Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive, në Tiranë, apo siç njihet ndryshe Dispanceria, është transformuar në një klinikë model të standardeve europiane.
Prej më shumë se dy dekadash, qendra e vetme e këtij lloji në vend e cila ofron shërbim të specializuar për rreth 800 mijë banorë, nuk ka patur asnjë investim dhe në vend të shërbimit të specializuar, nuk ofronte as analizat bazë.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë klinikë, e cila, falë investimit prej 56 milionë lekë nga buxheti i shtetit në infrastrukturë dhe pajisje, ofron shërbim në kushte dhe standarde bashkëkohore për rreth 55 mijë pacientë.
Tek qytetarët impakti është i menjëhershëm dhe ndryshimin e përkufizojnë si të jashtëzakonshëm. “Keni bërë një mrekulli të paparë. Ndrin. Më bukur nuk ka ku të shkojë.” – shprehet një qytetare.
Të njëjtin vlerësim ndajnë edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit. “Erdha nga Italia dhe isha e sëmurë që në avion. Erdha direkt këtu, mora rekomandimin. Këtu është më mirë se në Itali. Shumë bukur. Qenka bërë një ndryshim i paparë. Është për tu theksuar që doktoresha më priti shumë mirë, më dha mjekimin dhe për pak ditë mu zhduk sëmundja. Këtu është bërë një punë me mend.”
Por më mirë krahasimin e bëjnë qytetarët që kanë marrë shërbim prej vitesh në këtë klinikë. “Më parë ka qenë skandal. Unë jam habitur kur jam futur sot. Ka qenë shumë keq nga të gjitha drejtimet , nga pajisjet, nga arredimi etj.”
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se kushtet në të cilat punonin mjekët e kësaj klinike më parë ishin shumë të vështira. “Dispanceria ishte e paprekur prej shumë vitesh, ndoshta dhe 30 vitesh dhe stafi punonte në kushte shumë të vështira. Investimi mori rreth 6-7 muaj, filloi me fondet e 2018, u investua në infrastrukturë dhe në pajisje bio-mjekësore.”
Për mjekët vetë, ndryshimi është i pakrahasueshëm. “Kam 28 vite që punoj këtu. Ndryshimi si nata me ditën. 1 bidon ujë për të larë duart kemi patur më parë. Tani ujë e drita 24 orë.”
Me investimet e kryera në aparatura të reja laboratorike, është zgjeruar edhe gama e analizave, nga 3 që bëheshin më parë, në 16 lloje analizash klinike, biokimike, bakteriologjike dhe analiza specifike për sëmundjet e mushkërive, duke garantuar shërbimin e plotë laboratorik për pacientët. “Deri dje bëheshin vetëm 3 analiza, sot bëhen 16. Zgjerimi i gamës së analizave do të na shërbejë për të ulur flukset e qendrave të specialiteteve, pra qoftë qendra shëndetësore nr.9, qoftë poliklinika qendrore tani mund të lehtësohen dhe të bëjnë më shumë analiza,” shpjegoi ministrja Manastirliu.
Për herë të parë janë vendosur në këtë qendër të specializuar, aparaturat digjitale (radiografi, spirometër digjital, etj.) që kanë përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe ulur me 3 herë kohën e pritjes për të marrë shërbime të specializuara në këtë qendër.
Kryeministri Edi Rama siguroi se investimet në shëndetësi do të kenë gjithnjë përparësi. “Kemi bërë sa mundemi, jo sa duam. Të mundeshim më shumë do bënim më shumë. Shëndetësia është e vështirë. Nuk është e thjeshtë. Do shumë investime dhe do durim të madh. Kështu që ju faleminderit për durimin.”