Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Spitalin e Politraumës në Tiranë, dy efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur në krye të detyrës në Lazarat. Ndërsa u informua nga ekipi i mjekëve se gjendja shëndetësore e dy efektivë është jashtë rrezikut për jetën, Kryeministri kërkoi kujdes maksimal deri në shërimin e tyre të plotë.
Duke folur për ngjarjen, Kryeministri e cilësoi një akt kriminal drejtuar kundër Policisë së Shtetit:
“Sot është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit, familjen e Policisë së Shtetit, por besoj edhe për çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, vlerëson kurajën, vlerëson shërbimin e Policisë së Shtetit dhe të këtyre djemve.
Duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së efektivit që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizoj se duhet të ndjehen vërtetë keq, ata që për faqen e tyre të zezë, edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë, madje edhe duke e fajësuar, jo dhe aq në mënyrë indirekte. Faqen më të zezë!”