Aksi i ri Grekan-Shelgu-Gjyrale, pjesë e unazës së Dumresë që lidh Belshin me Cërrikun është drejt përfundimit. Ky aks tërësisht i ri, do i ndihmojë banorët për zhvillimin bujqësor dhe rural duke e kthyer këtë zonë në një hapësirë me potencial turistik dhe agroturistik.
Kryeministri Rama inspektoi sot punimet në këtë aks. “Janë pothuajse 19 mijë banorë që përfitojnë nga plotësimi i kësaj unaze”, u shpreh deputeti i Qarkut Taulant Balla.
Sipas kreu të bashkisë Belsh, Arif Tafani, çdo fundjavë janë gati 1000 vizitorë , të cilët e zgjedhin Belshin si distanconin e tyre. Ndërkohë, Kryeministri vuri theksin tek kthimi i shtëpive në pika pritjeje për vizitorët dhe turistët. “Njerëzit duhet të stimulohen që t’i kthejnë shtëpitë në pika pritjeje e të fitojnë. Kështu bëjnë të gjitha pikat turistike. 1000 veta që vijnë në Blesh për fundjavë ishte një gjë që nuk imagjinohej. Plus turistët e huaj që vijnë gjatë verës, ajo sjell punë, sjell ekonomi se nuk është thjesht çështja po vij dhe po gjej një vend ku të fle, po është edhe ushqimi, prodhimet e fshatit dhe duhet të krijohet gjithë cikli”, – u shpreh Kryeministri.
Rruga e re do të përmirësohet ndjeshëm lëvizja e mjeteve dhe qytetarëve drejt qendrave të bashkisë Belsh dhe bashkisë Cërrik.
Kjo ndërhyrje shënon përfundimin e një sërë investimesh të kryera në këtë zonë vitet e fundit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Një tjetër investim në këtë bashki është edhe ujësjellësi i ri i Belshit, i cili përmes një rrjeti të standardeve të larta do të furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë banorët, të cilët prej më shumë se 50 vitesh kishin vetëm 3 orë ujë në ditë
Supervizori i punimeve për këtë ujësjellës të ri nënvizoi se falë teknologjisë së fundit të përdorur në këtë stacion të ri, eficiensa dhe konsumi i energjisë janë shumë më pak sesa ai ekzistues.