Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë parlamentare:
Kjo është një farsë e pashembullt, në vazhdën e farsës së përgjithshme që quhet Partia Demokratike. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin e Partisë Socialiste, përpara sesa Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin e qeverisë shqiptare, është një ndër objektivat në programin tonë të reformimit rrënjësor të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën tonë dhe ju as ndalni dot, as na pengoni dot, as na vononi dot. Maksimumi që ju bëni është që vini këtu dhe vrisni kohë dhe na bëni edhe ne bashkëvrasës të kohës, të enjteve, në këtë sallë. Ky është maksimumi, për të tjerat ju flisni çfarë të doni, thoni si të doni, shpifni sa të doni, fyeni, sajoni çfarë të doni! Ne nuk kemi betejë për t’ju mbushur mendjen juve. Beteja jonë është për të reformuar thellësisht Shqipërinë, për të modernizuar dhe për të bërë më në fund, shtetin që nuk e kemi dhe përgjigjemi vetëm përpara qytetarëve.
Nuk e përcaktoni dot ju se kush është i korruptuar, se kush vjedh, se kush hajdutëron, sepse së pari, jeni pa bojë. Nuk keni asnjë lloj boje në raport me të vërtetën dhe në raport me publikun shqiptar. Ju ka rënë çdo cifël boje dhe keni dy vjet e gjysmë që nuk keni marrë asnjë masë për t’i rikthyer pigmentin, partisë që doli e shpartalluar nga zgjedhjet e 2013-s dhe që u rishpartallua në zgjedhjet e 2015-s. Kështu siç e keni nisur, një vit e gjysmë kohë kemi për të parë sesa e vërtetë është kjo që po ju them: Do të shpartalloheni siç nuk jeni shpartalluar as në 2013-n dhe as në 2015-n.
Sa për Policinë e Shtetit dhe marrëdhëniet e saj me qytetarët, sa për betejën e Policisë së Shtetit me krimin dhe me kriminelët, kam vetëm një lutje, jo për ju. Lutem që ju të vazhdoni të bëni çdo ditë, një fletërrufe kundër policisë dhe kundër ministrit të Brendshëm. Vazhdoni! Ky është publiciteti më i mirë që ju i bëni faktit se jeni pa asnjë lloj boje, pa bojë fare! Jeni një grup pa asnjë vizion, pa asnjë program, pa asnjë sens drejtimi, pa asnjë sens të së ardhmes dhe vetëm recitoni banalitete që jua vënë në gojë, se ju që jeni këtu, nuk dini fare as se çfarë bëhet, as kush e bën dhe as si e bën. Ju tregojnë përralla ata që keni në krye, nga lideri tek administratori i ndërmarrjes së falimentuar dhe ju vini këtu e recitoni përrallat e tyre.
Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin tonë si parti, në programin tonë si koalicion qeverisës dhe është pjesë e një procesi që, – doni apo s’doni ju, – do të shkojë përpara dhe ju që jeni këtu do të vini dhe do të votoni jo Byronë Kombëtare të Hetimit, do të vini të votoni reformën në drejtësi dhe këtu do të jemi. Do të vini, do të gëlltisni dhe do të bëni sikur nuk i keni nxjerrë ndonjëherë, të gjithë ato budadallëqe që i keni vënë njëra pas tjetrës në ato fletërrufetë që nxirrni sa nëpër Shqipëri dhe nëpër media, aq edhe nëpër botë. Do t’i harroni të gjitha ato, do të vini këtu dhe do të votoni reformën në drejtësi.
Unë nuk kam folur asnjë ditë dhe nuk kam ndërmend të flas. Unë i qëndroj besnik parimit me të cilin kemi vendosur marrëdhënien tonë me publikun në raport me këtë reformë. Do t’i qëndroj besnik deri në fund dhe kur të jetë dita për të folur, do të them edhe unë fjalën time. Por jam i bindur që fjala ime do të jetë e panevojshme në funksion të miratimit, sepse kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet plotësisht, kur të shkojë përpara gjykatës së popullit në votime.
Për Byronë, ne e kemi mbaruar punën tonë, por ne nuk jetojmë në Hënë dhe ne e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet. Ne nuk mund të bëjmë dot diçka që brenda pak javësh, reforma mund ta konsiderojë të nxituar. Kështu që, dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozicion të Komisionit të Reformës dhe Komisioni i Reformës le ta diskutojë dhe le ta thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk ka lidhje, apo nuk e cenon, apo nuk është i tepërt, ndaj të votohet përpara votimit të paketës së parë të reformës, pra, të ndryshimeve kushtetuese, as mos u bëni merak, asfare, se do të votohet pa as më të voglin ngurrim.
Kjo është e vërteta e thjeshtë e kësaj historie. Propaganda juaj është një banalitet, një farsë, përditë e përditë dhe ju mund ta vazhdoni dhe vazhdojeni intensivisht. Vetëm një gjë mos harroni, se çdo ditë një sharje për Policinë e Shtetit, çdo ditë një sharje për ministrin e Brendshëm, në këtë pikë, sinqerisht bëni një kontribut real, për t’i bërë të gjithë publicitetin e duhur fytyrës suaj të dalë boje plotësisht si parti politike.