Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Thirrja e katërt për projekte të financuara nga Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, me fokus Turizmin Rural dhe Industrinë e Artizanatit e Manifakturën, është çelur për të gjithë ata që duan të investojnë në këto drejtime të turizmit rural.

Thirrja e katër për aplikime është e hapur deri në datën 25 shkurt dhe përmes saj synohet të të promovohet dhe të hapet një dritare komunikimi për të gjithë aplikantët potencialë për të patur sa më shumë investime në turizmin rural. Buxheti i alokuar nga kjo thirrje për aplikim është 5,2 milionë euro, i bashkëfinancuar në 75 % nga fondet e BE dhe 25 % kontribut i buxhetit të shtetit.

Për të lançuar thirrjen e katërt, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, si dhe Ambasadorin e BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, ishte sot në një prej bizneseve të suksesshme në agroturizëm, përfitues të programit IPARD, nga ku theksoi se ky program garanton një financim jashtëzakonisht të favorshëm, për të gjithë ata që kanë vizionin dhe vullnetin të zhvillojnë ekonominë e tyre familjare, duke besuar tek një potencial i jashtëzakonshëm dhe ende shumë pak i shfrytëzuar, që është potenciali i fshatit e  në këtë rast i agroturizmit.

* * *

Sot e pashë të arsyeshme që t’i bashkohesha ministres, ambasadorit të Bashkimit Europian dhe kryetarit të Dhomës së Zejtarisë, për lançimin e kësaj faze të re të programit të mbështetjes europiane për zhvillimin e fshatit dhe përkatësisht turizmit rural, përmes thirrjes së katërt të një programi, i cili garanton një financim jashtëzakonisht të favorshëm, për të gjithë ata që kanë vizionin dhe vullnetin të zhvillojnë ekonominë e tyre familjare, duke besuar tek një potencial i jashtëzakonshëm dhe ende shumë pak i shfrytëzuar, që është potenciali i fshatit tonë dhe në këtë rast i agroturizmit.

Ne kemi bërë jo pak, besoj pasi e filluam këtë punë në një terren krejtësisht të djerrë duke çelur shtegun për investime në agroturizëm, me bindjen e plotë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dhe se agroturizmi është përgjigja për shumë familje të cilat jetojnë në fshat dhe e kanë larg tregun, ndërkohë që nuk i kanë aty ku jetojnë mundësitë qoftë gjeografike, qoftë klimatike, qoftë edhe financiare për të zhvilluar bujqësinë intensive.

Agroturizmi është përgjigja, duke e parë rrugën e zhvillimit nga e kundërta dhe pikërisht pse jeton në një pozicion të tillë, ku për disa arsye objektive e ke të pamundur të përfshihesh në rrugën e zhvillimit të bujqësisë intensive, ke avantazhe të gjitha ato disavantazhe që janë në raport me bujqësinë. Ke avantazhin që të jep natyra, ke avantazhin që të jep distanca, ke avantazhin që të jep patjetër ajo që ti ofron, duke bërë që në vend se të shkosh ti te tregu, të vijë tregu te ty. Në vend se të angazhohesh ti për të nxjerrë prodhimin në treg, të vijnë konsumatorët drejt teje.

Faktikisht eksperiencat e krijuara në këtë fushë, që tanimë janë të konsiderueshme në raport me nga u nisëm, flasin vetë për favorin e madh që agroturizmi u jep atyre që angazhohen me të.

Nga ana tjetër është sot fare e lehtë që të gjitha fjalët dhe të gjitha premisat teorike të mund të verifikohen duke i parë nga afër zhvillimet që kanë ndodhur, në pika të ndryshme të vendit ku përndryshe ato familje nuk do kishin asnjë shans që të ndërtonin një ekonomi të qëndrueshme familjare dhe do të ishin të detyruar të largoheshin, por ku faktikisht ato familje kanë krijuar një ekonomi shumë herë më të fortë se sa çdo lloj ekonomie që do të krijonin duke ikur nga vendi i tyre, qoftë duke ardhur në Tiranë, qoftë duke shkuar edhe në Gjermani.

Agroturizmi është një mundësi e jashtëzakonshme edhe për emigrantët, të cilët duan të investojnë kursimet e tyre, pasi u jep mundësinë që përmes investimit të tyre të kursimeve të mund të sigurojnë të ardhura më të larta sesa të ardhurat që sigurojnë nga puna në emigracion. Edhe kjo është tanimë e provuar dhe të gjitha rastet e zhvillimit të agroturizmit që ne i kemi sot në hartën e turizmit rural të Shqipërisë, flasin për këtë.

Patjetër që investimet në agroturizëm kërkojnë një bazë, nuk diskutohet. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian agroturizmin e ka një nga elementët e programeve të veta të financimit, kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare agroturzimin e ka një nga elementët e programeve të veta të financimit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi bashkuar në këtë përpjekje me Bashkimin Europian, i cili jep pjesën më të madhe të financimit, ndërkohë që ne japim 1/4 e këtij financimi për të gjithë ata që prezantojnë projektet e tyre.

Sot shembujt e suksesit, qoftë në agroturizëm, por qoftë edhe në tërësi në zhvillimin rural, flasin për një fakt të pakundërshtueshëm. Zhvillimi rural kërkon dije, zhvillimi rural kërkon inovacion, zhvillimi rural kërkon njëkohësisht edhe një vrap me kohën. Nëse shohim sot panoramën e zhvillimit tonë rural, kemi ende dy realitete që jetojnë paralelisht me njëra tjetrën. Nga një anë është realiteti i atyre që bëjnë sukses, pikërisht sepse i pararendin atyre pengesave, të cilat sjell vetvetiu ndryshimi i kohës.

Ndërkohë që kemi dhe panoramën e atyre që nuk bëjnë sukses, të cilët kanë gjithmonë e më shumë pengesa, për shkak se përpiqen të mbijetojnë, duke mos iu përgjigjur kërkesave të kohës. Nga një anë kemi ata që prodhojnë, që grumbullojnë, që eksportojnë, që krijojnë punë dhe kanë të ardhura të konsiderueshme dhe nga ana tjetër kemi ata që mbeten me prodhimin në arë, ose që detyrohen ta hedhin atë në lumë.

Të parët i drejtohen mekanizmave të mbështetjes shtetërore ku një pjesë të konsiderueshme, e përsëris, ka mbështetja që vjen nga Bashkimi Europian, sepse e kanë kuptuar që rruga e suksesit është ndryshimi i vazhdueshëm dhe adaptimi me kohën për të përballuar tregun, që është gjithmonë e më i hapur e më i sofistikuar. Ndërsa të dytët i drejtohen rrugës së bllokimit të rrugës, duke kërkuar nga shteti atë që shteti nuk mund ta bëjë dot në sistemin që kemi zgjedhur.

Të parëve, ne u themi që bujrum, aplikoni për mbështetje se mbështetja është gjithmonë e më e madhe në aspektin financiar, e po të shikojmë burimet financiare të vëna në dispozicion të bujqësisë sot, falë edhe faktit që AZHBR-ja ndryshoi krejtësisht vitet e fundit dhe u kthye në një gjenerator mbështetjeje, për shkak të adoptimit më së miri me programet e Bashkimit Europian, janë faktikisht të pakrahasueshme me të shkuarën e deridjeshme, pra kemi gjithmonë e më shumë burime financimi në dispozicion.

Ndërkohë që të dytëve, ne u themi mësoni nga të parët, u themi adaptohuni. Nuk mundet dot të mbijetosh sot në një treg gjithmonë e më shumë të hapur, gjithmonë e më shumë kërkues, gjithmonë e më shumë të sofistikuar, duke qëndruar vetëm në ngastrën tënde, është e pamundur. Nuk mund të mbijetosh sot, duke besuar tek një sasi e vogël prodhimi, për të cilën kërkon blerës që të mund të shesësh me një çmim të arsyeshëm, është e pamundur. Është thjeshtë e pamundur.

Ndërkohë qasja jonë është shumë e qartë. Bujqësia dhe në tërësi zhvillimi rural duhet të orientohet gjithmonë e më shumë nga sipërmarrja dhe të gjithë ata të cilët angazhohen në këtë fushë, kanë patjetër mundësinë që të ndërtojnë një sipërmarrje të suksesshme, nëse mësojnë nga ata që janë të suksesshëm e nëse i pararendin pengesave që koha ngre në mënyrë të vazhdueshme për ata të cilët mbeten mbrapa kohe.

Sigurisht që nga ana jonë ne kemi ende shumë për të bërë për të garantuar maksimumin në cilësinë e imputeve bujqësore sepse është e pajustifikueshme dhe e pafalshme për ne si shtet që të mos jemi garant të cilësisë më të lartë të imputeve bujqësore, të farave, të fidanëve, të të gjithë atyre elementëve, të cilët faktikisht janë baza. Ne kemi shumë për të bërë për të garantuar një rritje të rrugëve, një zgjerim të rrugëve të informimit për fermerët, për njerëzit që janë në sektorin e zhvillimit rural, për të rritur patjetër kapacitetet, duke stimuluar dijen dhe duke stimuluar njohjen nga afër të rasteve të suksesit dhe sigurisht edhe për të stimuluar masivisht inovacionin dhe ftujën kudo të teknologjive të reja në këtë fushë.

Për ta mbyllur, unë besoj shumë që shembujt e zhvillimit rural përmes agroturizmit janë tanimë mjaftueshmërisht domethënës për të stimuluar një lëvizje shumë më të madhe në drejtim të këtij sektori. Janë majftueshmërisht domethënës për të nxitur gjithmonë e më shumë njerëz që të investojnë në këtë sektor. Dëgjova në fillim të zonjën e shtëpisë këtu që na ka dhënë mundësinë të mblidhemi për këtë event, e cila pavarësisht emocioneve tha një fjalë të cilën unë e ndaj plotësisht me të dhe e besoj po aq sa e beson ajo, që do të vijë një ditë ku agorturizmi dhe turizmi rural në Shqipëri do të jetë me siguri i barasvlershëm, në mos edhe më i rëndësishëm se sa turizmi masiv bregdetar.

Do vijë një ditë që bukuritë e Shqipërisë nga të katërt anët dhe të gjitha ato destinacionet e pafundme në Shqipërinë e thellë, do të jenë pika të populluara nga turistë  përgjatë gjithë vitit. Do vijë një ditë që oferta e agroturizmit në Shqipëri do të jetë e atillë që do ta bëjë kërkesën gjithmonë e më të lartë dhe pa diskutim edhe të ardhurat e atyre që do të investojnë në këtë fushë, gjithmonë e më të konsiderueshme dhe me gjithë mbështetjen në aspektin fiskal që ne i japim agroturizmit dhe me të gjitha lehtësitë që sipërmarrja në agroturizëm ka sot nga mbështetja shtetërore, është gjynah që të kesh një tokë në një pikë të bukur të natyrës shqiptare, qoftë në fshatrat përreth Tiranës, qoftë në majat e maleve, qoftë në kodrat pranë Durrësit apo Shkodrës apo Sarandës, e kështu me radhë e të mos e shfrytëzosh për të krijuar ekonomi e për të zhvilluar ekonominë tënde familjare, duke kontribuuar dhe në ekonominë kombëtare, është vërtetë gjynah.

Unë dua t’i përgëzoj e t’i inkurajoj të gjithë ata ndër ju këtu, që janë tanimë të përfshirë në këtë fushë, disa prej jush i njoh, ndonjërin prej jush edhe e kemi inkurajuar në mënyrë të posaçme sepse ka qenë në vështirësitë e veta, por jam i bindur që duke i mbledhur bashkë edhe ato që ju tregoni edhe ato që ju nuk tregoni, sepse dihet, është në natyrën e çdo sipërmarrësi shqiptar të madh apo të vogël që të mos i tregojë të gjitha, ju e dini më mirë se ne që flasim që puna po ju shkon mbarë dhe edhe më mbarë t’ju shkojë sepse sa më mbarë t’ju shkojë puna ju, aq më mbarë na shkon puna edhe ne.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.