Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me fermerë mbi buxhetin 2022 për sektorin e bujqësisë:

 

Përshëndetje dhe faleminderit të gjithëve, sidomos atyre që janë munduar më shumë për të ardhur deri këtu dhe, pavarësisht kohës së shkurtuar për të ardhur nga Dibra, sidoqoftë është rrugë për t’u bërë dhe unë i jam mirënjohës, qoftë atyre që kanë ardhur nga Dibra e qoftë atyre që kanë ardhur nga jugu i vendit apo nga pjesë të tjera të vendit, këtu.

Falenderoj dhe kryetarin e njësisë bashkiake, i cili është një nga shembujt tanë më të mirë.

Dua të prek disa elementë, pa hyrë në të gjitha ato që parashtroi ministrja dhe dua ta filloj me elementin që ka krijuar edhe atë konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar dhe në disa protesta, të cilat janë legjitime, por për të cilat unë besoj se ata që kanë marrë pjesë, në një masë të madhe, janë të keqinformuar.

Çfarë ka ndodhur, në fakt, është shumë e thjeshtë në shifra, dhe pse ne kemi vendosur ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin, se këto janë pastaj të nevojshme për të kuptuar që është hedhur një hap përpara, jo mbrapa.

Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6%, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë tek fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar, dhe shifra, në fund fare, ka rezultuar një shifër modeste, por mbi të gjitha një shifër  e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj, që jo domosdoshmërisht ka shkuar tek fermeri. E duke qenë se në këtë fazë, në këto vite, i gjithë sistemi i grumbullimit ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverisë dhe posaçërisht e AZHBR dhe duke qenë se grumbulluesit sot, janë një forcë e re, e krijuar në një treg që pa grumbullimin është i destinuar vetëm të mbijetojë në ankthin e falimentit, unë besoj se dhe grumbulluesit do ta mirëkuptojnë këtë që po them sepse ne, jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por përkundrazi, kemi bërë çmos që të rriten dhe të forcohet.

Ama, në këndvështrimin tonë, ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend që të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku siç thashë, pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit, të shkojë drejtpërdrejtë për produktivitetin, jo duke u marrë nga buxheti i shtetit për të tjera gjëra, por duke iu dhënë ministries, buxhetin.

Kini parasysh që një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3,5 miliardë, sa mund të impaktohet nga vetëm 9 milionë? Flas për miliardë dollarë, si veprimtari. Sa mund të impaktohet, ndërkohë që me këto milionë mund të bëjmë shumë, duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë dhe duke synuar produktivitetin.

Për të ardhur tek produktiviteti, dua të them që është shumë e rëndësishme të kuptohet që sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë strukturohet së brendshmi sektori me grumbullues, prodhues të fuqishëm, tregtues, aq më e pamundur bëhet që në këtë sektor të jetosh dhe të mbijetosh i vetëm.

Është trendi i zhvillimit që kërkon krijimin e sinergjive dhe aty ku shohim sukses, shikojmë sinergji të caktuara mes atij që është në parcelë, atij që e grumbullon prodhimin dhe pastaj forcës së krijuar, qoftë nga grumbulluesi apo së bashku me të tjerët për ta shitur prodhimin. Nuk mundet dot, është e pakonceptueshme të shkosh më tutje, duke qëndruar tek parcela jote, duke prodhuar për pjesën tënde dhe pastaj natyrshëm që do dalësh në rrugë dhe do kërkosh nga qielli të të shitet prodhimi sepse nuk shitet.

Këtu u prek një pikë shumë nevralgjike, që edhe për grumbulluesit, edhe për prodhuesit, edhe për agro-përpunuesit është e domosdoshme që të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe të jenë të orientuar për të mos prodhuar dhe investuar në drejtime që pastaj rezultojnë se janë drejtimë në kundërshti me tendencën e tregut.

U përmend molla starkinge këtu. Është një nga shembujt më domethënës se si mund të shkosh t’i biesh murit me kokë, duke investuar gabim pa e lexuar tendencën e tregut. E çfarë duhet t’u bëjë shteti atyre që insistojnë tek molla starkinge, të shkojë shteti tua blejë? Nuk është shteti që blen prodhimet sot, nuk është shteti që sot garanton tregun. Është sipërmarrja bujqësore, tregu vetë dhe mirëkuptimi nga ana e sipërmarrjes e tendencave të tregut.

Ajo që bën Ministria e Bujqësisë, ajo që bën shteti është lehtësimi i këtyre fazave, duke rritur informimin, duke rritur kapacitetin orientues dhe mbi të gjitha, duke u fokusuar me fondet në dispozicion, aty ku tregu është interesant për fermerin, jo duke i shpërndarë paratë në të gjitha drejtimet, siç është bërë në të kaluarën edhe për mollët starkinge, që në fund rezulton humbje për të gjithë.

Kur flasim për produktivitet, flasim për maksimizimin e këtyre fondeve që ne vëmë në dispozicion të bujqësisë, duke i investuar në mbështetje të atyre modeleve që rrisin produktivitetin, duke fuqizuar ata shembuj që pastaj bëhet fuqi tërheqëse për të tjerët. Këtu nuk jemi duke folur për një realitet imagjinar, po flasim për një realitet që në Shqipëri është prezent, nga veriu deri në jug, me shembuj kuptimplotë prej të cilëve duhet mësuar dhe nga të cilët duhet kuptuar.

Për fat të keq, në botën ku jetojmë, këta shembuj nuk bëjnë lajm, por është falë këtyre shembujve që ne sot kemi një rritje të eksporteve bujqësore të paimagjinueshme disa vite më parë.

Atyre që nga smartphone-i bëjnë komente në Facebook që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, gjithçka ka marrë fund, u them që jeni “out” nuk dini se çfarë flisni. E kundërta është e vërtetë.

Mjafton të shikojmë faktet dhe nuk ka nevojë të humbasim në shumë shifra. Mjaftojmë të shikojmë eksportet.

Rritja e përvitshme e eksporteve bujqësore tregon vetë, nuk ka nevojë të diskutojë gjërë e gjatë.

Eksportet bujqësore rriten sepse rritet prodhimi.

Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet grumbulluese.

Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet tregtuese të vendit.

Ashtu sikundër, mjafton të shikojmë tokën që punohet. Si paska shkuar mbrapsht kjo punë kur në 2013 kishim 120 mijë hektarë tokë e ujitshme, sot kemi 255 mijë hektarë? Jemi në kushtet ku punojmë dyfishin e sipërfaqes së ujitshme në Shqipëri.

Pse e punojmë dyfishin e tokës ne sot?

Sepse kemi investuar fuqishëm në 230 mijë hektarë sipërfaqe, duke rihabilituar ujitje dhe kullim. Pse nuk punohej toka deri disa vite më parë? Sepse nuk kishte as ujë, as kullim.

Tjetra që është e rëndësishme janë digat. Të tëra të lëna në mëshirë të fatit. Sot jemi në kushtet kur kemi 40 diga të rehabilituara dhe vazhdojmë punën për rehabilitimin e mëtejshëm të tyre dhe 80 kilometra argjinatura mbrojtëse komplet të rehabilituara.

Për të shkuar më tutje tek vlera e eksporteve, kemi kapur 400 milionë. Një shifër e pamendueshme, deri 7-8 vjet më parë. 400 milionë të cilat, mund, duhet dhe do t’i rrisim. Ne duam të shkojmë në 1 miliardë eksporte, të kombinuara padiskutim mes bujqësisë dhe peshkimit.

Këtë objektiv ne jemi të bindur që mund ta arrijmë dhe do ta arrijmë.

Shikoni çfarë ndodh me fondet e Bashkimit Europian. E kemi rritur eksponencialisht  kapacitetin për të financuar bujqësinë sepse e kemi rritur kapacitetin për të përfituar fonde nga Bashkimi Europian. Ishim të fundit në rajon për kapacitetin thithës të fondeve të bashkimit Europian, që i shkojnë drejtpërdrejt sektorit. Jemi vendi i parë në rajon. AZHBR, falë drejtimit të Fridës në radhë të parë dhe një ristrukturimi të plotë e ka bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon për fonde dhe gjithë këto fonde, bashkuar me fondet e buxhetit, e çojnë fondin për bujqësinë në 2022 të jetë i pakrahasueshëm me 2021, jo më, me vitet e tjera.

Nga të gjitha këto fonde, siç mëson praktika e Bashkimit Europian, siç mëson praktika e gjithë grumbulluesve, agro-përpunuesve, të atyre që kanë investuar në agro-turizëm, kërkon dije, kërkon të reflektohet, analizohet, të konceptohet si duhet projekti, të shkruhet si duhet. Nuk mund të hidhen para lart e poshtë “Hajde se po ndihmojmë bujqësinë”.

Nuk i kemi kushtet që të kemi luksin që një qindarkë të vetme t’i çojmë kuturu, sic ka ndodhur për vite e vite të tëra më parë, hidh para e  pastaj mos pyet cfarë merr mbrapsht, që për cdo qindarkë që t’i çon, ekonomia të marrë mbrapsht të paktën 2, por jo të humbasë 2 dhe të dalë në gropë.

Në këtë aspekt, jemi shumë të bindur që ky vit do bëjë një tjetër hap të madh përpara, duke pasur parasysh që tani që flasim kemi një numër të konsiderueshëm projektesh që janë në proces.

Kontrata të lidhura të AZHBR dhe ndërkohë të tjera që janë në proces, të cilat na japin në territorin e fshatit mbi 200 investime të reja, por janë investime në produktivitet, janë investime që krijojnë zinxhir vlere, nuk janë para të hedhura për të kaluar vitin sot e hajde shohim se çfarë bëhet vitin tjetër.

Vijmë tek nafta. Nafta nuk ka asnjë taksë për bujqësinë. Duam të rrisim numrin e përfituesve, por që të rritet numri i përfituesve duhet të rritet dhe numri i atyre që formalizohen. Ne nuk mund të vazhdojmë në vitin 2021-2022 dhe në dekadën e dytë të shekullti të 21 të hedhim qoftë dhe qindarka, jo më më tepër se sa qindarka nga buxheti i shtetit për subjekte që jetojnë në informalitet, për individë që as nuk regjistrohen.

Ndërkohë që, atyre që më tregojnë bujqësinë, rajonin, ,botën, ju them që ne kemi të vetmin sektor bujqësor, krahasuar me gjithë të tjerët ku nuk marrim asnjë taksë, zero. Asnjë taksë! Nuk ekziston që uji për vaditje të merret falas në vende që e mbështesin bujqësinë shumë fort, nuk ekziston. Këtu nuk  kemi hyrë fare në ato procese. Pse? Sepse duam t’i japim frymëmarrje sektorit. Se sektori vjen nga një prapambetje shumë e thellë, nga një rrëmujë, nga një anarki, nga një pisllëk i madh. Ndërkohë që sot, sektori po çlirohet nga shumë pesha të të shkuarës e natyrisht ka akoma punë për të bërë që të hyjë në një epokë të re si i tërë, jo vetëm me shembuj të posaccëm këtu e aty.

Tjetra që dua të them është që ne duam të hyjmë në një fazë të re, e tha pak ministrja, për sa i përket dijes dhe për sa i përket rritjes së kapaciteteve në aspektin e dijes të njerëzve të sektorit. Bujqësia është dije në rradhë të parë dhe në këtë botë që transformohet çdo ditë falë teknologjisë, është e domosdoshme që ne të krijojmë një proces ndërveprimi mes vatrës së dijes që është universiteti dhe gjithë sektorit, por dhe institucioneve që janë në mes, të cilat kanë një problem të madh në këtë aspekt.

Unë jam shumë i vetëdijshëm që drejtoritë tona të bujqësisë janë larg së qeni vatra të transferimit të dijes dhe çfarë po bëjmë? Kemi kapur hallkën e parë e po merremi intensivisht me hallkën e parë që është universiteti.

Kemi prej vitesh tanimë një partneritet, ku ne kemi dhënë mbështetje, por duke filluar nga ku?  Duke filluar nga çlirimi i universitetit fizikisht. Universiteti ishte marrë peng fizikisht, nga lloj-lloj grabitësish e nga lloj-lloj abuzuesish që i kishin hyrë në territor dhe që e kishin kthyer territorin e universiteti bujqësor në një tokë pa zot, duke bërë aktivitete nga më të ndryshmet aty, tregtare, ekonomike, duke banuar aty brenda e duke bërë çudira aty që nuk kishin lidhje fare me universitetin. Universiteti kishte humbur komplet të gjithë infrastrukturën e vetë mbështetëse që ka të bëjë me laboratorët, që ka të bëjë me të gjithë sistemin eksperimental, që ka qenë një model në të shkuarën.  Universiteti kishte humbur komplet në mes të llozhurave dhe të karakatinave atje dhe sot është në një fazë ku është çliruar fizikisht, por ka nevojë shumë akoma që të çlirohet nga barrat e mëdha të trashëguara në këto vite e nga një barrë kryesore që është paragjykimi ndaj universitetit për shkak se duket se po të shkosh të studiosh në Universitetin Bujqësor, studion pa një perspektivë punësimi e pa një perspektivë përfitimi.

Është komplet e gabuar, është komplet mbrapsht sepse e kundërta është e vërtetë. Në këtë sektor do të ketë nevojë gjithmonë e më shumë për njerëz të ditur, do të ketë nevojë gjithnjë e më shumë për specialistë, për ekspertë dhe do të jetë gjithmonë e më shumë një zonë e ekonomisë, ku do të mund të bëhet sukses financiar, duke qenë eksperti i duhur, duke pasur strukturën e duhur dhe hapi që po hedhim tani me universitetin ku një nga universitetet më të vjetër e më me prestigj të Europës, Universiteti Bujqësor i Vjenës po bashkohet me Universitetin tonë Bujqësor për të filluar një proces konvergimi deri në njehsimin e diplomës, që të vijnë në Universitetin Bujqësor nxënësit shqiptarë, por dhe të tjerë, edhe austriak dhe të studiojnë e në fund të dalin me diplomën e Vjenës. Ndërkohë që, qysh tani ka filluar puna për programe të përbashkëta e ndërkohë i gjithë koncepti i revolucionarizimit të universitetit po ndërtohet bashkërisht me kolegët e profesoratit këtu, atje në Vjenë.

Nga ana tjetër, ne duam që në këtë fazë të fillojmë procesin e trajnimit edhe të testimit të kapaciteteve tona, të kapaciteteve të drejtorive të bujqësisë dhe të gjithë strukturave të tjera, në bashkëpunim me Universitetin. Nuk është e mundur që ne t’i qëndrojmë pranë me cilësinë maksimale e me të gjithë efikasitetin e duhur fermerëve dhe gjithë këtyre modeleve të suksesshme që kanë nevojë për më shumë mbështetje, me njerëz që janë aty dhe që e kanë rendimentin në punë minimal, për të mos thënë zero. Kështu që i gjithë sistemi ynë, që është sistem ndërlidhje mes qeverisë, shtetit dhe fermerit e realitetit të ekonomisë bujqësore, duhet të jetë një sistem që ne do ta ndërlidhim me Universitetin Bujqësor e që nga drejtorët e bujqësisë, deri tek specialistët e bujqësisë në të gjithë aspektet e punës së tyre, duhet të marrin trajnime nga universiteti e duhet të testohen nga universiteti nëse janë në lartësinë e duhur për të vazhduar të bëjnë punën.

E treta që ne do të bëjmë, është që do të mundohemi që bashkë me universitetin, përmes teknologjisë, ta çojmë në një nivel tjetër gjithë procesin e sigurimit të prodhimeve dhe njëkohësisht të cilësisë së prodhimeve. Çfarë do të thotë kjo? Është e domosdoshme që bujqësia të përfshihet në skemën e sigurimeve. Ta sigurojnë fermerët, ta sigurojnë prodhuesit prodhimin e tyre dhe jo të gjenden përballë befasive të motit, krejtësisht të shkatërruar e pastaj të dalin në rrugë e t’i kthehen qeverisë “duam lekët”. Nuk funksionon kështu.

Nga ana tjetër, nuk mund t’i themi dot fermerëve, nuk mund t’i themi dot prodhuesve në bujqësi që të sigurohen siç sigurohen ata që sigurojnë makinat sepse bëhet fjalë për një sistem sigurimi që është shumë i shtrenjtë për prodhuesit, është shumë i shtrenjtë për fermerët. Na duhet një sistem sigurimi krejtësisht i ndryshëm e ne po punojmë për këtë, që të kemi një sistem mikrosigurimi, pra që t’i kushtojë në minimum të minimumit fermerit, t’i kushtojë në minimum të minimumit prodhuesit e në momentin kur i vjen katastrofa, ai të jetë krejtësisht i mbuluar. Pra është një minimum i minimumit që pastaj sjell garancinë që asnjë pikë djersë nuk të shkon kot dhe një sistem sigurimi i kombinuar me teknologjinë.

Sot bota e kontrollon cilësinë dhe garancinë e produktit me satelit, nuk e kontrollon me inspektorë dhe ky është një tjetër komponent që do të mbulojnë satelitët tanë se për të qeshur e për t’u tallur këtu, ne kemi një skuadër kombëtare që mund të dali kampione bote në qeshje e në tallje po të futemi në kampionat, por po të hyjmë tek të gjithë elementët pastaj të gjërave të mbara që mendohen apo që bëhen në raport me talljen dhe me qeshjet, të përqeshurit e të tallurit janë ata që përqeshin e tallin. Pra, do punojmë për këtë sistem sigurimi me mikrofinancim, i cili të garantojë një informacion të plotë, qoftë për qeverinë, qoftë për universitetin, qoftë për siguruesit, qoftë për bujqit dhe për çdo parcelë, që ta dimë në kohë reale në çdo parcelë se ku gjente prodhimi e mbi të gjitha, në kohë reale që në sekondën e parë të identifikohet cilësia e farës sepse aty është një tjetër hall i madh i joni i përbashkët dhe aty përsëri universiteti do të duhet të futet si hallkë garancie në mënyrë që të mos ketë më mundësi që t’i shiten fermerëve fara tjetër për tjetër apo fidanë tjetër për tjetër.

Këto janë pak a shumë gjërat që unë doja të shtoja, me bindjen që bujqësia, sektori i fshatit është pa diskutim në rrugën e duhur, por njëkohësisht sa më shumë ecën në këtë rrugë, aq më e madhe bëhet sfida dhe aq më e madhe bëhet nevoja për mbështetje.

Është e kundërta me bujqësinë se sa me sektorë të tjerë dhe ne do t’i japim mbështetje shumë më të madhe me këtë buxhet,krahasuar me të gjitha buxhetet e tjera. Është buxheti më i madh për bujqësinë ky që është i vitit 2022, është aty për të mbështetur të gjithë ata që punojnë dhe të gjithë ata që e kuptojnë dhe një gjë tjetër, që paratë nuk mund të të vijnë sikur po hidhen në lumë, por paratë të vijnë duke pasur ti kapacitetin që t’i thithësh ato përmes dy gjërave. E para, të bashkohesh. Nuk mundet dot ne të financojmë tek e tek njerëz sepse edhe po t’i shohim shifrat, krahasuar me të gjithë njerëzit që punojnë në bujqësi, ata të cilët kanë marrë financim tek  e tek janë e mbeten sidoqoftë shumë më pak se sa të gjithë të tjerët dhe kjo nuk është e drejtë. Ajo që është e drejtë është që të stimulojmë bashkimin. Nuk bëhet fjalë që të bashkohen pronat, bëhet fjalë që të bashkohen forcat. Secili në parcelën e vetë, nuk ka nevojë të diskutojmë që hajde të bashkojmë parcelat se nuk do bëjmë kooperativën e kohës së vjetër. Secili në parcelën e vet, ama të gjithë sëbashku të koordinuar, çfarë do mbjellim? Ku do e marrim farën? Si do garantojmë cilësinë e farës? Çfarë teknologjie e teknikash do përdorim për ta kultivuar? Çfarë pesticidesh do përdorim? Si do garantohemi për këto pesticide e në fund fare, nuk jemi më tek e tek që kemi secili një trastë me domate e do dalim tek rruga ta shesim, por jemi një grup njerëzish që kemi dhjetë kamionë me domate e tjetër negociohet me dhjetë kamionë me domate me atë që do t’i blejë dhe tjetër, se nuk ka negociatë fare kur të gjithë janë me trasta e të gjithë thonë po dalim ta hedhim. Po patjetër do ta hedhësh, nuk diskutohet që do ta hedhësh se kush do ta blejë trastën? Ose do dalësh në autostradë, ose do ta hedhësh, nuk ka rrugë tjetër. Kurse në momentin që je i bashkuar, negocion çmimin ndryshe, je në formulën që është A-ja e gjithë kësaj pune e Dhimo Kotes. Veç në prodhim, bashkë në shitje. Kaq! E thjeshtë! Secili ka parcelën e vetë, bën ato kuintalët e vet dhe merr atë që i takon për kuintalët e vetë. Por kur del atje për të shitur nuk del me kuintal, del me ton, sepse bashkon me të tjerët dhe nuk ka nevojë të dali ai të iki se vijnë vetë ata që i grumbullojnë t’i marrin. Por, nuk mund të vijnë me makinë tek e tek, në çdo parcelë, të mbledhin trasta e për këtë arsye pastaj bie edhe çmim, edhe për këtë arsye pastaj dilet për bukën e gojës, ndërkohë që aty ku ndodh bashkimi, se ka plotë realitete, ja ku e keni zotërinë atje, e ka filluar tek pullë, sot është sipërmarrës, një sipërmarrës që garanton punë dhe grumbullim për mijëra fermerë dhe ata nuk kanë bashkuar parcelat. Ata kanë secili parcelën e vetë. Ama që nga fara, tek fidani apo tek kultura që do mbjellin apo pesticidet që do përdorin apo tek të gjithë proceset që do ndjekin, bëjnë të njëjtën gjë dhe është njësoj sikur është një kooperativë e madhe, por në vend se të ardhurat të shkojnë tek një dorë, shkojnë tek të gjitha duart sipas kontributit që kanë dhënë. Tani vetëm të jesh kokëfortësish kundër vetes që të vazhdosh të insistosh që jo, unë nuk kam punë me të tjerët, unë do bëj domatet e mi dhe shteti duhet të mi shesi. Shteti nuk shet domate. Shteti nuk vë çmime. Ka ikur ajo kohë. E kemi vendosur të gjithë bashkë këtë punë.  Nuk më rezulton që ka forca në Shqipëri që duan ta kthejnë prap tek ajo kohë. Shteti bën mbështetje, bën hapje rrugësh dhe faktikisht me hapjen e rrugëve dua ta mbyll sot.

Ne kemi arritur, dhe kjo është një përgjigje, një nga përgjigjet për të gjithë ata që ngrihen kundër Ballkanit të Hapur, kemi arritur tani që për herë të parë, nga viti i ardhshëm, do të kemi treg për kafshët e gjalla e për prodhimin e mishit dhe për prodhime blegtorale përtej Shqipërisë. Deri sot kjo ishte e pamundur. Sot unë ju them  që me marrëveshjen që do firmosim në fund të vitit, në hapësirën e Maqedonisë së Veriut, në hapësirën e Serbisë dhe me përfshirjen e të tjerëve në gjithë hapësirën e Ballkanit, do të mund të tregtohet mishi, do të mund të tregtohen prodhimet e mishit dhe prodhimet blegtorale, gjë që është kërkesa numër një e të gjithë atyre që investohen në këtë fushë, këtu në Shqipëri dhe gjë që është kërkesa numër një për ta rritur këtë sektor, se mund të ankohemi ne dhe me të drejtë blegtoria, blegtoria, e bëjmë humor me akademinë e barinjve që në fakt është diçka që të tjerët e kanë, ata që janë më budallenj se ne, kanë akademitë e barinjve, të peshkatarëve, të rritësve të bletëve, e kështu me rradhë.

Çfarë do të thotë kjo? Nuk do të thotë që hajdeni tek Akademia e Shkencave, kjo do të thotë që vihen në dispozicion struktura, të cilat i mbledhin këta njerëz në një sezon të caktuar për një javë, dy javë, çdo vit dhe ju japin informacion për tregun, për mënyrën se si duhet të funksionojnë, për teknologjitë e reja e të tjera e të tjera dhe ja ku kthehemi tek blegtoria. Si do ta fuqizojmë ne blegtorinë? Si do ta stimulojmë ne blegtorinë kur nuk shiten dot jashtë produktet? Si? Nuk ka mundësi!

Cila është kërkesa e tyre? “Na hapni rrugët e Lindjes së Mesme”, “na hapni rrugët e Turqisë”, se në BE dihet që do jetë një histori më vete ajo. Një nga pikave që e ka penguar një prej vendeve që sot është anëtar i Bashkimit Europian me një kohë ekstra për t’u bërë anëtare e BE ishte pikërisht mishi, thertoret, standardet, se nuk të fut njeri në BE nëse nuk i ke këto standarde, por ajo është një kohë tjetër. Ne duhet të hapim tregje për këta njerëz, duhet të hapim tregje për këto prodhime dhe pastaj hapja e tregjeve, krijimi i sinergjive sjell rritjen e të ardhurave, sjell rritjen e përfitimit. Nuk mund të pretendojmë rritje përfitimi duke ndenjur secili në vete e duke pritur që shteti të vijë e ti japi të gjithëve lekë. Ku ndodh kjo? Në cilin vend? Kjo nuk ekziston!

Fatmirësisht në Shqipëri sot, kemi shumë realitete që e tregojnë se si funksiono e kundërta. Faktikisht sot falë ndryshimit të skemës, falë mbështetjes që i kemi dhënë grumbulluesve se numëroheshin me gishtat e dorës grumbulluesit, kishte pika grumbullimi mjafton të shikoni një gjë, boll ti thërrisni kujtesës, a ju kujtohet deri përpara disa vitesh që përgjatë gjithë rrugëve kombëtare, ishin në çdo 100 metra tendat me fier, mbuluar me fier, që shisnin prodhime bujqësore në rrugë. Ku janë ato? Keni parë më tenda rrugëve që shesin prodhime bujqësore? Nuk ka. Pse? Sepse ka pika grumbullimi, është shumë e thjeshtë. Nuk dalin më në rrugë, pjesa më e madhe.

Përderisa, këto pika grumbullimi janë sot disa qindra e duhen dhe më shumë çfarë tregon kjo? Tregon që njerëzit nuk kanë punë në fshat? Nuk punojnë në fshat ata, që nuk duan të punojnë, është shumë e thjeshtë ndërsa ata që duan të punojnë në fshat, e kanë punën, kanë dhe të ardhura nga puna, më të mira se sa puna me të ardhura të ulëta në qytet dhe faktikisht janë sinergjitë që rrisin dhe më shumë të ardhurat e tyre, është shumë e thjeshtë, por njëkohësisht edhe e vështirë sepse është një përballje e vazhdueshme me një mentalitet të trashëguar që ushqehet për fat të keq edhe nga politikat më të mbrapshta e nga propagandat më të ulëta e nga keqinformimi i vazhdueshëm. Të gjithë atyre që dolën atje për çështjen e rimbursimit të TVSH-së, unë u them shumë thjesht, do takohemi prap vitin tjetër dhe do shikojnë që ata do jenë përfitues më të mëdhenj se deri sot nga çfarë kishin. Ky është fakti, sepse bujqësia do përfitojë më shumë, ekonomia do përfitojë më shumë, punësimi do përfitojë më shumë e natyrisht kur them punësimi, për ata që duna të punojnë. Nuk e kam takuar akoma sot asnjë sipërmarrës, as në qytet, as në fshat, ja ku janë këtu le të flasin, që nuk kanë vende të lira pune. Të çohet e të thotë a je gati të punësosh të tjerë dhe përgjigja do jetë, jo vetëm jam gati, por ku janë të tjerët sepse rritja e prodhimit kërkon rritje të forcave për sa kohë që akoma ne nuk jemi në fazën që ta humbasim krahun e punës pë r shkak se teknologjia po na e bën me robot këtë punë, nuk jemi në atë fazë.

Këto janë gjëra shumë të thjeshta që vështirësohen shumë nga mjegulla që krijohet këtu, por unë dua t’ju shpreh të gjithëve ju që jeni këtu respektin, veçanërisht atyre që kanë ardhur nga më larg. Ja ku është Musai, ai ishte në kushte mbijetese, sot lidh kontratë në Gjermani për të shitur të gjithë vajin e ullirit. Por janë të tjerë akoma në sektorin e përpunimit të ullirit e të vajit  që bëjnë të njëjtën gjë.

Një nga vajrat më të shtrenjtë në Europë sot të ullirit, është një vaj shqiptar që shitet në farmaci në Zvicër, në farmaci, jo në dyqan. Vaj shqiptar. E ku prodhohet?  Prodhohet këtu.  E kush e prodhojnë, të vdekurit? Jo e prodhojnë ata, që punojnë dhe që nuk bëjnë lajm, se kur shkon Musai, lidh kontratë me Gjermaninë apo kur sektori i peshkimit, nga një sektor me dy destinacione vetëm, i keqtrajtuar dhe i abuzuar nga ato destinacione dhe nga ato tregje në Itali e në Greqi, sot ka 27 vende e shkojnë prodhimet e detit të Shqipërisë deri në Hong-Kong dhe janë gati tani, shpresoj të mbyllet sëshpejti, të futen në tregun më të komplikuar, më të vështirë, më të ngatërruar që është Japonia, nuk bën lajm. Nuk e di njeri. Ama dalin ca njerëz në protestë dhe thonë mbaroi bujqësia, mbushen televizorët. Normal, të dali ajo protesta nuk diskutohet, por të dalin dhe ca gjëra nga këto. Se nëse je në Tiranë dhe e ndjek Shqipërinë vetëm nga televizori, nëse nuk ke shkuar në fshat ndonjëherë, nëse nuk i ke parë si jetojnë, të duket sikur të gjithë po vdesin. Ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Po vdesin klinikisht nga trutë e kokës ata që e shohin realitetin e Shqipërisë vetëm nga lajmet dhe vetëm nga Facebook-u e vetëm ga portalet, prandaj duhet ta shohin më shumë edhe Facebook-un tim.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.