Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Bullari Natyral Farm”, në fshatin Mollas, Cërrik, është ferma model e ngritur me punën e palodhur të vëllezërve Bullari. Ata shndërruan vit pas viti, 250 hektarë tokë djerrë, në një vend ku prodhohen bollshëm, lloje të ndryshme të frutikulturës si arrat, bajamet, lajthitë, shega dhe së fundi kivi. Falë edhe mbështetjes financiare nga qeveria përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ferma me cikël të mbyllur ka zgjeruar gamën e produkteve të saj, duke përfshirë edhe ato blegtorale, të cilat tregtohen në rrjetin e supermarketeve me të njëjtin emër.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë fermë, pikërisht në plantacionin e kivit, që vjet ka dhënë prodhimin e parë, të mirëpritur nga tregu vendas.
“Shkëlqimi është sipërmarrësi që gjithçka e ka bërë me forcat e veta”, prezantoi deputeti i zonës Taulant Balla, njërin nga vëllezërit Bullari. “Shkëlqimi ka në fakt 250 hektarë. Pjesa më e madhe janë arra, një varietet shumë i mirë, që sivjet ka prodhimin e parë. Ka shegë, lajthi, fiq, qershi, bajame. Ndërkohë, ka krijuar konceptin e ciklit të mbyllur, përfshirë një fermë ku janë ka dele, dhi, lopë, përpunimin e plotë të produkteve të tyre, edhe shitjen sepse rrjetin e supermarketeve e ka të vetin. Ne do të shohim sot një pjesë të plantacioneve që lidhet pikërisht me kivin, ku një rrënjë kivi prodhon 300 kilogramë.” – u shpreh Balla.

Drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u shpreh se vëllezërit Bullari janë aplikantë në programin IPARD, në thirrjen e dytë, për një zgjerim të hapësirës në pemtari. Ata gjithashtu kanë përfituar më parë nga skema kombëtare e mbështetjes në blegtori.  Zonja Krifca bëri të ditur se skema e mbështetjes kombëtare për këtë vit është mbyllur me një shifër rekord aplikimesh, 7532 të tilla të realizuara online.

“Janë aplikantë në programin IPARD, në thirrjen e dytë. Kanë aplikuar jo për këtë fermë, të cilën e kanë financuar totalisht vetë, si dhe fermën blegtorale për të cilën kanë marrë mbështetje më parë nga skema kombëtare e mbështetjes edhe për bletari, edhe për blegtori, edhe për disa mbjellje. Përsa i takon programit IPARD kanë një fermë prej 32 hektarë, të cilën do ta mbjellë me bajame. Është në fazë shqyrtimi. Jemi duke analizuar dosjen bashkërisht. Por, ajo çfarë unë dua të them meqënëse jemi sot këtu, është se ne kemi mbyllur ditën e premte, skemën kombëtare të mbështetjes për këtë vit, ku kemi marrë 7532 aplikime. Një shifër rekord kjo! E gjitha e kryer online me zero dokumenta. Brenda 10 ditësh, ne  e kemi gati dhe shumë shpejt do ta shpallim listën dhe me vijën e buxhetit, ku do të shpallim të gjithë aplikantët që janë brenda kësaj vije dhe të gjitha nevojat që ata kanë për dokumentacion shtesë që ka të bëjë me çështjen e pronësisë së tokës apo ndonjë sigurim shoqëror që nuk është paguar akoma. Brenda datës 3 korrik kemi këtë detyrim. Fermerët kanë 10 ditë kohë të plotësojnë dokumentacionin e tyre, me këto që përmenda, dhe pastaj AZHBR bën verfikimin dhe  kontrollin në terren dhe më pas kryen pagesën. Objektivi ynë është që të kemi një përthithje 100 % të fondit. Kemi më shumë kërkesë sesa fonde kemi në dispozicion, kjo për shkak të fluksit shumë të lartë të aplikimeve. Në këtë mënyrë do të lobojmë me qeverinë që të kemi  mundësinë të marrim më tepër fond për këto nevoja të fermerëve.”- tha ajo.

Drejtorja e AZHBR u shpreh gjithashtu se do të ccelet një thirrje e tretë brenda vjeshtës. “Ndërkohë po ecim me kontraktimet e programit IPARD të thirrjes së dytë. Kemi aktualisht 129 kontrata me 43 milion euro, të angazhuara në investime që po kryhen në programin IPARD. Do të ccelim një thirrje të tretë brenda vjeshtës, pasi jemi në sfidë me ritmin e kohës  që të kemi mundësinë të sigurojmë përthithjen e fondit dhe të mos të djegim asnjë lek nga programi që kemi vënë në dispozicion për fermerët shqiptarë. Po ecim me ritme shumë të shpejta. Nuk e kemi mbyllur zyrën asnjëherë. Kemi kryer pagesat, gjithë thirrjen e skemës kombëtare e kemi kryer online.”

Aktualisht në fermë janë të punësuar 40 punëtorë, kurse në punë sezonale aktivizohen rreth 150 punëtorë, në grumbullim, vjelje dhe përpunim. Sipërmarrësi Shkëlqim Bullari tregon se prodhimet janë të kërkuara shumë nga tregu vendas, i cili e ka tërhequr të gjithë prodhimin e një viti më parë. “Ky është viti i pestë i të gjithë mbjelljeve që kemi dhe sivjet kemi prodhim, kështu që nuk kemi eksportuar akoma. Vjet kemi patur një prodhim prtej 135 kuintal, të cilin e përthithi menjëherë tregu vendas. Përpara se të vendosnim për kulturat që kemi mbjellë, i bëmë një studim tregut dhe pamë që kishte një boshllëk, në kivi, arra dhe bajame. Kemi një pritshmëri shumë të madhe që pasi të plotësojmë nevojat e tregut vendas të nisim me eksportin.”

Kryeministri Rama u shpreh se buxheti në ndihmë të fermerëve nuk mungon dhe se ai është më i larti që ka ekzistuar ndonjëherë. Por, duhet që gjithccka të zhvillohet në bazë të projekteve, si garanci për të patur suksesin e dëshiruar. “Ajo që është me rëndësi nga ana jonë është që nuk na mungon buxheti. Sot ne kemi në dispozicion, buxhet shteti të kombinuar me buxhetin që Shqipëria merr falë aksesit në programin e mbështetjes europiane, në shumën më të madhe që nuk ka bërë vaki ndonjëherë në gjithë këto vite. Paratë nuk mungojnë. Ajo që na ka munguar fillimisht në gjithë këto vite ka qënë një numër kritik njerëzish në bujqësi që të mendojnë në mënyrë vizionare dhe të mendojnë me projekt, jo “jam këtu me këtë trastën time me domate, me këtë trastën time me patate, s’di ku ta ccoj, të vijë shteti të ma marri, etj”. Por të mendojnë me projekete. Por, faktikisht ajo që tha drejtoresha lidhur me aplikimet e skemës kombëtare këtë vit është një shenjë shumë domethënëse, jo aq për shumë në raport me gjithë nevojat sa u përket atyre zërave, por në raport me sa shumë persona kanë shfrytëzuar aplikimin online. Sepse janë ata llafollogët e Tiranës dhe të FB që thonë se “katunarët” nuk dinë të përdorin iphone dhe teknologjinë. Në fakt këtu e vërteta është e kundërta, që njerëzit që jetojnë me punën, edhe në majë të malit, i gjejnë format dhe mënyrat dhe e përdorin shumë më mirë se sa ata që janë në fakt “katunarët” e vërtetë, nëse e përdorim në kuptimin negativ, se katunar jam vetë unë dhe jam shumë krenar që jam katunar se u bëmë shumë qytetarë atje në Tiranë, kështu që më mirë katunar. Por ajo që na duhet është që të kemi sa më shumë veprimtari prodhuese me cikël të mbyllur dhe sa më shumë veprimtari përpunuese. Veçanërisht kemi rritje të eksporteve dhe në agropërpunim. Kjo është një tjetër e dhënë shumë e rëndësishme e këtij transformimi. Kështu që vetëm forca edhe sulm.”- përfundoi Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.