Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin publik me qytetarë që marrin zgjidhje për problemet e tyre me zyrat e administratës në Platformën e Bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al:

 

Kryeministri Rama: Më vjen shumë mirë që sot kemi praninë e 5 qytetarëve që na nderojnë dhe kanë marrë mundimin për të sjellë këtu, për të gjithë të tjerët, eksperiencën e tyre me Platformën e Bashkëqeverisjes.

Ne vazhdojmë insistojmë çdo javë me këtë takim publik, sepse për ne është shumë e rëndësishme që falë Platformës së Bashkëqeverisjes, çdo javë, qytetarët që i drejtohen Shqipëriaqëduam.al  marrin zgjidhje, por edhe të tjerët të marrin mesazhin se nuk është absolutisht e nevojshme të presin. Nuk duhet të ngurrojnë, nuk ka nevojë të kërkojnë rrugët e vjetra të tarafeve, të miqësive, të partive, të ryshfetit jo e jo, por mjafton të drejtohen te Shqipëriaqëduam.al, për të pasur menjëherë në dispozicion vetë qeverinë, vetë titullarin e dikasterit, ku është përgjegjësia për adresimin e problemit dhe falë mbështetjes së koordinatorëve të platformës të marrin zgjidhje.

Katerina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot kemi këtu Zonjën Lindita Fortuzi, e cila javën e kaluar është pajisur me certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë. Janë dashur 8 vjet që Zonja Fortuzi të mund të certifikojë banesën e saj qindra vjeçare të trashëguar.

Zonja Lindita Fortuzi: Ju falënderoj, por njëkohësisht dhe një kënaqësi që ju takoj. Kisha 10 vite që kisha aplikuar për certifikatë pronësie, një shtëpi të trashëguar autoktone tiranase, por kisha shkuar shumë herë dhe asnjë gjë nuk kishin bërë. Menjëherë, sa pashë dhe dëgjova për Platformën e Bashkëqeverisjes, aplikova dhe brenda ca ditësh mu bë certifikata që e kam në dorë. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: E mban me vete se nuk të besohet akoma e nuk ke faj. Për të gjithë ata që e njohin pak, jo shumë, historinë e Tiranës, familja Fortuzi është një nga familjet e mëdha dhe me rrënjë të kahershëm në Tiranë. Është për të ardhur keq që edhe për një shtëpi që është e vjetër sa vetë Tirana të ketë pasur kaq shumë probleme për të bërë regjistrimin. Ndërkohë dua të shfrytëzoj rastin për të thënë se ne jemi në një proces shumë të rëndësishëm reformimi dhe transformimi të agjencive, qoftë të hipotekës, qoftë të ALUIZNI-t dhe paralelisht po punojmë me gjithë bazën dixhitale të të dhënave, pasi e kemi marrë zotimin që deri në fund të mandatit, dokumentet e pronësisë do të jenë një procedurë shumë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e dixhitalizuar.Është shumë më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, por është një domosdoshmëri dhe besoj që ne do t’ia dalim dhe do të vijë brenda këtij mandati, dita që Platforma e Bashkëqeverisjes do të jetë jo më vendi ku shumica e ankesave lidhen me ALUIZNI-n dhe me ZRPP-në, për arsye të një trashëgimie shumë të rëndë, por vendi ku rastet që lidhen me dokumentet e pronësisë të jenë raste minimale.

Floriani, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që ju paraqes i përket një grupi banorësh nga fshati Budull, Bashkia Krujë, të cilët kishin bërë kërkesë për furnizimin me energji elektrike dhe kërkonin të merrnin transmetimin e tensionit të ulët brenda kushteve standard. Nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u mor masa menjëherë, u shtrua rrjeti elektrik, u vendos një kabinë e re dhe bashkë me të dhe një transformator 400 Kv. Ftoj një nga banorët, Zotin Xhavid, të na flasë për problemin në fjalë.

Zoti Xhavid: Unë jam një qytetar i thjeshtë. Kishim 20 vjet që kishim bërë godinën në fshatin Budull dhe ishim me energji elektrike shumë të dobët. Falë kësaj platformë erdhi transformatori dhe jemi në rregull tani me energjinë, 100% energji të plotë.

Kryeministri Edi Rama: Shume faleminderit, edhe për mundimin për të ardhur deri këtu, edhe për kohën. Është një rast nga ato raste kur qytetarët i adresohen platformës dhe zgjidhin një problem, jo vetëm personal, por edhe të komunitetit. Po ashtu është një rast që flet qartë për faktin që një qytetar nga një fshat, jo shumë i afërt, e gjen menjëherë rrugën për të kontaktuar me ministrin, në këtë rast me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjë që nuk do ta arrinte kurrë, nëse do merrte rrugë nga fshati, të zbriste poshtë në rrugën kombëtare, pastaj të vinte në Tiranë e të shkonte te ministria.  Ndërkohë që kështu, rruga është e hapur dhe është e menjëhershme.

Nga ana tjetër kam parë përsëri e përsëri komente për platformën. Është e habitshme që ata që i thonë vetes mendje të ndriçuara dhe e dinë veten për koka të mëdha nuk kuptojnë themeloren nga platforma. Platforma është transformimi përmes inovacionit i zyrave të kudondodhura, gjithmonë në historinë e shtetit shqiptar, por dhe në çdo shtet, të marrëdhënieve me publikun. Platforma zëvendëson letrat drejtuar ministrive, drejtuar agjencive. Platforma zëvendëson radhët për të marrë një kontakt, për të çuar fjalë më lartë, kur të shkelet një e drejtë. Platforma thjesht mundëson që qytetari të jetë i pari. Këtë e kemi dëgjuar 30 vjet, “ju jeni të parët”, apo “zëri im është zëri juaj, zëri juaj është zëri im”, “më jepni votën që të bëhem zëri juaj” dhe pastaj ku jemi parë.

Ndërkohë që përmes platformës, bashkëqeverisja është reale. Zonja Fortuzi me siguri i ka bërë të gjitha përpjekjet për të takuar e për të marrë një zgjidhje. Nuk ka arritur dot. Ndërkohë që platforma bën të mundur edhe ndjekjen e rastit nga sy të tjerë. Mund të takohesh me një titullar, mund të marrësh dhe fjalën që do të të zgjidhet çështja. Titullari mund të japi edhe porosinë për zgjidhjen e çështjes, mirëpo poshtë porosia tretet në lumin e rutinave dhe të procedurave burokratike e të harresës. Ndërkohë që platforma nuk lejon që porositë të treten. Nuk lejon që ankesat të harrohen dhe nuk lejon që fjalët e qytetarëve t’i marrë era, sepse ndjek të gjithë ecurinë e procedurës dhe koordinatorët bëjnë pikërisht këtë punë.

Ernesti, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot dua të sjell rastin e Zotit Sokol Thuqi, i cili nëpërmjet platformës shqiperiaqeduam.al adresoi shqetësimin e tij në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Zoti Thuqi, në vitin 2017 kishte blerë një automjet dhe gjatë një kontrolli rutinë është verifikuar që ky automjet figuronte me shënimin “alert” në sistemin e policisë, si pasojë e përfshirjes së tij në një aksident në vitin 2016. Pavarësisht sqarimit të kësaj situate, nuk ishte bërë e mundur heqja e këtij shënimi nga sistemi i policisë. Me marrjen e ankesës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të mundur koordinimin me policinë vendore të Tiranës dhe heqjen e këtij shënimi nga sistemi i policisë.

Zoti Sokol Thuqi: Rasti im ka të bëjë me një makinë që kisha blerë në 2017, por gjatë një kontrolli rutinë të policisë rrugore më verifikuan se makina ime ndodhej në “alert, në kërkim dhe kjo paraqiste shumë problem, sepse për çdo ndalesë që më bënte polica rrugore, unë gjithmonë detyrohesha të paraqitesha në komisariat për verifikim. Ishte shqetësuese për mua, megjithëqë përpjekjet e mia për të zgjidhur problemin e për t’u sqaruar, për t’u hequr nga alerti, nuk po gjeja zgjidhje. Kjo situatë zgjati rreth 6 muaj dhe për këtë arsye u adresove tek Platforma e Bashkëqeverisjes. Aty thuajse në kohë rekord, për 3-4 ditë, problemi im u zgjidh.

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Përfitoj nga rasti, – nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, – duke qenë se flasim për automjete dhe për dokumentacion, dua ta komunikoj që javën e fundit kam pasur në atë zyrën time online në whatsapp, një mori mesazhesh nga subjekte të tregtimit të makinave, që shprehin një shqetësim lidhur me efektet e normës së re të përcaktimit të një kohe të përdorimit të makinave, për të lejuar tregtimin e tyre në Republikën e Shqipërisë. I kam ndjekur me shumë vëmendje këto ankesa. Ia kam përcjellë si gjithmonë autoriteteve, Ministres së Infrastrukturës, drejtorit të Përgjithshëm të Transportit në Republikën e Shqipërisë dhe ju kam kërkuar që të organizojnë sa më parë një dëgjesë me të gjitha subjektet, pasi në ankesat e tyre ka shqetësim, por ka edhe sugjerime mjaft racionale. E në vazhdën e një tradite, që jemi përpjekur në çdo rast që ta krijojmë e ta konsolidojmë, të dëgjimit të njerëzve, të dëgjimit të grupeve të interesit, të dëgjimit të komuniteteve, duke u nisur nga parimi që ne nuk i dimë të gjitha dhe që çdo vendim dhe çdo masë që ne marrim në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve dhe në funksion të së ardhmes është e përmirësueshme, ia vlen që me këto subjekte të bëhet një ballafaqim dhe nga ballafaqimi të fitojnë të dyja palët. Kështu që mu dha rasti për ta parashtruar këtë çështje, duke qenë se lidhet me subjektin e transportit në Republikën e Shqipërisë.

Juela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Përpara jush sjellim rastin e Zonjës Sanije Selmanaj nga qyteti i Tiranës, e cila ishte në kërkim të një alternative për punë e nuk kishte arritur të gjente punë prej kohësh. Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë shqyrtoi alternativat në subjektet private në qytetin e Tiranës dhe ndërmjetësoi punësimin e saj në një subjekt privat. Ajo ka filluar punë në datën 1 shkurt të këtij viti.

Zonja Sanije Selmanaj: Përshëndetje! Ju falënderoj për punën që më keni gjetur.

Kryeminsitri Rama: Ke emocione? Faleminderit që erdhe! Nuk ka nevojë të thuash më shumë, mjafton dëshmia me praninë, për faktin që platforma funksionon edhe si një instrument ndërmjetësimi për qytetarët që duan punë dhe që janë të gatshëm të punojnë në sektorin privat. Platforma nuk bën ndërmjetësime pune në shtet. Punësimi në shtet është një proces tjetër, i cili ka problemet e veta, ka boshllëqet e veta, ka edhe të metat e veta dhe padyshim është larg së qeni i mirëekuilibruar, por është gjithmonë e më shumë proces që shkon përmes mekanizmash që po konsolidohen. E për më tepër, me Paktin për Universitetin, të gjitha vendet e lira të punës në shtet do t’i kalojmë në dispozicion të më të mirëve e janë ata që do të zgjedhin vendin e punës. Por kush do punë pa kushte dhe kush punës i thotë punë, qoftë kur është në shtet, qoftë kur është në privat, le t’i drejtohet platformës, e cila bën ndërmjetësim me zyrën e punës sipas kategorive, sipas mundësive që ofrohen.

Fatmiri, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm është ai i Zotit Medin Selmani nga Tirana. Zotëria në vitin 2006 kishte dorëzuar pranë ALUIZNI-t Tirana veri, formularin e vetëdeklarimit për legalizimin e pronës së tij, por në këto 13 vite, zotëria nuk kishte mundur të gjente dot zgjidhje e të pajisej me lejen e legalizimit. Së fundmi, ai aplikoi, duke paraqitur ankesën e tij në Platformën e Bashkëqeverisjes. Ky rast u ndoq nga ne e tani zotëria disponon leje e legalizimit për pronën e tij. Dosja e zotërisë u përcoll pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Zoti Medin Selmani: Kam 13 vjet që kam bërë aplikimin për pasurinë time që e kisha ndërtuar. Duke shkuar me dhjetëra herë në zyrat e ALUIZNI-t, me thënë të vërtetën më sorollatnin, duke më thënë që jemi në ndjekje e sipër, por vazhdonte gjithmonë kjo histori dhe nuk po merrte fund. Megjithëse në zonën time ishin gati në përfundim të legalizimit të banesave, banesa ime nuk po merrte zgjidhje. Iu drejtova platformës dhe sinqerisht, ditën e dytë më morën në telefon dhe më thanë që do ndjekim procesin tuaj. Mbas dy javësh më morën prapë e më thanë që duhet të jeni në banesë, sepse do vijnë për të bërë matjet e banesës. Mbas një muaji më mori prapë më tha që duhet të paraqiteni në zyrat e ALUIZNI-t për të paguar faturën. Shkova pagova faturën dhe mbas 20 ditësh që pagova faturën, më morën prapë dhe më thanë që ka dalë legalizimi, duhet të paraqitesh për të marrë certifikatën. U paraqita dhe e mora. Falënderoj platformën! Falënderoj ideatorin e kësaj se sinqerisht, kjo është për njerëzit e thjeshtë, për njerëzit që nuk kanë ndonjë përkrahje të madhe për t’i zgjidhur hallet e tyre.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe më vjen shumë mirë që çdo javë i japim një zgjidhje shumë problemeve që përndryshe do kishin mbetur pa zgjidhje. Kush na kritikon është i mirëseardhur, por kush përqesh punën e platformës, meriton vetëm keqardhjen dhe gjithë mëshirën tonë, sepse të mendosh që janë mijëra raste që përndryshe nuk do ishin zgjidhur e nuk janë zgjedhur historikisht. Asnjë qeveri e mëparshme nuk ka arritur dot t’u japë njerëzve këtë mundësi, asnjë qeveri e mëparshme nuk ka qenë e hapur për njerëzit, sepse i kanë munguar pikërisht instrumentet dhe zyrat e marrëdhënieve me publikun kanë qenë zyra të degraduara e pa asnjë efikasitet. Ndërkohë që qeveria jonë bën ekzaktësisht këtë që sapo tha zoti Selmani, i jep fuqi njerëzve pa përkrahje, njerëzve që historikisht nuk kanë mundur dot të ngrenë zërin e që zëri i tyre të dëgjohet, sado që janë përpjekur ta ngrenë zërin.

Shumë faleminderit edhe një herë për mundimin, të gjithë juve që erdhët këtu, për të dëshmuar eksperiencën tuaj. Ne besojmë shumë tek kjo mënyrë komunikimi, sepse tjetër është kur e them unë, tjetër kur e thonë koordinatorët, e tjerë kur njerëzit shikojnë të ngjashmit e tyre,  njerëzit e zakonshëm që flasin, që tregojnë me fakte, që nuk janë as figurantë, as aktorë, por janë qytetarë që vijnë nga hallet dhe problemet e jetës reale. Kështu që duke ju uruar që ta kujtoni gjithmonë platformën, se mund të keni të tjera gjëra rrugës e duke ju uruar po ashtu çdo të mirë, falenderoj edhe gjithë skuadrën për punën e mirë që po vazhdon të bëjë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.