Në Durrës, pallatet e rikonstruktuara, jo vetëm në mjediset e brendshme, por të transformuara edhe nga jashtë, i kanë dhuruar qytetit një pamje të re. 458 pallateve në shtatë lote, shumë prej tyre të ndërtuara dekada më parë i bashkohen edhe 157 pallate në dy lotet e fundit, duke bërë kështu që plot 615 pallate do të jenë shumë më të sigurtë e më të bukur sesa në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar.
Disa pallate të lotit të parë, ku puna ka përfunduar, i vizitoi sot Kryeministri Edi Rama. “Këtu jemi tek loti i parë i ambienteve të përbashkëta. Është një pallat DS3 me lartësi prej 12 katesh. Ka filluar puna me riparimin e ambienteve të brendshme, pasi shkallët kanë pasur dëme të konsiderueshme në mure. Në këtë situatë kemi 458 objekte, të cilat do të bëhen me këtë ndërhyrje. Ka filluar një pjesë e tyre dhe me këtë rast duam të garantojmë të gjithë qytetarët që, siç po bëhen këto objekte që ne po shohim, ashtu do të bëhen të gjitha projektet. Ndërkohë kemi dhe lotet e tjera në procedurë që bashkë shkojnë në një numër total rreth 600 objekte. Ndërkohë kemi filluar analizën e detajuar për projektin e dëmtimeve DS4”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Diku më larg janë disa ndërtesa, të cilat veç dëmeve të tërmetit, kanë qenë edhe të amortizuara nga koha. Ndërhyrjet rikonstruktuese do të trajtojnë edhe këtë problematikë. “Këto kanë dëme të lehta në strukturë dhe të moderuara në muraturë. Kanë qenë objekte të amortizuara nga koha. Tani me këto ndërhyrje që po bëjmë po trajtohet komplet objekti”, – vijoi Sako, e cila tha ndër të tjera se “kjo ndërhyrje po bëhet paralelisht në të gjithë qytetin, në Shkëmbin e Kavajës dhe në njësitë administrative.”
Kryeministri hyri në një prej apartamenteve, i cili duket si ri falë rikonstruksionit. “Shtëpia ishte e rrënuar në çdo cep. Mora grantin e rikonstruksionit. Faleminderit prej jush”, – u shpreh kryefamiljari.
Më pas, Kryeministri bisedoi me një grup banorësh të një pallati, të klasifikuar me dëmtime të nivelit DS5 dhe për të cilin do të bëhet një analizë e dytë.
“Më thanë që nga analiza që është bërë ka dalë me dëmtime serioze. Do bëhet dhe një analizë e fundit dhe ose do të bëhet rikonstruksion i thellë, ose do të bëhet nga e para dhe do të merrni shtëpi të re. Në rast se do të bëhet nga e para, do ta bëjmë po këtu, pa luajtur vendit. Secili aty ku e ka, të njëjtën hapësirë, ndoshta dhe pak më shumë. Do të vazhdoni të merrni bonusin deri sa të bëhet e re. Por duhet pritur dhe përgjigja e fundit nga specialistët”, – tha Kryeministri për banorët.
***
Zona e njohur si ish Këneta është një tjetër kantier rindërtimi në Bashkinë e Durrësit ku ndërtimi i shtëpive vazhdon me ritme të larta për të mundësuar që një pjesë e mirë e banorëve ta festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja. Synimi është që ato të jenë më të forta e më të bukura se ato që kishin.
Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishin sot në kantierin e kësaj zone ku banesat e reja po ngrihen mbi ato të cilat u shkatërruan në 26 nëntorin e një viti më parë. Edhe banorët e kësaj zone, ashtu si të çdo zone tjetër të dëmtuar, kanë përfituar bonusin e qerasë.
“Janë 1024 njësi individuale të vlerësuara nga të cilët 200 kanë filluar, pra, është një nga lotet që ka filluar në Bashkinë e Durrësit dhe ndërkohë vlerësimi i njësive individuale vazhdon në terren. Mund të kemi dhe një shtesë rreth 500 shtëpi të tjera individuale”, – u shpreh ministri Ahemtaj.
Kryeministri, teksa pa nga afër disa nga shtëpitë që po ndërtohen, u tha se “Vitin e Ri do e kaloni në shtëpinë e re”.
“Çdo familje që është jashtë merr bonusin e qerasë. Kemi dhënë pothuajse gjithë vitit bonus për 4800 familje e tani po fillojmë t’i zbresim sepse aty ku mbarojnë punimet dhe familja hyn në shtëpi bëjmë ndërprerjen e bonusit”, – nënvizoi kryebashkiakja e Durrësit Sako.
Brenda vitit pritet që të jenë gati në Bashkinë e Durrësit edhe 12 objekte arsimore dhe 200 banesa të reja, teksa kanë filluar të ndërtohen edhe pallatet e para.