Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e radhës për konsultimin publik mbi Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029)me nxënës të shkollës së mesme, në Bathore, Kamëz:
Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe ndarjen e kësaj kohe me ne! E tha dhe Bora, është e premte pasdite dhe mund të kishit edhe gjëra të tjera për të bërë dhe shpresoj që të mos pendoheni që ishim këtu së bashku dhe të mos e konsideroni si kohë të humbur.
Ne jemi në këtë proces takimesh dhe konsultash me nxënësit, çka do bëhet dhe me studentët pak më pas, sepse duam që strategjia e rinisë për periudhën 2022-2029 të jetë sa më e lidhur me shqetësimet dhe me ambiciet e nxënësve.
Shpeshherë mund të duket sikur dëgjesat apo këto lloj komunikimesh janë formale ashtu sikundër shpeshherë mund të mendohet gabimisht se nuk ka nevojë për dëgjesa e këto komunikime sepse ka ekspertë të fushave që mund t’i bëjnë strategjitë pa qenë nevoja për këto procese.
E vërteta është që strategjitë e bëra pa këtë proces konsultimi dhe dëgjimi të vëmendshëm të grupit të interesit për të cilin një strategji bëhet, janë me shumë boshllëqe dhe mbeten, në një pjesë të konsiderueshme, në letër sepse nuk mjafton të jesh ekspert shumë i mirë, qoftë dhe ndërkombëtar, nëse strategjia nuk lidhet me realitetin, specifikat dhe kontekstin, i cili është kontekst gjeografik, ekonomik, social, që nuk është i njëjtë kudo, e me radhë.
Për t’i dhënë përgjigje atij djalit pikërisht për këtë, ku dëgjesa ku, siç tha dhe ai, dalin pika të ndryshme, të mos mbetet aty dhe pikat që dalin të mos zëvendësojnë njëra-tjetrën kohë pas kohe dhe gjërave të mos i vihet pikë. Kështu më duket se e shprehu, se më pëlqeu sesi e bëri lojën e fjalëve.
Përgjigja është që ne, ndërkohë që vazhdojmë këto konsulta, disa prej gjërave që i kemi dëgjuar në konsultat e para, tanimë i kemi futur ne procesin e adresimit, duke filluar nga buxheti i vitit 2022. Pra, në projektbuxhetin që kemi aktualisht në parlament, janë adresuar disa nevoja që lidhen me disa prej gjërave që u përmendën edhe këtu, për të mbështetur ecurinë e mëtejshme në fushën e sporteve, arteve, zejeve, për të cilat po përgatisim dhe programe të veçanta se si do të përfshihen në jetën e përditshme të nxënësve dhe sesi do stimulohen nxënësit që janë të prirur që të përfshihen në këto aktivitete.
Po ashtu, kemi vendosur në buxhet një financim jo të vogël për laboratorët, duke patur parasysh edhe atë që u tha këtu, por është përsëritur në çdo konsultë që kemi bërë, dhe është fakt që pavarësisht se mund të jenë ndërtuar shumë laboratorë, mjetet e përdorura në laboratorë, në një pjesë të konsiderueshme të laboratorëve, janë mjete ose krejt modeste ose mungojnë fare.
Për këtë arsye, vitin e ardhshëm, financimi i vendosur për laboratorët besoj do sjellë një ndryshim të rëndësishëm në pajisjen e laboratorëve me më shumë mjete didaktike, në mënyrë që orët e laboratorit të jenë orë laboratori e të mos jenë orë ku shkohet në laborator dhe vazhdohet të bëhet teori pa pasur instrumentet për të bërë hulumtimet apo eksperimentet praktike.
E njëjta gjë për teknologjinë. Është shumë e vërtetë ajo që u tha këtu; duhet bërë më shumë për teknologjinë. Ne jemi të vetëdijshëm që edhe në këtë drejtim, po t’u referohemi orëve të informatikës dhe laboratorëve të informatikës, përsëri boshllëku është i konsiderueshëm, duke marrë parasysh edhe faktin që në një numër jo të vogël rastesh, mësuesit e informatikës janë mësues matematike apo mësues fizike dhe nuk janë specialistë të drejtpërdrejtë të fushës. Nuk diskutohet që tek kjo sferë është dhe potenciali më i madh i zhvillimit, qoftë atij kombëtar dhe individual i atyre që janë më të rinj sepse përmes marrjes së njohurive mbi teknologjinë dhe zotërimit të gjuhës së teknologjisë, njeriu sot mund të bëjë çudira, pavarësisht se ku ndodhet, e nuk ka rëndësi fare nëse ndodhet në Kamëz, nëse ndodhet në Gjermani apo është në Amerikë. Me këtë gjuhë është i pranishëm në një treg, që është tregu më i madh sot global, tregu i gjithë aktivitetit dhe shërbimeve online.
E vërteta është që edhe në Shqipëri, pavarësisht se nuk ka pasur një sistem të organizuar për ta çuar një pjesë të të rinjve në këtë drejtim, pavarësisht se nuk ka pasur mbështetje të veccantë në këtë drejtim për ata që janë futur në këtë rrugë, ka jo pak të rinj që sot punojnë në tregjet ndërkombëtare, duke qëndruar në shtëpi.
Në një konsultë, në mos gabohem në Durrës, ndërkohë që unë flisja për këtë, një vajzë që ishte aty, 16 vjeçe, na tregoi që ajo kishte 5 vjet që punonte, në mos gabohem për Poloninë, Gjermaninë dhe punonte nga shtëpia, me kompjuterin e vet. Pra, që në moshën 11 vjeç. Ky nuk është fenomen i jashtëzakonshëm, por është norma sot në atë pjesë të botës rinore që merret me kodimin, programimin, tregun online.
Këtu është një potencial i jashtëzakonshëm për të rritur punësimin cilësor të të rinjve, për t’u dhënë të rinjve mundësinë që jo vetëm të punësohen, por të kenë edhe paga që janë përtej çdo lloj limiti të kushtëzuar nga pagat që ka tregu i ekonomisë reale.
Për këtë arsye, ne do bëjmë një investim të konsiderueshëm edhe për mësimin e informatikës. Natyrisht, sot, siç e pamë që dhe e kemi mësuar nga periudha e pandemisë, nuk është nevoja që të jemi të gjithë fizikisht në një hapësirë për të shkëmbyer dijen apo për të marrë informacion apo për të marrë dhe mësim.
Sistemi që ne po përgatisim do jetë një sistem ku ne duam të përfshijmë mësuesit më të mirë të mundshëm, të cilët, pa qenë e nevojshme të jenë fizikisht, të japin mësim në klasat e informatikës, duke bërë që jo vetëm nxënësit të marrin cilësinë më të mirë të mësimit, por edhe mësuesit që janë në klasë të rrisin kapacitetin e tyre, duke marrë në të njëjtën kohë eksperiencën e këtyre mësuesve më të mirë.
Besoj që të gjitha këto që po them janë gjëra që do fillojnë të vihen në zbatim, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, sepse ka nevojë për përgatitje.
U fol këtu për klube dhe është jashtëzakonisht e vërtetë, që nga njëra anë ka shumë të rinj që po bëjnë përpjekje për të krijuar klube me qëllime të ndryshme në fusha të ndryshme. Nga ana tjetër, shkolla vetë apo sistemi i shkollës nuk e ka këtë si pjesë organike të sistemit të vet. Dhe patjetër që mungojnë incentivat apo stimujt për këtë.
Ajo që ne po bëjmë është që po përgatisim një program të detajuar për artin, zejet dhe sportin në shkollë, që nuk është thjeshtë një platformë me orientime për shkollat, por një program ku do jenë të përcaktuara dhe hapësirat, se është shumë e rëndësishme, e dini këtë më mirë sepse jetoni çdo ditë me këtë, që këto programe të kenë dhe hapësira në dispozicion.
Shkollat, qendra komunitare, shumë dakord, por në fund të fundit, shkolla qendër komunitare nuk mund të jetë thjeshtë që po përdorim muret dhe klasat për të ardhur pasdite, por për programin e arteve dhe zejeve duhet të ketë diçka më shumë se kaq.
Ndërkohë që, përveç nivelit të parë, që është vetë niveli i shkollës, që hapësira të caktuara në shkollë vihen në funksion të këtij programi, ne duam të krijojmë dhe një nivel të dytë, një nivel pak më i strukturuar, për ata që janë më të talentuar ose që duan të merren më shumë me një gjë apo një gjë tjetër, duke u krijuar mundësinë të kenë klube, rrethe apo klasa, se nuk e di si do vendoset të quhen deri në fund, për të ushtruar talentin e tyre, me mësues që nuk janë mësuesit e shkollës, por mësues të rekrutuar në funksion të aktivitetit pasdite, në qendra specifike për këtë punë.
Natyrisht, kjo kërkon një infrastrukturë që është goxha sfiduese, sa i përket ngritjes së saj, por që nuk na pengon që ta fillojmë këtë proces dhe ta ngremë këtë sistem.
Pastaj, për të kaluar dhe ne nivelin e tretë, po e quaj unë, që është niveli i kompeticionit, në mënyrë që ata të cilët janë më të spikaturit, të mund të konkurrojnë e të shfaqin punën e tyre apo talentin e tyre, qoftë në skenën e konkurrimit në rang qarku apo bashkie, qoftë në skenën e konkurrimit kombëtar. Këtu dikush foli për olimpiadat, por e shtrirë në disa drejtime, arti pamor, tek zejet, tek teatri, tek muzika e deri tek sporti, për të pasur në një sistem ku shkollat kanë klasat dhe klubet e tyre sportive dhe konkurrojnë, qoftë në nivelin rajonal, qoftë në nivelin kombëtar.
Pjesa tjetër është pjesa që ka të bëjë me vullnetarizmin, dhe atë që ne e dëgjojmë vazhdimisht në këto komunikime, që nxënësit ngrenë problemin e njohjes së këtij aktiviteti. Duan që të kenë një certifikim të këtij aktiviteti, që nga ana tjetër, dhe me shumë të drejtë e kërkojnë, t’u vlejë kur të shkojnë në universitet apo kur shkojnë për një punë, sepse nuk është pjesë e notave, por pjesë e personit me të cilin po komunikon apo po interviston. Edhe për këtë patjetër që do gjejmë zgjidhjen e duhur, duke bërë në të njëjtën kohë edhe një përpjekje që ta stimulojmë vullnetarizmin; ata të cilët duan të bashkohen në këtë shkollë për të krijuar një grup vullnetar në një fushë të caktuar, qoftë për të mbështetur të moshuarit e vetmuar, qoftë për të sensibilizuar komunitetin për mjedisin apo për çfarëdo qoftë tjetër, të mund të kenë akses me projektin e tyre, me një fond të qeverisë që do jetë pikërisht për këtë. Natyrisht që këtu ka një anë tjetër e gjithë kjo, që është të qenit aktiv të vetë nxënësve, për të qenë ata vetë protagonistë në krijimin e këtyre bërthamave dhe për të qenë ata vetë aktivë dhe për të pasur akses në këto fonde, në mënyrë që fondet të mos shpërndahen në mënyrë uniforme mes shkollave, por fondet të jenë në dispozicion të atyre që aplikojnë dhe që japin të gjithë argumentat e duhur dhe tregojnë vullnetin e duhur për të bërë me këtë fond diçka që vlen.
Të gjitha këto që fola deri tani janë gjëra që janë pjesë e vënies së pikave mbi “I”, për t’iu referuar përsëri djalit që foli, në sensin e konkretizimit, jo “Do t’i bëjmë, por nuk dihet kur”. Buxhetin e kemi caktuar, programin e detajuar për artet, zejet dhe sportin po e bëjmë dhe në bashkëpunim me UNICEF dhe me disa ekspertë të huaj që kanë bërë të njëjtat gjëra edhe në vende të tjera. Ndërkohë që mbeten pastaj çështjet që ju i ngritët se dhe të tjera që këtu nuk u thane, por që i kemi dëgjuar në këto konsulta, për këshillimin e karrierës, duket që është diçka që është shqetësim kudo.
Për problemin e asaj që dikush këtu e quajti balanca mes mesatares dhe provimit të maturës. Kjo ha diskutim. Është një formulë që është gjetur pikërisht sepse përpara nuk ka qenë fare kjo e rezultateve të viteve, ka qenë dikur pastaj u hoq komplet dhe ju la vetëm maturës. Matura u bë vetëm dalëse dhe jo hyrëse njëkohësisht në universitet. Kjo formulë është gjetur si një zgjidhje e arsyeshme për të mos e neglizhuar atë që nxënësi ka bërë gjatë gjithë tre viteve dhe për të mos i lënë pa asnjë pikë rezultatet e tre viteve, por nga ana tjetër, nuk mund t’i besohet dot vetëm rezultateve të tre viteve sepse ju e dini shumë mirë që pesha e një note nuk është e njëjta, si në këtë gjimnaz, në atë gjimnaz apo si këtu, ose në një zonë tjetër e tjetër. Pra, nuk është e njëjta. Atëherë nxënësi është i njëjti, që do të thotë që kur nxënësi shkon në provim është në kushte të barabarta me gjithë të tjerët dhe aty në një farë mënyrë bëhet një lloj balance midis notave që nuk kanë peshën e njëjtë. Tjetër është një notë në gjimnazin “Ibrahim Rugova”, tjetër është një notë në një gjimnaz, që mos përmendim emra, në një periferi të Shqipërisë. Patjetër që nuk ka asnjëherë një formulë ideale dhe çdo formulë ka të mirat dhe dobësitë e veta, por është një gjë që po diskutohet përsëri nëse ka mundësi të bëhet diçka akoma më e drejtë po themi.
Më bëri përshtypje një vajzë që tha është humbje kohe për mua të merrem me gjuhën dhe me letërsinë se do studioj mjekësi. Në fakt jo, nuk është humbje kohe sepse e para njëherë, ky është një shqetësim edhe shumë personal i imi, por besoj që nuk është personal në pikën që të tjerët nuk e kanë shqetësim. Ju besoj e vini re, ju jeni nga nxënësit e mirë ose shumë të mirë e nuk e keni të vështirë të më kuptoni kur them që gjuha shqipe është në rrezik. Tani, të gjithë ankohen, edhe në Francë, që është një vend ku i japin gjuhës një rëndësi të jashtëzakonshme. Ankohen që gjuha e tyre është në rrezik. Por, gjuha shqipe është realisht në rrezik. Është në rrezik nga humbja e vazhdueshme për shkak të mungesës së përdorimit të saj me korrektësi dhe patjetër edhe për shkak të boshllëqeve që janë krijuar në vite ku gjuha u hoq fare. Ne e rikthyem gjuhën shqipe edhe në nivelin e gjimnazit, nuk ishte fare, u hoq. Ndërkohë që me këto mrrokallt që keni tani ju nëpër xhepa, me këto SMS-rat e Whatsapp-et e këto shkurtimet, “prz” “për Zotin”, e këto të gjitha, krijohet një tjetër kulturë komunikimi dhe kjo është arsyeja që gjithë, e thashë edhe Franca, nuk po llogaris të tjerat, janë të shqetësuara se çfarë ndodh me gjuhën në brezin më të ri e po të shikoni, në shumë vende të zhvilluara, ka probleme me gjuhën në provimet e universitetit, kur shkruhen provimet, por nga ana tjetër, gjuha nuk është vetëm gjuha në vetvete, pra nuk është çështja se humbet drejtshkrimi. Çështja është që tkurrja e gjuhës është tkurrje e trurit, është tkurrje e aftësisë për të menduar dhe aftësisë për të gjykuar pastaj. Nuk është thjesht çështje se çfarë do pësojë gjuha, është çështje çfarë pëson truri.
Nga ana tjetër, letërsia. Një mjek i mirë, është një humanist dhe një humanist që nuk ka njohuri për letërsinë, është shumë e vështirë. Thjeshtw më tërhoqi vëmendjen si ndërhyrje, kështu që unë mendoj që këto janë lëndë, të cilat, jo vetëm që duhen, por janë lëndë që edhe për aq orë sa janë, janë pak. Natyrisht nuk mund të shtohen në pikën që të bëhet sikur të gjithë do dalin gjuhëtarë apo mësues letërsie, por është mirë që edhe jashtë orëve, pavarësisht se do bëhesh mjeke të vazhdosh të kesh vëmendje për letërsinë, të vazhdosh të konsumosh letërsi sepse të ndihmon edhe në mjekësi sepse nuk është vetëm çështja e njohurive për organizmin e njeriut, por është diçka më shumë se kaq, pa të cilën mjeku, se mjeku nuk është kasap që po trajton organizma të gjallë që i përkasin botës së kafshëve, që edhe aty prapw duhet një nivel i caktuar humanizmi.
Unë jam i bindur që ata që vrasin qen në rrugë, nuk kanë bërë asnjë orë letërsi në jetë, ndërkohë që dikush që ka bërë orë letërsie në jetë nuk vret qen në rrugë.
E për ta mbyllur me diçka që vjen dhe rivjen vazhdimisht.
Pyeti një djalë që çfarë strategjie keni ju për të frenuar njerëzit që të largohen. Tani, kjo është temë shumë delikate dhe është temë shumë e ndjeshme, por janë disa gjëra që si të gjitha gjërat e vërteta duhen thënë edhe kur nuk janë shumë të pëlqyeshme. Faza historike që kalojmë ne, e jo vetëm ne, por shumë vende, është e tillë që kjo është një prirje që nuk ka strategji e nuk ka forcë që ta përmbysë në një kohë të shkurtër. Tre vjet, katër, pesë, dhjetë po të doni, janë shumë në jetë e një njeriu, por janë kohë shumë e shkurtër në jetën e një vendi. Ne i shohim vendet e tjera me shumë admirim e duam të bëhemi si ata, por kur gjykojmë për vendin tonë e kur gjykojmë për veten tonë, ne harrojmë se nga vijnë ata dhe me të drejtë nuk kemi durim sepse njeriu një jetë ka, e me të drejtë një 20 vjeçar që jeton në një situatë të vështirë, të thotë po mirë dakord, ky proces do 10 vjet, do 20 vjet, po unë çfarë do bëj? Do pres 20 vjet, kur unë e kam Gjermaninë dy orë larg? Pse do pres? Dhe realisht është në të drejtën e vetë ta mendojë këtë gjë dhe është në të drejtën e vetë ta bëjë këtë gjë, sepse për fat të mirë nuk jemi më në Shqipërinë ku ishim kështjella buzë Adriatikut që as u kinte njeri të hynte, as nuk linte njeri të dilte, e nga ana tjetër, ai progres që ne kërkojmë, nuk është diçka që vjen se duan unë që të vijë, por është diçka që vjen nga shumë përpjekje, me shumë durim e me shumë vendosmëri.
Këtë që ne diskutojmë sot, e kanë pasur problem të gjitha vendet që dolën nga komunizmi e sot e kanë problem vende brenda BE. Po t’i hidhni një sy për kuriozitet Portugalisë. Portugalia është vend i BE dhe ka vite që është në BE. Portugalia, në periudhën e fundit, 3-4 vitet e fundit, pranohet botërisht që ka patur suksesin më të rëndësishëm ekonomik. E dini çfarë problemi ka Portugalia? Njerëzit që ikin dhe është bërë shumë shqetësuese, deri sa qeveria ka futur disa masa që ne nuk i bëjmë dot se nuk i kemi ato mundësi, me pagesa, me bonuse, që njerëzit të kthehen e tendenca nuk po ndryshon e kjo vjen si rezultat i faktit që jetojmë në një botë shumë më të vogël se sa ishte përpara 20 vitesh apo 30 vitesh, në sensin e shpejtësisë së komunikimit e në sensin e mobilitetit dhe njerëzit lëvizin, jugu i Italisë e dini kush është problemi më i madh që ka Italia nga Roma deri poshtë? Domethënë nga pjesa po themi pak më poshtë Romës e deri poshtë në jug? Mjekët! Italia, infermierët! Italia, fuqia e pestë ekonomike e botës, që do të thotë që duhet ta kuptojmë gjënë si është pastaj pjesa tjetër, sigurisht që Shqipëria ka shumë gjëra për të cilat do të duhet shumë kohë, por janë disa gjëra që mund t’i bëjë shumë shpejt e çfarë mund të bëjë Shqipëria shumë shpejt? Gjithçka që mund të bëhet përmes teknologjisë. Teknologjia të jep mundësinë që të kapërcesh epoka duke thjeshtw ndryshuar sistemin, duke kaluar nga sistemi i ndërveprimit të drejtpërdrejtë të njerëzve, në sistemin tjetër, ajo që thashë. Kush i hyn teknologjisë, kush i hyn kodimit, kush i hyn programimit e kush mëson gjuhën e kompjuterit, nuk ka nevojë fare të mendojë që po iki nga shtëpia. Me një “klik” futet në një treg komplet tjetër dhe në atë treg është një lojtar që sa të ketë fuqi, aq arrin, që do të thotë, nuk ka aty jo miku, jo partia, jo kushëriri, jo nga je, nuk ka aty as je shqiptar, je anglez, je australian. Je më i zoti, bën më shumë. E për këtë arsye ne do t’i japim shumë rëndësi teknologjisë, siç po i japim në shërbime.
Sot ne kemi shumë shërbime që bëhen online, nuk ka nevojë fare të shkosh nëpër zyra, nuk ka nevojë fare të kesh miq, nuk ka nevojë fare të paguash lekë fare dhe do t’i japim shumë mundësi teknologjisë që në shkolla. Tani këto të gjitha janë fjalë për momentin, mbeten për t’u vënë në provën e realitetit. Kështu që unë besoj që sot një vit, do jemi në gjendje të shohim sa prej këtyre fjalëve janë reale, sa të tjera ishin si ato pikat që i mbuluan pikat e tjera dhe mbeti “i”-ja pa pikë.
Ju falënderoj shumë për durimin, që më dëgjuat, me siguri nuk ju kishte marrë malli se kushedi sa herë ju dal nëpër ato faqet e Facebook, kur ju e keni mendjen për gjëra të tjera, dal edhe unë atje, se nuk besoj se humbni shumë kohë duke parë televizor. Shpresoj që nuk shikoni shumë televizor. Kështu që, tani, e fundit që kam është që gjithë këto që ne marrim në këto konsulta, unë kam marrë pjesë në disa, Bora në të gjitha, do të shkruhen, do t’i rimerrni të shkruara. Po të keni durimin t’i lexoni do jetë mirë. Po të keni dëshirën dhe të merrni mundimin dhe të shtoni diçka apo të hiqni diçka e të bëni vërejtje do të jetë dhe më mirë e pastaj strategjia do dali si rezultat i gjithë këtyre komunikimeve e i gjithë këtij ndërveprimi e pastaj mbetet për t’u zbatuar se mund të jetë shumë e bukur e shumë e saktë, prapw se prapw do të kërkojë vullnet e do të kërkojë punë për t’u zbatuar.
Këto ishin, tani janë dhe ato fletushkat që keni nëpër duar.
Është dhe nëse doni ajo fotografia që ta keni kujtim kur u takuam kur ishim të vegjël.