Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Transformimi rrënjësor i drejtorive të Shërbimeve të Transportit Rrugor po vijon në të gjitha qytetet e vendit. Edhe në Laç, zyrat e vjetra dhe të amortizuara, që deri dje notonin në ujë, me arkiva të përmbytura, së shpejti do të transferohen në godinën e re, e cila po ndërtohet më standardet më të larta të infrastrukturës, të projektuara pikërisht për shërbime të tilla. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, godinën e re të DRSHTRR, e cila përfundon së shpejti dhe ku kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh.

“Situata që gjetëm është në këtë nivel, uji ishte një metër. Ndërtesa e vjetër do të rikonstruktohet dhe do të kthehet në një funksion tjetër, për kontrollin teknik dhe fizik të mjeteve, dy linja të reja kontrolli,” – u shpreh Blendi Gonxhe, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Transportit Rrugor, gjatë vizitës në zyrat e vjetra të DRSHTRR, Laç.

Sa i përket shërbimeve të ofruara online, Z. Gonxhe u shpreh se vitin e kaluar janë bërë 20 mijë aplikime online. Ndërkohë në Laç janë regjistruar 4 mijë shoferë të rinj në vitin 2020.

Ndërkohë prej ditës së djeshme ka nisur shërbimi publik i kontrollit të mjeteve, pas dhënies fund të koncesionit që torturoi me vite drejtuesit e automjeteve.

“Drejtoria Rajonale e Laçit është drejtoria e dytë më e madhe e rajonit veri dhe e 6-ta në shkallë vendi. Duke filluar që dje, ne i jemi rikthyer kontrollit fizik të automjeteve, të cilat ishin stopuar për dy arsye. E para, nga një koncesion privat i është rikthyer shtetit dhe kemi marrë të gjitha masat, i kemi kapacitetet njerëzore edhe vendet ku përpunohet i gjithë ky fluks. Nga ana tjetër, edhe për shkak të COVID-it i dhamë kohë qytetareve dhe stopuam për tre muaj të gjithë këtë proces të kontrollit fizik të automjeteve,” – u shpreh Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila theksoi se sipas një pune të mirëorganizuar përmes shërbimeve online dhe fizikisht të automjeteve, drejtuesit e automjeteve do të prekin një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shërbimit.

“DPSHTRR-ja ka qenë një nga drejtoritë më avangardë për shërbimet online. Drejtoria e Laçit nuk është vetmja në të cilën ne kemi ndërhyrë. Kemi disa drejtori si ajo e Shkodrës, e Beratit që mbarojnë shumë shpejt, por ka dhe ndërhyrje të vogla në drejtori të tjera si ajo e Sarandës e kudo. DRSHTRR-ja përveç shërbimeve online që ofron, përveç radhëve që nuk i gjen më në asnjë sportel, çfarë kemi bërë në këto vite, ka qenë puna shumë e rëndësishme që kemi bërë për të rehabilituar të gjitha ndërtesat e kësaj drejtorie, kudo ku ato ndodhen në Shqipëri, jo vetëm për t’u ofruar qytetarëve kushte më të mira në vendet ku ata marrin shërbimet, por edhe për punonjësit. Çështje më e rëndësishmja, aty e kemi nisur, ka qenë edhe zanafilla e gjithë kësaj ndërhyrje, arkivat, që qëndronin ose nën ujë,” – shpreh Balluku, duke sjellë në vëmendje rastin Drejtorisë Rajonale Fier, e vendosur në kat të dytë në një godinë të pandërtuara për atë lloj peshe, duke rrezikuar që pesha e arkivave të mund të shembte ndërtesën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.