Kjo shkollë është një tjetër shembull kuptimplotë. Ne mund dhe do të bëjmë sëbashku atë që duam, sëbashku për ju dhe për Shqipërinë që duam!
Shqipëria tjetër ka nevojë për këto punë që jemi këtu sot dhe që do të vazhdojmë të bëjmë përditë e përditë, për të bërë shtet, për të pasur një Shqipëri në punë, ku të gjithë të punojnë për njëri-tjetrin, ku shteti punon për njerëzit, ku njerëzit punojnë për vete dhe për shtetin dhe për të siguruar mirëqenie.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”:
Mirëdita të gjithëve!
Në radhë të parë, shumë mirënjohje dhe shumë respekt për ekipin e kësaj shkolle, për drejtorin e përkushtuar, një mik i vjetër, të cili pas shumë vitesh pata kënaqësinë ta takoj, për të gjitha mësueset dhe gjithë personelin e shërbimit. Besoj se rritja e pagave ka ardhur në momentin e duhur për të gjithë ju. Pro mbi të gjitha më vjen shumë mirë që ia dolëm të bëjmë një rritje si asnjëherë më parë të pagës për gjithë personelin mbështetës, për gratë, nënat, vajzat, por edhe burrat, që bëjnë të mundur pastrimin, garantimin e kushteve higjienike, logjistiken, për gjithë aktivitetin e shtetit tonë në çdo institucion, në çdo shkollë, në çdo kopsht, në çdo çerdhe.
Është një rritje page që është shumë, krahasuar me Shqipërinë që kishim, por nuk është mjaft për ambicien tonë për Shqipërinë që duam.
Po kështu mund të them me plot gojën se është bërë shumë për të gjithë njerëzit në nevojë, krahasuar me Shqipërinë që kishim.
Shqipëria që kishim ishte një vend ku shteti ishte më vete dhe merrej me punët e veta, nënkupto me punët e atyre që kishin pushtetin, e atyre që kishin çelësat e zyrave dhe ku njerëzit e vetëpunësuar me një biznes të vogël, apo ata që prej kohësh ishin përfshirë në aventurën e një biznesi të madh, ishin më vete dhe për të pasur një kontakt me shtetin, kishin nevojë, me patjetër, për të gjetur dikë që kishte çelësin e zyrës, dikë që kishte çelësin e zgjidhjes.
Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi po ashtu ishin më vete. Ishin më vete ata që me karrocat e tyre të invaliditetit gdhiheshin e ngryseshin përpara Kryeministrisë, jo për të marrë ndonjë gjë që s’e kishin, por thjeshtë për t’u siguruar që gjëja që u takonte, të mos vonohej me muaj të tërë, paga e aftësisë së kufizuar. Ishin më vete ata që, pasi kaluan kalvarin e ferrit të diktaturës komuniste dhe që quhen sot e gjithë ditën, ish të përndjekurit politikë, hynë në një kalvar të ri. Në kalvarin e pamundësisë për të ndjerë jo thjeshtë dhe vetëm dorën e shtetit në funksion të nevojave të tyre financiare, por në radhë të parë, shenjën kuptimplotë të një rehabilitimi moral, në raport me një shtet që prezumohej se më në fund ishte shteti i tyre, ishte shteti i të gjithëve pa dallim.
Ishin më vete familjet në nevojë për një ndihmë ekonomike. Shqipëria që kishim kur ne morëm detyrën, u kishte atyre një mal me borxhe. Një mal me borxhe për aftësinë e kufizuar, një mal me borxhe familjeve në ndihmë ekonomike, para që figuronin në buxhetin e shtetit, të dedikuara për ta në bazë të ligjit dhe që nuk u kishin vajtur atyre. E nuk flasim për pak, por për miliona e miliona në një mal borxhesh prej 720 milionë dollarësh që Shqipëria që kishim, ua kishte të gjithë atyre që kishin shërbyer në bazë të kontratave për të filluar të ndërtonin rrugë, për të furnizuar spitalet, për të furnizuar shkolla, për të mirëmbajtur infrastrukturën shtetërore, për shumë e shumë si këto dhe që rezultonin në kushtet e një paralize financiare, për shkak se kishin shpenzuar gjithçka që kishin në xhepa, me idenë se shteti do t’ua jepte atë që u takonte. E jo vetëm që nuk ua i kishte dhënë, por i kishte çuar në prag të falimentimit.
Kjo ishte Shqipëria që kishim!
Shqipëria që kishim kishte një ndihmë ekonomike qesharake. Jo se ndihma ekonomike e trefishuar në Shqipërinë që kemi mjafton, sepse në Shqipërinë që duam, ndihma ekonomike duhet të jetë shumë më tepër, por Shqipëria që kemi është dëshmia më kuptimplotë e një të vërtete të thjeshtë: Ne jemi këtu për Shqipërinë që duam.
Ne nuk jemi këtu për të vazhduar e për të përsëritur një avaz të vjetër, 20 e kusur vjeçar, që i ndau njerëzit në të nënës dhe në të njerkës. Të njerkës ishin njerëzit e zakonshëm, pa një kushëri të rëndësishëm, pa një mbiemër të njohur; Njerëzit e zakonshëm pa para në xhep për të blerë të drejtat e tyre; Njerëzit e zakonshëm pa një teserë partie në pushtet, që t’u siguronte akses të privilegjuar, jo për të bërë pasuri, jo për të bërë mrekulli, por thjesht për të mbajtur frymën gjallë.
Shqipëria që kishim ishte një vend ku familjet që meritonin ndihmën ekonomike, për ta marrë, duhet të kishin një teser partie në xhep, duhet të kishin fotografinë e votës në një telefon celular. Një votë që i shkonte për shtat një kryetari komune që i ndante njerëzit në të shtetit, pra, të partisë që shtetin e përdorte për vete dhe në të njerkës.
Sigurisht që të përndjekurit politikë kanë arsye, sa të duash, për t’u ndjerë ende të parehabilituar plotësisht nga pikëpamja morale, por sot, ne jemi në kushtet kur brenda pak muajsh përfundojmë plotësisht shlyerjen e të gjitha detyrimeve financiare për çdo të burgosur të regjimit komunist që është gjallë, të 8 këstet. Ndërkohë që gjetëm në Shqipërinë që kishim, një lumë njerëzish të kësaj kategorie shoqërore, që nuk kishin marrë akoma këstin e parë. Ndërkohë që pamë me shumë dhimbje, se shumë të tjerë kishin shkuar në botën tjetër pa e marrë këstin e parë dhe ndërkohë që konstatuam se të tjerë që nuk kishin qenë në burg fare, por me dëshminë e pasardhësit e ku di çfarë, kishin marrë më shumë sesa një këst.
Kjo ishte Shqipëria që kishim!
Ndërkohë që Shqipëria që kemi nuk është ende Shqipëria që duam, por është baza për Shqipërinë që duam, sepse në Shqipërinë që kemi ne sot, mund t’i shikojmë të gjithë në sy dhe mund t’u themi: Ja çfarë mundëm të bëjmë për ju dhe ja çfarë, kjo që mundëm të bëjmë, duhet t’ju tregojë juve se ne mund dhe do të bëjmë sëbashku atë që duam, sëbashku për ju dhe për Shqipërinë që duam!
Kjo shkollë është një tjetër shembull kuptimplotë i një të vërtete shumë të thjeshtë, se shteti që kishim ishte më vete, nuk kishte lidhje fare me çfarë nevojash kishin këta fëmijë, që janë fëmijë me aftësi dhe nevoja speciale. Përkundrazi, këtu, një copë godinë ishte marrë nga Drejtoria Arsimore e fshatit, një pjesë tjetër ishte pushtuar nga persona që banonin në të dhe pjesa tjetër ishte ajo ku ju, njerëz vërtet për t’u admiruar për durimin, për përkushtimin dhe për çka bëni çdo ditë, – duke pasur parasysh se nuk vini në këtë shkollë nga hëna, por vini nga familja juaj, ku keni nevojë të kujdeseni për fëmijët tuaj, ku keni problemet tuaja, – ishit lënë në mëshirë të fatit. Një situatë që ishte turpi i shtetit që kishim, turpi i Shqipërisë që kishim.
Nuk u desh ndonjë mal me para, u desh thjesht dhe vetëm ndjeshmëria e nevojshme ndaj këtyre fëmijëve, u desh thjesht dhe vetëm vullneti i nevojshëm për ta transformuar këtë hapësirë, nga një vend ku realisht ndiheshe si në një ishull të harruar, andej nga nuk e di cili kontinent, në një ishull kaq të mrekullueshëm paqeje, ngjyrash dhe hapësirash për të gjitha nevojat e këtyre fëmijëve, duke mundësuar që puna e të gjithëve ju të ketë shumë më tepër energji pozitive dhe shumë më tepër vlerë. Pasi, në fund të fundit, shumë njerëz vazhdojnë të thonë “Fasadat!”, por nuk e di ku e kanë problemin këta njerëz! S’e kuptoj, pse një shkollë, një godinë e rrënuar, ju duket normale dhe një godinë, një shkollë e transformuar si kjo, ju duket mashtrim!
Kjo është shprehje e një mendësie që i takon të shkuarës, i një mendësie që i takon Shqipërisë që kishim. Sinqerisht, unë nuk i bëj me faj, për shkak se, nëse nuk të bën përshtypje e shëmtuara, nëse nuk të bën përshtypje pisllëku, nëse nuk të bën përshtypje rrëmuja, por të bën përshtypje e bukura dhe të shqetëson, të bën përshtypje pastërtia dhe të shqetëson, të bën përshtypje rregulli dhe të shqetëson, je një fatkeq dhe meriton të gjithë keqardhjen, por nuk meriton realisht investimin e asnjë energjie, për të të bindur e për të mbushur mendjen që nuk i ka ardhur e keqja njeriut nga e bukura. Mos u tremb nga e bukura! Nuk i ka ndodhur ndonjë fatkeqësi njeriut nga ngjyrat, nuk i ka ardhur gjëma njeriut nga rregulli, nuk është zhdukur ndonjë shtresë e civilizimit tonë nga pastërtia.
Rregull, pastërti, ngjyra, harmoni dhe punë, punë e punë është Shqipëria që duam!
Kjo nuk është një arsye që njerëzit të mendojnë sa të lumtur duhet të jenë dhe sa shumë duhet të çohen në këmbë e të na duartrokasin, kur na shohin, përpara këtyre punëve. Jo, se ndërkohë që ne jemi këtu, në këtë ishull tërësisht të rilindur, që i përket tanimë hartës së Shqipërisë që duam, Shqipëria që kemi ka ende shumë ishuj që kanë nevojë të rilindin. Ka ende shumë shkolla që kanë nevojë të rindërtohen nga e para, ka ende shumë komunitete dhe shumë familje që janë të detyruar t’i çojnë fëmijët në shkolla me dy turne dhe kanë nevojë për hapësira të reja, për shkolla të reja, që t’i japim fund edhe historisë së dy turneve. Siç po i jepet fund në Tiranë, ku dy turnet janë gjithmonë e më pak dhe ku me 20 shkollat e reja që ne kemi filluar të ndërtojmë me Bashkinë e Tiranës, jo vetëm që nuk do ketë më dy turne, por nuk do ketë më shkollë që të mos jetë në të njëjtën kohë një qendër komunitare dhe të mos garantojë në të njëjtën kohë mësimin normal, jo ulur ngjitur me njëri-tjetrin dhe pa ngrohje. Më kujtohet një ministër i yni që thoshte se nuk kemi nevojë për ngrohje, se i kemi shumë të ngjeshura klasat dhe është ngrohja e trupit të njeriut që garanton të ngrohet gjithë klasa, pasi trupi i njeriut ka një energji që e nxjerr. Domethënë, ai i konsideronte nxënësit si auto kaloriferë që mund të garantonin ngrohjen, por nuk kishte gjetur akoma një zgjidhje për ftohjen. Këto ishin argumentet idiotikë të njerëzve në Shqipërinë që kishim.
Miqtë e mi!
Unë ju shpreh gjithë mirënjohjen, gjithë respektin dhe ju siguroj se më vjen shumë mirë që për shkak të reformave, për shkak të këmbënguljes dhe përkushtimit, për shkak të faktit se përtej asaj që është politika dhe që zhvillohet në një katund politik dhe mediatik me 800 banorë, se aq janë gjithsej që bëjnë zhurmën dhe bëjnë llafet e këtij vendi nëpër televizorë, nëpër kanale, nëpër portale, nëpër çadra, nëpër kafenetë e bulevardit, Shqipëria tjetër është krejtësisht tjetër.
Shqipëria tjetër nuk ka nevojë për këto. Shqipëria tjetër ka nevojë për këto punë që jemi këtu sot dhe që do të vazhdojmë të bëjmë përditë e përditë, për të bërë shtet, për të pasur një Shqipëri në punë, ku të gjithë të punojnë për njëri-tjetrin, ku shteti punon për njerëzit, ku njerëzit punojnë për vete dhe për shtetin dhe për të siguruar mirëqenie.
Në fund të fundit, mirëqenia nuk vjen nga qielli, mirëqenia nuk vjen as nga njëra palë, mirëqenia vjen nga puna e përbashkët e të gjitha palëve. T’i japim shqiptarëve shtetin që duam dhe të ndërtojmë me shqiptarët, Shqipërinë që duam!
Faleminderit!
* * *
Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” hapi sot dyert për të mirëpritur fëmijët me aftësi ndryshe në Tiranë. E ndërtuar që në vitin 1994, por e degraduar ndër vite për mungesë në mirëmbajtje, tanimë pas ndërhyrjes nga Bashkia e Tiranës, shkolla ofron të gjitha kushtet e nevojshme dhe moderne për një mësimdhënie normale për nxënësit me aftësi të veçanta. Ambientet e reja të kësaj shkolle u përuruan sot gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, të cilët panë nga afër edhe punën e realizuar në projektin e transformimit të kësaj godine.
“Të gjithë nxënësit e kësaj shkolle vijnë me transport falas që mundësohet nga Bashkia e Tiranës. Është shumë e vërtetë që qeveria e Edi Ramës ka trefishuar numrin e mësuesve ndihmës, por jo vetëm kaq, ka mundësuar që mësuesit që operojnë dhe që veprojnë në këto shkolla ku nxënësit janë me aftësi ndryshe të marrin edhe trajnimin efiçent, kah gjithë nevojave që kanë fëmijë me aftësi ndryshe kanë”, – theksoi Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi të gjithë ata që kontribuuan për përmirësimin e infrastrukturës së kësaj shkolle, si dhe stafin pedagogjik për sakrificat. Veliaj theksoi se kjo kategori fëmijësh kanë nevojë jo vetëm për kushte më të mira materiale dhe mësimdhënie, por edhe për një vëmendje të veçantë dhe larg çdo paragjykimi nga shoqëria. Ai theksoi se ky vit do jetë i fokusuar pikërisht te ndërtimi i infrastrukturës shkollore, ku veç 3 shkollave që janë në ndërtim, pritet që shumë shpejt nisi edhe ndërtimi i 17 shkollave të tjera, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne, por edhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies në institucionet e dijes.
Shkolla “Luigj Gurakuqi” është e vetmja shkollë speciale ku mësojnë fëmijë me aftësi ndryshe në Tiranë. Ajo iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë, duke nisur nga instalimi i rrjetit elektrik, vendosja e pajisjeve sanitare, instalimi i sistemit të ngrohjes me kaldajë me peletë etj.. Shkolla “Luigj Gurakuqi” do të jetë shërbejë edhe si një qendër komunitare për të gjithë banorët e kësaj zone.