Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Holli protokollar i Kryeministrisë sot është shndërruar në një ambient ku është dhuruar gjak në ndihmë të atyre që kanë nevojë për lëngun e jetës. Pikërisht, në atë ambient ku zhvillohen pritje të rëndësishme dhe aktivitete të ndryshme sot u vendosën punonjësit e Bankës së Gjakut dhe  vullnetarët e Kryqit të Kuq.

Kryeministri Edi Rama dhe stafi i Kryeministrisë iu bashkuan sot nismës “Dhuro gjak, shpëto jetë”, në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut.

Kryeministri Rama apeloi që të gjithë qytetarët të dhurojnë gjak, duke e vlerësuar si një detyrim të të gjithëve, në ndihmë të njerëzve në nevojë. “Duke qenë një dhurues gjaku i hershëm, – një traditë që ne e ndërtuam në Bashkinë e Tiranës për shumë vite, – besoj shumë se ky është një detyrim i të gjithëve. Të gjithë duhet ta dinë se jo vetëm nuk ka asnjë problem, por përkundrazi, bën mirë. Pra, jo vetëm bëjmë mirë, por edhe na bën mirë”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Rama siguroi se nga sot, dhurimi i gjakut do të kthehet në traditë të përvitshme për institucionin e Kryeministrisë.

“Në ketë holl të Kryeministrisë, ne do ta çelim këtë traditë nga sot dhe çdo vit do ta bëjmë traditë dhurimin e gjakut. Sepse, në fund të fundit, kjo Kryeministri boll ia ka bërë gjakun ujë popullit dhe është koha tani që të japë gjak nga këtu dhe jo më të derdhë gjak”, vijoi Kryeministri.

Gjaku i dhuruar sot shkon në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Më herët gjatë javës kanë qenë disa administratat e disa prej ministrive që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.