Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Rama mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me BB për projektin e ri të furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit:

 

Në radhë të parë, dëshiroj që të shpreh kënaqësinë, që më në fund, pas një kalvari të gjatë edhe pas një rruge të vështirë, ku, fatkeqësisht, koston e paguan qytetarët dhe banorët e gjithë kësaj zone dhe jo vetëm të qytetit të Durrësit, ne jemi këtu sot, për të nënshkruar atë që kemi përgatitur në një kohë rekord, krahasuar me kohën e humbur, deri para pak muajsh; Marrëveshjen për të nisur menjëherë nga puna dhe për të hapur rrugën e një transformimi rrënjësor që do të kthejë Durrësin dhe të gjithë këtë territor, nga një zonë me një sëmundje kronike për shkak të një sistemi të degraduar furnizimi, nga një zonë e etur për ujë, në një zonë që do të furnizohet rregullisht me ujë. Ku, jo vetëm të gjithë ata që banojnë, por dhe ata që vijnë në numra shumë të mëdhenj, sidomos gjatë verës, këtu në Durrës, të mos ankohen më, me të drejtë, për mungesën e ujit.

Po ashtu, jam shumë i kënaqur që dhe impianti që prej vitit 2011 kishte përfunduar, por mbeti i bllokuar dhe nuk u vu në punë, për përpunimin e ujërave të zeza, sot është në punë. Një pjesë e konsiderueshme e ujërave të zeza përpunohen me standardet më të larta ndërkombëtare dhe kanë krijuar bazën që bashkë me projektin e ri të kemi një sistem të integruar, qoftë të furnizimit me ujë, qoftë edhe të përpunimit të ujërave të zeza, që nuk duhet të derdhen më në det në sytë e turistëve, por do të kalojnë në një proces, nga ku në fund fare edhe vetë çka mbetet nga ujërat e zeza do të vlejë për sektorin bujqësor.

Sot, është një ditë e shënuar edhe pse të them të drejtën u bënë shumë vite gati një çerek shekulli që Durrësi e pret me një durim dhe njëkohësisht me një zhgënjim të vazhdueshëm ujin në rubinet, sepse nga sot nis projekti që i jep fund gjithë këtij kalvari të gjatë dhe të pamerituar për të gjithë zonën dhe për të gjithë banorët e paqtë dhe përgjithësisht shumë korrekt të Durrësit dhe të gjithë kësaj zone.

Unë dua që të shpreh bindjen se falë kësaj marrëveshje, por edhe falë bashkëpunimit të vendosur, në themelin e kësaj marrëveshje mes qeverisë, Ministrisë së Transportit dhe të Infrastrukturës, ku një rol të posaçëm ka pasur vetë ministri Haxhinasto dhe Bashkisë së Durrësit bashkë me të gjithë njësitë e tjetra vendore. Dua ta çmoj rolin e kryetarit Dako, jo vetëm si kryetar i bashkisë së Durrësit, por edhe si promotor i këtij koordinimi të realizuar mes njësive vendore. Marrëveshja, na vë, në kushtet që ne të garantojmë jo vetëm një investim kaq të rëndësishëm, me një volum kaq të konsiderueshëm për buxhetin e përgjithshëm të investimeve, qoftë nga taksapaguesit direkt nëpërmjet buxhetit të shtetit, qoftë nga donatorët, por të garantojmë edhe standardet më të larta. Standarde që do të sigurojnë, jo vetëm punën e përditshme, por edhe punën në afat të gjatë që i gjithë sistemi do të bëjë në shërbim të qytetarëve.

Është një ditë e shënuar, po ashtu, sepse vendosim një tjetër gur në murin e sigurt të bashkëpunimit tonë me BB. Unë dua ta falenderoj jo formalisht dhe as sepse kështu është zakoni, Drejtoren Rajonale të Bankës Botërore, zonjën Goldstein, por sepse u angazhua bashkë me zyrën në Tiranë, intensivisht, që gjithë koha e humbur për vite të mund të ndalej si kohë e humbur dhe të kthehej në një kohë të vënies së gjithë forcave tona të përbashkëta në punë.

Është një sfidë e madhe. Është një sfidë e përbashkët. Është një sfidë e qeverisë dhe e pushtetit vendor, por është një sfidë edhe në kuadrin e reformës rrënjësore që ne do t’i bëjmë sistemit tonë të ujit. Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për burime ujore dhe jemi ndoshta i vetmi vend në botë që nuk ka në kontroll burimet veta ujore. Përkundrazi, është kampion i pa konkurrueshëm i shpërdorimit të këtyre burimeve, të kësaj pasurie shumë të madhe, nga e cila jo vetëm që nuk përfitojnë ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë, por Shqipëria humbet përditë, ndërkohë që duhet të fitojë përditë.

Ne do ta reformojmë rrënjësisht këtë sistem. Shembulli i dhënë nga Bashkia e Durrësit, së bashku me njësitë e tjera, që në vetëm më pak se tre muaj ka rritur ndjeshëm performancën e ndërmarrjes së sapomarrë në dorëzim, të ujësjellësit, tregon se mundësitë janë të gjitha që ne të bëhemi normalë në trajtimin me dinjitet të kësaj pasurie të madhe që na e ka falur Zoti apo natyra dhe që ne kemi detyrimin ta kthejmë në burim mirëqenie për njerëzit tanë, sot dhe nesër.

E pra, ky është një kantier që s’ka të bëjë vetëm me ekskavatorët, me tubacionet, me tullat e me llaçin, por ka të bëjë edhe me vënien në jetë të një koncepti të ri të administrimit të kësaj pasurie. E njëkohësisht, me transformimin e marrëdhënieve mes qeverisë kombëtare dhe qeverisjes vendore, në funksion të qytetarëve, sepse ashtu sikundër për një kryetar bashkie dhe për një bashki, qytetarët nuk janë të ndarë në tanët dhe të atyre, ashtu edhe për qeverinë kombëtare, pas 23 qershorit, nuk ka më të tanët dhe të atyre, nuk ka më bashki të tonat dhe të atyre, nuk ka më komunat tonat dhe të atyre, por ka komunitete njerëzish të zakonshëm, familjesh të zakonshme ku lindin dhe rriten fëmijë, ku të moshuarit meritojnë vëmendje dhe që meritojnë si komunitete kujdesin dhe njëkohësisht, edhe shprehjen më të lartë, të përditshme, të vullnetit tonë që me punë, me punë, me punë të transformojmë jetën e tyre.

Ky është një transformim që fillon sot dhe që, në një kohë të afërt, qytetarët dhe banorët e gjithë kësaj zone do të mund ta prekin si një transformim real në jetën e tyre të përditshme, pasi nga mesatarisht 6 orë ujë në ditë, ku disa mund të kenë një çikë më shumë, po ka plot që nuk kanë fare, banorët e kësaj zone, familjet e kësaj zone, komunitetet e kësaj zone do të kenë furnizim të rregullt me ujë. Nga ana tjetër, kjo zonë me potencial turistik, që është treguar gjithmonë si vendi i turizmit, nuk do të jetë më një zonë, ku për turp, ujërat e zeza derdhen në det dhe ku njerëzit notojnë mes detit dhe ujërave të zeza. Është një histori së cilës ne jemi të vendosur t’i japim fund dhe do t’i japim fund një orë e më parë. Brenda këtij mandati qeverisës, kjo faqe e errët e historisë së ujit dhe të higjienës në Durrës do të kthehet një herë e përgjithmonë, për të hapur një kapitull të ri normaliteti. Një kapitull ku ky problem do të jetë një problem që do të ngjajë sikur nuk ka ekzistuar kurrë, sepse do të mbetet në të shkuarën.

Faleminderit.

 

***

 

 

Njoftim i përbashkët për shtyp

 

Banka Botërore ndihmon në dyfishimin e furnizimit me ujë për qarkun e Durrësit

Firmoset marrëveshja për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit

 

Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosën sot marrëveshjen për huanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit, në shumën 85.3 milionë dollarë amerikanë. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri Tahseen Sayed.  Ceremonia u mbajt në Bashkinë e Durrësit në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Drejtoreshës së Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, krerëve të pushtetit vendor si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2013.

Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe përmirësimin e performancës financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Projekti synon të përmirësojë dhe zgjerojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, qytetin e dytë më të madh, një nga destinacionet kryesore turistike dhe portit kryesor në vend. Kjo do të arrihet përmes investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit që lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe ul humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Ky projekt, gjithashtu, do të mbështesë investime në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjen e kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza.

Qeveria i ka dhënë përparësi sektorit të ujit dhe sidomos në zonën e Durrësit. “Ky është një transformim që fillon sot dhe që, në një kohë të afërt, qytetarët dhe banorët e gjithë kësaj zone do të mund ta prekin si një transformim real në jetën e tyre të përditshme, pasi nga mesatarisht 6 orë ujë në ditë, banorët e kësaj zone do të kenë furnizim të rregullt me ujë”, tha Kryeministri Rama. “Nga ana tjetër, kjo zonë me potencial turistik, që është treguar gjithmonë si vendi i turizmit, nuk do të jetë më një zonë, ku për turp, ujërat e zeza derdhen në det dhe ku njerëzit notojnë mes detit dhe ujërave të zeza. Është një histori së cilës ne jemi të vendosur t’i japim fund dhe do t’i japim fund një orë e më parë. Një kapitull ku ky problem do të ngjajë sikur nuk ka ekzistuar kurrë, sepse do të mbetet në të shkuarën”.

“Investimet e projektit pothuaj do ta dyfishojnë furnizimin me ujë në Durrës duke mbuluar nevojat për ujë në të gjithë rajonin deri në 2030, tha Ellen Goldstein, Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore. Kjo marrëveshje do të ndërtojë gjithashtu, kapacitete institucionale dhe sisteme më të të mira për të menaxhuar furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Ne mbështesim veçanërisht një partneritet të ri midis pushtetit qendror dhe atij lokal, në mënyrë që njësitë e pushtetit lokal të fuqizohen përgjatë kohës dhe të menaxhojnë ndërmarrjet e ujit dhe të marrin përgjegjësitë për ofrimin direkt të shërbimeve që lidhen me ujin banorëve të tyre.”

Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë punuar së bashku në disa projekte për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e ujërave të ndotura, për të forcuar kapacitetet dhe zbatuar reforma institucionale në këtë sektor.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.