Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare për projektvendimet e strukturës dhe organikave për organet e Vetingut:

 

Ristrukturimi i ministrive dhe qëndrimi ynë mbi strukturën e institucioneve të Vetting-ut janë dy çështje të ndryshme, por në thelb, qasja jonë është e njëjta. Ashtu sikundër i njëjti është edhe thelbi i moskuptimit të opozitës në ballë dhe opozitës në bisht për të dyja çështjet.

Të dyja ato çështje na ndajnë shumë qartë. Na ndajnë konceptualisht dhe këtu s’ka asnjë çudi, por nuk ka edhe asnjë mundësi tjetër mirëkuptimi, përveç mirëkuptimit mbi faktin që ju dini vetëm të arnoni. Këtë keni bërë sa herë ju është dhënë mundësia. Ndërsa ne duam vetëm të reformojmë dhe këtë do bëjmë tani që na është dhënë mundësia.

Ju dini vetëm të bëni atë që bënit. Ne duam të bëjmë pikërisht të kundërtën e asaj që të gjithë ju jeni mësuar të bëni për çerekshekulli me radhë. Por të dyja këto çështje dhe qasja jonë që i bashkon ato në këtë rast, lidhen edhe me diçka tjetër që për ne është shumë e rëndësishme, vota e 25 qershorit.

Për fat të keq, ju akoma se keni kuptuar votën e 29 qershorit të 2013-ës, kështu që është e tepërt t’ju kërkosh të kuptoni pa kaluar ndoshta 10 vjet, votën e 25 qershorit të shkuar.

Ndërsa për ne, ajo votë që na dha mandatin e dytë dhe pa të tjerë në prehër, është ylli ynë polar në rrugën drejt të ardhmes në këto 4 vite. Me më shumë vota se asnjëherë më parë, shqiptarët na dhanë një mandat të qartë për një ndryshim thelbësor në qasjen, në përmbajtjen, në cilësinë dhe në shpejtësinë  e qeverisjes për shtet, për punë dhe për mirëqenie.

Sigurisht, kur themi për të bërë shtet, zbatimi me vendosmëri i reformës në drejtësi është një prioritet themelor dhe suksesi i Vetting-ut është kyçi për përmbushjen e këtij prioriteti.

Nuk po zgjatem këtu me thirrjen e kujtesës, sepse shqiptarët nuk e harrojnë se kush ishte pro Vetting-ut dhe kush ishte kundër Vetting-ut, kush e donte dhe kush nuk e donte atë, deri në natën e 17 majit 2017. Po ju kujtoj vetëm një fakt, që nuk është 100 vjet më parë. Këtu ka njerëz që u ngujuan me muaj të tërë në një çadër dasmash për ta penguar Vetting-un dhe sot kanë ardhur në këtë orë të vonë, të na akuzojnë neve që po e sabotojnë Vetting-un. Ashtu sikurse ka dhe të tjerë që, kur ishin në qeveri, donin ta tridhnin Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërsa sot kanë vënë kujën tek Operacioni se po ju prishin dasmën e Vetting-ut.

Ne i përgëzojmë sinqerisht të dyja opozitat, edhe atë në ballë, edhe atë në bisht, për dorëzimin përfundimtar në duart e Vetting-ut. Ky është lajmi i mirë në thelb. Jeni dorëzuar që të dyja palët dhe ndërkohë, ne vetëm mund t’ju informojmë se procesi i ndarjes së detit nga kosi nuk do ndalet dhe sapo ka filluar, as për ministritë, as për agjencitë, inspektoratet e policitë dhe as për shoferët, rojet apo pastruesit e administratës së institucioneve që do merren me zbatimin e ligjit të Vetting-ut.

Çfarë po bëjmë ne me ministritë, agjencitë, inspektoratet dhe si është e vërteta edhe në lidhje me administratën e re të organeve të Vetting-ut? Në sintezë, klithma juaj mund të përmblidhet kështu, e duan gjithë tepsinë për vete, duan të heqin 4000 njerëz nga puna, se kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe të një grushti njerëzish.

Dallimi i vetëm është që ata mbrapa thonë Edi Rama, ju përpara thoni Edvin Kristaq Rama, por në thelb ajo që ju mendoni është e njëjta dhe është e mirëkuptueshme. S’ka asgjë që nuk mirëkuptohet këtu, që ata, të cilët e patën gjithë mundësinë të bëjnë shtet me institucione dhe bënë një tepsi-shtet për vite e vite me radhë, të mos kenë asnjë mundësi, jo më pastaj fuqi të kuptojnë vizionin, qëllimin, objektivat, apo idetë përmes të cilave ne duam ta çojmë përpara procesin për të bërë shtet në këtë vend. Por ne as mund të impresionohemi, as mund të kompleksohemi dhe jo e jo të ndalemi përballë korit tuaj, sado zhurmë bëni ju.

Ne nuk mund të pranojmë që ky vend kaq i vogël të vazhdojë të mbajë në kurriz mbi 500 turlilloj institucionesh varësie qendrore, me statuse nga më të llojllojshmet që burojnë prej hallakatjes logjike të tepsi-shtetit, të varura, gjysmë të varura, edhe të varura, edhe të pavarura dhe të shpërndara si kërpudhat pas çdo shiu zgjedhjesh dhe nën çdo çadër koalicionesh, në gjithë territorin e republikës në formë filialesh, degësh, shtrofullash dhe folesh pafund.

Ne nuk mund të pranojmë që mbi 100 prej këtyre institucioneve kanë më pak se 10 vetë në strukturë, ku tre figura tipike janë rojet, pastrueset, shoferi dhe sigurisht, drejtori me sekretaren e vet. Jemi vendi që kemi numrin më të vogël të nëpunësve në rajon, kemi numrin e dytë më të vogël të nëpunësve në Europë, mbas Gjeorgjisë. Po e dini që kemi numrin më të madh të drejtorëve, shefave, sekretareve, rojeve, pastrueseve, plus shoferëve për frymë në Europë. Ne nuk mund të pranojmë një shtet me 26 lloje emërtesash, – nuk e ka asnjë vend në Afrikë, jo më në Europë, – për institucione që kanë lindur dhe janë bërë karvan mbas çdo pjelljeje elektorale të barkut të politikës së koalicioneve.

Zyra kombëtare, autoritete kombëtare, agjenci kombëtare, agjenci rajonale, madje kemi edhe agjenci ndërkombëtare me flamur shqiptar, me shoferë shqiptarë, pastrues shqiptarë, edhe me drejtorë shqiptarë. Deri aty kemi arritur. Shoqërira të përgjithshme, operatorë të posaçëm, shto ujë e shto miell vetëm për një qëllim, në vite, për t’i gjetur punë klientëve dhe kushërinjve të partisë dhe jo për t’i gjetur punës, njerëzit e duhur.

Ne nuk mund të pranojmë që ndërkohë që në administratat normale kudo në vendet e zhvilluara, por përgjithësisht edhe në rajon, edhe në Kosovë që është një shtet shumë më i ri se i joni, raporti i nëpunësve që paguhen për të realizuar misionin e institucionit dhe i punonjësve mbështetës të prapavijës është 3 me 1.

A e dini sa e kemi ne raportin? 1 me 1. Sepse janë të partisë, të partive, të tepsisë, të tepsive, ç’rëndësi ka, por kjo është e papranueshme!

Ne nuk mund të pranojmë që sot në Shqipëri të kërkohen e lëshohen 4.5 milionë certifikata, më shumë sesa i gjithë populli shqiptar, i mbledhur së bashku, në një vit, vetëm e vetëm që të mos lëvizim nga karriget e zyrat ata që paguhen për të printuar një mal me letra, që është më i lartë se i gjithë populli jonë. Ne nuk mund të pranojmë që shteti i kërkon qytetarit letrën që e lëshon vetë shteti dhe pasi e sorollat për t’ia dhënë këtë letër tash 27 vjet, ia kërkon edhe të noterizuar mbrapsht e pastaj i thotë” je me vonesë, kthehu edhe njëherë te kutia e nisjes”.

Ne nuk mund të pranojmë që të kemi më shumë sesa një duzinë, afërsisht njëzet lloje policësh dhe inspektorësh, që për vite e vite vetëm janë shtuar dhe janë transformuar në figura që iu shfaqen në derë dhe iu mbijnë në sy kompanive në të gjithë territorin e Shqipërisë, vetëm e vetëm se partive iu duhen rroga për klientët e tyre, për kushërinjtë, nipat e mbesat. Punë e madhe shumë se për të mbajtur këta njerëz me rroga paguan buxheti i shteti, ndërkohë që për të shuar urinë e këtyre njerëzve nuk mjafton gjaku i të gjitha kompanive shqiptare prej 27 vjet.

Jemi vendi unikal, ku ka edhe inspektor mjedisi, edhe inspektor pyjesh, edhe inspektor uji, edhe inspektor peshku. Po të mos ishte 25 qershori, sot do të kishim krijuar edhe inspektorin e kullotave, edhe inspektorin e ujerave të zeza, inspektorin e ujërave të bardha, edhe inspektorin e midhjes dhe inspektorin e pelikanit kaçurrel. Ose do ishim sot duke rritur personelin e policisë gri, apo duke krijuar edhe një polici të kaltër, edhe një polici të verdhë, nëse shqiptarët do na e kishin dhënë mandatin për të mbajtur edhe kameleonë të tjerë në prehër.

Ne nuk mund të pranojmë institucione që, kur u kërkon informacion, thonë  kemi database, por nuk kemi kompjuter, apo institucione që kanë kompjuter, por që po t’u hapësh memorien e kompjuterëve, gjen vetëm kujtesën e rezultateve në lojën Solitar, mbas ose para drekës që hahet e pihet jashtë institucionit. Institucione u thënçin! Këto janë kioska, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, që ua nxinë jetën këtij mileti.

Ne duam të ndërtojmë mekanizma shtetërorë që funksionojnë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve, duke mos e toleruar më funksionimin e shtetit si një zorrë që nuk mbaron në gjithë Shqipërinë, për të shuar oreksin e pangushëllueshëm  të partive të pushtetit, apo të atyre që  duan pushtetin.

Sistemi që na duhet për këtë vend dhe për këtë shtet duhet të jetë  i vogël, solid, fleksibël dhe do të mundësojë që shteti të zhvendoset shumë më pranë qytetarëve, jo qytetari të jetë sa më shumë në kërkim të shtetit. Një sistem produktiv qeverisjeje që të jetë i orientuar nga lëvrimi i produkteve dhe shërbimeve ndaj qytetarit dhe jo i orientuar nga selitë e partive dhe interesat e më të fuqishme. Kur them më të fuqishmëve, nuk kam parasysh vetëm kush është këtu në Tiranë, por kam parasysh edhe të fuqishmit, bajraktarët e bejlurçinat e niveleve dhe gjatësive të ndryshme të të gjithë partive politike që bëjnë natën dhe ditën në gjithë territorin.

Ne na duhet një sistem i strukturuar që t’i optimizojë burimet  njerëzore dhe financiare që kemi, të cilat nuk i kemi të panumërta, nuk i kemi të pafund dhe t’i optimizojmë sipas prioriteteve dhe në funksion të indikatorëve të performancës, që janë sikur flet arabisht, po tua thuash juve se çfarë janë. Për vazhduar me nevojën për t’i shtuar në vazhdimësi rregullat dhe procedurat dhe për të rritur në vazhdimësi cilësinë e marrëdhënies së shtetit me qytetarët. Na duhet një sistem që të jetë i lehtësuar në pjesën e sipërme, ku janë dikasteret qendrore dhe ku për fat të keq, ne e kemi të mbingarkuar  dhe të jetë i ngarkuar më mirë, në mënyrë më të shtrirë dhe racionale në pjesën e mëposhtme, në mënyre që të fuqizohet dhe të rritet eficienca e operimit në territor.

Procesi i strukturimit do të përfshijë pa përjashtim të gjitha institucionet shtetërore, që nga aparati i Kryeministrisë dhe ministritë, deri tek institucionet e varësisë dhe zyrat e pushtetit qendror në çdo pjesë territori. Deri më sot, ministritë e këtij vendi kanë funksionuar si një tërësi parqesh të fryra, me këmbë të trashura nga funksionet e tepërta, menaxheriale dhe operacionale, duke u marrë në pjesën më të madhe të kohës me organizime tenderash dhe me dhënie licencash. Ministri që jep licenca furgonash në të gjithë territorin e Shqipërisë. Për të marrë një licencë furgoni duhet të shkosh te ministri, jo sot, por qysh qëmoti.

Si ka mundësi që vini këtu dhe përsërisni po atë gjë që keni bërë! Çfarë alternative keni? Vini këtu dhe e vetmja gjë që dini është ajo që keni bërë dhe thoni ashtu do të bëhet. Por jo, nuk duhet bërë ashtu, sepse u provua dhe ajo dështoi. Ministritë duhet të kthehen në institucione që udhëheqin, që bëjnë politika, marrin vendime të fushave të përgjegjësisë dhe funksionet menaxheriale dhe operacionale duhet të dalin jashtë trupit të tyre tek agjencitë dhe operatorët e shërbimeve, që nga ana e tyre duhet të bashkohen sa më shumë, për të minimalizuar të gjithë atë parcelizim që deri më sot është ekstrem, që nga struktura e çdo ministrie dhe ka pasoja kronike në vite; konflikte, atrofizim i të gjithë funksioneve planifikuese të shtetit, dizintegrim total i burimeve njerëzore, harxhim i kotë i mendjes së atyre që punojnë me mendje në administratë dhe i burimeve financiare, një rënie e vazhdueshme deri në tretje të kapaciteteve të administratës në vite.

Pesha e duhur i duhet dhënë funksioneve prioritare, që janë programimi, hartimi i projekteve, hartimi i legjislacionit, derregullimi e me radhë. Me këto duhet të merret qeveria, jo me licenca furgonash. Po kështu, ne do të bëjmë dhe riorganizimin e institucioneve të varësisë, që do të thotë grupim dhe riorganizim i tyre sipas funksioneve të ngjashme, apo në fusha të përgjegjësive të njëjta. Në një kohë të arsyeshme do unifikohet mënyra e organizimit të sistemit të pushtetit ekzekutiv. Do të thjeshtohen dhe do të lehtësohen strukturat, do kuptohet kush duhet të bëjë çfarë dhe jo të gjenden përditë, jo njerëz, por edhe institucione që përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë dhe që konfliktojnë se kush duhet ta bëjë po atë gjë. Duhet e do të shmangen funksione pafund në këtë shtet, që janë të përsëritura. Është tragjike-komike t’i shikosh, por s’keni pasur kurrë kohë dhe as ju ka shkuar mendja t’ia hidhni sytë. Neve, mua na e dha mundësinë populli që t’ia hedhim sytë kësaj pune, se dhe ne do kishim mbetur rrotull tepsisë, për të parë sa shumë funksione janë të përsëritura dhe sa shumë funksione janë të mbivendosura në këtë shtet.

Do të lehtësohen ministritë nga inspektimet, -si mund të ketë ministria inspektorë! – nga licencimet, nga vetë prokurimet dhe nga ofrimi i shërbimeve për qytetarët, që duhet t’i bëjnë të gjitha operatorët në terren.

Do krijohen rrjete të integruara;

Rrjeti i hartimit të legjislacionit duhet të jetë i integruar. Nuk mund të jetë çdo zyrë juridike bën legjislacionin e vet. Pastaj duhen 6 muaj për të zgjidhur konfliktet midis mendimeve juridike të zyrave që punojnë sikur janë në shtete të ndryshme;

Rrjeti i integrimit europian, që ka filluar;

Rrjeti i bashkëqeverisjes me qytetarët, që do ta nisim ne;

Rrjeti i komunikimit publik;

Rrjeti i teknologjisë së informacionit. Ne kemi prej vitesh, – e ka filluar “doktori” me pasionin e tij për Shqipërinë dixhitale, – ka vazhduar e njëjta gjë, jep para për dixhitalizim dhe çdo ministri bën në mënyrën e vet atë që i shkon mendja dhe pastaj krijojmë sisteme që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Miliona e miliona e miliona në gjithë këto vite të hedhura kot, ndërkohë që duhet të ketë një rrjet të integruar që t’iu shërbejë institucioneve me teknologji, por që të bëjë të gjithë administrimin e sistemit.

Një gjë të fundit, përpara se ta përkthej të gjithë këtë që thashë tek historia e këtyre organeve për të cilat ju keni ardhur këtu, tamam organikë, me Vetting-un që papritur e pakujtuar është bërë kauza juaj. Që të mos lodheni dhe të kuptoni që duam të njëjtën gjë edhe ne dhe ju, unë dola përpara këtu që të bëj një shpjegim përpara se të marrë fjalën kryetari i opozitës për “bandat që po kapin vetting-un”.

Nuk ka lidhje, është qesharake ajo që thuhet që kjo reformë rrënjësore bëhet që të largohen armiqtë e partisë nga puna. Ky vend e ky shtet nuk ka problemin që ka shumë punonjës, por ka problemin që ka shumë drejtorë. Nëpunësit që ky shtet paguan janë më pak se në të gjithë rajonin. Po të shikoni listën e të gjithë vendeve të rajonit, do të skuqeni nga turpi, do ju vijë zor, si ka mundësi që vendi ynë të ketë një pamje kaq idiotike në atë listë ku, kur vjen puna tek numri i punonjësve jemi më mirë se të tjerët, në kuptimin, ne kemi administratë të vogël. Kur vjen puna tek numri i drejtorëve, i agjencive, i inspektorateve jemi lukuni, jemi gjëmë e madhe. Studiojini dhe mos bëni gabime në përkthim, ju lutem, se ju jeni në sindromën e përkthimit të gabuar.

Prandaj, ky vend dhe ky shtet ka shumë për të bërë. Ka aq shumë për të bërë, sa asnjë njeri që do të punojë për këtë shtet dhe di të punojë për këtë shtet nuk duhet të ketë asnjë frikë që do ngelet pa punë. Asnjë. Natyrisht, këtu nuk do ketë më vend për grabitqarët dhe për parazitët. Ose të paktën, lufta me grabitqarët dhe parazitët do jetë frontale. Sigurisht të pretendosh që do pastrohen të gjithë është utopike, por ama do margjinalizohen maksimalisht.

Në bazë të ligjit janë krijuar 3 institucione të rivlerësimit: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe institucioni i Komisionerit Publik. Bazuar në përcaktimet e ligjit, të 3 institucionet i kanë propozuar Kuvendit strukturën organizative të tyre, si dhe klasifikimin e pagave për personelin. Propozimit të bërë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar, – për hir të së vërtetës, unë jam vënë në lëvizje, pasi kam dëgjuar pretendimet që kanë dalë dhe të gjithë dokumentacionin ne e kemi studiuar me ekspertët me të cilët po bëjmë këtë reformë për të cilën fola deri tani, jo këtë për të cilën po flas tani, -i është bërë një vlerësim bazuar në konstatimet e ligjit, bazuar në volumin e pritshëm të punës së këtyre institucioneve, në nevojën për personel mbështetës, si dhe patjetër në parimet themelore të ndërtimit të institucioneve, që pak a shumë i përmenda.

Komisioni parlamentar ka kryer konsultime me propozuesit, me Departamentin e Administratës Publike, me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, me konsulentë të fushës, për të pasur një opinion sa më të konsoliduar dhe një vlerësim optimal.

Përsëri po rikthehem te synimi. Synimi është që të kemi struktura homogjene dhe fleksibël, të cilat mund të ngrihen shpejt dhe të jetë efikase në funksionimin e tyre qysh në fillim. Strukturat e fryra me dublime rolesh nuk shtojnë mundësitë për sukses, por vetëm rrisin shpenzime, konsumojnë kohë dhe energji të tepërt dhe rrezikojnë qëllimin për të cilin këto struktura krijohen.

Bazuar në sa më sipër, Komisioni ka bërë një punë optimizuese dhe faktikisht e ka ndihmuar ngritjen e këtyre organeve me struktura funksionale; shpërndarjen më të drejtë të burimeve në dispozicion, duke krijuar një raport më të arsyeshëm midis numrit të funksionarëve, pra, nëpunësve që angazhohen për realizimin e misionit të institucioneve dhe numrit të punonjësve për strukturat mbështetëse; mbështetjen me prioritet të njësive, të cilat do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e qëllimeve të funksioneve. Këtu është fjala, për shembull, për njësinë e shërbimit ligjor, këshilltar ligjor dhe këshilltar ekonomik, plus dhe përkthyes; një organizim më të mirë të pjesës tjetër të personelit, sekretar gjyqësor, operator për zbardhjen e vendimeve, specialistë për komunikimin me median etj..

Dua ta theksoj se është përfshirë në strukturën organizative çdo funksion edhe i shërbimeve mbështetëse. Nuk është hequr asnjë funksion, por me plot të drejtë dhe harrojeni ju se kthehemi mbrapa në këtë pikë, ka një reduktim të numrit të propozuar, për shembull, të shoferëve, të rojeve, të asistenteve vetjake e me radhë, pra, e gjithë  pjesa mbështetëse.

Maksimizimi i shpërblimit është bërë, duke bërë klasifikimin e pagave të personelit të njëjtë me atë të pozicioneve në institucionet e pavarura kushtetuese, referuar vendimit përkatës. Ndryshimet që janë bërë nga Komisioni nuk kanë eliminuar asnjë funksion, por kanë reduktuar staf të tepërt, të kotë, të paarsyetuar.

Padyshim, në varësi të ngarkesës së punës, në varësi të ecurisë së punës, në varësi të çfarë puna do të sjellë, ne këtu jemi dhe mjafton të na provohet nevoja për më shumë staf dhe padyshim do të konsiderohet prioritet.

E përsëris diçka që thash edhe më lart, në këtë organigramë, raporti normal i stafit që kryen funksionet thelbësore përkundrejt atij mbështetës nuk është ende në raportin normal në rajon, në Europë dhe kudo në botën normale, që mendon normalisht me tru; Tre njerëz që paguhen për realizimin e qëllimit që ka një strukturë dhe një njeri mbështetës. Ne nuk kemi për të lejuar asnjë institucion në këmbë që të rrijë në raportin një me një si sot. Këtë nuk kemi për ta lejuar për asnjë ministri, për asnjë agjenci dhe as në këtë rast. Kur dihet botërisht se ky raport i deformuar nuk ka asnjë ndikim pozitiv në performancën e institucionit, përkundrazi e cenon performancën e institucionit.

Asnjë nga institucionet që sapo po ngrihet nuk mund të pretendojë sot, se volumi i vet i punës do jetë më i madh se volumi i vetë Gjykatës së Lartë. Besoj që marrja për analogji e ngarkesë së Gjykatës së Lartë dhe numrit të punonjësve në Gjykatën e Lartë është një pikënisje shumë kuptimplotë, qoftë për vlerësimin që ne kemi për këtë institucion, qoftë për pritshmëritë tona ndaj këtyre strukturave.

Si do ta justifikoni ju, që ne të ngremë dorën për drejtori pa drejtor? E keni lexuar, apo jo? Dhe vetëm me 5 përkthyes. Apo kabinete që kanë një drejtor dhe një këshilltar. Në cilin vend të botës i keni parë këto çudira? Po kështu, për shembull, as nuk ka si diskutohet dhe jo më të bëjmë luftë politike këtu, – është qesharake të bëjmë luftë politike, – se është reduktuar numri i përkthyesve, duke pasur parasysh që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka përkthyesit e vet. Ndërsa përkthimet për dokumentacionin që mund të vijë, apo mund të dërgohet nëpër institucione të ndryshme në botë, do të mbështeten edhe nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Është bërë një bashkim rolesh i stafit për të zbardhur dhe stafit për të redaktuar. Pse edhe staf për të zbardhur, edhe staf për të redaktuar? Ndërkohë që nga bashkimi i roleve është rritur pagesa e personave që do të merren me këtë proces, për të marrë njerëz cilësore. Me dy stafe, edhe për të zbardhur, edhe për të redaktuar dhe me njerëz që e njohin shkrimin dhe këndimin si jo pak syresh prej jush këtu, nuk bëhet as zbardhje, nuk bëhet as redaktim dhe pastaj bien viktima, jo të përkthimit të gabuar, por të zbardhjes dhe redaktimit të gabuar në gjuhën tonë amtare.

Kjo është thirrja e fundit që ju të ftilloheni. Ju nuk do ftilloheni, por kjo nuk ka pikë rëndësie se ju nuk jeni ftilluar asnjëherë, kur unë ju kam bërë këto thirrje dhe është dashur elektroshoku i komunitetit ndërkombëtar që ju të ftilloheni dhe më vonë të thoni “çfarë të bënim ne, na morën me zor, na thanë o futuni, o ju nxorëm nga penxherja”. Prandaj më mirë të dëgjojmë njëri-tjetrin, më mirë na dëgjoni edhe neve, se nuk jemi armiqtë tuaj dhe diçka dimë.

Si ka mundësi, ju të gjithë që vuajtët për Vetting-un, që Zoti e di se çfarë hoqët derisa e bëtë realitet, jeni mbledhur tani ta mbroni Vetting-un nga ne, nga një komplot i madh, ndërkohë që as Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, as ata që ju bënë juve të fusni dy këmbë dhe një dorë në një këpucë dhe të vinit këtu të ngrinit dorën tjetër me kartonin jeshil, kur ju thoshit “kurrë”, nuk kanë asnjë problem me këtë, do iu vinte zor të dilnin e të thoshin po cenoni Vetting-un? E kapët ju dhe ata nuk e paskan kuptuar. Përsëri ka vallë krimi gisht këtu, ka një bashkëpunim kriminal këtu midis Partisë Socialiste dhe partnerëve tanë strategjikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit! Përgjigjuni kësaj pyetjeje për veten tuaj, jo për ne.

25 qershori tregoi që ne llogaritë i bëjmë me njerëzit. Për sa kohë të kemi ata atje, ju për ne jeni thjesht miq, shqiptarë, bashkëqytetarë që duheni ndihmuar. Pranojeni këtë ndihmë, na dëgjoni! Është në të mirë të vendit, është në të mirë të njerëzve që të mos i çakërdisni me muhabete si “e ëma e Zeqos në majë të thanës”.

Ju lutem, reflektoni dhe mos ejani këtu tani të filloni atë zhurmën e madhe për komplotin kundër Vetting-ut, se jeni bërë shumë qesharakë me luftën që i bëtë edhe reformës në drejtësi, edhe Vetting-ut. Tek përgjigja e 25 qershorit e keni brenda edhe përgjigjen e popullit për këtë punë. Vetëm një gjë të jeni të sigurt, ne do t’ju dëgjojmë me durim, siç ju kemi dëgjuar edhe sot. E keni parë nga ora 10-të fiks, – megjithëse erdhët me vonesë, se ju jeni dhe opozitë që flini shumë, – deri kur të doni ju. Edhe po të ikni ju përpara, ne do dëgjojmë deri të fundit këtu, që do lini roje, si tek çadra. Do mundohemi të kuptojmë çfarë ka të mirë tek ju, por harrojeni se do na mbani një ditë, një orë, një minutë peng të historive tuaja. Ne do ju dëgjojmë, do udhëheqim dhe do ecim përpara. Ju vazhdoni mbytuni me një lugë ujë, siç u mbytët sot në lugën e ujit dhe u kthyet në polumbarë që donit të gjenit Thoma Gëllçin brenda në lumë.

 

***

 

Tani, një pyetje kam. E mban mend sa dyer kishte bashkia?

Më the, gjete 8 maxhordomë. Në fakt ke gjetur 8 roje, të cilët unë i gjeta duke ngrënë fara kungulli ose luledielli, ose caraca ose ide, të lodhur, të rraskapitur, me pantallona doku (e di që me dokun ke një lidhje tënden personale, por nuk kam asgjë kundër dokut), por me pantallona të dokut të llojllojshme apo me teritale me kuadrate, me këpucë gri me vrima, e me radhë.

Mos m’i perëndo ata sy sikur po të shkel në kallo për të varfrit, të lutem.

Bashkia ka 4 dyer, se kryetari nuk e di. Rojet punonin me tre turne. Njëra derë ishte gjithmonë e mbyllur. Ajo dera mbrapa ku hyn për në këshillin bashkiak, ishte e mbyllur gjithmonë dhe aty rrinte vetëm një polic. Kështu që për tre dyer, me tre turne bëni pak llogarinë sa ishin rojet. Ndërkohë që në derën ku hynte kryetari i bashkisë dhe turnin e trete rrinte vetëm policia dhe ishin dy roje. Njëri në njërën anë, tjetri në anën tjetër.

Ku e keni ju problemin me të bukurën, se këtë nuk e kam kuptuar kurrë. Erdhe nga Amsterdami, gjete mermer, vure laminat. E theve mermerin, vure laminat. E kishe tavanin trashëgimi kulturore. E kam marrë tavanin kopje nga ajo vila e vjetër italiane mbas Akademisë së Arteve. I jam lutur atij zotërisë atje dhe e ka bërë ai vet. Dhe ajo zyrë s’ka kushtuar asnjë lek nga buxheti i shtetit. Çfarë i bëre tavanit? E theve tavanin. Ishte trashëgimi kulturore. Kopje ishte, por ishte një kopje e një monumenti kulture, dhe vure gips me spote diskotekash. Po them diskoteka, që të mos shkoj më thellë, aty ku shkojnë ata që dalin nga diskoteka për shërbime personale.

Një gjë vetëm ta kam mirëkuptuar gjithmonë. Atë kolltukun alla turka ku flije gjumë. Atë bëre mirë që e more se unë s’kisha kolltuk të rehatshëm atje në zyrë. Po çfarë pate me zyrën, çfarë ke me maxhordomët?  Ata ishin roje me këmisha të bardha, me jelekë, me papion. I prisnin njerëzit normalisht. Ku është problemi?

Problemi është tek raporti juaj me të bukurën. Ju keni një problem shumë të madh. E keni një problem që është fiziologjik i partisë suaj. Nuk është puna se, juve për shembull, ndërtimtarinw pa leje nuk e pengoni dot, por juve ju pëlqen. Ky është problemi. Juve shëmtimi ju pëlqen. Juve pisllëku ju pëlqen. E keni dëshmuar sa herë keni qënë në qeveri. Çfarë keni lënë mbrapa?

Tani vjen këtu dhe thua “ke shpenzuar para nga taksat e tepërta sepse kishe 8 maxhordome, a thua se ishin 8 kamerierë që rrinin te dera ime. 8 roje që mi la Bert  Brojka dhe mesa më kujtohet i përkiste familjes suaj politike, siç është në traditën tuaj politike, që o Zot t’i afroheshe bashkisë. Te njëjtët njerëz, me të njëjtën pagë, të veshur jo nga buxheti i shtetit, por nga dikush dashamirës që siç prodhonte për të tjerët, prodhoi dhe për rojet e bashkisë. Por këtë s’mund ta kuptosh ti se s’mund të dëshmosh në 4 vjet që ke kërkuar një kokërr leku për bashkinë e Tiranës nga kushdo që mund të ketë pasur një punë me bashkinë e Tiranës.

Kështu që mos u kthe te bashkia të lutem, se më hap një muhabet që nuk mbaron kurrë. Dhe bëhu të paktën kampion i së bukurës. Mos merr stafetën e të shëmtuarës, të paktën në këtë pikë. Bëhu kampion i të bukurës. Është parti e bukur. Ka lindur në ditë të bukura. Kanë qënë të bukur ata që e lindën. Si e katandisët këtë parti si parti që i duket sikur mban era qepë? Si ka mundësi?

Edhe pse s’mban era qepë, edhe pse keni të gjithë aksesorët që të dukeni si të jashtëm, prapë keni një gjë që ju lidh gjithmonë me shëmtimin. Po me atletet çfarë keni?

Ju lutem atletet mos i vishni fshehtas. Vishini atletet, mbajini atletet, s’keni pse i refuzoni atletet pse vesh unë atlete. Ju jeni të lirë të na fyeni nga mëngjesi deri në darkë “kriminelë, banditë, të lidhur me bandat, tw lidhur me krimin”. Ju jeni të lirë ta bëni këtë gjë. Ne po na thatë ndonjë fjalë për atletet nuk durojmë. Te të tjerat mos u shqetësoni se nuk do t’ju ngacmojë njeri një fije floku. Kurrë nuk do të shahet këtu kryetari juaj! Kurrë! Asnjëherë! E asnjë nga ju! Tani kur na ngacmoni te atletet, një gjë edhe na vjen ta themi.

Tani të vijmë pak te pjesa që kishte një të drejtë, në atë fjalën që mezi  e mbaroi kryetari që po, është e vërtetë, dhe unë këtë, jo nuk e kam mohuar, po unë këtë e kam pasur dhe e kemi pasur lajtmotiv të fushatës. Aman na shpëtoni dhe e thashë edhe në fjalën që e bëra më përpara. Unë do isha, po unë, po këta do ishin, po nwse do kishim të tjerë në prehër, do kishim bërë “inspektorin e kullotave”, do kishim bërë “inspektorin e pelikanit kaçurrel”, nuk diskutohet. Logjika e atij sistemi kjo ishte. Dhe as skam thënë kurrë unë, që ne nuk kemi qenë pjesë e atij sistemi. Ju kam thënë shqiptarëve copë, “doni ta shkatërroni këtë sistem? Na e leni ne këtë punë katër vjet”.

A do shkatërrohet apo nuk shkatërrohet, këtu do jemi, hap pas hapi do t’i shikojmë gjërat dhe njerëzit do të na shikojnë. Por një gjë, në këtë që tha të drejtë kryetari, një gjë e tha gabim, shumë gabim, kur bëri krahasimin e administratës së shkuar në administratën e sotme dhe madje me kryeministrinë e bëri këtë gabim edhe miku im Nasipi që në kryeministri ka qënë, është dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur për personelin e kryeministrisë.

Nasipi e di  të vërtetën se është njeri që i di të vërtetat, por ai për partinë i thotë të vërtetës, “ku të kam parë”. Dhe prandaj është aty. Kurrë nuk do të mbyllet dera e kryeministrisë për ty Nasip, as për ty dhe as për njeri nga ata që kanë punuar aty. Këta të rinjtë duhet të bëjnë stazh në opozitë me PD-në. E vërteta është që në 2013-n shpenzimet për administratën ishin 5.2 % e prodhimit tonë të brendshëm. Sot e di sa janë? Megjithëse tepsia u ngarkua, 4.8 %. Tani, o do pranosh që ka rritje ekonomike dhe pastaj hajde t’i hyjmë bisedës nga e para ose pastaj do rishikosh këto që the. Po të jap edhe një lajm tjetër, për këtë të paktën gëzohuni se s’keni pse të mos gëzoheni. Nesër del rritja ekonomike prapë. Profesori do ta shohë i pari nesër. Do t’ju informojë se po s’patët profesorin ju si kuptoni ato se jeni në fushat të tjera. 4.06 %. EUROSTATI profesor, jo INSTATI. Tani 4.06 % nuk është që ne t’u themi shqiptarëve  “mos flini gjumë sot, po bëni festë”, por ama nuk krahasohet me atë 0,ca % që latë ju në 2013. Përsa i përket buxhetit tw kryeministrisë që Nasipi e di, përfshihen edhe agjenci, edhe institucione që janë jashtë aparatit të kryeministrisë si buxhet. AKSHI-n ju nuk e kishit në zërin e buxhetit të Kryeministrisë. Departamentin e Administratës Publike ju nuk e kishit, ASIG-un nuk e kishit, e kështu me radhë.

Dhe sa për sharësit, ju siguroj që, jo vetëm që s’ka aty një organizatë kriminale që shan, por siç e thashë, katër vjet kurrë nuk do shahet këtu asnjë prej jush. Kurrë! Nëse do ndodhë pa dashje, do kërkohet ndjesë. Kurrë!

Ama, ju i kujtoni ato miset që kishit në çdo ministri që dilnin recitonin çdo ditë dhe çfarë bënin? Ato punonin për shtetin dhe mbanin recitime të përditshme kundër opozitës. Keni parë ndonjë konferencë shtypi të dalë ndonjë miss e të fillojë të recitojë sharje kundër jush, në këto katër vjet?! Miss nuk e them në kuptimin e keq, por në kuptimin e mirë të fjalës. Se me ato të kujtoni atë shprehjen e Duelit të Heshtur, “janë me shije, komisar”.

Për sa i përket vettingut, që e ka shumë merak e gjithë kjo opozitë në ballë e në bisht, unë i kam kërkuar sot Sekretarit të Përgjithshëm, se ai ka komunikimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, t’i çojë një letër OMN-së dhe t’i kërkojë opinion për këtë proces.

Nëse ONM do shprehë rezerva për këtë proces, të ngjashme, ato të njëllojta me rezervat tuaja, ne këtu jemi përsëri. Por unë po ju them edhe njëherë, jeni komplet jashtë loje. Qeshin me ju! Po e përsëris dhe tani. Deri në fund thonit, “Amerika! Europa!” Ndërsa tani dilni e thoni “s’kishim çfarë bënim se na futën me zor në zgjedhje, me ato metodat e tyre”. Po patjetër, metodat e tyre. Po si ka mundësi që nuk erdhën tek ne metodat e tyre, por erdhën tek ju? Prandaj mos u bëni qesharakë. Sikur të kishte një fije të vërtete në këtë shqetësim që keni ju, do kishin folur ata e do kishin vënë kujën, siç e kanë vënë që kur ka filluar kjo reformë.

E fundit, për Elbasanin meqë e ka merak kryetari. Qeveria, ministri i brendshëm, Kryeministri nuk janë analistë politikë. Nuk janë as në detyrën e opozitarëve, janë në një detyrë tjetër. Ne nuk jemi në këtë detyrë për të bërë komente gjatë gjithë kohës për çdo gjë që ju doni të flisni. Ju keni të dejtë të flisni për çdo gjë. Por unë po ju them një gjë, që, beteja me krimin ka hyrë në një fazë të re. Ju thoni që, “Policia katër vjet ishte tmerr”. Ndërkohë që, Policia në katër vjet u kthye nga institucioni më skandaloz, më i pabesueshëm, më i turpshëm në institucionin më të besueshëm të shqiptarëve. E në fund fare, kur shkuam tek populli, populli ju solli këtu me 200.000 puthje mangët. Atëherë, kjo është çfarë ishte në katër vjet.

Tani, ne kemi filluar një fazë të re. E kemi paralajmëruar dhe po e implementojmë hap pas hapi. Çfarë do të thotë kjo? Jo vetëm atyre të fortëve me status të veçantë nëpër feude nuk do t’ju ndahemi, le të jenë kush të jenë, le të quhen si të quhen, le të kenë lidhje me kë të kenë! Nëse janë pjesë e rrjeteve kriminale ne do na kenë këmba-këmbës deri në vrimën e fundit. Por, përveç atyre, – kemi filluar, ju s’doni t’i shikoni, – vetëm sot janë miliona euro makina të shtrenjta të sekuestruara, dhe do vazhdojë përditë kjo punë.

Ministri i Brendshëm jua tha. Nuk e tha, as nëpër dhëmbë, as duke ngrënë fjalët, por tha aq sa duhet të thotë, që ne jemi në proces. Operacioni në Elbasan vazhdon dhe të jeni të sigurtë që ai operacion nuk mbaron pa u vënë para përgjegjësisë që të gjithë ata që janë të përfshirë, qofshin forca të policisë, qofshin pjesë e organizatave prej të cilave, jam shumë dakord, ai qytet duhet çliruar. Kështu që, këtë ndarje bëjeni! Analistët mund të rendin të parët dhe të flasin të gjitha gomarllëqet që duan, sepse është një vend i lirë dhe gjithkush mund të flasë gomarllëqe. Ju mund të rendni pas tyre dhe të flisni të gjitha ato që doni sepse jeni opozita dhe kjo është puna juaj. Fol, fol sa të mundesh, siç bëri dhe kryetari, kishte 39 minuta e 59 sekonda, nuk i mbushi dot, por foli e foli se atë kohë ka, s’ka tjetër.

Ndërsa ne nuk jemi as analistë, as opozita. Ne s’jemi këtu për të folur të parët. Ne jemi këtu për të vepruar dhe pastaj për të folur në fund. Dhe do ta shikoni që do veprojmë, po veprojmë dhe rezultatet po i ndjekim hap pas hapi, por jo të gjitha mund të bëhen publike, sepse është një operacion në vazhdim. Kaq e thjeshtë është kjo. Nëse nuk iu bind dhe s’ka sepse dhe si t’ju bindë kjo, vazhdoni avazin. Por me histori me banda, me histori me krime, me histori me drogë, me histori me thagma, e provuat 4 vjet dhe ja ku jeni sot, të katandisur, o Zot.

Kur ju kam parë në 2013-ën thoja më keq se kaq nuk ka. Por ju të kujtoni një plakë nga Korça që thonte, “e mo bir, ka edhe më keq, por ka edhe keq e mos më keq”. Kështu që tani jeni tek “ka dhe më keq”. Që të mos përfundoni “keq e mos më keq” gjejeni një rrugë tjetër për të bërë alternativën! Boll iu kënduat shqiptarëve në vesh “krimi-krimi! Bandat-bandat! Droga-droga!” Nuk i ha njeri këto. Jo se nuk ekzistojnë, por sepse janë larg së qeni, qoftë në përmasat, qoftë në ndikimin, qoftë dhe në forcën që iu jepni ju këtyre fenomeneve. Po të ishin të tilla s’do na kursente njeri neve. Të jeni të sigurtë! Por, ngaqë s’janë të tilla.

Bëni anketime, pyetini shqiptarët, ne i pyesim rregullisht dhe shikoni se në cilin rend të prioriteteve janë këto muhabetet tuaja për ta. Do e shikoni sa poshtë janë në rendin e prioriteteve. Unë nuk jam këtu t’ju mësoj juve prioritetet. Unë dhe ne, po qe puna për politikë, po qe puna për interes pragmatist na duheni kështu dhe shyqyr që ju kemi kështu se jemi rehat. Por ne s’duam të jemi rehat. Ne duam të jemi të sfiduar, sepse këtu nuk është çështja kush fiton kampionatin. Këtu është çështja që Shqipëria të fitojë nga kontributi i përbashkët.

Prandaj po ju them përsëri, është koha për ta kthyer këtë faqe. Boll me këtë inerci, një inerci qorre që nuk ju çon juve asgjëkundi, por që pengon vendin të vrapojë më shpejt.

Ne nuk jemi armiqtë tuaj.

Ju s’jeni armiqtë tanë.

Nuk bashkohemi tek atletet, nuk bashkohemi tek maxhordomët, nuk bashkohemi te doku, nuk bashkohemi tek teritali, nuk bashkohemi te taksat, te shëndetësia, ku të doni ju. Për të gjitha këto ka diskutime, edhe pse pastaj jashtë kamerave ju të gjithë me atlete jeni.

Por të bashkohemi në disa gjëra themelore dhe mos ta bëjmë më zhele këtë vend në sy të të tjerëve, se nuk të sheh kush me respekt po i fole për vendin tënd siç i flisni ju.

Harrojeni! Nuk thotë, “takova një luftëtar të lirisë atje!”. Por thotë, “takova disa njerëz që janë akoma në epokën e drurit”.

Prandaj thirrja ime edhe njëherë kryetar është: Ramë dakord me Reformën Zgjedhore, por duhet të ulemi për të bërë një proces real dialogu, që mos ta bëjmë prapë kur të vijë veza për të dalë, se pastaj prapë do ju dalë siç ju doli një vezë ku s’kishte gjë brenda.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.