Depo Qendrore e Barnave në QSUT ngrihet për herë të parë e konceptuar si një infrastrukturë moderne, me parametra bashkëkohore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave, falë investimit të qeverisë me vlerë 1.7 milionë euro. Ajo garanton sistemin e furnizimit, sigurinë e medikamenteve dhe transparencën e konsumit të tyre për pacientët e QSUT-së.
Me një sipërfaqe magazinimi rreth 3 mijë metra katrorë, depoja ka 7 dhoma frigoriferike dhe është e pajisur me aparatura të teknologjisë më të lartë bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në QSUT ku pa nga afër mjediset e Depos Qendrore të Barnave, sëbashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Duke shpjeguar projektin, Ministrja Manastirliu u shpreh se struktura është në eficencë të plotë dhe se me depon e re do të ndryshojë edhe mënyra e funksionimit të shërbimit farmaceutik spitalor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të garantuar praktikën e ruajtjes së mirë të barnave dhe materialeve mjekësore, si dhe një planifikim më të mirë për mbulimin e nevojave me barna dhe materiale mjekësore për të gjithë shërbimet.
“Një investim i buxhetit të shtetit në vlerën 1, 7 milionë euro. Projekti është hartuar në 2017-n, më pas financuar direkt nga qeveria shqiptare. Tashmë është një strukturë e përfunduar, në eficencë të plotë. Aktualisht janë vendosur të gjithë barnat dhe materialet mjekësore. Kanë të gjitha parametrat dhe standardet europiane të ruajtjes dhe të sigurisë së barnave. Në QSUT nuk ka patur asnjëherë një depo apo asnjë magazinë barnash të standardeve, pasi nuk është menduar apo nuk ka patur asnjëherë aq shumë barna për t’u futur në një hapësirë të tillë. Hapësira e magazinimit 3 mijë metra katrorë, janë edhe ambientet ndihmëse. Kushtet e ruajtjes së barnave janë shumë të rëndësishme. Këtu janë dhomat frigoriferike. Kur është ndërtuar ky projekt kemi patur edhe ekspertizë ndërkombëtare, për të realizuar rrugëtimin e barnave që nga momenti i futjes në magazinim, deri tek dalja nëpër pavijone. Drejtoria e QSUT-së ka bërë një organizmi të ri të përqendruar të të gjithë strukturës së farmacive. Sistemi elektronik gjithashtu është funksional dhe të gjitha barnat regjistrohen në sistem,” – u shpreh ajo.
Në bisedën me mjekët, lidhur me ecurinë pozitive të situatës dhe hapjen graduale, Kryeministri kërkoi që të mos zbehet vigjilenca dhe strukturat spitalore të jenë në gatishmëri për çdo zhvillim. “Organizojeni çfarë është e nevojshme. Duhet ta përgatitim sepse çdo gjë mund të ndodhi dhe ne duhet të jemi gati. Është shumë problem kjo situata e hapjes, sepse edhe mënyra sesi shkoi gjëja, njerëzit u relaksuan dhe mendojnë “s’ka gjë”. Shumica e kuptojnë se ishte rezultat i shtrëngimit të fortë, megjithatë jeta, rutina, zakonet janë shumë të forta, kështu që ne duhet të përgatitemi shumë fort për eventualitetin e një vale tjetër. Do Zoti të mos na sjellë para kësaj sprove, por duhet të jemi të përgatitur,” – tha Kryeministri.
Lidhur me këtë, Ministrja Manastirliu u shpreh se ende konsiderohet një periudhë risku, megjithëse numrat e rasteve të reja janë ulur. “COVID 3, struktura e kirurgjive do të jetë dhe ajo gati për ta mobilizuar dhe për ta përqendruar këtu, trajtimin e pacientëve me COVID. Gjithsesi duhet thënë se ndonëse në dukje numrat janë ulur, përsëri alerti është shumë i madh. Strukturat tona po punojnë për të minimizuar riskun dhe kufizuar infeksionin e COVID. Ende jemi në një periudhë risku, edhe pse numrat janë ulur.”
Newsroom
Depo Qendrore e Barnave në QSUT, ruajtje, siguri dhe transparencë