Në plazhin e Darzezës, një prej aseteve më të bukura natyrore të Fierit, të paprekur nga ndërtimet masive dhe me perspektivë për investime ambicioze në turizmin elitar, vijoi sot takimi i Kryeministrit Rama me operatorë turistikë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në një diskutim konsultues mbi të ardhmen premtuese të turizmit në bashkinë e Fierit.
* * *
Përshëndetje! Sot jemi në Fier, e kemi filluar ditën herët dhe do të vazhdojmë më tutje, por vendosëm ta bëjmë një ndalesë këtu sepse është e rëndësishme të prekim dhe një aspekt që mbetet një aspekt me një potencial të jashtëzakonshëm, por që për shkak se si erdhën punët në mandatin e dytë, nuk e kemi cekur ashtu dhe aq sa duhet dhe faktikisht, rrugën e Semanit ne e nisëm, pastaj fondet, jo vetëm nga rruga e Semanit, por edhe nga një sërë projektesh të tjera, i spostuam sepse na ra fatkeqësia e tërmetit.
Megjithatë, mbetemi të bindur dhe unë jam absolutisht i sigurt që kjo zonë do të jetë një vlerë e jashtëzakonshme e shtuar për Fierin dhe për gjithë ekonominë kombëtare.
Po të shikojmë të gjithë karakteristikat e zonës, jemi në potenciale të përafërta, dhe nuk po i hyj këtu tani, cila më shumë e cila më pak, por të përaftërta me zonën poshtë të Gjirit të Lalzit, por këtu jemi në kushtet ku mund ta nisim gjënë pa pasur përpara pengesat e tmerrshme të një të shkuare injorance, barbarie, dëmesh të shkaktuara që praktikisht i vënë gjysmë në hije edhe investimet shumë të mira që kanë vazhduar të bëhen qysh se ne e morëm detyrën, me tjetër vizion, me tjetër ambicie, me tjetër cilësi planifikimi urban, me komplet tjetër cilësi ndërtimesh, gjë që e kanë përqafuar me vështirësi në fillim, por sot janë komplet të integruar në këtë qasje dhe investitiorët dhe zhvilluesit, përgjithësisht.
Për këtë arsye, kemi dhe atje disa investime të tjera, që realisht bëjnë diferencën, por të kufizuar nga situata deformimesh të mëdha paraprake.
Ndërsa këtu, jemi në një Tabula rasa dhe na vjen shumë mirë që kemi mundësi të rimarrim edhe një projekt-ide. Këtu është thjesht një ide, e cila do të rishikohet rrënjësisht, sepse i kemi bërë edhe ato vërejtjet tona, për të pasur një turizëm shumë të përparuar, nga pikëpamja e standarteve ekologjike, pa atë intesitet që ka ky projekt-ideja që u shfaq këtu dhe me shumë më tepër qasje për të sjellë, nga njëra anë, gjithë publikun shqiptar në hapësira të pafundme, janë rreth 25 kilometra këtu që presin të ceken deri poshtë në zonën e Divjakës, ku edhe aty duam të zhvillojmë me shumë kujdes sepse kemi edhe aty një aset fantastik, në mënyrë që ardhja e publikut dhe gjithë mundësia e re që u krijohet familjeve, fëmijëve, të harmonizohet me sjelljen këtu të turistëve që konsumojnë shumë; pra, me një turizëm të një një lloji krejt tjetër, turizëm elitar, pa ndërtime masive dhe pa shkatërrime, si ato që na kanë ndodhur, fatkeqësisht, në gjithë bregun më poshtë ose më lart, merreni si të doni, në zonën drejt veriut nga këtu, ku është Golemi, Durrësi, Shëngjini më tutje, që fatkeqësisht janë dëmtuar në një pjesë të madhe të tyre.
Ajo që ka rëndësi është që Fieri ka një aset të jashtëzakonshëm. Është konceptuar gjithmonë si një qytet industrial, pa det. Në fakt, Fieri ka një det që është një nga pjesët me potencialin më të madh të gjithë zonës së Adriatikut.
Nga ana tjetër, kombinimi i një zhvillimi këtu me parqet fotovoltaike, me disa zhvillime në fushën e energjisë së rinovueshme, me agroturizmat që kanë filluar, por që duhen nxitur dhe duhen zhvilluar edhe më shumë në zonën brenda të qarkut me Apolloninë, e bëjnë këtë një destinacion ku turizmi do të sjellë një vlerë të shtuar, do të sjellë më shumë vende pune, do të sjellë edhe më shumë të ardhura dhe për familjet.
Ne kemi pasur këtë vit një sezon turistik të jashtëzakonshëm për nga prurjet dhe gjëja e mirë e këtij viti është që ka qenë një turizëm i shpërndarë, nuk ka qenë i fokusuar vetëm në një vend, por kemi pasur një fluks turistësh nga në të katërt anët, që nga deti lart dhe zona e veriut ku ka pasur numra të rritur krahasuar me më pare, por sigurisht ka dhe atje një potencial shumë të madh për t’u zhvilluar akoma, por dhe deri thellë në zonën e Përmetit, ku shifrat e vetë ekonomisë lokale flasin vetë, që kanë arritur të përballin një periudhë shumë të vështirë ekonomikisht për shkak të luftës dhe për shkak inflacionit të luftës, dhe për shkak dhe të një situate psikologjikisht të rënduar, por e përsëris; Sot ne kemi vetëm provën që Shqipërinë ne kemi mundur ta nxjerrim nga ai bataku i një vendi ku të vetmit artikuj që dilnin gjatë sezoneve turistike ishin artikuj tek-tuk për sa pis që është, për sa keq shërbehet, për sa e pakëshillueshme është të shkosh atje në një vend që, realisht, gjatë këtij sezoni ka qenë i pranishëm me emër, për mirë, në të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare të turizmit, por edhe në shumë media globale si CNN, deri tek BBC e deri larg tek mediat e vendeve nordike e deri në Amerikë e Australi.
Kjo është prova që ne kemi sot mundësinë të tërheqim shumë më tepër, ashtu sikundër kemi dhënë dhe një provë tjetër, që mund të kemi një Shqipëri turistike të pastër, falë punës së madhe që ka bërë Mirela me skuadrën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, këtu është Vilma, zëvendës ministrja dhe falë angazhimit serioz në këtë drejtim të bashkive, ku bashkia e Fierit, edhe pse nuk konsiderohet një bashki bregdetare, sicc thashë, por ka gjithë këtë bregdet. Këtu unë kam ardhur vetë në këtë sezon ka pasur pafundësi njerëzish, ka bërë një punë shumë të lavdërueshme me pastërtinë.
E fundit, që dua të them është që ne duam t’i japim një dimension më të konsoliduar, dhe e kemi filluar punën për vitin e ardhshëm, kulturor në aspektin e aktiviteteve kulturore, aktiviteteve artisitike dhe aktiviteke për fëmijët.
Fëmijët janë më të penalizuarit në sezonin tonë turistik sepse për ta është vetëm plazhi, është vetëm dielli dhe është vetëm koha për për t’u larë në det. Pastaj, për ta nuk ka më asgjë. Ne duam që në këtë drejtim të bëjmë më shumë dhe me siguri që do të bëjmë më shumë.
Nuk dua të zgjatem më tutje. Besoj që është koha e duhur për të shtyrë përpara këto investime, për të rifilluar me rrugën e Semanit, për të vazhduar me gjithë ato përgatitje që duhen dhe me shpresën, jo të mbështetur në një dëshirë, por edhe me kontaktet që kemi pasur, që kjo sinergji e krijuar mes një familjeje të vjetër që e ka marrë një pjesë këtu, një pjesë të konsiderueshme, por shumë të vogël krahasuar me të gjithën, të pronës dhe që i ka në emigracion disa përfaqësues të vetët bashkë me një grup investitorësh, është pranë futjes në një procedurë realizimi, duke filluar sigurisht nga projekti, të cilin kur të jetë gati, me shumë kënaqësi do të rivijmë për ta prezantuar këtu dhe duke vazhduar pastaj me gjithë implementimin.
Investimi, në rast se do të ndodhë dhe ne kemi shumë besim që do të ndodhë, do të jetë masiv dhe kështu do të kemi një tjetër zonë të bregdetit, ku do të futet një tjetër investim masiv, pas investimeve që tanimë kanë nisur, nga porti i Sarandës, porti turistik i Vlorës.
Këto ditë shkon në parlament edhe marrëveshja kontraktuale për portin e ri turistik të Durrësit dhe patjetër resorte dhe investime të tjera.
Nuk desha të hyj në detaje të tjera që kanë të bëjnë me të përditshmen e punës suaj, me energjinë, me inflacionin e luftës sepse po flasim intensivisht edhe për to, po besoj se një nga arsyet e rëndësishme se pse ne kemi pasur një ecuri të qendrueshme edhe në këtë sezon është se ne nuk kemi prekur çmimet e energjisë, as për familjet, as për bizneset e vogla dhe një pjesë e madhe e ekonomisë së turizmit janë biznese të vogla, janë sipërmarrje me një xhiro vjetore deri në 140 mijë euro, 140 milion lekë të vjetra, që përndryshe do ta kishin të pamundur të mbijetonin.
Po të shikoni çfarë ndodh në Itali, lajme të përditshme për mbylljen e bizneseve turisike dhe arsyeja nuk paguajnë dot energjinë sepse fatura e energjisë elektrike për ta është rritur dhe bëhet e pamundur për të përballuar gjithë atë faturë për ngrohje, në rastin konkret ftohje dhe konsumin e energjisë elektrike.
Është po ashtu dhe inflacioni, i cili ka gjithë atë problematikë të konsiderueshme për konsumatorët sepse për bizneset bëhet pak më e lehtë pasi e transferojnë, por nuk hyra shumë në këto detaje.
Unë dua tju siguroj që ne do vazhdojmë ta mbrojmë energjinë elektrike. Ne e kemi vendosur që do bëjmë maksimumin, çfarë të jetë e mundur, të pamundurën që të mos kemi kufizime të energjisë elektrike.
Dimri që po hyn nga një anë fatmirësisht, jo dhe aq shpejt, po nga ana tjetër fatkeqësisht me kaq shumë diell edhe në një kohë kur ne dikur kemi patur shi ose presim përditë shi, gjë që nuk na ndihmon sepse shiu për ne është ushqim ekonomik për energjinë elektrike. Flitet kudo që do të jetë dimri më i vështirë e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Ne besoj se i kemi marrë masat e duhura për të mos e patur aq të vështirë sa mund ta kenë jo të gjithë mbase, po shumë të tjerë edhe më të zhvilluar se ne po që janë përballë kushtesh të tmerrshme që lidhen me energjinë, me ngrohjen dhe me konsumin e energjisë elektrike.
Fashën 800 kv ne e kemi vendosur si një masë për të nxitur kursimin edhe për të bërë që një pjesë sipër me të ardhura dhe me shtëpi të mëdha të paguajë përtej nevojave që janë të domosdoshme çdo gjë tjetër me çmimin real, i cili është shumë i lartë me thënë të drejtën dhe po të shikoni në faturat e energjisë në shtëpinë tuaj, keni një shirit që tregon se çfarë është çmimi real, ndërkohë që ju paguani thjesht dhe vetëm atë që është çmimi përpara sesa kriza energjitike të godiste aq fortë sa çmimet të shkonin stratosferë. E megjithatë, ne patëm një shteg shumë të vogël për ta shmangur dhe nuk e vumë fashën. Përditë lutemi me shpresën që të bjerë shi, na duhen rreshje dhe jemi në atë gjurminin për të gjetur shtegun përsëri nëse do krijohet një mundësi e vogël fare që ta shmangim përsëri po mbase do të na duhet ta vëmë atë fashë. Kjo për të thënë që sa më shumë të kursejmë që të gjithë, aq më shumë energji kemi. Gjithë bota po flet për kursim. Gjithë Europa po flet për kursim vetëm disa “xhagajdurë” nga ata të çorbës së rublave dalin në televizor në darkë edhe bëjnë predikimin që çështë kjo punë, ç’janë këta arrogantë, kujt i thonë këta kurseni e të tjerë ose ju thonë njerzve nga mëngjesi deri në darkë që lufta s’ka lidhje, që kjo nuk është punë lufte, kjo është punë mafje, kjo nuk është punë inflacioni, është punë inceneratorësh. Një çmenduri nga fillimi deri në fund ku përzihen të tëra në një çorbë, e cila mbrapa shpinës së këtyre që shfaqen nëpër ekrane ka dorën që ka vënë bastin e madh që të gjunjëzojë gjithë Perëndimin që është dora e Kremlinit.
Kur thoshim Taulanti, Erjoni, Elisa këta që janë luftëtarët e vijës së parë dhe që hanë dhe rrufetë më të mëdhaja që Partia Demokratike financohet nga fonde ruse, na u hodhën në fyt me hijenat e partisë që ushqehet me fonde ruse deri tek ata që këndojnë këngët e tyre nëpër klubet e natës nëpër televizione që kjo është e Sorosit, këtë e bën regjimi i Edi Ramës që është në ikje e të tjerë.
Sot, që del jo më nga mediat e huaja, se ne nuk e shpikëm as nga ne po nga raporti i CIA-s kanë filluar tjetrën. Kanë filluar të bëjnë si ajo të atij me koshin e qershive. Hengri, hengri, hengri u ngop e pastaj u bëri naftën e tha po fle gjumë. Pastaj kur u zgjua, i haeshin prap e thoshte e ka zënë nafta këtë, s’e ka zënë nafta këtë. Kështu po bëjnë tani kush i ka marrë paratë e rusëve, “jo unë s’di gjë”, “jo i ka marrë ai”, ndërkohë që ju kujtohet shumë mirë që kur u akuzua nuk u çua askush, as hijena e madhe, nongrata të thoshte ore kush i ka marrë. Përkundrazi, i vuri gjoksin. Dhe nuk janë vetëm ata aty brenda. Po janë dhe ata që ju kanë vajtur afër tani të përzier në këtë punë.
Ajo që ka rëndësi është që ne të vazhdojmë të ndajmë së bashku fakte dhe të vërteta dhe të jemi të bashkuar në fakte dhe të vërteta. Këtu nuk bëhet fjalë që të bashkohemi në një parti të gjithë shqiptarët.
Nuk bëhet fjalë që, kur ka një luftë që e kërcënon vendin, e fatmirësisht nuk jemi të kërcënuar nga bombat që na vijnë nga qielli apo nuk jemi të detyruar të marrim plaçkat e të shpërngulemi për shkak të bombave siç janë shpërngulur deri tani 7 milionë ukrainas, por ama të kërcënuar në të përditshmen tonë jemi sepse kemi hyrë në një epokë të re kërcënimesh botërisht. Kërcënimi që vjen sot është kërcënimi i inflacionit të luftës që është një mostër më e keqe se tërmeti, se pandemia. Se pandemisë I ikje, futeshe brenda dhe nuk të kapte. Kurse kjo të kap sepse pa ngrënë nuk rri dot. Mund të mos blesh veshje ose mund të mos shtosh shtëpinë për ca kohë, po pa ngrënë s’rri dot e sa herë të futësh dorën në xhep, tak, do vijë mostra të thotë dua pjesën time.
E këtë e ka sjellë lufta. S’e ka sjellë as qeveria, as parlamenti, askush nga ne. Nuk e kanë sjellë madje as ata që nuk lënë dy gurë bashkë për ta kthyer këtë në një avantazh absurd dhe këtu ne nuk mund të kemi dy opinione se kush e ka sjellë këtë të keqë për gjithë botën.
Ne këtu duhet të jemi të qartë, që kjo është diçka që na ka ndodhur, siç na ndodhi tërmeti, siç na erdhi pandemia dhe këtë gjë ne do ta përballim duke u mbështetur reciprokisht dhe mbështetja në këtë rast që qeveria do t’i japë njerëzve duhet të jetë maksimale dhe do të bëjmë gjithçka sepse për këtë punë është qeveria, nuk është thjeshtë për të treguar të vërteten si qëndron, as për të treguar se nga vjen inflacioni, por për të treguar se çfarë është e mundur e bën që njerëzve tua u lehtësojë.
Prandaj kemi marrë masat që kemi marrë dhe prandaj do vazhdojmë të marrim masa të reja edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm. Prandaj edhe do vëmë tatimin e jashtëzakonshëm për prodhuesit e mëdhenj të energjisë, jo për ato të voglat, tre prodhues ka të mëdhenj energjie në Shqipëri që e eksportojnë energjinë dhe e shesin me çmime stratosferike sepse ky është tregu dhe askush nuk iu thotë, as pse, as plaç, por ama do paguajnë më shumë dhe do t’ju vëmë një taksë të jashtëzakonshme që nuk e kemi shpikur ne, e kanë vende të tjera të BE. Është direktivë e BE sesi mund të vendosej një taksë e tillë, do tua vëmë dhe ato para që do marrim prej tyre që nuk llogariten, të pa konsiderueshme, ne nuk do i marrim t’i çojmë për asgjë tjetër përveçse për tu u kthyer njerëzve në formën e mbështetjes, duke filluar nga pensionistët.
Ua kemi indeksuar dy herë pensionet, çka e ka bërë pensionin të rritet rreth 10%, por natyrisht që duhet të bëjmë më shumë. Për këtë arsye do vendosim përsëri pavarësisht se çfarë situate është dhe çfarë vështirësish ka buxheti, bonusin e veçantë të pensionistëve para vitit të ri, këtë herë do bëjmë çmos që ata ta marrin që në fillim të dhjetorit dhe me buxhetin tjetër edhe nga taksa e jashtëzakonshme çfarë do të marrim, përsëri do ta vendosim në dispozicion të kësaj përpjekje të përbashkët. Kështu që ju falënderoj shumë edhe respekte. Atë që nuk kishit gjë për të thënë e marr që mirëkuptohemi për të gjitha këto që u thanë dhe e kuptojmë shumë mirë dhe pa e thënë ju e kemi shumë të qartë që ne jemi këtu për të bërë ende më shumë seç kemi bërë, edhe për Fierin që është bërë jashtëzakonisht shumë me thënë të drejtën. Po të bësh krahasimin me nga ku erdhëm, nuk ka krahasim fare.
Po diskutonim me disa fermerë përpara dhe tani po të shikosh fshatin në televizor tmerrohesh. Fshati në televizorët tanë përmes këtyre që kanë ato frëngjitë e lajmeve, dalin disa hedhin mollë në kanal apo hedhin qepë në kanal apo derdhin qumësht në rrugë. Por s’është ai fshati shqiptar. Si nuk është ai? Po nuk është ai sepse ne eksportonim 130 milionë, një turp, 130 milionë eksporte gjithë ky vend. Sot, këtë vit që është dhe vit i ngatërruar ne synojmë të kapim gjysmë miliard eksporte. Po kur them ne synojmë të kapim, flas ne si shtet se ato eksporte ne i ndihmojmë, i mbështesim, i nxisim po ato eksporte i bëjnë pikërisht fermerët që nuk i hedhin në kanal. Ata që fatkeqësisht dalin dhe hedhin në kanal produktet janë pjesa që akoma nuk është integruar në gjithë këtë lëvizje të re që ka ndodhur në fshat. Nuk ka hedhje në kanal këtu. Janë 167 investime të reja, pika grumbullimi, agro përpunim vetëm këtu në total dhe vetëm këtu në Fier. S’po shkojmë në Lushnjë, s’po shkojmë në Berat, në Fier. 60 pika moderne grumbullimi të ndërtuara, si qenka kjo që hedhin në kanal? Patjetër ka disa që hedhin në kanal mirëpo këta të televizorëve nuk shkojnë, pas kanalit të shkojnë tek ai tjetri në anën tjetër të kanalit që ai i çon në gjithë vendet e Europës. Sepse nuk ju intereson ajo, se me atë tregojnë që në Shqipëri ka dhe punë ka dhe jetë, ka dhe zhvillim kurse me këtë që hedh në kanal, nuk qajnë fare hallin e atyre që hedhin në kanal, por duan që të godasin qeverinë dhe t’i bëjnë shantazh ministrave, e ti bëjnë shantazh kryetarëve të bashkive për të marrë ndonjë tender e për të marrë ndonjë kat pa leje, e për të marrë ndonjë legalizim e ndonjë kontratë qiraje që nuk e paguajnë fare qiranë pastaj, se kanë pushkët e tyre tua u vënë në lule të ballit njerëzve që në mëngjes sa hapin televizorin dhe i bombardojnë me gënjeshtra e me shpifje edhe me kronika të cilat edhe kur nuk janë të gënjeshtërta, janë të qëllimshme se unë nuk them mos e jep atë që hedh mollën në kanal, unë them: jep dhe atë që mollën e merr e eksporton, që edhe ky i kanalit të shikojë që ka dhe një mundësi tjetër, që mos ta hedhesh në kanal por ta eksportosh por për ta eksportuar duhet të mësosh çfarë bën ai që eksporton, si ai që eksporton e dëgjon pulsin e tregut, e ndjek rrugën e zhvillimit, bashkohet me të tjerët, nuk rri vetëm, aplikon, merr projekte, dhe kur thonë i marrin projektet oligarkët, cilët oligarkë? I ka Fieri këtu 167 oligarkë? Kush? Xhafa është oligark që e takuam qëparë apo ata që i kanë duart me kallo janë oligarkët? Jo nuk janë oligark fare, janë njerëzit e punës që nuk dalin në televizor që nuk i nxjerr njeri, se nuk kujtohet njeri për ta, hiç fare, përveç nesh që kemi privilegjin që jo që të kujtohemi por që të jemi bashkë me ta dhe që duan s’duan këta, me një sektor që sot synon gjysmë miliardi, tregojmë që gjërat po ecin, ky është fakt, nuk është opinioni im, është fakt!
Patjetër që ka shumë e shumë gjëra, patjetër që dhe që ka shumë e shumë gjëra e tregon dhe fakti tjetër, që ne synimin e kemi ta çojmë 1 miliard, brenda kësaj dekade në vizionin e Shqipërisë 2030 ne flasim për 1 miliard eksporte. Eksporte bujqësore, 1 miliard. Që do të thotë që s’jemi absolutisht të kënaqur me këtë që kemi arritur, absolutisht nuk themi që këtu jemi tani ‘çohuni në këmbe dhe na duartrokisni, absolutisht. Të gjitha kanë të drejtën e tyre të ankohen sepse shumë më tepër duhet bërë. Unë ankohem i pari për punë time pastaj ankohem për punën e ministrave, pastaj ankohem për punën e deputetë, se po nuk u ankuam për këtë pjesë, nuk kemi kuptuar asgjë. Por që ta bësh këtë që bëjnë këta, domethënë ti dalësh në mëngjes njerëzve në televizor dhe ti thuash që policia ka vrarë një të ri ndërkohë që akoma nuk ka mbaruar ekspertiza e përbashkët e prokurorisë, e policisë, e mjekësisë ligjore dhe ti të dalësh si hienë se hienat shkojnë pas ngordhësirave edhe të shqyesh kufomën e një viktime atje, jo se pyet ti për viktimën, fare, por sepse do që të tërheqësh njerëzit pas vetes për të justifikuar ato rublat që të vajisin fytin dhe pastaj në fund del që kjo është një sajesë atëherë këtu lind një pyetje tjetër: që njeriu bëhet hienë, këtë historia e ka treguar por njerëzit që i shkojnë pas hienave rrezikojnë të bëhen hiena dhe kjo dihet.
Atëherë, unë e kam me këta, nuk e kam fare me ata. Kush është bërë hienë, nuk kthehet më, nuk bëhet më njeri, por e kam me këta të tjerët. Çfarë i themi vetes ne, çfarë njeriu je?
Ore harroji të tëra, me politikë, me parti, me të gjitha. Çfarë njeriu je? Çfarë lloj prindi je? Çfarë lloj prindi je? Çfarë lloj fëmije je? Çfarë lloj burri, çfarë lloj vëllai je? Sepse burrat, përgjithësisht, e kanë këtë trashësi truri që të shkojnë mbrapa hienave, nuk e kanë gratë.
Çfarë shqiptari je që nuk ke më asnjë lloj kodi. Po prit të shohim njëherë si është kjo punë se nëse ka ndodhur kjo punë, dakord, por ta shohim.
Ka arritur puna që në këtë vend, pikërisht sepse një grup hienash vijnë vërdallë, Policia bashkë me Prokurorinë detyrohen t’i filmojnë të tëra, nga A-ja tek Zh-ja film komplet, sekondë për sekondë, për të qenë ata, jo në rregull me profesionin se profesioni dhe procedura nuk i detyron fare të filmojnë nga fillimi në fund një autopsy, por për të qenë në rregull sepse nuk dihet këtu cfarë ndodh. Nuk dihet sepse thirrja e hienave kthehet në një rrëmujë, rrëmuja kthehet në një fajësi dhe fajësia kthehet në një hall të madh për njerëz që janë në krye të detyrës dhe që bëjnë punën e shtetit dhe që janë të bombarduar nga ndjekësit e hienave, si kur dalin atje në formën e rreme të analistëve njerëz me urrejtje, urrejtës profesionistë dhe pastaj nga të tjerë që shkojnë pas berihajit.
Si mund të bëhet kjo? Si mund të arrihet deri këtu dhe si mund të shkohet në këtë pikë kur situata e përgjithshme është e tillë që gjithë bota përpiqet si do ia dalë?
Nuk është një situatë e zakonshme, por kjo nuk bëhet në asnjë situatë.
Shumë faleminderit!
Shumë respekt!