Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

* * *

Reforma në drejtësi përfaqëson një nga transformimet më të rëndësishme institucionale në Shqipëri, duke vendosur për herë të parë një ndarje reale mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë dhe duke krijuar bazat për një drejtësi të pavarur në praktikë. Sot, sistemi operon mbi një arkitekturë të re, në përputhje me standardet europiane, ku proceset kyçe janë jashtë ndikimit të qeverisë. Më 17 korrik 2026, Komisioni Evropian publikoi Raportin për Sundimin e Ligjit 2026, në të cilin evidenton progresin e Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, si pjesë e procesit të integrimit evropian.

Raporti vlerëson përfundimin e plotë të procesit të rivlerësimit kalimtar (vettingut), duke theksuar se ai ka forcuar pavarësinë, integritetin dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, raporti konstaton vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe përparimin në integrimin e standardeve të krijuara nga vettingu në funksionimin e zakonshëm të institucioneve të drejtësisë.

Një vlerësim pozitiv i kushtohet edhe luftës kundër korrupsionit, ku Komisioni Evropian evidenton rezultatet e institucioneve të specializuara, veçanërisht në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në këtë fushë.

Raporti vëren gjithashtu përmirësime të mëtejshme në efikasitetin e sistemit gjyqësor, duke evidentuar uljen e ndjeshme të backlog-ut në Gjykatën e Lartë, përmirësimin e cilësisë së formimit të magjistratëve dhe vijimin e hapave drejt modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit të drejtësisë.

Një tjetër tregues pozitiv i evidentuar është rritja e perceptimit për pavarësinë e gjyqësorit, si nga qytetarët ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, duke reflektuar besim në rritje ndaj institucioneve të drejtësisë.

Raporti i këtij viti konfirmon se progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, pavarësia e drejtësisë mbetet një proces në zhvillim, i ndërtuar mbi një trashëgimi të vështirë, çka sjell sfida që kërkojnë kohë, qëndrueshmëri dhe përmirësim të vazhdueshëm, pa asnjë ndërhyrje politike. Një drejtim kryesor i punës në vijim është modernizimi dhe përditësimi i legjislacionit themelor, përmes rishikimit të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Civil. Ky proces është në zhvillim dhe bazohet në një material të gjerë të përgatitur nga ekspertë të pavarur shqiptarë, i cili po rishikohet në mënyrë të vazhdueshme mbi bazën e komenteve dhe standardeve më të mira.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.