Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, në Bruksel:
Presidenti Juncker: Zonja dhe zotërinj, kam kënaqësinë e madhe të mirëpres përsëri mikun tim Edi, në Bruksel, në një pikë kritike të udhëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Nesër bëhen 13 vjet nga dita kur Shqipëria dhe Bashkimi Europian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, për të forcuar marrëdhëniet tona dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të prekshme europiane. 13 vjet më pas, ju, shqiptarët keni përparuar dukshëm në këtë rrugëtim. Kjo dëshmon forcën dhe vendosmërinë e shqiptarëve dhe angazhimit personal të Kryeministrit. Përpjekja është e përbashkët dhe drejtohet nga vullneti i popullit.
Një anketë e zhvilluar së fundi nga Bashkimi Europian tregoi se 88% e shqiptarëve janë pro Bashkimit Europian dhe 92% kishin qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në BE. Kjo e bën Shqipërinë një nga vendet e Europës me më shumë besim në Bashkimin tonë, duke lënë pas disa nga anëtarët e bllokut.
Vlerësimi i Komisionit muajin e kaluar tregon që ju keni zhvilluar reforma të thella e domethënëse në sistemin e drejtësisë. Keni bërë përparime edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në reformën administrative. Duhet t’i them miqve të mi shqiptarë që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka rëndësi jetësore për shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka pasur rezultate të prekshme, me 140 çështje të shqyrtuara. Pothuajse 80% e shqiptarëve e mbështesin këtë reformë dhe pjesa më e madhe e tyre besojnë që ajo ka pasoja pozitive për jetën e tyre dhe të vendit. Në fund, kjo është pse duhen reformat. Nuk duhet të zhvillohen për të mirën e institucioneve europiane, ose për t’ia hedhur kritereve. Ato realizohen për njerëzit e Shqipërisë, që të jetojnë në një shoqëri të drejtë, me një shtet ligjor të respektuar dhe sistem drejtësie të besuar. Nuk ka arsye më të rëndësishme se kjo, për të vazhduar këtë proces kaq mbresëlënës.
Siç e kam thënë gjithnjë, vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit bazohet tek meritat dhe tek rezultatet e prekshme në fushat e nevojshme. Për Komisionin Europian, bazuar në një vlerësim objektiv, Shqipëria është gati për hapin tjetër, prandaj e kemi përsëritur rekomandimin ndaj Këshillit që të nisë negociatat për anëtarësim. Megjithatë ka disa pengesa për të kapërcyer, por duhet të ritheksoj këtu, që i kishim drejtuar kërkesa autoriteteve shqiptare dhe ato na i kanë plotësuar. Bashkimi Europian do të duket si një organ i dobët në kontinent, nëse ne kërkojmë nga një vend të bëjë këtë dhe atë dhe nëse ky vend na i plotëson kërkesat, s’kemi pse i themi jo aspiratave europiane të këtij vendi. Nuk do i them jo aspiratave të Shqipërisë që të bëhet anëtar, të nisin negociatat me BE-në. Unë jam në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, sepse Shqipëria ka bërë detyrat.
Nuk është sekret që disa nga shtetet anëtare kanë shqetësime lidhur me disa fusha. E sigurova, Kryeministrin, mikun tim, që jam i gatshëm të shpjegoj dhe mbroj çdo pikë të vlerësimit tonë në mbështetje të procesit. Por Kryeministri e di më mirë se kushdo që puna nuk ndalon në qershor, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave, sepse duhet të vazhdohet me reformat me më shumë ritëm dhe të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Progresi i arritur me mbështetjen e Europës kundër prodhimit dhe trafikimit të kanabisit është shembull i asaj që mund të arrihet.
Dua të theksoj, edhe pse është një çështje e vështirë, rëndësinë që ka uniteti politik në arritjen e qëllimeve të Shqipërisë. Të gjitha partitë politike në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Zgjedhjet janë parashikuar për në fund të qershorit, qytetarët nuk duhet të pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Nuk mund të bllokosh shprehjen e vullnetit të qytetarëve shqiptarë, prandaj mendoj, pa ndërhyrë në këtë debat të brendshëm, që zgjedhjet duhet të zhvillohen, përndryshe perspektiva europiane e Shqipërisë do të vonohet.
Jam i lumtur të dëgjoj fjalët e Kryeministrit dhe gëzohem që ato për të cilat kemi rënë dakord, kur isha për vizitë në mars 2018, ai i ka realizuar. I ka mbajtur premtimet, prandaj jam në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, sa më shpejt, në verë ose në fillim të vjeshtës.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë zoti President dhe i dashur Jean Claude!
Jam shumë mirënjohës për atë që kemi bërë bashkë me Komisionin, me ju vetë, në një rrugë jo të lehtë reformash dhe që kanë arritur siç vlerëson raporti i Komisionit Europian, një bazë kritike rezultatesh për implementimin e reformave transformuese dhe të 5 prioriteteve kyçe. Dhe siç ramë dakord, rinovimi i rekomandimit të Komisionit për Këshillin për hapjen e negociatave me Shqipërinë, jep realisht një pamje objektive në njohjen e rezultateve të prekshme dhe në të njëjtën kohë, të reformës gjithëpërfshirëse dhe tërësore të drejtësisë që Shqipëria ka ndërmarrë dhe të arritjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithashtu.
Unë e di, siç ju sinqerisht dhe hapur e theksuat, që jo të gjithë janë të vendosur siç ju jeni, si shumica e shteteve anëtare janë, por në të njëjtën kohë, unë mendoj, siç edhe ju e thatë, që është koha për Europën që të bëjë atë që ne presim pasi kemi bërë detyrat, të na njohin meritën dhe të na ndezin dritën jeshile për hapjen e negociatave, që sigurisht nuk është fundi, por vetëm një fillim i ri i një kapitulli të ri, që do dojë shumë përpjekje dhe që do kërkojë kohë dhe durim.
Në të njëjtën kohë, unë do doja të thoja publikisht që nuk e bëjmë sepse na e ka kërkuar Brukseli, apo kryeqytete e tjera, por e bëjmë për hir të vendit tonë dhe për hir të fëmijëve tanë dhe të vizionit të përbashkët se si vendi duhet të duket dhe si Shqipëria duhet të jetë për gjeneratën e ardhshme.
Gjithashtu jam shumë i lumtur të riafirmoj që ne kemi besim tek mbështetja juaj, tek besnikëria juaj, tek miqësia juaj dhe gjithashtu kemi besim që deri në momentin që vendimi do të merret, secili do jetë në bord për t’i dhënë shqiptarëve asgjë më shumë e asgjë më pak se ajo që meritojnë.
Në të njëjtën kohë dua gjithashtu t’ju falenderoj për qëndrimin e qartë rreth situatës në Shqipëri, që është një çështje e brendshme që duhet të zgjidhet nga institucionet shqiptare, por që sigurisht është edhe për Shqipërinë europiane, është edhe për rrugën tonë të integrimit që zgjedhjet duhet të ndodhin në kohë dhe askush nuk duhet të ndalohet të marrë pjesë në zgjedhje, sikundër secili është i lirë të mos e bëjë.
–Zoti President, përmendët zgjedhjet e 30 qershorit, do doja të dija mendimin tuaj për përpjekjet e Presidentit të Shqipërisë për t’i anuluar zgjedhjet?
Presidenti Juncker: Nuk dua të ndërhyj në këtë debat të brendshëm mes Presidentit dhe qeverisë, por gjithnjë e kam shprehur mendimin tim. Nëse zgjedhjet duhet të zhvillohen, askush s’duhet të pengohet në shprehjen e opinioneve politike dhe demokratike, pra, pa ndërhyrë në këtë proces, mendoj se këto zgjedhje duhet të zhvillohen. Nëse nuk zhvillohen, do të dëmtonin perspektivën europiane të Shqipërisë.
–Në mendimin tuaj, a është mision i pamundur tani të bindësh ato shtete që hezitojnë lidhur me nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor, duke marrë parasysh që kemi katër shtete anëtare: Gjermania, Holanda, Franca e Danimarka, që preferojnë ta marrin vendimin në tetor e jo në qershor?
Presidenti Juncker: Nuk është një mision i pamundur. Duhet t’ia shpjegojmë atyre që hezitojnë, kryesisht për arsye të politikave të brendshme, jo për arsye kontinentale, pse ne mendojmë se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë në muajt e ardhshëm. Nuk po fokusohem te qershori, sepse duhet që Parlamenti ta miratojë dhe nuk ka sesione në qershor, prandaj mund të bëhet më vonë, por kam bindjen se duhet ta bëjmë shumë të qartë që ka ardhur koha të hapim negociatat me Shqipërinë.
Kryeministri Rama: Ndjesë, por më duhet ta përdor sa më mirë kohën këtu me Presidentin e Komisionit, kështu që nuk koha tani për t’u përgjigjur për Presidentin e vendit. Do të kemi gjithë kohën për ta bërë këtë, sapo të mbaroj misionin tim këtu, të falënderoj Presidentin e Komisionit dhe të kthehem.
Përveç se po përqendroheni te Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, këtë here ju dhe Komisioni juaj keni një funksion në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Mendoni që Komisioni mund të vazhdojë me këtë proces në këtë periudhë dhe a shihni ndonjë mundësi që Prishtina të heqë taksat që të mund të vazhdojë dialogu?
–Ju përmendni herë pas herë unifikimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. A është kjo një strategji, apo një lloj presioni për ndoshta Beogradin e Prishtinën, apo BE vetë?
Presidenti Juncker: Gjithnjë kam qenë për një dialog konstruktiv mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk jam i kënaqur me faktin që ky proces nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe i shtyj të dyja palët të bëhen më të kuptueshëm me pozicionin e tjetrit. Nëse kjo mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nuk zgjidhet, nuk do të ketë asnjë shans për Serbinë dhe Kosovën të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian. Nuk duam të importojmë destabilitet në Bashkimin Europian, duam të eksportojmë stabilitet vendeve të tjera.
Në pyetjen e dytë, që i drejtoni mikut tim, flasim për diçka krejt tjetër. Mendoj që nuk ka kuptim fare të përfytyrosh atë që disa në rajon imagjinojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk duhet bërë sepse dëmton procesin e bashkimit të kontinentit.
Kryeministri Rama: Unë gjithmonë kam ëndërruar për diçka më të madhe, por nuk është Shqipëria e madhe, por një Europë më e madhe, me shqiptarët, serbët, Maqedoninë e Veriut dhe gjithkënd brenda, “de jure”, sepse jam i sigurt se shumica e njerëzve edhe në disa nga Parlamentet e vendeve anëtare që flasin me skepticizëm për Ballkanin Perëndimor dhe ne, nuk e dinë që Ballkani Perëndimor është brenda kufijve europianë, ne rrethohemi nga kufij europiane, ne jemi organ i trupit, por jo në vendin e tij në BE. Kështu që ju duhet të bëni një zgjedhje, çfarë do të bëni me këtë organ, ta lini të rrjedhë jashtë, apo ta fusni brenda, ta lini të rrjedhë jashtë dhe të krijojë probleme edhe për vetë trupin, apo ta bëni pjesë të trupit dhe secili të jetë në vendin e vet. Kështu që po, unë ëndërroj në diçka më të madhe se Shqipëria, por ajo është një Europë më e madhe. Faleminderit.
Presidenti Juncker: Në fakt, kjo nuk është një lojë, nuk është lojë, është shumë e ndërlikuar, mund të them një rajon strategjik i kontinentit Europian nuk ka të drejtë të luajë. Pozicioni im mbështet fort perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Është e vështirë sepse kanë probleme mes tyre, por duhet t’i garantojmë ata që jetojnë në atë rajon se perspektiva europiane është e vërtetë. Pra, mendoj që hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë është pjesë e asaj strategjie, që s’është as strategji, po vlerësim i meritave të popullit shqiptar. Pra, nuk do tërhiqem nga vendimi që Komisioni ka marrë javën e kaluar. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë vendin në Bashkimin Europian, prandaj duhet t’i hapim negociatat e anëtarësimit me të dyja vendet, pa i ndarë.