sot, në këtë ditë të shënuar, që Gjermania dhe posaçërisht Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, është një donator i një natyre shumë të posaçme. Sepse është një donator që nuk sjell vetëm para dhe nuk sheh vetëm realizimin e projekteve në kornizën e ngushtë të tyre, por është një donator që sjell kulturë administrimi. Nuk është e rastit, që, nëse shohim sot hartën e projekteve të investuara nga burime të ndryshme financimi në sektorin e ujit, të vetmet projekte që funksionojnë ashtu sikundër janë parashikuar në ditën e parë, janë projektet e financuara nga KfW-ja. Ndërkohë që kemi dhjetëra projekte, të cilat madje konsiderohen të përfunduar, nga financime të huaja, që sot nuk funksionojnë në këtë sektor. Kemi sisteme përpunimi të ujërave të ndotura, kemi ujësjellës të dorëzuar që nuk funksionojnë prej vitesh, madje që janë në një proces degradimi, sot. Këtu do të sillja një shembull konkret, që është shumë domethënës dhe që kulturalisht do të vlente si një rast studimi për të gjithë donatorët, që është transformimi i sistemit të furnizimit me ujë të qytetit të Korçës, ku, duke e ndjekur gjithë procesin kam arritur të kuptoj elementin e thjeshtë që i bën të suksesshme, ndryshe nga shumë projekte të tjerë të financuara nga donatorët, projektet gjermane. Sepse donatori, në këtë rast, nuk niset nga tullat, as nga tubat, as nga ato mbrrokllat, por niset nga njeriu. Niset nga njeriu, do të thotë që, niset nga rritja e kapaciteteve që, nesër me përfundimin e projektit, do të administrojnë produktin e dalë nga projekti, e para. E dyta, projekti është tërësisht i vetëmjaftueshëm. Jo si projekte të tjera që në vetvete mund të kenë qenë inxhinjerikisht pa të sharë, por që nuk funksionojnë, sepse nuk janë të lidhura me një sistem funksionimi dhe praktikisht, janë kthyer si ato varrezat e makinave në anë të autostradës, që ndryshken dhe prodhojnë vetëm ndotje dhe dëshpërim.
Jam shumë i lumtur që theksoj edhe një aspekt tjetër; Bashkëpunimi me Gjermaninë karakterizohet nga dialogu. Një tjetër arsye, pse projektet e financuara nga Gjermania dhe nga Banka Gjermane për Zhvillim kanë sukses, është sepse bazohen në një dëgjim shumë të vëmendshëm të nevojave dhe në një analizë shumë të kujdesshme të arsyeve të paraqitura, qoftë nga pala jonë, por qoftë edhe nga kudërpala, pra nga ekspertët e palës tjetër, për vlefshmërinë e një projekti, jo si një instrument i veçuar nga e tëra, por si pjesë e një zinxhiri vlerash.
Faktikisht, unë besoj se nëse do të mund të bënim një analizë të eficiencës në përdorimin e parave, – nuk kishte si të ishte ndryshe, në fakt, se nuk ka nevojë ta zbulojmë ne në Shqipëri, s’do ishte Gjermania, Gjermani, – është donatori me eficiencën absolutisht më të lartë në raportin investim dhe cilësi e produktit.
Ajo që na ka bërë veçanërisht të lumtur ka qenë shpejtësia dhe qartësia me të cilën pala gjermane na ka kuptuar në nevojën për të vendosur një fokus të ri tek arsimi profesional. Ne e besojmë shumë alternativën e arsimit profesional si një alternativë zhvillimi për vendin, si një alternativë reale punësimi real për vendin dhe si një alternativë baraspeshe sociale për të ardhmen e vendit. E, në këtë aspekt, ne besojmë se jo thjesht modeli gjerman, që është botërisht i njohur si një model suksesi, por kultura që përsëri përcillet edhe në këtë aspekt, edhe në këtë fushë, përmes bashkëpunimit nga ana a palës gjermane, është një bazë shumë e mirë për të besuar se do të mund t’ia dalim, edhe pse e dimë shumë mirë dallimin mes punëtorit gjerman dhe punëtorit shqiptar. E dimë shumë mirë dallimin mes një gjermani që shkon të bëhet zanatçi dhe një shqiptari që shkon për të marrë një zanat. Këtu s’ka nevojë, besoj, që ta komentojmë më gjatë, por jemi shumë të qartë për këtë. Megjithatë, jam i bindur që modeli funksionon dhe që sistemi i bashkërendimit të energjive dhe i bashkërendimit të punës në funksion të kultivimit të zanateve, mes shkollës dhe kompanisë, dhe sinergjia mes administratorëve publikë dhe bordeve të shkollave profesionale, ku tanimë ne po përfshijmë drejtpërdrejt sipërmarrës dhe drejtues kompanish, do të na japë me siguri rezultat dhe një hop cilësor dhe sasior, padyshim, në këtë drejtim.
Sigurisht që, këto ditë është e pashmangshme që të flasësh dhe të mos të shkojë gjuha tek futbolli. Për më tepër pastaj, kur flasim për bashkëpunimin me një vend ekipin kombëtar të të cilit këtu e mbështet një masë e madhe shqiptarësh, të cilët kanë qenë prej kohësh ndjekës edhe tifozë të mëdhenj të Gjermanisë, në futboll. Besoj që kombëtarja e Gjermanisë është një shembull tjetër për të kuptuar Gjermaninë dhe për të kuptuar pse Gjermania gjithmonë ka sukses. Sepse sado lojtarë të zotë ose më pak të zotë, me yje apo më pak yje Gjermania të ketë pasur në një kampionat apo në një kampionat tjetër, – edhe Ylli, në këtë rast Manjani, mund të ma konfirmojë këtë gjë si tifoz relativisht i “sëmurë” i Gjermanisë, – përsëri ylli i vërtetë ka qenë skuadra. Kjo është ajo që e ka bërë Gjermaninë që gjithmonë të jetë një hap përpara të tjerëve, pavarësisht se si ka qenë rezultati përfundimtar. Në këtë aspekt, besoj që kemi shumë për të mësuar nga kjo kulturë e skuadrës, brenda nesh, por edhe në rajon. Sepse sfida që na është bërë është që nëse duam të afrohemi më shpejt me Europën duhet të funksionojmë si një skuadër. Jo vetëm që nuk duhet t’i vëmë stërkëmbësha njëri – tjetrit, por as duhet ta imagjinojmë se mund të jetojmë dhe mund të shkojmë larg me njëri – tjetrin duke bërë autogola dhe duke pretenduar që janë gola ndaj tjetrit. Rruga është jashtëzakonisht e vështirë, por pa as më të voglin dyshim, duke pasur këtë mbështetje politike dhe këtë vullnet të shprehur dhe të rinënvizuar sistematikisht gjatë gjithë këtyre viteve, por që vit pas viti ka ardhur duke u bërë gjithmonë e më evident për ne, për bashkëpunim ekonomik dhe për mbështetje të drejtpërdrejt financiare për projektet që i duhen vendit nga ana e Gjermanisë, s’ka dyshim që rruga bëhet më e lehtë.
Duke e mbyllur dua që shumë sinqerisht dhe jo formalisht të falënderoj nga zemra të gjithë ata që i japin jetë, pas shpatullave të Ambasadorit, që i përfaqëson që të gjithë, këtij bashkëpunimi, të gjithë drejtuesit dhe ekspertët e të gjithë grupeve që punojnë me ne në të gjitha këto fusha, për të materializuar një bashkëpunim që ka virtytin të prodhojë rezultate gjithnjë të sigurta dhe gjithnjë cilësisht të pakontestueshme. Kjo mund të duket diçka që duhet të vlejë gjithmonë dhe për të gjithë, por fatkeqësisht nuk vlen gjithmonë dhe për të gjithë. Në mënyrë të spikatur, vlen pikërisht kur vjen fjala tek bashkëpunimi me Gjermaninë dhe tek Gjermania që për çdo euro që jep dhe që i numëron shumë herë ato eurot që jep, kërkon rezultat dhe duke ndjekur gjithë procesin, garanton që rezultati të vijë në funksion të mirëqenies dhe të shërbimit më cilësor të publikut dhe të qytetarëve, që janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtyre donacioneve.
Për këtë arsye unë e shpreha këtë falënderim. Ishte rasti për ta bërë, sepse nuk më është dhënë mundësia që t’i takoj drejtpërdrejtë të gjithë ata që punojnë nga ana e skuadrës gjermane këtu, në Shqipëri dhe me Shqipërinë për të mbështetur këtë bashkëpunim.
E, sigurisht, dua të falënderoj dhe Ambasadorin, i cili qysh në ditën e parë e ka vendosur fort theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ekonomik, tek rëndësia e klimës për t’i dhënë jetë këtij bashkëpunimi, jo thjesht kur vjen puna tek projektet e financuara drejtpërdrejtë nga qeveria Federale përmes Bankës Gjermane për Zhvillim, por edhe kur vjen puna tek investimet private, që padyshim meritojnë vëmendje të vazhdueshme për të qenë të garantuara dhe për të mos pasur surpriza. Me këto fjalë, dua t’i uroj më gjithë zemër të gjithë atyre që i japin jetë këtij bashkëpunimi, që të kenë në vazhdimësi sukses!
Jam i bindur që duke bashkëpunuar me gjermanët, jemi të dy palët fitues. Po e mbaroj aty ku e nisa. Ne kemi të sigurt punën, gjermanët kanë të sigurt që nuk mërziten me ne, por gjithmonë kanë një arsye për të qeshur.
Faleminderit!