Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e buxhetit të mbrojtjes 2019, në një takim me ushtarakë në bazën e Kuçovës:
Përshëndetje të gjithëve!
Më vjen vërtetë mirë që jemi këtu, në bazën e Kuçovës, për të folur për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm, në kuadrin e takimeve që kemi planifikuar lidhur me buxhetin e vitit 2019. Por, njëkohësisht, për të vënë në dukje një fakt tejet të rëndësishëm për të sotmen dhe të nesërmen e Forcave tona të Armatosura, transformimin e kësaj baze, në një bazë taktike të NATO-s.
Ky është një qytet që në të kaluarën është identifikuar me aviacionin. Gati 700 persona ishin të punësuar falë kësaj baze; aviatorë, mekanikë, oficerë dhe punëtorë të thjeshtë. E dimë si ka rrjedhur historia. Qysh pas viteve ’90-të, kjo zonë, aq e rëndësishme strategjikisht për mbrojtjen dhe Forcat tona të Armatosura, u kthye në një hapësirë të braktisur, deri kur, falë angazhimit, falë seriozitetit, por, mbi të gjitha, falë respektit që kanë fituar Forcat tona të Armatosura në sytë e të gjithë partnerëve tanë të NATO-s, morëm angazhimin e NATO-s për të investuar në këtë bazë mbi 50 milion euro. Është investim që do të mundësojë transformimin e kësaj hapësire në një aeroport ushtarak standardesh të NATO-s, që do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizimet ajrore, për logjistikën, për policimin ajror, si dhe për trajnimin dhe stërvitjet e Forcave të Aleancës. Patjetër që kjo do të jetë njëkohësisht edhe një bazë kombëtare për Forcat Ajrore të Shqipërisë, duke kërkuar mundësinë e një standardi të ri të Forcave tona të Armatosura në këtë sektor të posaçëm.
Ky investim do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të të gjithë kësaj zone, ku ndërtimi i një baze ajrore të teknologjisë së fundit, jo vetëm do të thotë më shumë punësim, por edhe më shumë ekonomi dhe konsum në një rreze të caktuar rreth saj.
Mendoj se është në vëmendjen e të gjithëve se ne jemi të angazhuar shumë seriozisht për të përmbushur objektivat e përcaktuara për çdo vend në kuadrin e Aleancës dhe buxheti i vitit 2019 për mbrojtjen është pasqyrë e këtij angazhimi dhe e seriozitetit të vendit tonë, të konfirmuar drejtpërdrejtë, edhe në Samitin e fundit, nga vetë Presidenti i SHBA. Buxheti i mbrojtjes për vitin 2019 arrin faktikisht në 22 miliardë lekë, ose 220 milionë dhe përbën një rritje prej më shumë se 10% krahasuar me këtë vit.
Në përputhje me zotimin dhe njëkohësisht, edhe me objektivat për rritjen dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Forcave tona të Armatosura, ky është një buxhet që do t’i vihet në dispozicion ushtrisë tonë për të realizuar një sërë objektivash të rëndësishëm, që nga modernizimi i grup batalionit të këmbësorisë së lehtë, certifikimi i të cilit është bërë nga ekspertë të Aleancës në përfundim të stërvitjes njëjavore të “Albanian Lion Visa 18”, tek përmirësimi i kapaciteteve të tjera dhe pajimeve bazë për ushtarakët e Forcave të Armatosura; blerja e armatimit të lehtë, municioneve dhe aksesorëve të nevojshëm për këto forca; vënin në funksion të sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore, projekt që po zhvillohet në bashkëpunim me parterin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës; përmirësimin në funksionimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës detare, dy sisteme shumë të rëndësishme në çdo aspekt të sigurisë së vendit, por edhe një kontribut yni në arkitekturën e sigurisë në NATO, si dhe në bashkëpunimin ndërinstitucional për luftën ndaj trafiqeve të paligjshme.
Gjatë të gjithë kësaj kohe, ne e kemi çuar përpara bashkëpunimin me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara, lidhur me modernizimin e kapaciteteve ajrore shqiptare dhe rijetëzimi në tërësi i këtyre pikave kyçe do të vazhdojë, sepse, përveç modernizmit të kësaj baze ajrore këtu në Kuçovë, do të vijojmë me projektin e modernizimit të bazës ajrore të Farkës.
Fondet e akorduara për Ministrinë e Mbrojtjes, paralelisht me përmbushjen e misionit kushtetues të Forcave të Armatosura, do të prodhojnë më shumë infrastrukturë në zonat rurale në mbështetje të komuniteteve. Para pak kohësh ministrja e Mbrojtjes, të cilën unë gjej rastin ta falënderoj për përkushtimin dhe seriozitetin në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, ka ekspozuar një punë jashtëzakonisht të rëndësishme që po kryejnë Forcat e Armatosura në funksion të parandalimit të përmbytjeve, duke ndërhyrë konkretisht në zonën e Fierit, ku janë edhe sot e gjithë ditën, në një punë intensive me orë të zgjatura.
Kjo është vetëm një shfaqje e një tërësie punësh dhe e një objektivi të rëndësishëm të Ministrisë së Mbrojtjes, për të kombinuar përmbushjen me sukses të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura, me çuarjen përpara të një pune të mbarë, në funksion të infrastrukturës në zonat në risk dhe në mbështetje të komunitetit.
Po ashtu, sëbashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me një organizatë shumë të suksesshme vullnetare po punon për jetësimin e planit të Qendrës së re Kombëtare të Emergjencave dhe të Solidaritetit me njerëzit në nevojë, duke pasur tanimë, Ministria e Mbrojtjes, edhe funksionin e plotë të drejtimit të emergjencave civile.
Është vërtetë një kënaqësi që përpara jush dhe përpara të gjithë atyre që japin kontributin e tyre në Forcat e Armatosura, të mund të themi më në fund, pas shumë e shumë vitesh, në një farë mënyrë, lënieje disi në hije për nga vlerësimi financiar, se jo vetëm do t’i bëjmë një rritje të re pagave të të gjithë atyre që janë të angazhuar në Forcat e Armatosura, por më shumë se kaq, do të bëjmë një rritje të konsiderueshme.
Një rritje të konsiderueshme, shumë më të lartë se shifra që ju patë në ekran, pasi gjatë punës me draftin e buxhetit kemi mundur sëbashku me ministren e në radhë të parë, falë këmbënguljes së saj, të fitojmë debatin me Ministrinë e Financave dhe t’i kushtojmë Forcave të Armatosura një buxhet shumë më të konsiderueshëm se aq, duke filluar me një rritje page prej 19% për ushtarët dhe duke e shkallëzuar atë më tutje, sipas të gjitha niveleve.
Është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e Forcave të Armatosura. Është e një rritje e stërmerituar, pikërisht sepse Forcat e Armatosura, pavarësisht se në jetën e përditshme të vendit nuk janë gjatë gjithë kohës para syve të opinionit publik, kudo dhe me këdo që ne komunikojmë në kuadrin e Aleancës, e kanë bërë Shqipërinë krenare dhe e kanë bërë Shqipërinë të respektueshme.
Janë vërtetë të shkëlqyera opinionet e partnerëve tanë për misionet dhe për njerëzit që kanë shkuar dhe kanë pasur detyrën të përfaqësojnë Shqipërinë në këto misione. Ashtu sikundër ka qenë një surprizë për të gjithë dhe kemi marrë shumë urime dhe le të themi në një farë mënyrë të befasuara, për paraqitjen e skuadrave tona në sfidën e patrullave në Britaninë e Madhe, ku morëm edhe Medaljen e Bronzit. Më saktë, ne nuk morëm asgjë, morën ata dhe falë atyre, edhe ne mundëm që të shesim pak mend, duke i parë në sy të gjithë ato fuqi të mëdha që kishin shumë më tepër patrulla sesa ne dhe që u lanë pas nga djemtë e patrullës shqiptare.
Shumë faleminderit, edhe një herë, për gjithçka ju bëni dhe shumë respekt për të gjitha sakrificat tuaja. Jam i bindur se ju meritoni edhe më shumë, sesa ne do mund të bëjmë me buxhetin e ri të vitit 2019. Por po ashtu jam i bindur se ju, sidoqoftë, do të shikoni tek rritja shumë e rëndësishëm e pagave tuaja, një shprehje konkrete të vëmendjes sonë për ju, të respektit tonë për ju dhe të mirënjohjes sonë për ju.
Shumë faleminderit për gjithçka bën. Një shprehje të veçantë respekti dhe mirënjohjeje për familjet tuaja, sepse familjet tuaja janë ato që mbase sakrifikojnë edhe më shumë sa vetë ju, duke bashkëjetuar me mungesën tuaj të vazhdueshme për shkak të misioneve, për shkak të detyrave, shpeshherë të vështira dhe larg shtëpisë dhe na vjen shumë mirë qe me buxhetin e vitit 2019 mund që, përveç fjalëve, t’ju japim familjeve tuaja edhe një shprehje konkrete të vëmendjes dhe të respektit tonë.