Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën BE – Ballkani Perëndimor në ditën ndërkombëtare të medias:

 

Më lejoni ta nis këtë fjalë me një shkelje të të drejtave të autorit, duke marrë një shprehje që komisioneri Hahn, këtu i pranishëm, e tha dje:  “Liria e shprehjes është një vlerë themelore e BE-së dhe si e tillë, një gur themeli në procesin e zgjerimit”.

Sot është fakt se “Freedom House”, “Raporterët pa Kufij” dhe Komisioni Europian, në raportet e tyre për mediat dalin në të njëjtin përfundim, se mediat në rajonin tonë, përfshirë dhe Shqipërinë, janë pjesërisht të lira.

Përsa na takon, Progres-raporti i vitit 2016 i lë Shqipërisë tre detyra shtëpie, për përmirësimin e gjendjes së mediave në vend, harmonizimin e legjislacionit për rritjen e transparencës, kufizimin e të drejtës së pronësisë së mediave në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe forcimin e pavarësisë së RTSH-së.

Roli i Televizionit Publik dhe AMA-s ka qenë shpesh në qendër të kritikave, për mungesën e profesionalizmit dhe politizim të tyre e për këtë arsye ka nisur një proces i rëndësishëm reformimi në këto dy institucione.

Është rishikuar ligji për mediat audio-vizuale, i cili tashmë ofron garanci të plota ligjore lidhur me distancën e forcave politike dhe interesave ekonomike në media dhe bën të mundur që mediat të jenë të garantuara në raport me dorën e qeverisë, sidomos në entet rregullatore dhe në operatorin publik. I gjithë ky proces për hartimin e këtyre ndryshimeve ligjore është hartuar mbi një Plan Veprimi, i cili ka qenë i rakorduar dhe i miratuar sëbashku me BE dhe KiE, por edhe me ndihmën e OSBE-së.

Megjithatë është e qartë për të gjithë, ligjet e mira janë njëra anë, çështja e zbatimit të ligjit mbetet gjithmonë një sfidë e hapur në të gjithë rajonin dhe patjetër, edhe në Shqipëri. Për përmirësimin e mëtejshëm të lirisë së shprehjes nuk nevojiten vetëm ligje të reja, por nevojitet një përpjekje tërësore, shoqërore në raport me vetëdijen që lidhet me vlerat dhe parimet e familjes europiane ku ne po përpiqemi të bëhemi pjesë me të drejta të plota.

Sot, kjo nismë shkon në këtë drejtim, si një tjetër produkt i mirëseardhur i Procesit të Berlinit, në një vijë të qartë ndarjeje me të shkuarën e konflikteve në Ballkan dhe në koherencë me frymën e një epoke të re bashkëpunimi të ndërsjellë për të mirën e të gjitha vendeve tona.

Liria e shprehjes është një e drejtë themelore dhe është “arma” më e fortë që kemi në dorë për të luftuar padrejtësinë, përfshirë edhe korrupsionin dhe shfaqjet e tjera negative  në procesin e shtetbëries, në funksion të integrimit të plotë në BE, por si një armë për të mbrojtur lirinë, vlerat dhe parimet e demokracisë dhe familjes europiane, ku ne, e përsëris, duam të bëhemi pjesë me të drejta të plota. Ajo nuk mund të përdoret për të vrarë pikërisht lirinë, vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar gjithë mekanizmi i funksionimit të saj.

Një prej çështjeve më të famshme që e ka gjykuar Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është një çështje e vitit 2005, e “Revistës Profil kundër një deputeti austriak”. Ai ishte vendosur nën hetim për një shkelje, në një kontekst të caktuar, ishte larguar nga vendi për disa kohë, sëbashku me gruan e tij dhe revista botoi një artikull ku i etiketonte si “Boni dhe Klajdi” austriakë.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në favor të deputetit, sepse konotacioni negativ i etiketimit si “Boni dhe Klajdi”, çifti i famshëm i dy kriminelëve, për të cilët janë bërë dhe shumë filma në SHBA, dëmtoi dinjitetin njerëzor të tij dhe të bashkëshortes.

Për fat të keq, shkelje të kësaj natyre, në cenim flagrant të dinjitetit njerëzor të njerëzve publikë në Shqipëri, zhvillohen nga mëngjesi deri në darkë. Edhe tani që ne po flasim këtu, me siguri është duke ndodhur një shkelje e kësaj natyre.  Siç ka shkruar njëri prej pishtarëve më të ndritur të lirisë së shprehjes në ish perandorinë komuniste, gazetari polak që provoi mbi kurrizin e tij burgosjen, pikërisht sepse mbronte të drejtën për t’u shprehur i lirë, duke denoncuar programet e regjimit komunist mbi popullsinë hebreje pas Luftës së Dytë Botërore, Adam Mihnik: “Fjalët vrasin të parat, plumbat vijnë mbrapa”.

E them këtë, sepse sot, unë besoj që sfida është e dyfishtë, nga një anë, për të forcuar lirinë e medias për të forcuar zbatimin e legjislacionit europian, që ne e kemi të shkruar më së miri në letër dhe nga ana tjetër, për të rritur frymën e përgjegjësisë në përdorimin e kësaj arme, që e përsëris, ka lindur për të mbrojtur lirinë, ka lindur për të mbrojtur vlerat dhe parimet e një shoqërie që beson tek liria e informacionit, që ka nevojë për informacion të lirë e jo për të vrarë me fjalë, në emër të lirisë së përdorimit të saj.

Është e pamohueshme, sot, ne kemi një problem të rëndësishëm, që është pjesë e një procesi tërësor transformimi, të cilin nuk e sjellin thjesht ligjet, por e sjell transformimi i brendshëm në mendësi, për t’ju afruar e për t’u bërë pjesë e familjes europiane si mendësi, që ka të bëjë në rastin tonë, me shfrenimin e gjuhës së urrejtjes dhe me përdorimin e licencës për të ushtruar aktivitet në këtë fushë kaq jetike dhe kaq delikate, si licencë për gjueti, për gjueti për qëllime që nuk thuhen, por që janë shtysa kryesore në funksion të ushtrimit të të drejtës së kësaj licence.

Nga ana tjetër, Idro Montanelli, ati themelues i gazetarisë italiane, thoshte me të drejtë: “Kurrë nuk i besohet një gazetari të pasur”. Dhe është e pamohueshme që sot, unë po flas për Shqipërinë, të tjerë mund të flasin për gjithë rajonin, por besoj se nuk është e padrejtë të thuhet e njëjta gjë, në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme dhe nëse flasim për korrupsion, nëse flasim për përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje disproporcionale të të ardhurave të personave, kjo thuhet në media, sepse nuk ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median.

Në një shoqëri, siç është Shqipëria dhe këtu, me lejen e gjithë atyre që kanë ardhur nga rajoni, do bëja një veçim, pasi ndryshe nga të gjithë vendet e rajonit ku fjala nuk ka qenë e lirë, Shqipëria e ka pasur fjalën të burgosur shtatë pashë nën dhe me një represion të pashoq, sot është themelore të kërkojmë e të gjejmë të gjitha rrugët, për t’i dhënë kësaj lirie sensin e fisnikërisë me të cilën ajo rilindi pas rënies së regjimit komunist. Një sens i humbur që i ka kthyer mediat sot, në Shqipëri, në institucione të pabesueshme për publikun.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut thotë: “Liria e shprehjes mbulon jo vetëm informacionin apo idetë, por edhe kritikat apo ato ide që fyejnë, tronditin, apo shqetësojnë autoritetet, apo një pjesë të popullsisë, pasi këto janë kërkesat e atij pluralizmi, asaj tolerance dhe asaj mendjegjerësie, pa të cilën nuk ka shoqëri demokratike”.

Sot, në një botë ku liria është vënë në një sprovë të madhe edhe në vendet më të zhvilluara, për shkak të shpërthimit të lajmeve të rreme, “fake-news”, që mjegullojnë të vërtetën për axhenda nga më të ndryshmet dhe e ndotin informacionin, detyrimi për ta kërkuar e për të mos e lënë lirinë e medias në rrjedhën e lirë të degradimit të saj të përditshëm, është i të gjithë shoqërisë. Këtë nuk mund ta bëjë qeveria, këtë nuk mund ta bëjë parlamenti, këtë nuk mund ta bëjë politika, sepse më shumë do të dëmtonte, sesa do të ndreqte, por këtë, sigurisht duhet ta bëjmë të gjithë sëbashku.

E realisht, duke e mbyllur, unë jam sa besim plotë, aq dhe pesimist lidhur me të ardhmen e aftër të medias, për shkaqe që janë në sytë e të gjithëve dhe mbi të gjitha, edhe për arsyen se po del shumë më e vështirë saç mund të dukej, nevoja e krijimit të një gjenerate njerëzish në media, të cilët përmbushin disa nga ato kritere dhe parime, që i kanë bërë mediat e njohura sot, të cilave të gjithë iu referohen, shtylla mbrojtëse të demokracisë, shtylla mbrojtëse të lirisë dhe mbi të gjitha, shtylla mbrojtëse të garantimit të një nevoje shumë të thjeshtë. Në përdorimin e kësaj arme për të mbrojtur lirinë, nuk mund të vritet liria e të tjerëve.

Shumë faleminderit dhe shpresoj që për të gjithë ata që kanë ardhur në Tiranë përherë të parë, Tirana të jetë një surprizë e bukur, ndërkohë që për të gjithë sëbashku, kjo konferencë realisht t’ia vlejë udhëtimin nga të gjithë vendet e rajonit dhe ndërveprimin mes gjithë atyre që janë mbledhur këtu, sot, për të folur për këtë pushtet kaq jetik për demokracitë tona të brishta dhe kaq në rrezik nga transformimi në një pushtet po aq i korruptuar, sa të gjitha pushtetet me të cilat ky pushtet është i supozuar se duhet të luftojë në emër të interesit publik.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.