Familja e Shahin Bashës në Hoxharë të Fierit, shtëpia e së cilës u shkatërrua nga përmbytjet, sot nuk ruan asnjë gjurmë të tillë. Falë dëmshpërblimit të plotë të përfituar, jeta e tyre i është rikthyer normalitetit në shtëpinë e rikonstruktuar.
Mik në familjen e Shahinit ishte sot Kryeministri Edi Rama, i cili drekoi me të zotët e shtëpisë i shoqëruar edhe nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.
Shahini merret me blegtori dhe ndryshimet në zonën ku jeton, krahasuar me disa vite më parë, janë të dukshme dhe të prekshme për familjen e tij. “Është bërë punë kolosale zoti Kryeministër. Jo për ta thënë me fjalë, por është me vepra”, u shpreh ai. Kanalizimet, deri dje një shqetësim shumë i madh për banorët e fshatit, pasi ishin shkaku kryesor i përmbytjeve, tashmë janë një problematikë e zgjidhur. “Deri tani ne kemi pastruar rreth 100 km, që do të thotë mijëra hektarë. Kryesisht jemi përqendruar tek kanalet kulluese sepse aty ka qënë problemi kryesor. Ato sjellin gjithë problemet e tjera, si përmbytjet. Ka toka që i zinte maji nën ujë”, shpjegon Kryetari i Bashkisë Subashi.
Ndërkohë që Kryeministri pohoi punën kolosale që është bërë, theksoi se mbetet ende shumë për të bërë për Shqipërinë që duan të gjithë qytetarët: “E di unë që është bërë shumë, por ka kaq shumë për t’u bërë. Njerëzit nuk kanë faj se kanë kaq shumë vite që presin e presin…vetëm rrënim, rrëmujë, konflikte. Pastaj po të shikosh sa shumë para janë harxhuar në 20 e ca vite, do ishin bërë rrugët e Shqipërisë dy herë.”
Duke folur konkretisht për Fierin, Kryeministri tha se pamja që ofron qyteti është krejtësisht tjetër, por edhe më bukur do të bëhet nëse do të zbatohen projektet infrastrukturore, të parashikuara në Rilindjen Urbane, të cilat po vështirësohen nga ndërtimet e legalizuara abuzivisht, buzë lumenjve. “Fieri po bëhet spektakël. Problemi është që Fieri pa Gjanicën, – që të bëhet lum në mes të qytetit, me park, i lidhur me qendrën e qytetit, – nuk kthehet dot në një qytet mesdhetar europian. Më thuaj si i bëhet që, duhen shembur ato në Gjanicë, mirëpo i kanë legalizuar, ata janë bërë pronarë?! Abuzimi i mëparshëm ka sjellë atë që, mirë që u bllokua qyteti, mirë që përmbytej vazhdimisht për shkak të atij bllokimi, atij tmerri, njësoj si Lana në Tiranë, por tani duhet edhe t’i paguajmë zotërinjtë se përndryshe nuk bëjmë dot.”
Në këtë pikë bashkohet edhe kryefamiljari Basha i cili është i kënaqur me infrastrukturën tashmë të ndryshuar “Sot sa hyn tek një rrugicë, më e bukur të del tjetra. Ndërsa më parë, Fieri kudo që të shkoje, nuk kaloje dot” -u shpreh ai.
Më pas, biseda vijon me projektet konkrete të ndërmarra nga bashkia e Fierit për infrastrukturën, shkollat, ujësjellësat, etj për të cilat Kryetari i Bashkisë Subashi shpjegon: “Rruga deri në det do të fillojë tani. Ne jemi duke zhvilluar një koncept pak më të gjerë për këtë pjesën këtu, sepse ne këtu për 2, 3 km do të dalim në Darzezë, që është një nga perlat e Adriatikut. Nga Darëzeza deri në grykëderdhje të Vjosës që lidh me Pishporon. Ajo është një perlë. Vjet rikonstruktuam pjesshëm rreth 15 shkolla dhe përgjithësisht kemi bërë goxha përmirësime. Dy projekte që kemi tani në Cakran, rruga kryesore që lidh autostradën dhe qendrën e Cakran, plus ujësjellësat e 4 fshatrave, shkojnë afro 900 milionë lekë. Ku kishte shans komuna e Cakran, t’i bënte këto më parë! Mbanin në punë 30-40 vetë që do bënin sikur punonin. Vinte shtatori – tetori s’kishte më lekë për rroga. I vinin çelësin komunës.”
Mbështetja e qeverisë për fermerët është një tjetër temë për të cilën u fol me interesim të veçantë në familjen e Bashës, teksa kryeministri shpjegoi se duke qënë të bashkuar në prodhimet e tyre, ata janë më të fuqishëm në treg: “Ajo që duhet bërë, është që çdo fermer duhet të marrë një mbështetje, që të ndihet realisht i motivuar. Njerëzit mezi po dalin nga ai mentaliteti që po të jenë bashkë, janë kooperativë, dhe po jenë kooperativë janë komunistë. Ndërkohë që gjithë Europa mesdhetare është komplet me kooperativa. Po të kemi pikën e grumbullimit të prodhimit, e çojmë te pika e grumbullimit që e kemi të përbashkët me bashkinë dhe pastaj e nxjerrim në treg dhe e marrin. Kjo është ajo që duhet bërë.”
Ndërkohë që Kryetari i Bashkisë Fier sqaron se janë mbyllur dy projekte të rëndësishme: “Jemi duke i mbyllur dy projekte. Njërin për pikë grumbullimi, frigoriferike dhe një treg të gjësë së gjallë me një thertore.”
Kryeministri theksoi se ndonëse bujqësia ka qenë një ndër sektorët më të shkatërruar, rilindja e saj ka nisur dhe ky sektor ka marrë kthesën e duhur: “Unë mendoj që bujqësia është një nga sektorët që u shkatërrua më thellë dhe në mënyrë më barbare, ku rindërtimi, rilindja është e vështirë. Por, ajo që duhet thënë është që realisht në bujqësi ka patur një kthesë. Sikur këtë që bëjmë ne sot për reformën të ishte bërë para 20 vjetësh, sot duhet të ishim duke bërë një bisedë tjetër, për një Shqipëri tjetër.”