Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“8 dhjetor 1990-2013. E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, një aktivitet që bëri bashkë protagonistë, ish-studentë dhe pedagogë të atyre viteve, sot deputetë e personalitete të rëndësishme të politikës në vend, mes të cilëve edhe Edi Ramën, sot Kryeministër.

I prezantuar për të pranishmit si një ish-protagonist në fillesën e betejave për Shqipërinë evropiane. Kryeministri tha se ndonëse, kanë kaluar 23 vjet, ëndrrat dhe përpjekjet e “dhjetorit historik” mbeten gjithnjë “burim i një jehone të fuqishme, për të vënë në lëvizje forcat transformuese të shoqërisë sonë’.

Duke përcjellë mesazhin e bashkëpunimit për të jetësuar këtë ëndërr të madhe për shqiptarët, pavarësisht kahjeve politike, Kryeministri u shpreh se,- “Është e sigurtë që kemi akoma shumë beteja për të bërë e fituar bashkërisht. Jo domosdoshmërisht, duke qenë bashkë në të njëjtën korsi, por duke qenë bashkë në të njëjtën rrugë me shumë korsi.”

 

Fjala e plotë Kryeministrit Edi Rama:

 

“Për Enverin e vdekur kemi qenë me Mesilën dakord qysh atëherë, aty ku jemi ndarë gjithë këto vite është tek Enveri gjallë.

Me siguri 23 vjet janë një fjalë goje, por janë edhe një pjesë tjetër, shumë shpresa, shumë dëshira, shumë përpjekje, shumë përplasje, shumë ndarje, por edhe jo pak rigjetje, si kjo e sotmja.

Këto 23 vjet janë edhe shumë ëndrra. Ëndrrat e atij dhjetori. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe  “Liri, demokraci”, sot  e gjithë ditën mbeten sfida për të gjithë ne. Një fjalë goje, por edhe jo, sepse është forca e atyre ëndrrave që e sjell Shqipërinë gjithmonë e më pranë Evropës.

Një Shqipëri shumë më ndryshe nga ato ditë, kur të gjithë ne që jemi këtu së bashku e jetonim me vetëdije ëndrrën sikur të ishte një realitet, një realitet që pastaj dukej sikur largohej sa herë ne zgjasnim krahët që ta kapnim ëndrrën.

Ëndrrën e Shqipërisë si gjithë Evropa, kur Evropën asokohe nuk mund ta kishim asgjë tjetër përveçse prodhim të imagjinatës, ndërsa sot e njohim nga brenda në të gjithë kompleksitetin e vet.

Ëndrrën për të jetuar në liri e demokraci, kur ato i njihnim vetëm nga jetët e personazheve të romaneve apo të rrëfimeve që copa-copa mbërrinin në qytet nga bota e largët e atyre që jetonin nën thundrën e skllavëruesve të ëndrrës, ndërsa sot e kemi si një eksperiencë të gjatë përpjekjesh për ta ndërtuar demokracinë dhe për t’i dhënë siguri lirisë.

Ndoshta për shkak të të gjithë këtyre ndryshimeve sado të pamjaftueshme, ndoshta dhe thjesht për 23 vitet të kaluara tanimë, sot dhe çdo vit më 8 dhjetor, ne të gjithë i kthehemi pas atij dhjetori të ‘90 dhe ende refuzojmë ta shohim thjesht si një histori. Një histori, ku në fakt kush më shumë e kush më pak të gjithë kemi qenë protagonistë dhe për të cilën kush më shumë e kush më sot, mund, ndoshta të jetë në pozitën që të japë edhe llogari.

Se jetuam si realitet lirinë, por në fakt sa u sigurua ajo në vazhdimësi, në realitet?

Se jetuam si realitet Evropën, por në fakt sa e gjithë Shqipëria u bë si gjithë Evropa?

Se këmbëngulëm secili në rrugët e vet dhe në mënyrat e veta në Shqipërinë si një vend i mirëqenë, por sa në fakt afër asaj mirëqenie për të cilën këmbëngulëm është sot vendi ynë?

Dhe ne mund t’i kërkojmë llogari vetes, për sa u bëmë apo nuk u bëmë bashkë për jetësimin e asaj ëndrre pasi të gjithë bashkë e kishim thirrur me zë të lartë.

Nëse e shohim kështu, është e sigurt që kemi akoma shumë beteja për të bërë dhe për të fituar bashkërisht. Jo domosdoshmërisht duke qenë bashkë në të njëjtën korsi, por duke qenë bashkë në të njëjtën rrugë me shumë korsi.

Dhe pse jo rrallë, koha ka rrëshqitur pranë realitetit shqiptar, ne jemi treguar të pafuqishëm që ta përfshijmë kohën me forcën e saj në ndryshimin e realitetit.

Dhe pse ndoshta shpesh realiteti, na ka zhytur në brendësinë e thellë të tij pa na lejuar që ta mbajmë jashtë krahun dhe t’i japim fuqi për ta kapur dhe tërhequr brenda realitetit, ëndrrën tonë.

Sido të jetë, sado e madhe apo e vogël të jetë, ajo që është bërë në rrugën e bërë drejt ëndrrës “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk ka dyshim se “Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90-të” qëndron, dhe besoj se do të qëndrojë për një kohë ende të gjatë, si një dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare, të cilës ajo lëvizje i fali një forcë të posaçme, si mjet ndryshimi dhe transformimi. Forcën që të bën të kuptosh se mundesh, pikërisht, në momentin, kur mendon se të mundën. Forcën që të bën të besosh në atë që nuk ke parë dhe të ndjehesh pjesë e një hapësire që i kalon kufijtë e imponuar me forcë.

“Asnjë kohë nuk është si e tashmja”, thotë një shprehje e bukur dhe në fakt ishte kjo që bëri edhe Lëvizja e Dhjetorit; e jetoi të tashmen me forcën që përkuli dhe përtheu të gjithë kufijtë, me forcën e ëndrrës së një Shqipërie tjetër që tejkaloi kufijtë e imponuar të së shkuarës.

Një ëndërr që mori forcë nga bashkimi dhe që në një moment të caktuar arriti t’i bashkojë të gjithë.

Një ëndërr që edhe sot na jep forcë për të punuar për Shqipërinë e gjeneratave të tjera.

Kohën e të cilave, në fakt, do të bëjmë çmos që ta prekim sa më shumë së bashku, në të tashmen, për t’i dhënë realitetit, formën e ëndrrës së tyre që edhe në këtë Dhjetor mbetet akoma Shqipëria Evropiane.

Por, jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, por për të bërë të mundur që gjeneratat e tjera ta jetojnë Evropën e së nesërmes, si pjesë të pjesëmarrjes së barabartë të tyre, bashkë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë kudo në Evropë.

Jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, por për t’u bërë vetë aktorë të zhvillimit të nesërm evropian.

Jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, por për të ndërtuar një model të suksesshëm shqiptar të mirëqenies dhe të zhvillimit të  qëndrueshëm.

 

Jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, por për ta bërë Shqipërinë pjesë të kontributeve të paqes dhe të harmonisë evropiane.

Dhe falë përpjekjes së të gjithë atyre që ishin në atë dhjetor të bekuar, sot është më e lehtë të besohet se të gjitha këto janë të mundura. Falë lëvizjes së atij Dhjetori historik, sot shqiptarët e kanë tashmë Evropën, në të shumtën e herës pjesë të së përditshmes së tyre.

Përtej pjesëmarrjes, përtej vetvetes, përtej momenteve të vështira dhe të dhimbshme të atyre ditëve mbetet legjitime krenaria për atë dhjetor. Përpjekjet dhe ëndrrat e atij dhjetori, në fakt sot janë të njëjta, sa ç’janë edhe të tjera, janë të ngjashme, sa ç’janë edhe të ndryshme. Por sido që të jetë mbeten gjithnjë një burim i një jehone të fuqishme, për të vënë në lëvizje forcat transformuese të shoqërisë sonë. Për ta ringjallur ditë për ditë guximin, për t’u ndjerë pjesë e asaj historie që vazhdon, duke i shpërfillur vitet dhe duke shpërfillur atë që vitet kanë imponuar si pjesë e kohës që ka bërë të vetën në të kundërt të gjithë atyre nevojave që vetë koha ka sjellë për të gjithë ne.

Shumë shpresa, shumë dëshira, shumë përpjekje, shumë përplasje, shumë ndarje, por dhe shumë rigjetje, si kjo e sotmja, për të cilën unë ju falënderoj sinqerisht që më keni bërë pjesë. E po aq sinqerisht, ju falënderoj që krijuat, ndoshta pa dashje, një mundësi shumë të veçantë për të patur njëri pas tjetrit këtu në podium, dy protagonistë, që janë nisur nga e njëjta korsi dhe sot janë në të njëjtën rrugë, edhe pse në dy korsi të ndryshme, unë majtas dhe Mesila djathtas. Por, që ju na dhatë mundësinë të dëshmojmë se kur korsia e majtë dhe e djathtë janë pjesë e të njëjtës rrugë dhe gara bëhet kush ecën më shpejt në korsinë e vet dhe jo kush i bllokon korsinë tjetrit, gjithmonë ka më shumë se sa një arsye për të shpresuar, ka më shumë se sa një arsye për të besuar, ka më shumë se sa një arsye për të patur bindjen se në të gjitha rastet, pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër, bën që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.