Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e çeljes  së Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit: 

I nderuari Koordinatori Kombëtar i të dy qeverive për programin e bashkimit të forcave dhe të energjive tona në drejtim të realizimit të objektivave të përbashkëta,

Miku im i shtrenjtë Fatmir Limaj,

Të nderuar ministra të financave të dy shteteve tona,

Të nderuar ambasadorë!

Më vjen shumë mirë që sot, ne mblidhemi në një stacion tjetër të rrugëtimit tonë, të projektuar sëbashku në mbledhjen e dy qeverive, për të çelur Zyrën Doganore të Kosovës, në Durrës dhe për ta kthyer kështu, Portin e Durrësit, jo vetëm në një doganë të Shqipërisë, por edhe në një doganë të Kosovës.

Dogana e Kosovës, këtu në Durrës, është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkurtimi i burokracive, i orëve të pritjes, të kontrolleve, i kostove të pallogaritshme për bizneset, janë efekti i drejtpërdrejtë i hapjes së kësaj Zyre Doganore. Por vazhdimi i këtij procesi me vendosjen e të njëjtit standard në të gjitha pikat doganore, jo vetëm për Kosovën në Shqipëri, por edhe për Shqipërinë në Kosovë është objektivi afatshkurtër.

Tanimë, njohja reciproke e dy sistemeve doganore, njohja reciproke e agjentëve doganorë dhe e gjitha kjo online, mundësimi i kryerjes së procedurave doganore duke shfrytëzuar teknologjinë dhe realizimi i qëllimit të një administrate doganore, e cila, edhe pse ka dy krahë apo dy koka, funksionon si një trup i përbashkët në shërbim të sipërmarrjes shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, ma ha mendja se përbën një lajm goxha të rëndësishëm për të gjithë sipërmarrjen.

Jo vetëm kaq, kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës shpejton lëvizjen e mallrave në tërësi dhe e kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi formal.

Ndërveprimi i sistemeve që do të fillojë që sot, faktikisht nuk do të zgjasë më shumë se pak minuta për çdo procedurë. Kështu që ne hyjmë në një proces që pashmangshmërisht na çon jo vetëm tek bashkimi doganor, por edhe tek bashkimi i tregjeve. Bashkimi i plotë i një hapësire tregtare, ku përfitojnë pa diskutim që të gjithë dhe shumë më tepër.

Ministri ynë i Financave dhe Ekonomisë preku një aspekt, duke sjellë shifra, aspektin e volumit tregtar të shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, në një kohë kur e dimë shumë mirë, shifrat janë nën trysninë e përditshme të të gjithë vorbullës së kazanit, të gënjeshtrave, të shpifjeve e të fantazive. Megjithatë ne nuk kemi një referencë tjetër, përveç shifrave, për t’iu kthyer përgjigje të gjithë atyre që shpeshherë, në Tiranë dhe në Prishtinë, e kanë përqeshur këtë proces historik të transformimeve që kanë nisur pikërisht nga mbledhjet e dy qeverive.

Shifra e volumit tregtar të shkëmbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë ka një rritje të konsiderueshme, prej thuajse 60 milionë eurosh.

60 milionë euro, më saktë, 62 milionë euro vlerë, nuk janë një shumë për t’u krenuar në raport me ambicien që kemi. Janë shumë larg ambicies që kemi. Mundësitë dhe potenciali ynë i përbashkët është shumë më tepër se kaq, por ama janë shumë më tepër sesa ishin. E nëse i referohemi pikënisjes, momentit të parë kur ne kemi mbledhur dy qeveritë, për të hyrë në një fazë të re për tregtinë mes dy vendeve, janë shumë, shumë më tepër.

Nga ana tjetër, e preku Koordinatori Kombëtar, dua ta risjell edhe njëherë në vëmendje që jo vetëm kjo Zyrë Doganore është efekt imediat i angazhimeve të marra mes dy qeverive dhe të bëra publike në mbledhjen e para pak kohësh, por edhe integrimi kufitar, sipas modelit Shengen. Jo më larg se dje, Ministria jonë e Brendshme ka përfunduar të gjithë draftin teknik, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Kosovës. Tani drafti do të shkojë në ministritë e tjera, për të hyrë në një proces ligjor dhe për të garantuar që në pranverë, ne të kemi në kufirin e sotëm që ndan Tiranën me Prishtinën, një sistem krejt të ri, sistemin Shengen. Që do të thotë se tani jemi vetëm në një fazë fillestare, kemi kaluar nga dy kontrolle në një kontroll të unifikuar, zyra e policisë në kufi është zyrë e përbashkët, ku punonjësit e policisë së Kosovës dhe Shqipërisë qëndrojnë në një sportel, por kjo do të zgjasë edhe për pak kohë vetëm si procedurë, sepse në pranverë do të kemi një procedurë krejt tjetër dhe do të kemi një kufi totalisht fluid, njësoj si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë, apo mes Italisë dhe Zvicrës e kështu me radhë.

Çfarë dua të shtoj në këtë aspekt, është se ne duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Maqedoninë e Veriut. Kemi filluar kontaktet. Duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Malin e Zi. Pra, kujt na thotë, apo do na thotë se integrimi kufitar me modelin Shengen është një shprehi e Shqipërisë së Madhe, i përsëris dhe do t’ia përsërisim se Shqipëria e Madhe është një sajesë e kundërshtarëve dhe armiqve të shqiptarëve në histori. Nuk ka një Shqipëri të Madhe, ka një komb shqiptar që ka të gjithë të drejtën e vet ta shohë të ardhmen si pjesë e të njëjtit sistem organizimi dhe e të njëjtit sistem bashkëjetese.

Ndërkohë, nëse duam ta vazhdojmë këtë diskutim, ne jemi gati ta bëjmë këtë diskutim. Nuk kemi asgjë për të fshehur, ëndrra jonë është publike, nuk është një ëndërr e fshehtë dhe ne i besojmë shumë të vërtetës se një ëndërr që një popull e sheh me sy hapur, herët ose vonë e realizon.

Por jo tek kjo. Kjo është thjeshtë dhe vetëm e drejta jonë për të pasur një kufi fluid dhe për të mos u stërmunduar më, ata që vijnë nga Kosova në Shqipëri, apo ata që shkojnë nga Shqipëria në Kosovë, nëpër radhë absurde dhe të pakuptueshme për qytetarë të dy shteteve, që pastaj shkojnë diku tjetër pak më larg dhe i kanë kufijtë të gjithë të lirë.

E fundit, por jo për nga rëndësia, është ajo çka preku Fatmiri për angazhimin për të njehsuar të gjitha procedurat e dokumentacionit tregtar, që është një tjetër element i rëndësishëm. Që do të thotë që së shpejti nuk do të ketë më nevojë për sipërmarrësit, për tregtarët që të kenë dy palë vërtetime kur kalojnë një doganë, por vetëm një vërtetim. Shembull, agjencia që garanton sigurinë ushqimore për produkte ushqimore e Kosovës apo e Shqipërisë do të ketë një vulë të njohur dhe të pranuar nga Kosova dhe nga Shqipëria. Që do të thotë që kush vjen nga Kosova nuk ka nevojë të presë atje që të marrë vulën e agjencisë shqiptare, kush shkon në Kosovë nuk ka nevojë të presë atje që të marrë vulën e agjencisë kosovare, mjafton një vulë. Dhe vula të tilla dyfishe ka plot. Heqja e këtij dyfishi vulash do të jetë një lehtësi e jashtëzakonshme dhe do të na ndihmojë edhe për një element tjetër, që e kemi një problem të përbashkët dhe një sfidë të përbashkët, lufta kundër korrupsionit me vulat e me firmat dhe me procedurat e vonesat që vijnë si rezultat, jo vetëm i radhëve të gjata, por edhe i korrupsionit.

Thënë të gjitha këto, unë jo vetëm për formalitet, as për ta tepruar me fjalë të bukura, por, për hir të së vërtetës që duhet thënë, dua ta falënderoj sinqerisht Fatmir Limajn, i cili i ka dhënë një impuls të ri ndërveprimit mes dy qeverive dhe me thënë të drejtën më bën të ndihem shumë mirë, se si propozues i tij për Koordinator Kombëtar nuk kam gabuar, gjë që natyrisht vlen edhe për të konfirmuar respektin për veten time.

Shumë falënderim të gjithëve dhe miqve që kanë ardhur nga Kosova!

Një falënderim edhe për Bedriun, ministrin e Financave të Kosovës, sepse duhet ta themi që vërtetë i kemi uruar mirëseardhjen miqve tanë, por këtu jemi të ftuar nga ministri i Financave të Kosovës, sepse këtu jemi në eventin e hapjes së Zyrës Doganore të Kosovës dhe Porti i Durrësit nuk është më vetëm i Shqipërisë, por është edhe i Kosovës, jo në kuptimin që Shqipëria është edhe e Kosovës dhe Kosova është edhe e Shqipërisë, por në kuptimin administrativ. Tani e vetmja gjë që duhet të ruhemi, i dashur Fatmir, nga një drejtor doganash do të kemi dy dhe kjo nuk duhet të krijojë më shumë probleme për biznesin.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.