Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive mbi masat për disiplinimin e tregjeve të gjësë së gjallë:
Përshëndetje të gjithëve!
Falemindetit që erdhët në këtë takim, i cili ka një rëndësi të veçantë për shkak të domosdoshmërisë për të ndërhyrë sëbashku dhe për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare një problemi të trashëguar 20 e kusur vite, që lidhet me tregjet e gjësë së gjallë. Zgjidhja e këtij problemi ka qenë një ndër shumë pikat e vlerësuara si të favorshme për reformën administrative – territoriale. Faktikisht, në kushtet kur qeverisja vendore ishte e copëzuar në afro 400 njësi, adresimi i kësaj çështje ka rezultuar shumë i vështirë për të gjitha qeveritë e mëparshme. Ndërkohë që për qeverinë tonë është një prioritet dhe në bashkëpunim me ju dhe me një plan të përbashkët, të qartë, me detyra të mirëpërcaktuara, ne jemi të bindur se mund t’i japim fund këtij kapitulli që nuk i bën asnjë nder Shqipërisë, nuk i bë asnjë nder komuniteteve që ju qeverisni dhe as vetë atyre që kanë nevojë për akses në këto tregje.
Aktualisht, këto tregje janë 33 në të gjithë vendin dhe të tjera krejtësisht jashtë çdo lloj harte dhe funksionojnë si vatra problemesh të mëdha higjeno – sanitare. Në to lëvizin kafshë të pa matrikulluara, pa certifikata veterinare dhe mbi të gjitha, mënyra sesi zhvillohet e gjithë veprimtaria është e denjë vetëm për mesjetën, jo për një vend në mes të Europës, në shekullin 21. Në mars të 2016-ës, ne ju kemi kërkuar ju, autoriteteve vendore që i keni këto tregje në administrim, të bëni detyrën për të përmbushur kushtet dhe për të garantuar respektimin e standardeve të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi.
Fatkeqësisht, një pjesë e tyre janë deklaruar të mbyllura, por nuk janë mbyllur. Funksionojnë nën sytë tuaj, me tolerancën tuaj dhe jashtë çdo lloj kujdesi minimal nga ana juaj për të adresuar këtë situatë, për të bllokuar veprimtarinë e tyre dhe për të filluar përmirësimin e situatës. Aq më keq akoma ka disa bashki ku tregjet jo vetëm janë jashtë çdo lloj standardi, por bëjnë aktivitet të pamiratuar as formalisht nga ju, jashtë çdo ndikimi të qeverisjes vendore dhe në dëm të përditshëm të higjienës, të shëndetit e të të drejtës së komuniteteve për t’i gëzuar këto standarde të higjienës dhe shëndetit.
Janë tregje pa absolutisht asnjë lloj rrethimi, sipas standardit të kërkuar, me hyrje – dalje tërësisht të pakontrolluara. Shërbimi juaj veterinar në ato tregje kryhet në mënyrën më diskretituese të mundshme për qeverisjen vendore, krejt formalisht, me korrupsion dhe për më tepër pa bërë asnjë shërbim minimal dizinfektimi për kafshët, për personat dhe për mjetet që hyjnë në këto tregje. Merret me mend se këto tregje nuk kanë asnjë gjurmueshmëri të lëvizjes së kafshëve dhe të produkteve që vendosen në shitje dhe janë kërcënim i përditshëm për sigurinë e jetës së konsumatorit.
Jemi shumë të shqetësuar për nivelin e shërbimit veterinar që ofrohet nëpër bashki. Jemi të vetëdijshëm që është një trashëgimi e rëndë për ju, por, nga ana tjetër, ju duhet të jeni të vetëdijshme që nuk jeni në krye të bashkive nga dje, por nga më shumë se një vit dhe veterinerët në njësitë e qeverisë vendore, jo vetëm që nuk janë të angazhuar, por janë edhe të painformuar në lidhje me kompetencat dhe detyrat që kanë sipas legjislacionit, për të ushtruar funksionin veterinar pranë këtyre tregjeve.
Kjo është situata. Ju lutem ta merrni si një alarm, jo si një gjykim negativ për ju, sepse ajo që na intereson është ajo që do të bëjmë së bashku dhe mund ta bëjmë sëbashku nëse secili prej jush alarmohet realisht për këtë situatë, nëse secili prej jush nuk pajtohet që nesër me këtë situatë.
Patjetër që unë i pari jam i vetëdijshme që ju nuk mund ta përballoni të vetëm këtë situatë dhe keni nevojë për mbështetjen e qeverisë që nuk do t’ju mungojë. Por, nga ana tjetër, për të bllokuar këto tregje, për të ndaluar që ky aktivitet skandaloz të vazhdojë si kërcënim i përditshëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, nuk ju duhet ndonjë mbështetje tjetër, përveç mbështetjes që duhet ta gjeni në zemrën dhe në mendjen tuaj. Ju duhet vendosmëri për t’u përballuar më këtë informalitetit ekstrem, që është një turp për Shqipërinë, është një turp për të gjitha territoret dhe komunitetet ku zhvillohet kjo lloj veprimtarie haluçinante.
Ne duam që kjo situatë të adresohet urgjent dhe duam që nga data 1 dhjetor, të gjitha kafshët që shkojnë në treg të jenë të shoqëruara me certifikatën veterinare të lëvizjes së tyre, ose përndryshe do të sekuestrohen. Për këtë do të keni mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe të strukturave përkatëse të shtetit, duke filluar nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë.
Patjetër që më pas, për vitin 2017 do të matrikullohen të gjitha kafshët që mbarështohen, por edhe ato që theren për prodhim mishi dhe për pasojë nuk do të ketë më shans që në treg të lëvizin kafshë të pamatrikulluara. Në të gjitha tregjet e kafshëve do të instalohet një sistem informacioni blegtoral dhe veterinar, me të gjitha të dhënat për çdo kafshë që hyn dhe del nga tregu në funksion të gjurmueshmërisë së lëvizshmërisë së kafshëve të gjalla dhe të mishit të tyre për konsum. Ky është një angazhim i qeverisë, është një objektiv i Ministrisë së Bujqësisë.
Shërbimi veterinar që kryhet në këto tregje duhet të funksionojë si pjesë integrale e Shërbimit Veterinar Shtetëror, pavarësisht nëse veterinerët janë në varësi të drejtorive të bujqësisë, apo janë në varësi të bashkive.
Po punojmë dhe do ta ngremë shpejt, duke e bërë funksionale, Karantinën Veterinare Shtetërore të importit të kafshëve të gjalla, por edhe të kafshëve të tjera që lëvizin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Me hyrjen në fuqi të këtij sistemi do të ketë një kontroll e disiplinim të plotë për kafshët që lëvizin në drejtim të tregut pa dokumentacionin përkatës dhe këtu është pjesa që qeveria do të jetë tërësisht në mbështetje dhe në ndihmën tuaj.
Në Progres Raportin e vitit 2016 të Komisionit Europian kemi marrë vlerësime për reformat që kemi ndërmarrë për të rritur sigurinë ushqimore në vend dhe është theksuar se faktikisht ka një siguri më të lartë për qytetarin. Por ne jemi shumë realistë që këto janë fraza të shkruara në raport me të shkuarën, ndërsa në raport me të ardhmen dhe me pamjet që i keni vetë përpara atje dhe i keni parasysh kudo ku qeverisni, këto fraza nuk kanë asnjë kuptim. Ne duhet t’i zhdukim njëherë e mirë nga faqja e jetës sonë të përditshme, këto pamje dhe t’ia lëmë historisë.
Duhet ta keni parasysh që për vitin e ardhshëm, detyra parësore që ka lënë Komisioni Europian për qeverinë është rritja e efektshmërisë në zbatimin e strategjisë dhe rregulloreve tona për sigurinë ushqimore, duke filluar nga këto tregje. Unë kam shumë besim tek ju dhe e them pa asnjë notë protokollare apo formale, sepse është mëse e qartë, për mua të paktën, që në të gjitha bashkitë, pavarësisht se diku më mirë, diku jo aq mirë, vihet re se ka një ndryshim thelbësor në raport më të shkuarën. Funksionimi i bashkive të mëdha është shumë më premtues sesa funksionimi i 400 njësive të vogla.
Nga ana tjetër, edhe pushteti juaj ekzekutiv është shumë më domethënës, por duhet ta përdorini atë për të ndërhyrë fuqimisht në radhë të parë kundër informalitetit që shfaqet në çdo aspekt në territor dhe që kulmin e vet e ka tek këto lloj tregjesh maskaradë, që nuk duhet të kenë të bëjnë më me Shqipërinë e sotme. Nuk mund të lejojmë më që të thërret dhe të shitet mish në Shqipëri, si të ishim në mesjetë, në asnjë treg dhe në asnjë instancë tjetër të zinxhirit të aktivitetit të paligjshëm, deri edhe tek kioskat buzë rruge. Pa ju, ky operacion është i pamundur, me ju ky operacion është me sukses të garantuar.
Dua t’ju siguroj se siç e keni parë, do vazhdoni ta shikoni edhe më shumë se unë personalisht dhe qeveria jemi absolutisht vullnetplotë për të bashkëpunuar me secilin prej jush, pa dallim partie, pa historira jashtë kanalit të interesit tonë të përbashkët, të interesit tuaj për t’i shërbyer më mirë komunitetit dhe të interesit tonë që duke i shërbyer ju më mirë komunitetit, ne bëjmë sëbashku detyrën.
Faleminderit!