Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
Sot keni kërkuar debat për Jeruzalemin. Nesër mund të kërkoni debat për Kanalin e Panamasë. Pasnesër mund të kërkoni debat për rritjen e temperaturës në Polin e Veriut. Sepse ju jeni në një hall të pangushëllueshëm dhe do të ishit në gjendje të shpërthenit edhe një luftë nukleare, në qoftë se do të kishit gjë në dorë. Halli juaj lidhet me atë që po ndodh në këtë Shqipërinë tonë të vogël, prandaj ju nxit ju të kërkoni shpëtim larg kësaj.
Sot e kërkoni shpëtimin në Lindjen e Mesme, nesër mund ta kërkoni diku gjetkë, mjafton të jetë një pikë e globit larg këtij vendit, këtu ku zien vorbulla që e rrit çdo ditë e sidomos natën, peshën e ankthit tuaj nga halli që ju ka zënë. Ju keni humbur pushtetin, keni humbur arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin.
Politika juaj është jerm, baltë përpëlitje. Sepse ajo “e shkreta” dhe “e mallkuara” Reforma në Drejtësi, që e votuat këtu me të dyja këmbët në një këpucë, sepse ai vetting-u që nuk e ndalët dot, sepse kjo parti që nuk mundët dot, ju kanë futur në një hall shumë të madh, sepse e dini fort mirë, se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju s’keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi, siç ishte për sa kohë, ju e sunduat dhe e torolisët, duke e kthyer shtetin shqiptar në një zhele pas asnjë vlerë.
Ju keni frikë nga ajo që po ju vjen e nuk keni faj. Faj ju vë kush nuk ju njeh dhe nuk e di se çfarë i keni bërë këtij vendi. Nuk është rastësi që çohesh këtu, Sali dhe thua 21 janari, fjalën e parë, ndërkohë që deshe të thuash 21 dhjetori. Gjuha shkon atje ku dhëmb…, dhëmbi thotë proverbi, por ty të dhemb në tjetër vend e gjuha aty të shkon, por atë vend nuk ta lan dot.
Bashkë me artistin, mikun tim Lulzim, e futët detin në govatë. Në govatën e pushtetit tuaj të marrë fund dhe firmosët një marrëveshje antikushtetuese, që e përkthyer në gjuhën popullore quhet “tradhti ndaj atdheut” për cenim territorial. Sot jeni gati edhe detin ta nxirrni rrugëve, që të bëhet, ç’të bëhet, por deti të na marrë të gjithëve, vetëm të na nxjerrë matanë asaj grope që po ju hapet përditë dhe ju e shihni më shumë, seç e shohin gjithë të tjerët, gropa e ndëshkimit të drejtësisë, që ju nuk keni më asnjë shans që ta ndaloni.
Natyrisht, këtu mes jush ka jo pak njerëz që nuk kanë arsye të tremben, por frika juaj po i tërheq zvarrë në një rrugë pa rrugë. Niseni sot dhe të shohim se çfarë do të ndodhë nesër. “Tek sheshi, tek sheshi” dhe pastaj të shohim, a do bëhet, a s’do bëhet përshesh.
Frika ju bën haluçinantë. Ulërini për Amerikën, njësoj si ata kalamajtë në filmin “Mëngjese luftë”, që thoshin “o Guri, hajde se po na rrahin”. Kujtoni se tani po ju dëgjon Guri atje matanë dhe do vijë t’ju mbrojë juve, jo nga ne, por nga ajo që Guri po ndërton këtu, bashkë me partnerët europianë e bashkë me ne, druri i ligjit në kokën e të gjithë atyre që i kanë kusure këtij populli për t’ia kthyer.
Ju vazhdoni bërtisni, po nuk e keni me ne dhe nuk ua kemi ne fajin, që po ju thyhen arrat. Kanë filluar të kërcasin arrat. Arrat që ju kujtuat se do t’i mbanit gjithmonë në thesin tuaj dhe askush nuk do të guxojë ta prekë atë thes.
Nuk e gjeni dot në Jerusalem, shpëtimin. Nuk e gjeni dot në Jerusalem, strehën që po ju shembet këtu në Shqipëri dhe nuk po jua shembim ne, por streha po shembet, sepse në këtë betejë, – ua kam thënë që ditën e parë, – ne nuk jemi vetëm dhe mirë do të ishte të ishim të gjithë bashkë, jemi me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian. Dhe me SHBA nuk ju bashkon dot Jerusalemi, se ju ndan drejtësia, ju ndan Reforma në Drejtësi, ju ndajnë të gjitha makinacionet që keni bërë për ta ndalur reformën. Ju ndan ajo fshesa e vetting-ut që donit ta kyçnin në çadër. Ju ndan e ardhmja me drejtësi për të gjithë njësoj, si për mua, si për ty, Sali. Ama, për të gjithë Shqipërinë.
Sot, këtu ju flisni për Jerusalemin. Sot, këtu votohet për KLP-në dhe KLGJ-në. A mund ta thoni, pse nuk votoni ju? A mund ta thoni, pse keni tre herë rresht që silleni në Komisionin e Ligjeve, tamam si ata, në atë shprehjen, me temperaturë, por krenarë.
Pse nuk e votoni krijimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë?
Ju nuk keni si votoni, sepse nuk mund të votoni me duart tuaja vazhdimin e një procesi që mund t’ju lidhë duart në fund. Keni bërë shumë, keni fshehur shumë, keni mbuluar shumë dhe s’keni faj, si ta bëni ju me duart tuaja?
KLGJ dhe KLP do të ngrihen sot dhe sot mbaron filmi me gogla. Ne do të votojmë, ju s’do votoni dhe ata që kanë dalë nga goglat do të jenë organet e reja të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Këtu mbaron fundi i gjithë një përpjekjeje pafund, që ju ta bllokoni. E vini apo nuk e vini ju kujën, dilni së bashku dhe i hidhni këpucët në hava, duke i kujtuar si raketa që mund të sulmojnë Korenë e Veriut, fshesa e vetting-ut ka filluar, Sali dhe shumë shpejt disa nga të dashurit e tu në gjykatat e larta të Shqipërisë, tani po i shef si po fluturojnë përjashtë pallatit të drejtësisë.
“Drejtësia e plepave”, – se ti e mbolle fushën e drejtësisë në Shqipëri me plepa të kalbur, – do shembet. Ai filiz që u mboll këtu e dy vjet më parë, edhe me votën tuaj, – e para votë në historinë e këtij Parlamenti që ishte kartoni jeshil lart, koka poshtë, gati ngjitur me këpucën, – do rritet dhe trungu i drejtë i drejtësisë së re nuk mundet më të ndalohet të rritet.
Edhe marrëveshjen e re të detit, Saliu e di më mirë nga të gjithë se çfarë është ajo. Kur të dalë harta e re, ku do shkojë Saliu? Aty do të jetë përsëri, se Saliu divorcin me turpin e ka bërë që ditën kur braktisi partinë e vet të vërtetë dhe erdhi e kidnapoi Partinë Demokratike.
Një gjë ta dini mirë të gjithë, Shqipëria me Amerikën nuk ndahet nga vota në OKB, se vota në OKB të tilla ka pasur plot dhe nuk ka ndodhur asgjë. Shqipëria me Amerikën nuk mund të jenë mollë sherri këtu. Këtu ndarja është shumë e qartë; me kë jemi, me drejtësinë apo me pandëshkueshmërinë? Me kë jemi, me hetime për të gjithë, apo me hetime për ata që nuk janë pjesë e barkut të shtëpisë, apo e barkut të partisë? Me kë jemi, me fotografitë e të shkuarës, apo me Shqipërinë e drejtë të së nesërmes?
Kjo është ndarja. E në këtë ndarje, ju jeni vetëm. Tërësisht vetëm.