Fjala e Kryeministrit Edi Rama në edicionin e tretë të ndarjes së çmimeve “Blerta e Artë” për sipërmarrjet më të suksesshme të vitit:
Në radhë të parë ndjehem shumë i privilegjuar që jam këtu, me përfaqësuesit e kompanive që gjatë këtij viti kanë bërë sukses dhe më bëhet qejfi që mundëm që përmes këtij çmimi të ndikojmë edhe mirë psikologjikisht tek ata që morën çmimin. Sepse unë e besoj atë që tha Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, i cili u bë 25 vjet që merret me biznes dhe me biznesin, që ju lekët i doni shumë, por si shqiptarë të mirë, çmimet i doni edhe më shumë. Aq më tepër në një vend ku bëhen luftëra të mëdha për dekorata, kush e mori, pse e mori, kujt do t’ia heqim e si do t’ia heqim, por një gjë është e sigurt, “Bletën e Artë” asnjëherë nuk do t’jua heqë askush.
Në epitafin mbi varrin e arkitektit Christopher Wren, i cili dizenjoi një ndër katedralet më të njohura sot në botë, shkruhet: “Në qoftë se jeni në kërkim të një monumenti shikoni rreth jush.”
Monumentet e këtyre 25 viteve në Shqipëri i ka ngritur sipërmarrja; Njerëz të zakonshëm, përgjithësisht pa emër, pa familje me emër, shpeshherë nga familje të varfra, me diploma, po shpeshherë pa shkollë, të cilët vrapuan më shpejt në hapësirën që krijoi liria; Shqiptarë të guximshëm që rendën për t’u bërë më të pasur se të tjerët, në miliona rrugë, në miliona shtigje, fillimisht në mungesë të plotë të shtetit dhe të rregullave, më pas, sipas shtetit, sipas rregullave; Aventurierë ose vizionarë që ikën në emigracion, apo jetuan me vajtje-ardhje në tokë, në det, në ajër, apo qëndruan këtu duke e ndjekur suksesin dhe paranë, aty ku të tjerët përreth shikonin vetëm pengesa dhe varfëri. Sipërmarrësit e këtij vendi ngritën vit pas viti, monumentet e guximit të tyre për të imagjinuar të paimagjinueshmen, pas gjithë saj periudhe të gjatë në errësirë. Monumente që u kthyen në kompani, në ndërmarrje, në biznese të mëdha e të vogla, që krijuan ekonomi, punësim dhe shërbime në përmirësim të vazhdueshëm.
Natyrisht që, historia e re dhe e shkurtër e sipërmarrjes sonë është një histori me plotë dritë, por dhe me plotë hije. Protagonistët e saj nuk ishin engjëj, as luftëtarë të nënshtruar ndaj normave etike të luftërave konvencionale. Nëse gurët e themeleve të monumenteve që sipërmarrja ngriti në Shqipërinë e këtij çerek shekulli do të kishin gojë, me siguri veshët tanë do të kishin dëgjuar jo vetëm çudira për t’u duartrokitur me admirim, por edhe lemerira për t’u ndjerë të pataksur. Po ku ka ndodhur ndryshe, në ç’botë e në ç’vend, kur fuqia e kapitalizmit ka nisur të shtrijë rrënjët e veta në ndonjë tokë!? Askund! Askund, askush nuk do të donte të dëgjonte se ç’kanë për të thënë gurët e themelit të monumenteve të sipërmarrjes, të cilat kishin prekur qiejt e botës së lirë, kur sipërmarrja jonë mbiu nga nëntoka e shkretëtirës, pa liri dhe pa pronë private.
Sot nuk janë më vitet kaotike ‘90-të, as fillimvitet e këtij shekulli. Dekada e dytë e shekullit ku kemi hyrë ka përkuar me konsolidimin e shumëçkaje që sipërmarrja e krijoi në vorbullën e periudhës së egër të tranzicionit. Shumëçka tjetër nuk i ka rezistuar dot kohës dhe rregullave, ndërkohë që fatkeqësisht vazhdon të rezistojë miti i sipërmarrësit si grabitqar, si keqbërës, si armik i të mirës publike dhe i moralit shoqëror. Por jo vetëm kaq. Reziston këmbëngulësisht edhe miti i sipërmarrjes si një e keqe, me të cilën shteti nuk duhet të përzihet dhe çdo përpjekje e shtetit për të nxjerrë të mira publike nga bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me sipërmarrjen ndëshkohet apriori si një mëkat i kryer si vjedhje, si korrupsion.
Miti që i demonizon sipërmarrësit qysh në krye të herës ka ngritur një barrierë penguese shumë të lartë mes sipërmarrjes dhe shoqërisë, sidomos rinisë. Ndërkohë që është e qartë si drita e diellit se pa sipërmarrjen, pa sipërmarrësit, ky vend nuk jeton dot asnjë ditë. Ashtu siç është e qartë që mes shqiptarëve që jetojnë me sipërmarrje të madhe, të mesme apo të vogël, shumica, fatkeqësisht, nën presionin e këtij miti e shikojnë sipërmarrjen si një aktivitet nga zori, diçka e pa hirtë dhe e ndëshkuar nga morali qorr, shurdh, i pastërtisë shoqërore.
A nuk është dramatike që mbi 70% e të rinjve duan të punojnë në shtet dhe punën në një sipërmarrje e quajnë të dorës së dytë, në rastin më të mirë dhe ndëshkim të fatit, në rastin më të keq! A nuk është dramatike që në gjithë këto vite, në këtë shtet nuk u investua asnjëherë, asgjë, as për të futur kulturën e sipërmarrjes që në shkollë, as për një sistem të arsimit profesional që të mbështesë fuqimisht sipërmarrjen dhe përmes forcës së kualifikuar të punës të mbështesë zhvillimin dhe as për një rritje reale të kapaciteteve të administratës që trajton sipërmarrjen!
A nuk është po ashtu dramatike që për 20 e kusur vite, asnjëherë dhe askund nuk u promovuan shembujt e sipërmarrjes së suksesshme! Sipërmarrësit jetuan vite të tëra si diversantë, të fshehur, të strukur, të tërhequr, të trembur dhe gjithnjë, kudo, administrata e sulmoi sipërmarrjen, njësoj siç sulmonin hordhitë pushtuese pazaret e kështjellave të sapopushtuara.
Nuk ka një të dhënë më kuptimplotë ndër shumë të dhëna që mund të nxjerrim për arsye të përshkrimit të kësaj historie, që është sa e lavdishme për sipërmarrësit, aq e palavdishme për shtetin, për ta përshkruar raportin shtet-sipërmarrje në këtë hark vitesh, sesa kulmimi i abuzimit ndaj sipërmarrjes nga ana e shtetit, me marrjen me forcë të 720 milionë dollarëve borxhe deri në vitin 2013. Askush nga ju nuk merr dot borxh me forcë në një bankë, shteti mori me forcë borxh nga ju prej 720 milionë dollarë.
Unë nuk jam sot krenar për atë çka qeveria jonë nuk e ka bërë ende, për ta sistemuar brenda një kornize të re standardesh e normash europiane, marrëdhënien me sipërmarrjen, por jam shumë krenar për faktin se kjo e jona, për të cilën mund të themi sa të duam dhe gjithkush mund të thotë çfarë të dojë, është e para qeveri në këto 25 vjet që nuk i lejon vetes të drejtën e ushtrimit të forcës ndaj sipërmarrjes, për t’u mbajtur gjallë me paratë e kontratave për punë dhe shërbime të papaguara.
Shlyerja e atij borxhi të turpshëm të qeverisë ndaj sipërmarrjes, për ne nuk ishte thjesht shlyerja e një detyrimi të vjetër, të prapambetur, financiar, por ishte themeli i një filozofie të re qeverisëse në marrëdhënien me sipërmarrjen private. I filozofisë që shteti nuk është më i fortë se sipërmarrja dhe se shteti nuk ka asnjë të drejtë më shumë sesa ka çdo sipërmarrës si individ, nga momenti kur me cilindo, shteti është palë në një kontratë.
Një shtet që ushtron forcën, për të kredituar me para të marra me dhunë, sepse e tillë është, aktivitetin e vet në kurriz të sipërmarrjes, është një shtet që nuk ka gojë t’i kërkojë sipërmarrjes as të zbatojë ligjin, as të paguajë taksat dhe as të ketë përgjegjshmëri sociale. Pjesë e kësaj filozofie është edhe mosmbajtja më forcërisht në arkën e shtetit të parave të TVSH-së së rimbursueshme, por kthimi automatik i tyre, pa korrupsion dhe pa selektivitet, përmes një mekanizmi të strukturuar për të qenë i tillë, drejtpërdrejtë në arkën e kompanive.
Po kjo filozofi na dikton edhe përpjekjen e përditshme për të ndërtuar një marrëdhënie të re mes administratës, në radhë të parë asaj tatimore e doganore, por edhe administratës në tërësi dhe sipërmarrjes. E di që nuk ka ardhur dita për t’u krenuar për sjelljen dhe cilësinë e shërbimit tatimor apo doganor, apo në të tjera zyra ku sipërmarrja e sipërmarrësit vazhdojnë të ndeshen me fenomene të vjetra, me sjellje të padenja për një shtet serioz dhe me një cilësi shërbimi që nuk ka nganjëherë, asgjë të ngjashme me cilësinë e shërbimit që sot janë në gjendje të ofrojnë sipërmarrjet tuaja.
Nga ana tjetër, duke ju referuar një shembulli të vogël mes shumë shembujsh që ju mund të nxirrni, që kërkoni një administrator dhe e keni të vështirë të vini gishtin mbi një administrator, të cilit t’i besonit çelësat e kompanisë, e keni parasysh më mirë se të gjithë se ç’do të thotë të ndryshosh kulturën e vjetër, të ndërtuar në vite dhe ta shembësh ngrehinën e saj dhe në vend të saj të ndërtosh një ngrehinë tjetër të një kulture të re. Është një punë që nuk është as e lehtë dhe as e shpejtë.
Por besoj se jeni dakord me mua se fakti që në një vend ku jo shumë vite më parë, drejtorët e tatimeve i mblidhnin paratë e biznesit në kuti këpucësh poshtë tavolinës në zyrë. Ata që qeshin i kanë parë kutitë e këpucëve. Apo deri 2 vjet e gjysmë më parë, drejtorët ishin komandantë operacionesh ndëshkimore, që lëshoheshin magazinë më magazinë për të mbledhur paratë. Nuk është pak progres që sot këto realitete të zymta që e shoqëruan sipërmarrjen për vite të tëra duken si ëndrra të këqija.
Pikërisht, sepse ne duam që të qeverisim me një filozofi të re, për të bërë progres në këtë marrëdhënie, pavarësisht vështirësive të mëdha financiare, vendosëm të shlyejmë gjithë atë mal me borxhe. Sot kemi shlyer të gjithë pjesën e malit me borxhe, 600 milionë dollarë ndaj të gjithë atyre që kanë gjithë dokumentacionin e rregullt. Faktikisht, pjesa e mbetur i takon viteve ende të mëparshme dhe pamundësia jonë për t’i shlyer lidhet me dokumentacionin, jo me mungesën tonë të vullnetit.
Me po të njëjtën filozofi falëm 26 milionë dollarë të tjera gjoba, që iu vunë sipërmarrjes para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013. Një pjesë e viktimave janë këtu në sallë. Nëse në vetëm një vit, ne mblodhëm më shumë të ardhura nga tatimet e doganat sesa në 5 vitet e fundit të qeverisë së kaluar, të mbledhura së bashku, apo nëse në 9-mujorin e parë të këtij viti, ne mblodhëm 266.5 milionë dollarë më shumë sesa viti më i mirë i qeverisjes së kaluar.
Nuk janë shifrat në vetvete që na bëjnë krenarë, por fakti se këto të ardhura janë mbledhur duke ndërtuar njëkohësisht një marrëdhënie të re partneriteti me sipërmarrjen. Fakti se këto të ardhura janë mbledhur duke respektuar gjithmonë, pa harruar të metat ende të ndjeshme në sjellje, në qasje, në cilësinë e shërbimit nga ana e administratës, por pa telefonata, pa parapagime, pa filozofinë “më jep ca miliona sot, të bëj planin dhe nesër, unë do shkel syrin që të bësh ti planin”.
Këtë vit janë 45.600 biznese aktive më shumë sesa në vitin 2013. Ndërkohë, shifra më e fundit e importit të makinerive të pajisjeve për 9-mujorin është 18% më shumë se vjet. Ja pse ne e hoqëm me gjithë vështirësitë financiare dhe nuk pranuam këtë vit kërkesën e FMN-së, për ta rivënë TVSH-në për makineritë e pajisjes në paketën fiskale të vitit të ardhshëm, sepse modeli i ri ekonomik që kemi nisur të ndërtojmë dhe që ka marrë në konsideratë faktin se Shqipëria nuk kishte më mundësi të rritej dhe të zhvillohej duke iu referuar burimeve tanimë të ezauruara të rritjes, ndërtimtarisë apo remitancave, por duhet të zhvillohet duke iu referuar burimeve të qëndrueshme të rritjes dhe duke pasur një ekonomi shumë më tepër të orientuar nga prodhimi dhe punësimi real, na bëri që përpara sesa të bëjmë llogaritë sa më shumë para do të kemi në buxhet, të bëjmë llogaritë sa më shumë para do t’i lëmë sipërmarrjes që të bëjë buxhet.
Besoj që nuk e ekzagjeroj po të them se është qeveria e parë në 25 vjet që nuk e ndan ekonominë në dy pjesë, që nuk e konsideron arkën e shtetit, buxhetin e shtetit, librin e llogarive të shtetit si arsye për të mos u marrë fare me arkën e sipërmarrjes, me buxhetin e sipërmarrjes dhe me librat e llogarive të sipërmarrjes, por që përpiqet, pavarësisht vështirësive financiare, të trashëguara nga një keqqeverisje, t’i shohë këto gjëra të bashkuara dhe llogaritë të balancuara midis asaj që kemi lënë nga buxheti dhe asaj që kemi përfituar në ekonomi, asaj që kemi përfituar në investime dhe asaj që kemi përfituan në punësim.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti, prodhimet bujqësore dhe blegtorale u rritën 35%, krahasuar me të njëjtën periudhë vjet, ku patëm një rritje të parë. Eksportet u rritën me 20%. Ne jemi përsëri të qetë, për faktin se kemi hequr disa para nga ato që do të merrnim në buxhet dhe kemi krijuar lehtësira për sipërmarrjen në fshat dhe prandaj do të vazhdojmë ta lehtësojmë vitin që vjen, aksesin e sipërmarrjes në fshat dhe prandaj edhe për këtë patëm një debat që e fituam në fund, për të mos e ulur TVSH-në e rimbursueshme për prodhimet bujqësore.
Ne kemi arsye të besojmë që investimet e huaja këtë vit do të shkojnë drejt shifrës 100 milionë dollarë më shumë sesa vjet. Nuk është shifra që do të shpëtojë Shqipërinë nga mundimet e pashmangshme, për të shkuar drejt në një proces ku nuk ka më kohë për të humbur, duke i anashkaluar pengesat që kapërcen vetëm me reforma. Nuk është një rritje që do na sjellë në pikën ku menjëherë, ne të themi se çfarë rrisim në ekonomi do ta prekin me dorë, të gjitha familjet në të gjithë Shqipërinë.
2.7% është një rritje reale dhe padyshim shumë pozitive, nëse kemi parasysh që deri 2 vjet me parë kishim të bënim me një trend negativ, stanjativ dhe mbi të gjitha kërcënues për ekonominë që kishte ngecur plotësisht. Sigurisht që ekonomia nuk po “fluturon”, por hap pas hapi po krijon premisat që nesër të synojmë më shumë. Nëse vitin e ardhshëm presim që të shkojmë mbi 3% rritje, përsëri nuk është rritja që do të bëjë që të preket nga çdo familje, impakti i ndryshimit ekonomik. Për të arritur tek çdo familje, që të preket nga çdo familje, ju e dini më mirë se unë, duhet të shkojë mbi 4%.
Nga ana tjetër ka diçka që nuk e thonë shifrat, diçka ku unë besoj më shumë se tek çdo shifër tjetër, që është shëndeti i marrëdhënies mes shtetit dhe sipërmarrjes. Nëse ne do të arrijmë dhe do të bëjmë çmos për ta arritur, që të forcojmë shëndetin e kësaj marrëdhënieje, parashikimet janë lehtësisht të tejkalueshme. Nëse ne do të arrijmë që së bashku ta zmbrapsim presionin e miteve për të cilin fola në fillim, e mitit të sipërmarrësit si keqbërës dhe e mitit të bashkëpunimit me sipërmarrjen si një mëkat, ne patjetër do të shkojmë shumë më tutje.
170 mijë vende pune të reja ose të formalizura nuk janë pak, nëse kemi parasysh që janë 170 mijë njerëz, të cilët ose s’kishin punë, ose punën që kishin, e kishin në të zezë; Ose ishin krejtësisht të papunë, ose në punën që bënin, ishin skllevër. Në kuptimin europian të vendit të punës, vendi i punës në të zezë nuk ekziston, nuk quhet vend pune dhe për punën në të zezë ndëshkohesh.
Ne nuk premtuam dhe nuk do ju premtojmë se do t’ju ulim juve taksat, por premtuam që nuk do t’i rrisim taksat. Përsëri, ju siguroj që ne nuk do ta rrisim tatimin tuaj të fitimit, përkundrazi, unë besoj që së bashku ne do të bëjmë gjënë e duhur dhe nëse shtytja e reformave do të vazhdojë me vendosmëri dhe pa u mbresuar nga vajtimet e kukuvajkave që zakonisht në këtë rast janë ato që nuk preken nga reformat, por preken për shkak të reformave, nuk preken se u bie të paguajnë faturën e energjisë, apo të paguajnë tatimin mbi rrogën, por preken sepse u bie të fillojnë të pajtohen me idenë se të gjitha ato kanale të errëta të qarkullimit të interesave, të influencave dhe të parave që rrjedhin prej tyre në sferën e informalitetit nuk do të jenë më.
Ne morëm një vendim shumë të rëndësishëm që nuk është thjesht financiar për ne. Është pjesë e filozofisë tonë për të ndërtuar partneritetin dhe forcuar partneritetin aty ku është edhe sekreti i mos rritjes apo rritjes, i prapambetjes, apo i zhvillimit, marrëdhënia mes shtetit dhe sipërmarrjes, mes individit dhe të marrurit me biznes. Hoqëm taksën për biznesin e vogël me xhiro deri në 50 milionë, jo thjesht për të lehtësuar financiarisht ata që merren me biznes të vogël, por për t’u thënë të tjerëve se ja ku e keni rrugën të hapur, merruni me një biznes të vogël, nuk paguani asnjë taksë, siguroni veten tuaj për shëndetin dhe për pensionin tuaj dhe jepni kuponin.
Në 20 e kusur vite kemi krijuar një hendek aq të madh mes njeriut dhe punës, duke identifikuar punën si punë në shtet dhe duke e identifikuar shtetin si punëdhënësin më të madh, sa që nuk kemi dy zgjedhje, por vetëm një zgjedhje; Të mbështetemi sa më fort te sipërmarrja, ta ngremë sa më lart vlerën që krijon sipërmarrja, t’i vendosim sipërmarrësit në të njëjtin piedestal që shoqëritë tona vendosin sportistët, këngëtarët, – këtu në Shqipëri, edhe politikanët. Kështu t’u japim edhe të rinjve një model suksesi,- dhe një rrugë për të mos i vënë asnjë fre imagjinatës së tyre, lidhur me mundësinë për t’u bërë të pasur, nëse duan të bëhen të pasur, -sipërmarrjen.
Por nuk është vetëm një anë, në këtë Shqipërinë që kemi trashëguar, marrëdhënia e drejtpërdrejtë dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e sipërmarrjes. Është i gjithë kubi apo trupi gjeometrik me shumë prizma i reformave, të cilat janë të gjitha në kantier, janë të gjitha në proces, njësoj si një operacion ku kemi ndaluar hemorragjinë dhe na duhet t’i shkojmë deri në fund pastrimit të të gjithë metastazave të një kanceri të krijuar me vite të tëra, që jo vetëm kufizoi funksionin vital të çdo organi.
Kufizoi funksionin vital të arsimit. Ne kemi – ta themi si është e vërteta – 25 vjet që nuk i shkollojmë njerëzit si duhet. Ne kemi sot, një vend që një nga burimet e sigurta të rritjes ekonomike dhe të një zhvillimi në prosperitet afatmesëm ka pasuritë e veta natyrore, naftën, gazin, ujin për energjinë elektrike, por ne nuk i kemi inxhinierët dhe teknikët, që duhet t’i kishim sot të gatshëm. E jo thjesht dhe vetëm me gatishmërinë e veteranëve të kohërave që tanimë mezi i mbajmë mend dhe që ende kanë një përkushtim të madh dhe një emocion të madh, jo vetëm për shkak të moshës, por jam i bindur se e mendojnë në mendjen e tyre “o nëne, o nëne, kur të na marrë me vete Zoti në banesën e fundit, kë do lëmë mbrapa këtu, kush do erret me naftën, me hidrocentralet apo me gazin”.
E nëse i referohemi çdo sektori ku ne kemi burimet e rritjes, sot shohim që jo vetëm duhet të përballemi me emergjencën, por nuk e kemi armatën e të shkolluarve që të bëjnë diferencën.
Unë fola për arsimin, por mund t’i marrim me radhë të gjitha funksionet vitale të organizmit të një shteti, që u imponuan të punojnë në mënyrë të reduktuar. Pa llogaritur edhe faktin se organet me njëri tjetrin, sektorët me njëri tjetrin nuk kanë pasur asnjëherë asnjë lidhje, asnjë ndërveprim. Një organizëm ku çdo organ punon më vete, ku truri jep komanda dhe komandat nuk i merr as dora, as këmba, por vetëm goja.
Reforma në energji, pavarësisht raportit direkt, por në mënyrë jo dhe aq indirekte, është një mbështetje për sipërmarrjen dhe për zhvillimin e saj. Reforma në pensione është një mbështetje për sipërmarrjen dhe për zhvillimin e saj. Reforma territoriale administrative është një mbështetje për sipërmarrjen dhe zhvillimin e saj dhe për të mos i renditur të gjitha, në radhë të parë sepse ka reduktuar në mënyrë drastike, hapësirat dhe mundësitë për korrupsion kudo ku ka një pëllëmbë interes dhe një pëllëmbë tokë për të ndërmarrë një investim.
Reforma në shërbime është patjetër një mbështetje për sipërmarrjen. Nëse ne jemi sot në një reformë të shërbimeve dhe duam të transformojmë hipotekat, një herë e mirë pas 20 e kusur vitesh, apo duam të transformojmë të gjitha sportelet e shtetit, kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen dhe për rritjen e mundësive të sipërmarrjes.
Reforma kundër informalitetit padyshim që është një mbështetje e drejtpërdrejtë për sipërmarrjen legjitime. Folëm për themelet e monumenteve. Tani, monumentet janë mbi tokë. Çfarë ka në themele e dini ju, por nuk ka më mundësi që të pranojmë një ilegjitimitet të përditshëm; nga një anë, kompani që funksionojnë sipas ligjit dhe sipas rregullave dhe nga ana tjetër, kompani të tjera që bëjnë batërdinë duke deformuar konkurrencën, duke deformuar tregun, duke deformuar rrugët e fitimit dhe duke stimuluar korrupsionin. Në fund të fundit, në mënyrën sesi funksionon gjithë sistemi i korrupsionit, informaliteti është zemra e tij.
Reforma në drejtësi është pa më të voglin dyshim, një tjetër domosdoshmëri për të pasur një sipërmarrje që në të gjithë funksionimin e vet të ndjehet e lirë. E qetë jo, se të qetë, ju nuk do të jeni kurrë, se keni marrë përsipër të merreni me biznes. Nuk dua t’ia ndjell asnjërit, por gjithnjë më kujtohet fjala e Luan Bregasit, në 25 vjet ka pasur shumë prej jush që janë ndarë nga jeta me infarkt. Asnjë politikani deri më tani nuk i ka rënë infarkt. Kështu që stresi është i juaji, më shumë sesa i të tjerëve. Por ama për të pasur mundësinë për të garuar në një fushë ku konkurrencën e bëjnë idetë, e bën kurajo, merita dhe gjithë faktorët e tjerë, por nuk e bën korrupsioni dhe informaliteti.
Reforma në drejtësi do bëhet, ose do të bëhet!
Mos humbni shumë kohë, duke dëgjuar kush thotë çfarë. Reforma në drejtësi do bëhet, ose do të bëhet, sepse është një imperativ i pashmangshëm i një momenti historik, që është shumë më i fortë sesa të gjithë ne sëbashku.
Në mbyllje dua t’ju citoj një fjalë të Volterit, i cili thotë: “Nuk është e mjaftueshme të duash të bësh mirë, po të veprosh si duhet.”
Ky është thelbi i reformave. Unë nuk mendoj se të gjithë ata që i kundërvihen reformave, apo gjithë ata që dalin nëpër mexhlis me peshqirë duke qarë për të varfrit, e bëjnë për politikë. Unë besoj se ka edhe njerëz që i kundërvihen reformave se vërtetë i vjen për të qarë në publik për të varfrit. Dhe të varfrit janë gjithmonë mishi për top, kudo ku ka reforma. Mënyra më e thjeshtë dhe më hileqarë për t’ju kundërvënë reformave është të mbash me hipokrizi anën e të varfërve dhe të thuash po preken të varfrit.
Problemi është se në 25 vjet, ne nuk kemi arritur t’i nxjerrim të varfrit nga varfëria, pikërisht se nuk kemi bërë reforma. Të thuash se reformat përbëjnë një operacion që trupi i rraskapitur i Shqipërisë nuk e mban dot, do të thotë të thuash që një trup me kancer nuk e operojmë, duhet të lëmë të vdesë, ose të shpresosh që do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe trupi do të ngrihet vetë në këmbë, ose ka dhe kështu, të mendosh që ky trup nuk meriton më shumë, le të rrijë aty i shtrirë, ta shtyjë në agoninë e vet, as mos e ngacmo me operacion dhe as mos pretendo që të ndodhë ndonjë mrekulli e të ngrihet në këmbë.
Edhe ky çmim është një shprehje simbolike e filozofisë tonë të re në raport me sipërmarrjen. Me siguri që askush nga ju nuk ka nevojë për këtë çmim, por kemi nevojë ne që, edhe përmes këtij çmimi, t’ju themi ju dhe të gjithë sipërmarrësve që jemi shumë të vetëdijshëm për vlerën e shtuar që ju krijoni çdo ditë, jemi shumë të vetëdijshëm se vetëm nëpërmjet jush, nëpërmjet kulturës së sipërmarrjes, shpirtit të sipërmarrjes, rritjes së sipërmarrjes, ne mund t’i fitojmë sfidat dhe në radhë të parë, sfidën me varfërinë.
Problemi nuk janë të pasurit, problemi është varfëria. Pikërisht për këtë arsye, ne sot jemi këtu, në këtë edicion, për t’ju dhënë juve këtë vlerësim. Një vlerësim që i shkon sigurisht atyre që zgjidhen, atyre që përzgjidhen nga të zgjedhurit, por është një vlerësim për sipërmarrjen. Në fund të fundit, “Blerta e Artë” është sipërmarrja shqiptare, politika është “grerëza”.
Tani duhet të jap dhe unë një çmim. Para se të them emrin e fitueses, dua që t’ju siguroj se përveç 5 kandidaturave të përzgjedhura që pashë, vetëm këtu në sallë ka me siguri edhe 5 të tjera që do meritonin të ishin kandidate për këtë çmim, ndërkohë jashtë sallës ka ende më shumë. Unë dua ta rithem që pa i hequr asnjë meritë drejtorit të OSHEE-së, pa i hequr asnjë meritë të gjithë atyre që janë në pozicion administratori dhe i përkasin anës tonë, të burrave, është pak, po e sigurt dhe besoj se edhe ju në kompanitë tuaja e konfirmoni që gratë dhe vajzat kanë një shqisë më shumë në aftësinë për të administruar. Më bëri përshtypje fakti që këtu dolën 2-3 përfaqësues të kompanive dhe ishin të gjitha gra. Nuk pashë asnjë burrë të dilte e të thoshte se kam ardhur unë, se pronari nuk është këtu. Nga mënyra sesi ato u shprehën ishin absolutisht të shkëlqyera dhe dukej se e meritonin besimin e sipërmarrësve.
Atëherë, për “Bletën e Artë 2015”, administratorja e vitit për kategorinë “Femër”, fituesja është Ogerta Manastirliu. Zëre se e shoh që tani që do të jetë një çmim kontrovers, sepse Ogerta punon në frontin ndoshta më të vështirë, që është shërbimi spitalor. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që shërbimi spitalor nuk është ende ai që shqiptarët meritojnë dhe që ne duam dhe do të bëjmë. Unë ju uroj mos paçi kurrë nevojë që të shkoni në QSUT, por nëse do keni dhe nëse keni pasur nevojë më përpara, jam i bindur që do të shikoni ndryshime shumë të rëndësishme që janë bërë në atë institucion dhe që do të vazhdojnë të bëhen edhe në periudhën e dytë të mandatit tonë, për ta bërë jo thjesht një shërbim cilësor, por një model me të cilin ne mund të themi “ja sesi mund të jetë ndryshimi i gjithë shërbimit tonë spitalor.”
***
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe me mbështetjen e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Biznes Albania, organizoi mbrëmjen gala “Bleta e Artë 2015 ” për vlerësimin e sipërmarrjeve më të mira të vitit.
Qëllimi i këtij eventi, të kthyer tashmë prej tre vitesh në një traditë, është promovimi i sipërmarrjes shqiptare dhe punës e kontributit të saj në zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin.
Një mbrëmje me dhe për sipërmarrjen, e cilësoi Ministri Ahmetaj eventin, për të shprehur mirënjohje dhe vlerësim për ata që përpiqen dhe ia dalin në një terren ekonomik që jo gjithmonë ka qenë i lehtë dhe miqësor në 25 vite.
Gjatë mbrëmjes u nominuan 48 biznese në 12 kategori të ndryshme, për të cilat u përzgjodh një fitues. Të nominuar ishin edhe 10 administratorët publikë të vitit në kategorinë “Femra” dhe “Meshkuj”.
Më poshtë kategoritë e çmimeve dhe fituesit për çdo kategori:
1. Made in Albania- Musai Olive Oil
2. Sipërmarrja inovative – Çelësi Media Group
3. Gruaja Sipërmarrëse – Eleni Babameto
4. Vula e Cilësisë – Agro.al
5. Përgjegjësi Sociale – Bloja sha
6. Sipërmarrësit e rinj- D&D
7. Sipërmarrje në kulturë – Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim
8. Sipërmarrje në industri – Dekoll
9. Biznesi i Vogël – M.C.P
10. Shija e Posaçme – Rapsodia
11. Mikpritja e Spikatur – Hotel Tirana International
12. Punësim – Ama Dress
Adminsitratori më i mirë i vitit në katëgorinë “Femër” u shpall Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, Ogerta Manastirliu dhe administratori më i mirë i vitit në kategorinë “Mashkull” u shpall Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela.