Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektbuxhetit për shëndetësisë për vitin 2019:

Lidhur me buxhetin e shëndetësisë 2019, besoj se ia vlen të fokusohemi në disa pika kyçe, që lidhen me ecurinë reale të sistemit gjatë vitit të ardhshëm, duke marrë hera-herës referencë pikënisjen, sepse është e vërtetë që askush nuk pyet “si ke qenë”, por pyet “si je”. Por nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që, për të kuptuar se ku duam të shkojmë, duhet të mbajmë parasysh se nga u nisëm dhe të vlerësojmë kapacitetin tonë për progres në funksion të progresit që synojmë më tutje.

Është fakt i njohur botërisht se çfarëdo përmirësimi të bëjmë në sistemin shëndetësor nuk është asnjëherë mjaft. Kjo vlen për vende me sisteme shërbimi shëndetësor shumë të zhvilluara dhe kjo vlen ende më shumë për një vend si i yni, ku sistemi i shërbimit shëndetësor është ende larg së qeni një sistem i zhvilluar. Por është po ashtu fakt, që pjesa më e madhe e kritikës dhe e pakënaqësisë për sistemin shëndetësor vjen nga ata që nuk kanë qenë asnjëherë në spital, që nuk kanë marrë asnjëherë shërbim shëndetësor dhe që e përjetojnë raportin me këtë sistem në bazë të perceptimeve të krijuara dhe në bazë të nevojës gjithmonë e më të madhe që kanë njerëzit për më shumë.

Është e vërtetë që sot, nëse duam të vlerësojmë sistemin shëndetësor në raport me ku duam të shkojmë, të gjithë mund të jemi dakord se jemi ende larg asaj pike ku do donim të mbërrinim në çdo drejtim të këtij sistemi. Po ashtu është e vërtetë – këtë e thonë faktet, këtë e thonë shifrat e padiskutueshme dhe këtë e thotë edhe eksperienca e njerëzve që e kanë parë sistemin dje dhe e shohin sot, – që krahasimi me pikënisjen është si dita me natën. Sot, kur hyn në spital dhe këtu nuk kam parasysh vetëm QSUT-në, por kam parasysh një tërësi spitalesh, hyn në spital, ndërkohë që deri dje, në shumë pjesë të vetë të QSUT-së mund të dyshoje nëse ishe në spital, apo ishe në një stacion treni. Ky është një ndryshim fizik i rëndësishëm, ashtu sikundër edhe vetë brenda përbrenda strukturës ka plot e plot ndryshime të tjera.

Përsa i përket vitit të ardhshëm, ndryshimi do të bëhet i mundur të vazhdojë, duke pasur parasysh që buxheti është më i lartë se ai i këtij viti dhe është 43% më i lartë se i 5 viteve më parë. 43% më i lartë se i 5 viteve më parë është një shifër shumë domethënëse dhe shumë kuptimplotë.

Ashtu sikundër, nëse i shohim të dyja bashkë, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, kemi një buxhet që i kalon 750 milionë dollarët.

Është një buxhet i konsiderueshëm për mundësitë tona si shtet dhe është një buxhet që do të konsolidojë programet e nisura dhe do të na japë mundësinë që të nisim me programe të tjera.

Për rimbursimin e barnave, ne sot kemi kaluar 100 milionë dollarët e barnave të rimbursueshme. Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna. 5 vite më parë ishte thuajse 30 milionë dollarë më pak. Pesë vite më parë, përveç të tjerave, kishte dhe taksë mbi çdo ilaç, 10% TVSH. Ne e hoqëm. Ashtu sikundër 5 vjet më parë, 600 mijë njerëz, për shkak të pamundësisë së tyre për t’u pasiguruar, ishin të përjashtuar nga çdo akses në listën e barnave të rimbursueshme. Sot nuk ka asnjë shqiptar të përjashtuar nga aksesi në listën e barnave të rimbursueshme. Edhe për ata që nuk janë të siguruar, për shkak të pamundësisë së tyre, është e mundur që të rimbursohen njësoj si të gjithë të tjerët.

Janë një sërë paketash mjekësore, për shërbimet e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, transplantit, hemodializës, radioterapisë e me radhë, që deri disa kohë më parë paguheshin të gjitha nga xhepi. Sot paguhen të gjitha nga shteti. Qoftë në spitalet publike, qoftë në spitalet jopublike financohen nga buxheti i shtetit.

Ne kemi kaluar në shërbimin parësor falas. Deri dje, për një konsultë te mjeku i familjes, për aq sa funksiononte sistemi, paguheshin 10 dollarë. Sot është falas dhe sistemi është në ripërtëritje. Por jemi të gjithë të vetëdijshëm që qendrat tona shëndetësore janë larg së qeni në masën më të madhe qendra shëndetësore që meritojnë këtë emër. Për këtë arsye kemi një program për rindërtimin në themel të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga të cilat, 80 të parat përfundojnë brenda këtij viti dhe 100 të tjera do të rindërtohen në vitin e ardhshëm. Vetëm nga këto do të përfitojnë më shumë se gjysmë milionë qytetarë shqiptarë, që do të kenë nevojë për shërbim parësor.

Modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare është një proces në vazhdim dhe paralelisht, ne po modernizojmë spitalet rajonale, por mbetet një objektiv i patjetërsueshëm modernizimi i materniteteve. Janë sot në plan 5 maternitete të reja, si materniteti i Sarandës që është një model kuptimplotë i vizionit dhe i ambicies tonë për shëndetësinë që duam, që do të financohen në periudhën në vazhdim të këtij mandati, duke filluar me Beratin, qysh me buxhetin e këtij viti dhe me Korçën, qysh me buxhetin e këtij viti dhe pastaj Lezha, Mati dhe Kukësi.

Qendrat shëndetësore, maternitetet dhe çeku i bebes janë 3 komponentë të një politike që ka shumë më tepër, sot se dje, në fokus nënën dhe fëmijën, familjen. Nga një bonus simbolik prej 50 mijë lekësh të vjetra që u vendos në vitet 2000 në Bashkinë e Tiranës nga unë dhe që mbeti po 50 mijë lekë të vjetra deri këtë vit, ne do kalojmë në një mbështetje financiare kuptimplotë, 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin. Nëse dalin dy bashkë marrin të dy 800 dollarë. Nëse dalin tre, marrin 1200. E theksoj këtë, se sa herë flas për këtë, gjithmonë ka pyetje në Facebook, “po të bëjmë 2 përnjëherë?” Po të bëni dy përnjëherë, do marrin të dy njësoj.

Në kuadër të këtij procesi transformimi, një pjesë e juaja e di shumë mirë, që ka qenë e domosdoshme të ndryshojmë në mënyrë domethënëse kontributin e buxhetit për pagesat e mjekëve dhe të infermierëve. Ka ndryshuar në dy drejtime; në drejtim të drejtpërdrejtë të rritjes së pagës dhe në drejtim të uljes së taksës. E dinë shumë mirë infermierët që deri 5 vjet më parë kishin një pagë më të ulët dhe paguanin taksë më të lartë. Sot kanë një pagë më të lartë dhe paguajnë një taksë më të ulët. Megjithatë, përsëri, ne do të rrisin pagën për infermierët, do të rrisin pagën për mjekët. Janë fiks18416 punonjës në sistemim e shëndetësisë që do të kenë një rritje page, duke filluar nga 3-mujori i dytë i vitit të ardhshëm prej 7%. Është një rritje, besoj, e konsiderueshme, që përmbush objektivin tonë të 4 viteve më parë për pagën e infermierëve, pra, ka qenë objektiv të arrinim në pagën ku do arrijmë vitin e ardhshëm dhe që rrit edhe shpërblimin e mjekëve.

E kam shumë të qartë, që në momentin kur flitet për rritje pagash dhe për shëndetësinë në tërësi, menjëherë të gjithë ata që për fatin e tyre të mirë nuk kanë shkuar asnjëherë në spital, fillojnë e shajnë. Fillojë e hedhin të gjithë baltën e mundshme për mjekët, për infermierët. Unë, duke e njohur për shkak të detyrës nga brenda sistemin, hyj tek ata që besojnë që patjetër ka një pjesë të bluzave të bardha që e njollosin pastërtinë e figurës së mjekut dhe të infermieres, por pjesa dërrmuese e mjekëve dhe të infermierëve në Shqipëri janë heronj. Kështu besoj unë, duke patur parasysh se çfarë u është dashur të bëjnë dhe në çfarë kushtesh u është dashur të punojnë, sepse flasim sot për spitalet, por shumëkush harron se deri përpara 5 vitesh u katandisën në pikën ku spitalet nuk kishin më çarçafë, nuk kishin aspirina dhe ishin të përditshme kronikat nëpër televizione me njerëz që protestonin nëpër gardhe me receta në dorë e histori të tjera. E sigurisht që ato kushte nuk i krijuan as mjekët, nuk i krijuan as infermierët, nuk i krijoi as gjithë trupa e shërbimit shëndetësor. Ato kushte u krijuan nga keqqeverisja dhe në ato kushte, mjekët dhe infermierët kanë shpëtuar çdo ditë jetë njerëzish.

Shpëtimi i jetëve nuk është lajm. Një jetë e humbur është lajm. Shpëtimi i njerëzve dhe bekimet e dhjetëra mijëra familjeve për mjekët e për infermierët nuk janë lajm. Mallkimet e një familjeje për një aksident, apo edhe për një vdekje të ndodhur për shkak pakujdesie është lajm. Këto të dytat bëjnë që perceptimi të rëndohet.

Të parat nuk i llogarit njeri. Ndërsa për mua e për ne që e dimë sesi punohet sot, e përsëris, mjekët dhe infermieret në shumicën e tyre dërrmuese janë heronj për t’u respektuar. Atyre që na ndjekin, shani sa të doni se nuk ka problem. Fakti që unë jam akoma këtu në këmbë, domethënë që mbaj.

Në mos gabohem, ka një shqetësim që nuk është shqetësim vetëm i vendit tonë, është shqetësim i shumë vendeve. Është shqetësim në Itali, për të mos folur për Kroacinë, për Serbinë, për Malin e Zi, apo për Maqedoninë, – largimi i mjekëve. Por edhe këtu, ajo që thuhet dhe ajo që imagjinohet, në raport me atë që ndodh në të vërtetë, është nata me ditën. Nga janari deri në shtator kanë kërkuar atë certifikatën që kërkohet në këto raste, 120 mjekë të përgjithshëm dhe 30 mjekë specialistë.

Ky është numri në total. Ndërkohë që janë 153 mjekë që janë punësuar nga janari në shtator në sistemin tonë. Janë 12 mjekë specialistë, të kthyer nga jashtë shtetit, që shërbejnë në sistemin tonë. Janë 57 mjekë të huaj që kanë ardhur dhe punojnë në vendin tonë. Në totalin e vet, që të kemi idenë e qartë të shifrave, ne kemi 4650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Është e vërtetë që ka një numër infermieresh, vajzash të reja që synojnë dhe shkojnë jashtë, por janë 4000 infermiere dhe infermierë që presin sot për t’u punësuar në sistemin tonë shëndetësor dhe numri i atyre që shkojnë jashtë është disa qindra, që do të thotë se problemi i mjekëve specialistë në Shqipëri ka si burim kryesor, jo ikjen e mjekëve dhe ne mbetëm pa specialistë, por 4 vjet, nga 2009 deri në vitin 2013, që u mbyllën specializimet. Nuk u mor vesh akoma sot, pse ndodhi, por u mbyllën dhe në janar dalin 300 mjekët e parë specialistë, që do të thotë që ne, jo vetëm nuk do të kemi boshllëk për mjekë specialistë, por ne do kemi mjekë specialistë që nuk do munden dot të hyjnë në sistem. Ky është fakti.

Ashtu sikundër, e patëm thënë përpara zgjedhjeve të shkuara, të gjithë i dhanë një të qeshur sepse ju duk e pamundur dhe sot është fakt, që të gjithë mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë jashtë Tiranës, përveç rrogës së mjekut specialist, marrin plus një pagë, që është e barabartë, bashkë me rrogën, me pagën që do të merrnin në Gjermani, nëse sa të shkonin atje në aeroport, do t’i prisnin, do t’i vishnin bluzën e do t’i çonin në sallën e operacionit. Ky është fakt e kjo ka bërë që të kemi një numër mjekësh specialistë që po shkojnë në spitalet rajonale. Është shumë e rëndësishme për të pasur specialistë, është shumë e rëndësishme për eksperiencën që ata çojnë, është shumë e rëndësishme për motivimin që ata sjellin.

Nëse sot, ne kemi spitale rajonale me probleme, para 5 vjetësh, ne nuk kishim spitale rajonale që meritonin të quheshin të tilla, për shkak të braktisjes totale, për shkak të mungesës së aparaturave dhe të mbështetjes financiare.

Sot janë spitale rajonale me probleme për t’u zgjidhur në vijim, por ama janë spitale rajonale.

Ky është një ndryshim i pamohueshëm.

Programi i mbrojtjes sociale ka qenë një program abuziv për vite e vite të tëra. Një program skandaloz. Një program politik klientelizmi dhe korrupsioni.

U bë nami për futjen e skemës së re të vlerësimit, sepse u larguan 20 e ca mijë familje. Është e vërtetë, por nuk ikën 20 e ca mijë familje që po vdisnin për bukë, ikën 20 e ca mijë familje që nuk duhet ta kishin marrë kurrë ndihmën ekonomike, sepse nuk ishin në kushtet kur të tjerët, taskapaguesit duhet t’i mbanin ata me ndihmë ekonomike. Që nga familje me nga dy shtëpi, tek familje me nga tre vetura dhe kështu me radhë.

Ndërkohë që ajo që nuk u tha kurrë është se u larguan 20 mijë që nuk e meritonin, por u futen 10 mijë e ca që kurrë nuk kishin marrë një lek ndihmë, duke qenë në derexhenë më të keqe. Sepse skema e vlerësimit funksionon dhe skema e vlerësimit nuk targeton varfërinë si koncept i përgjithshëm, po targeton varfërinë e skajshme. Ndërkohë ka ndodhur që 2475 familje që dolën nga skema, apo që mbetën në skemë, sot nuk marrin më para nga skema, sepse kanë njerëz të punësuar, pra, janë punësuar. Ashtu sikundër, një pjesë tjetër nuk duan të punësohen. Është një problem që ne e ndeshim dhe ky është fakt, le të thonë çfarë të duan, le të hidhen përpjetë, është e vërteta.

Është e vërteta e hidhur. Për shumë politikanë, të vërtetat e hidhura duhen lënë mënjane dhe duhet hedhur mjalti i gënjeshtrave e i përrallave, sepse nuk ka për ta një rrugë tjetër për të marrë vota.

E vërteta e hidhur është që shumëkush preferon të marri atë 50 mijë lekëshin e ndihmës ekonomike dhe refuzon punën, ose tjetra, është i gatshëm të punojë, por në të zezë, në mënyrë që të vazhdojë të marri 50 mijë lekëshin e ndihmës ekonomike. Këtë gjë e marrim vazhdimisht si shqetësim nga kompani që kanë vende pune, që nuk kërkojnë kualifikime të posaçme e të cilave zyrat e punës u vënë në dispozicion emrat e njerëzve që janë me ndihmë ekonomike e që normalisht shteti ka detyrë t’ju ofrojë punë dhe ajo që ndodh, është refuzimi.

Vitin që vjen, ne do të bëjmë një ndryshim në politikën e pranimit të refuzimit. Se çfarë ndodh deri tani, është një lojë e pambarim macja me miun. Gjithë bota e ka, edhe ne kemi ligj që të jep ndihmën ekonomike për sa kohë nuk të ofrohet dot punë. Në momentin që të ofrohet punë, ke të drejtën të refuzosh një herë. Nëse refuzon dy herë, nuk të jepet më ndihmë ekonomike, sepse nuk ta kanë për borxh të tjerët që punojnë, të paguajnë taksa që ti të vazhdosh të rrish në shtëpi, duke qenë fizikisht i gatshëm për punë, sepse është tjetër gjë pamundësia fizike.

Ajo që ndodh është, të jap ofertën për punë. Nëse ti e refuzon, del nga ndihma dhe rishfaqesh prapë një muaj më mbrapa. Çdo muaj, dil e futu, domethënë, një herë në dy muaj ti shfaqesh prapë dhe prapë rifutesh e fillon merr. Kjo nuk do ndodhi. Nëse do refuzosh punën, do refuzohesh nga ndihma deri në fund të vitit, jo deri muajin e ardhshëm. Kjo është ajo që ndodh në vendet e tjera, kjo është ajo që do ndodhi edhe këtu. Nuk mundet dhe nuk ka arsye që njerëzit që respektojnë ligjin dhe që jetojnë me punë dhe përmes punës paguajnë taksa, të mbajnë në shtëpi njerëz që nuk duan të punojnë. Kjo nuk ka pse të ndodhë dhe nuk duhet të ndodhë e nuk ka për të ndodhur. Kujt i ofrohet punë, të shkojë të bëjë punën. Nëse nuk do të punojë, është i lirë të rrijë pa punë, por nuk është shteti i detyruar ta mbajë si parazit, duke i dhënë ndihmën ekonomike.

Duke qenë i bindur që jemi në drejtimin e duhur, duke qenë i bindur që me të gjitha programet ka shumë për të përmirësuar dhe duke qenë i bindur që rritja e pagave, vazhdimi i politikës së bonusit, pra, të pagës europiane mbi pagën shqiptare për të gjithë ata që shkojnë të punojnë në spitalet jashtë Tiranës, si dhe përfshirja e specialistëve që dalin nga programi i ri i specializimeve, do të na japin një situatë shumë më pozitive në fund të vitit të ardhshëm.

Shumë faleminderit për mundimin dhe kurajë, respekt.

Ata që ju shajnë, thjesht dhe vetëm trajtojini me keqardhjen që meritojnë ata që janë për pak kamomil përpara gjumit.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.