Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëdhënësja e qeverisë, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën e parë për shtyp:

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit që keni ardhur!

Është ky sot një komunikim i parë me ju, por shpresoj jo i fundit, duke qenë se, në cilësinë e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin do të kryej edhe funksionin e zëdhënësit të qeverisë.

Kështu që, me ju, por edhe përmes jush dëshiroj të komunikoj me publikun duke patur edhe dashamirësinë tuaj për të gjitha nismat, të gjitha projektligjet, të gjitha aktet e qeverisë që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Është e rëndësishme që ne ta vendosim këtë komunikim së bashku, në mënyrë që qytetarët të kenë të gjithë informacionin e mundshëm mbi nismat të cilat ndikojnë në jetën e tyre, por dhe të shtojmë procesin e transparencës në të gjitha nivelet.

Po ashtu, në funksionin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin kam detyrën që edhe së bashku me ju të organizojmë konsultime publike, përfshirë mediat, përfshirë qytetarët në hartimin e nismave, ashtu siç janë dhe praktikat më të mira të Bashkimit Europian në kuadër të ligjit për informimin, siç ju e dini, të gjitha autoritetet publike kanë detyrën që të japin informacion për mediat dhe për qytetarët mbi të gjitha dokumentet që ata prodhojnë, ose mbajnë. Në momentin që kjo ndodh, pra kur autoritete të caktuara publike do duan të mbajnë për vete dokumente që ata i prodhojnë, apo që ata i kanë nxjerrë, atëherë në komunikim së bashku ne do të bëjmë të mundur që këto akte të merren dhe të bëhen publike edhe nga mediat.

Kjo është në kuadër të shtimit të transparencës por edhe patjetër, detyrimit që autoritetet publike të jenë të përgjegjshme përpara qytetarëve dhe përballë medias.

Në fund të këtij komunikimi më lejoni të them edhe dy fjalë për reagimin e opozitës ndaj deklaratës së ministres Balluku mbi ndalimin e procedurës së Partneritetit Publik Privat për rrugën Thumanë-Kashar dhe kalimin e kësaj hapësire fiskale në dispozicion të Ministrisë për Arsimin në kuadër të Paktit për Universitetin.

U thanë gjatë ditës të djeshme, por dhe sot shumë të pavërteta dhe madje u ekspozua edhe një tabelë ku dëshmohej se, në buxhetin e 2019-ës nuk paska fonde për këtë aks. Është në fakt keqardhje për një nivel kaq të ulët të luftës politike në një moment kur Pakti për Universitetin dhe niveli i rritjes apo i ndikimit që duhet të kemi në përmirësimin e jetës universitare duhet të jetë më i lartë, jo vetëm nga qeveria, por nga të gjithë për të bërë të mundur më në fund transformimin e jetës universitare.

Keqardhje për opozitën, por dhe sa mirë që na jepet mundësia të shpjegojmë pikërisht këtë mekanizëm mbi të cilin ka jo vetëm një keqkuptim por një deformim të qëllimshëm dhe të pavërteta që hidhen rëndom për konsum në opinionin publik.

Konkretisht, Rruga e Arbrit figuronte në atë tabelën e famshme autodiskredituese të opozitës si rrugë që nuk ka buxhet në 2019-ën. Në fakt, deri me sot, Rruga e Arbrit është ndërtuar me fondet e kompanisë, ndërsa këtë vit nis të kontribuojë edhe shteti. Ky është parimi bazë i një PPP-je dhe kjo është arsyeja pse PPP-të nuk janë krime, ashtu siç pretendon propaganda opozitare, por janë mjete të jashtëzakonshme për të bërë të mundur projekte të cilat ndryshe nuk mund të realizoheshin.

Procedura e Thumanë-Kashar ishte në fazën finale të kalimit në qeveri dhe do të niste menjëherë puna me fondet e subjektit privat, e theksoj dhe njëherë, i cili gjatë gjithë këtij viti e deri kur të arrinte përqindjen e punimeve të parashikuara në kontratë, nuk do merrte asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta!

Një pyetje ndihmëse për opozitën, por edhe për të sqaruar opinionin publik:

Po rruga Milot – Balldren është në tabelë?

Jo. Pra, s’ka fonde të parashikuara në 2019-ën.

Po rruga Orikum – Llogara?

Po ashtu, përgjigja është jo dhe po nuk ka fonde të parashikuara në buxhetin e 2019-ës për të dyja këto rrugë ashtu siç edhe për Thumanë-Kashar, siç pretendojnë ata.

E pra, këto dy rrugë do të nisin të ndërtohen shumë shpejt, sepse procedurat janë përfunduar dhe do ndërtohen deri në masën e parashikuar 100 për qind me fondet e kompanisë, ndërsa shteti do të hyjë me kontributet e veta, vit pas viti, sipas kalendarit financiar të dakordësuar.

Kështu, në 3 vjet, nga nisja e punimeve do të kemi Rrugën e Arbrit dhe pagesat për kompaninë do të bëhen në 13 vjet, e kështu me radhë për të gjitha rrugët.

Shkurt fare, opozitarët tanë gabuan rëndë kur thanë se rruga në fjalë s’kishte asnjë lek dhe është në fakt për të qeshur, por edhe për të qarë, sepse deri dje thonin që është një mega vjedhje, ndërsa sot s’paska asnjë lekë për këtë rrugë. Në fakt, nuk ishte as vjedhje dje dhe as është lojë fjalësh sot. Por të gjithë këto rrugë do të jenë realitete, të cilat do iu shërbejnë qytetarëve të këtij vendi.

Nga dje procedura e PPP-së për aksin Thumanë – Kashar është anuluar dhe hapësira fiskale në dispozicion të kësaj PPP-je do t’i kalojë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për Kampusin e ri Universitar, si dhe për rregullime të tjera në jetën universitare dhe në infrastrukturë.

Ne themi atë që bëjmë dhe padiskutim bëjmë atë që themi. Kjo qeveri është edhe fryt i protestës së studenteve dhe kjo qeveri do bëjë për studentët më shumë se të gjitha qeveritë e marra së bashku.

-A mund të na sqaroni, meqë ishim te procedura për rrugën, ju thatë që shteti ndërhyn me fonde në një moment të dytë, të paktën këtë kuptova, pasi në moment të parë është firma që paguan, për vitin 2019 a mund të na thoni sa është kjo hapësira fiskale që shteti kalon nga rruga te Korpusi. Konkretisht pra, që të jemi konkretë, a kemi një shifër?

Jo më kot, në fillim të prezantimit tim, unë fola edhe për detyrën e zëdhënësit të qeverisë që do mundësojë edhe komunikimin me median dhe marrjen e të gjithë informacionit në kohë reale, pra zbatimin e ligjit për informimin publik, që të themi të drejtën nuk është se është zbatuar njësoj nga të gjitha autoritetet publike dhe konkretisht, në rast se ju keni pyetje për të gjitha kalendarët financiarë të qeverisë, apo të autoriteteve do ju lutesha të bënit kërkesë ashtu siç e parashikon ligji, por edhe kërkesë nga ministritë dhe në rast se ju nuk merrni përgjigje, unë jam e sigurt do merrni përgjigje nga ministrja Balluku, por edhe të tjerët, atëherë padiskutim do ndërhyjmë së bashku që atë përgjigje ta marrim.

Ju si ministre dhe zëdhënëse e qeverisë nuk keni një shifër sot?

Kalendarët financiarë, unë madje fola edhe për disa rrugë konkrete, pra, për të gjithë rrugët që janë parashikuar në procedurën e PPP-ve ka një kalendar financiar ku do paguhen, siç është rruga e Arbrit në 13 vitet e ardhshme, po ashtu rruga Milot Balldren, po ashtu rruga Orikum-Llogara, e me radhë. Pra, kalendarët financiare janë të përcaktuara dhe vitet kur do paguhet. Ajo që unë theksova në fjalë, që besoj i bën referencë edhe fjalës tuaj është fakti që në fillim të punimeve, siç parashikohet nga PPP-të, janë kompanitë ato që paguajnë, deri në realizimin 100% të asaj që është rënë dakord me qeverinë dhe pastaj qeveria hyn në lojë me buxhetin.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, zoti Manja, deklaroi dje se shikon probleme kushtetuese sa i përket kandidaturës së dytë të paraqitur nga presidenti Meta për Kontrollin e Lartë të Shtetit. A ka mazhoranca socialiste një qëndrim çfarë votimi do të kemi për sa i përket kësaj kandidature në parlament, pra, do të mbështetet, apo do të rrëzohet?

Opinioni i zotit Manja është dhe në kuadër të funksionit të tij si kryetar i komisionit. Ne kemi besim te gjykimi i zotit Manja, jo më kot i është besuar ai pozicion. Ne do t’i shqyrtojmë kandidaturat dhe pastaj do veprojmë vetëm sipas ligjit. Në rastin konkret zoti Manja ka përmendur faktin që ligji përcakton që kandidati për kryetar të KLSh-së duhet të ketë eksperiencë financiare. Vetëm këtë ka vënë në dukje zoti Manja, që si duket nuk është parashikuar nga Presidenti kur ka sjellë propozimin shumë të nderuar të zotit Shaqiri. Nuk kemi asgjë me të, personalisht.

Një pyetje për rrugën Thumanë-Kashar. Fondi, për ta kuptuar më saktë, është një fond i përcaktuar “x” shumë dhe kjo shumë do jepej pasi rruga të ndërtohej, ndërkohë që është anuluar, apo jo? Sa është shuma e përcaktuar për këtë vit, për vitin 2019?

Atëherë t’i ndajmë të dyja gjërat. Kishte përfunduar, pra ishte në përfundim procedura e PPP-së për rrugën Thumanë-Kasahar. Pra, nuk ishte shpenzuar asnjë fond i buxhetit dhe nuk parashikohet të shpenzohet nëse kompania nuk do bënte pjesën e saj të kontratës, prandaj PPP-të janë një mjet i jashtëzakonshëm për të vënë në jetë dhe për të jetësuar punë, po pa rënduar buxhetin e shtetit dhe pa u garantuar që projektet të kenë siguri. Kjo është. Kjo ndryshon kryekëput nga propaganda që i ka shpallur krime publike, sigurisht për probleme të saj dhe faktin që këto punë po realizohen. Rruga e arbrit nuk ka qenë premtim i yni, ka qenë një premtim i tyre të cilin nuk e mbajtën kurrë dhe ne do ta realizojmë brenda 3 vitesh.

A ka ndonjë pasojë juridike anulimi i kësaj procedure për koncesion?

Nuk ka asnjë pasojë juridike. Është një vendim. Vendimi është marrë dje. Përkundrazi ka pasoja të shumta pozitive, sociale dhe ekonomike, sepse një fond i tillë ne mendojmë që është më mirë i shpenzuar për kampusin universitar për rregullimin e infrastrukturës së Qytetit Studenti dhe për çështje të tjera të universitetit sesa për atë rrugë.

Si do bëhet kalimi i buxhetit?

Unë nuk ju them dot jo këtu në deklaratën e parë, por besoj se është mjaftueshëm për të sqaruar detajet. Nëse keni pyetje të tjera për rrugën Thumanë-Kashar, çfarë do bëhet në vazhdim e me radhë, mund t’i drejtoheni ministrisë përkatëse.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim edhe ligjin për Kadastrën, një nismë e Këshillit të Ministrave. A do shqyrtoni rishqyrtimin e Presidentit, apo do ta rrëzoni?

Do ta shqyrtojmë sipas të gjithë procedurës parlamentare dhe pastaj në fund kalon në Parlament me votë.

Faleminderit shumë! Unë mirëpres çdo komunikim me ju dhe pres të punojmë së bashku në mënyrë të frytshme.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.