Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama ishte sot në Qendrën Sociale “Jonathan”, ku bashkëbisedoi me nëna dhe stafin mbështetës të fëmijëve dhe të rinjve me Aftësi të Kufizuar, – mbi dyfishimin e mbështetjes ekonomike për këtë kategori,  si dhe për garancitë e reja shëndetësore e shoqërore për kujdestarët e tyre.

Ndërkohë që Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026–2030, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon, krahas dyfishimit të pagesës, edhe më shumë shërbime në komunitet, akses më të lehtë në arsim, punësim dhe rehabilitim, si dhe mbështetje më të madhe për jetesë të pavarur

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen këtu! Është zgjedhur një nga vendet ku ajo çka dëgjojmë, ajo çka flasim për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të veçanta, është një punë e përditshme, është një përkushtim i përditshëm, me të gjitha vështirësitë, pa diskutim, por edhe me shumë dashuri dhe me shumë shpresë.

Zgjodhëm këtë vend për të folur pak më gjerë sesa thjesht dhe vetëm çfarë mund të diskutohet lidhur me këto qendra, lidhur me ndërmarrjet sociale, po për të prekur edhe atë që para pak javësh, qeveria realizoi: dyfishimin e mbështetjes për të gjithë fëmijët që janë me aftësi të veçanta.

Ishte bërë një kohë e gjatë që mbështetja për këta fëmijë ishte bërë e pamjaftueshme. Dhe jo se është e mjaftueshme, s’është asnjëherë mjaft, por ishte bërë realisht e pamjaftueshme, duke pasur parasysh edhe kostot e jetesës, edhe vështirësitë e tjera. Premtuam dyfishimin e mbështetjes për ta dhe jam shumë i lumtur që sot mbështetja për ta është dyfishuar.

Nuk janë pak, janë 11 mijë fëmijë edhe më të rinj që do të përfitojnë nga kjo masë. Por, përtej kësaj, kemi marrë dhe një masë tjetër të rëndësishme, që ishte një kërkesë e vazhdueshme dhe nga ju, për kujdestarët, sepse një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur të shkojë rregullisht në punë, siç shkojnë nënat e tjera.

Dhe, duke qenë se nuk shkon në punë, përballet me problemin e mungesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjë që e cenojnë pastaj padrejtësisht edhe mundësinë për të marrë një pension të merituar nesër apo për të pasur akses në sistemin shëndetësor ashtu si duhet.

Kështu që ne vendosëm, po ashtu, që shteti, buxheti i shtetit, t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe për të gjithë kujdestarët, njësoj si ata të ishin në punë.

I them këto jo se janë për t’u duartrokitur, megjithëse faleminderit për duartrokitjen, por i them këto sepse është e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë që ne nuk jemi jashtë realitetit, nuk jemi, asnjëherë të pavëmendshëm, për kërkesat e vazhdueshme që vijnë nga grupet shoqërore dhe jemi këtu për të bërë më shumë edhe jo për të fjetur mbi dafinat e arritjeve apo të sukseseve që janë të pamohueshme në shumë drejtime.

Dhe, sigurisht, që sot kemi një sistem shumë më të besueshëm, sipas meje, të mbrojtjes shoqërore. Një sistem shumë të besueshëm, sepse është më funksional, është më efikas, është më i shpejtë.

Dua ta falënderoj këtu, se s’më ka rënë rasti më parë, drejtoreshën, e cila është një person i përkushtuar edhe ia ka marrë dorën mirë kësaj pune. Por, pavarësisht se tanimë u bë disa kohë që është në drejtim, nuk e ka humbur atë që është kryesorja në këtë, në këtë punë, që është lidhja e afërt me njerëzit që vjen vetëm nga pasion dhe nga dëshira për ta krijuar dhe këtë pasion dhe këtë dëshirë Remja e ka të vazhdueshëm.

Thënë të gjitha këto, natyrisht që, siç thotë ajo fjala, e moçme, “Oreksi vjen duke ngrënë”. Natyrisht që çfarë arrihet është diçka që bëhet e shkuar edhe e ardhmja nuk është funksion i të shkuarës.

Na duhet e shkuara për të mos harruar nga jemi nisur, se njerëz shumë më të mençur se unë kanë thënë që kush nuk e ka para syve nga është nisur, e ka të pamundur të arrijë aty kudo. Por, nga ana tjetër, jetojmë në një kohë kur nuk mjafton më fare të thuash: “Ore, shiko se ku ishim”, sepse gjithmonë e më shumë njerëzit, në këtë fazë të re të zhvillimit kanë pritshmëri dhe ballafaqohen me pritshmëritë, nuk ballafaqohen me çfarë ishte më përpara. Kështu që unë, me shumë kënaqësi, bashkë me ministren, se me drejtoreshën ju flisni rregullisht, do të dëgjoja çfarëdo qoftë që ju mund të keni dëshirë të ndani me mua dhe me ne.

Edhe, dua t’ju them diçka. Nga gjithë eksperienca ime në këto komunikime, mësohet më shumë sesa në të gjitha llojet e bisedave dhe të komunikimeve që mund të bësh me njerëz që punojnë dhe që jetojnë nëpër zyra.

Shumë faleminderit edhe njëherë!

* * *

– Është kënaqësi shumë e veçantë, sepse nuk keni mbajtur vetëm premtimet tuaja para gjithë komunitetit, por, në dy-tri vitet e fundit, sa herë që kemi ftuar prindërit për peticione për të firmosur, jemi ndjerë dhe ne borxhli ndaj tyre dhe ju vërtetuat që zëri dëgjohet, ndryshime ndodhin. Në pothuajse 20 vite që kemi punuar, jeni kryeministri i parë që na vizitoni.  Jam shumë mirënjohëse dhe jemi të nderuar dhe jemi plot shpresë për gjërat që na presin. Ne kemi ndoshta jo me shumë modesti, kemi përvojën, kemi ekspertizën, kemi një ekip fantastik. Ky është ambienti i katërt që kemi ndërruar në gjithë këto vite.  Jemi gati të mbështesim më shumë familje, nëse kemi një ambient më të madh. Kështu që kjo është nevoja jonë më e madhe aktualisht dhe jemi gati këtu për të qenë përkrah jush dhe të punojmë fort.

Kryeministri Edi Rama: Duhet të identifikojmë një vend, do merrem edhe unë vetë me këtë punë. Edhe pastaj do t’ju duhet edhe t’ju ndihmojmë që ta mobiloni. Unë do bëj çmos që ta gjejmë sa më shpejt. Pastaj, po qe se juve do bëni çmos dhe pastaj nuk do t’ju dalë, atëherë prapë mund të na drejtoheni. Remja është shumë e zonja në atë insistimin e saj për gjërat që do për punën, edhe shkruan. Kështu që do ta gjejmë shpejt. Faleminderit!

– Përshëndetje! Shumë faleminderit, zoti kryeministër, zonja ministre! Atëherë, unë jam prind i një vajze me aftësi të kufizuar. Do ju them faleminderit, mbas kaq vitesh, që kemi mundur një takim të drejtpërdrejtë. E para, duam të themi faleminderit shumë për fashën, për ngritjen e dyfishimin e KEMP-it për fëmijët, pavarësisht se të ardhurat tona, edhe pak të jetë, të rriten gjatë muajit, se kostot janë goxha më të larta, dhe për njohjen e sigurimeve shoqërore për prindërit. Por unë do të doja që të njihej edhe një pagë minimale për prindërit dhe kjo përderisa janë sigurimet, duhet të jetë edhe një rrogë minimale, sepse prindërit ndërkohë nuk dalin, sepse shoqërojnë fëmijët kudo: nëpër terapi, nëpër kurse, kudo që mund të jetë. Unë them faleminderit shumë dhe shpresojmë të arrijmë akoma më tepër.

Kryeministri Edi Rama: E diskutova pak atë ditë që bëmë dhe miratimin, që të shikojmë mundësinë për këtë kategori, duke pasur parasysh pikërisht që këto janë të ardhura që i administrojnë prindërit, dhe e kanë të bëjnë me kosto, siç e thatë ju. Të shikojmë mundësinë edhe të indeksimit, që do të thotë: siç bëjmë indeksimin e pensioneve, të bëjmë dhe indeksimin e ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, në mënyrë që mos të goditeni nga inflacioni.

– Unë jam mami i Xhonatanit, që mban emrin e qendrës. Në radhë të parë, të falënderoj shumë që erdhe, sepse kur ka lindur Xhonatani, këtu nuk ka pasur asnjë shërbim dhe asnjë ndihmë. Qendra ka qenë dera e parë që është hapur. Edhe tani presim nga ju që të na ndihmoni, sepse fëmijët tanë rriten edhe ne plakemi. Edhe duam që fëmijët t’i lëmë në një vend që të jenë të sigurt, që të kenë pagën e vet, sepse edhe po shkoj në një vend tjetër, që do rriten ata, se unë ndoshta s’jam edhe jam plakë, edhe dua që të kenë përkujdesin e vet. E the, dhe faleminderit shumë që do na gjesh edhe qendër, që djali të vijë të merret me gjërat.

Kryeministri Edi Rama: Sa vjeç është djali?

-Djali është 22, por ka dhe gjëra të tjera, nuk është vetëm me sindromën Doën. Nuk është i aftë që të punojë, sepse është mes kategorive.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë të them diçka: Lidhja shumë e fortë që ke ti me djalin edhe shtysa që të jep ai ty që të jesh gjithmonë e fortë, ty do të çojë 100 vjeç. Kështu që, në atë aspekt, përgatitu, se e ke rrugën të gjatë.

-Përshëndetje, zoti kryeministër! Bashkë jemi takuar, kemi qenë në një podkast me Gersin. Ne gjithmonë jemi mirënjohës për çdo gjë të mirë që bëhet edhe sidomos për ne prindërit dhe fëmijët tanë. Ashtu siç ishte edhe qendra që vajtëm në Prush, që bashkë me ministren që e inauguruam dhe aty ishte një gjë shumë e mirë sepse jo përveç fëmijëve të vegjël, por aty ishin shumë edhe për persona të rritur, domethënë të rinj dhe të rritur ashtu sikurse janë dhe fëmijët tanë. Për shembull Gersi është gati 26 vjeç tani edhe këtu te qendra “Xhonatan” shumë rëndësi ju jepet të rinjve dhe të rriturve edhe me shërbime terapeutike, por edhe për aftësimin, për punësim dhe kjo do ishte shumë e mirë që dhe sikur të zgjerohej edhe në qendra të tjera domethënë që të ishte në bashkëpunim me institucionet që një pjesë të investimit të bëhej nga institucionet qendrore dhe ata që janë përgjegjës. Gjithashtu neve edhe për këtë jemi shumë mirënjohës edhe për ligjin e sportit që ne diskutuam atëherë në podcast që të njihet Special Olympics edhe atletët e tij në ligjin e sportit që deri para ca kohësh ata nuk njiheshin. Ne kemi diskutuar dhe ju jeni një ndër ata që ndihmuat që ai ligj të aprovohej sa më shpejt edhe të hynte në fuqi dhe kjo pjesa tjetër e dyfishimit të pagave të ose të pagesës së aftësisë së kufizuar të personave me aftësi të kufizuar, por edhe të prindërve, por ama deri në fashën 18 vjeç. Tani a mundet që kjo fasha e moshës të rritet nga 18 vjeç e lartë, sepse shpenzimet e fëmijëve tanë më të rritur, tani edhe rriten akoma dhe më shumë dhe shpenzimet tona të familjarëve , kështu që do ishte shumë me interes për ne dhe do ishte një ndihmë shumë e madhe që dhe kjo gjë të bëhej edhe për fashat mbi 18 vjeç.

Kryeministri Edi Rama: Të them unë nja dy gjëra, pastaj ministrja mund të thotë diçka më konkrete. Po të gjitha këto që janë bërë, janë bërë jo se ju erdhi koha të bëhen dhe nuk duheshin bërë përpara, por sepse janë rritur mundësitë. Që të bëjmë më shumë, duhet të rrisim më shumë mundësitë. Që të rrisim më shumë mundësitë, duhet të rrisim ekonominë. Që të rrisim ekonominë, duhet të rrisim investimet. Që të rrisim investimet, duhet të krijojmë besueshmëri më të madhe. Që të krijojmë besueshmëri më të madhe, duhet të kemi një kuptim më të drejtë të gjithë së bashku të gjërave dhe kështu me radhë, por pa diskutim që ekonomia jonë që rritet në mënyrë shumë të qëndrueshme prej vitesh tanimë edhe që na jep mundësi të kemi më shumë të ardhura, do na japi mundësi që prapë t’i adresojmë këto tema dhe t’i përmirësojmë standardet, duke pasur parasysh që pavarësisht se kjo mbetet si jashtë vëmendjes dhe vëmendjen e marrin gjëra që nganjëherë janë të dorës së dytë ose vëmendjen e marrin gjëra që lidhen gjithmonë me “paraja, paraja, paraja, të pasurit, të mëdhenjtë, këta e ata”, shtrirja që ne i kemi bërë mbështetjes  shoqërore, shtrirja që ne i kemi bërë adresimit të grupeve më në nevojë është më e gjëra ndonjëherë. Ju e provoni këtë. Zonja është dëshmitare e një periudhe të gjatë, nuk është dëshmitare e pak viteve. Shumë këtu janë dëshmitarë sepse juve e shihni këtë botë nga një kënd ku të tjerët as nuk e dinë që mund të shihet. Edhe vështirësitë tuaja janë të një natyre që mund të përpiqesh të imagjinosh, por kur mendon që nuk janë vështirësi që janë si një libër që ti e nis në mëngjes dhe e mbaron mëngjesin tjetër, po janë vështirësi, janë përditë, është çdo ditë, nuk është se është një largqoftë sëmundje që shkon në spital, mbaron. Jo, kjo është përditë e përditë. Atëherë jeni dëshmitarët më të sigurte të gjërave që janë përmirësuar, por nga ana tjetër unë dua t’ju siguroj për një gjë, që ne e kemi gjithmonë shumë në vëmendje këtë gjë, që çfarë sjell ekonomia, çfarë sjell zhvillimi, duhet të bëjmë çmos që ta prekin të gjithë dhe tek të gjithë duhet të bëjmë çmos që ta prekin ata që janë më në nevojë dhe te ata që janë më në nevojë, ndarja që unë gjithmonë përpiqem të bëj me qeverinë është ata që janë në pamundësi fizike ose mendore, janë ata që janë më në nevojë. Nuk është më në nevojë dikush që nuk do të punojë dhe do ndihmën ekonomike. Nuk është më në nevojë dikush që ti i thua, “ja ku e ke punën, shko puno” që e refuzon sepse do atë ndihmën ekonomike, bën dhe ndonjë gjë tjetër në të zezë etj. Është më në nevojë ai që s’ka mundësi fizike. Çfarë ti thuash atij? Atij i ka caktuar Zoti, natyra një fat tjetër dhe shoqëria ekziston pikërisht për këtë, që t’i japi mundësinë të gjithëve që të kenë pjesën e tyre nën diell. Kështu që, unë dua t’ju siguroj për këtë, se është shumë e rëndësishme që ju të jeni në dijeni të faktit që ne nuk e kemi këtë gjë as me sezone, as me fushata, e kemi konstante.

Ne s’kemi fushatë, por ishte një zotim që e morëm, ju thamë juve që do ta bëjmë dhe e bëmë. Ne nuk e kishim detyrim që të jepnim bonusin për pensionistët përsëri, ato 50 eurot për secilin, që ata që rrinë dhe s’zdërhallen mbrëmjeve nëpër ato ekrane apo ata që rrinë edhe jetojnë me kërcënimet e të tjerëve dhe vënë gjoba për portalet e tyre, e përqeshin. Kurse e dinë pensionistët vlerën e atyre 50 eurove që i marrin ekstra sepse aq janë mundësitë, por nuk ishte detyrim dhe nuk ishte një shumë një shumë e parëndësishme për ne, për buxhetin e shtetit, por ama ishte një e ardhur nga ekonomia që u rrit përtej parashikimit. Dhe ne e kemi thënë gjithmonë sepse parashikimet lidhen me planifikimet. Ne kemi planifikuar të bëjmë një numër gjërash dhe kemi një parashikim. Kur parashikimi tejkalohet, atëherë ne e kemi vënë si rregull, atë që tejkalohet do ta shpërndajmë me ata që kanë më nevojë dhe u bë gjithë ajo zhurmë për çmimin e naftës që u rrit, por çfarë kemi marrë nga rritja e çmimit të naftës ja kemi dhënë për pensionistëve te ai bonus. Pra ata që kanë paguar një naftë më të shtrenjtë si rezultat i krizës në rripin e Hormuzit, e kanë paguar për pensionistët, drejtpërdrejtë. Kështu që, nëse do ketë prapë rritje duhet ta dinë që në çdo litër naftë ata po bëjnë edhe një kontribut personal që kjo t’ua u lehtësojë pak shpirtin, sepse ata janë ndotës. Ata ndotin, nuk ndotin pensionistët apo jo? Kështu që ata kanë më shumë, nuk kanë pensionistët më shumë. Kështu që në këtë mënyrë përpiqemi të bëjmë më të mirën. Pastaj sigurisht e mira s’ka fund. Plot gjëra mund të bëhen më mirë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala: Unë doja t’i përgjigjesha dy pikave që ngritët dhe që i kemi diskutuar dhe bashkë. Intervali kohor që keni absolutisht të drejtë dhe ne tani do punojmë për ta rishikuar sepse një herë që është vënë diagnoza nuk ka nevojë këto intervale kaq të shpeshta vetëm në rast se ka një keqësim të gjendjes. Së dyti, ne po punojmë që këta fëmijë pasi mbushin 18 vjeç të futen në tregun e punës se puna i integron. Dhe këtu ju mbështes, por duhet të punojmë bashkë për të përcaktuar tamam modelin.

Kryeministri Rama: Ka dhe një të metë tjetër të madhe, që ne kemi vendosur në ligj, por nuk e zbatojmë si duhet, as sa duhet, rekrutimin e personave me aftësi të kufizuar në administratë. E kemi në ligj të vendosur. Vendet europiane e kanë të gjitha. Për shembull Holanda, se kam parë statistika. Holanda e ka në nivele të paimagjinueshme, por ne e kemi kështu që në këtë pikë do duhet të bëjmë edhe një sforco ekstra që të zbatohet më mirë se nuk zbatohet mirë, ky është problem më vete sepse është iluzion të mendosh që ata do t’i mirëpresë sektori privat dhe do t’i përshijë prandaj dhe të gjitha vendet ja kanë lëne administratës barrën kryesor që t’i integrojë sepse në sektorin privat është më vështirë.

– Drejtoj organizatën Klubin Kombëtar të Prindërve me fëmijë me çrregullime të spektër të autizmit dhe persona me aftësi të kufizuar. Nuk dua të përsëris asnjë nga prindërit që folën. Unë dua të ngre vetëm një shqetësim shumë të madh që është shërbimi dentar. Kemi një shërbim dentar për personat me aftësi të kufizuar vetëm në kufirin e personave që mund të qëndrojnë, që është arritur falë bashke marrëveshjes me ministrinë që këta persona ta marrin falas, por shumica e atyre nuk mund të qëndrojnë dhe kanë nevojë për një anestezi speciale dhe ky është një nga shqetësimet shumë më të mëdha. Pastaj ka të tjera, por kjo është shëndetësore dhe është imediate”. 

Kryeministri Edi Rama: Tre detyra marr unë nga sot. Unë. Këto të tjerat i keni me ministrinë, me ministren, me drejtoren. Unë personalisht tre detyra. E para qendrën. Që mos të flas shumë përpara kohe, deri në shtator unë e zgjidh këtë punë.E dyta, vizitën në Prush, e treta vizitën te ju që më keni pritur dhe s’erdha. Për të tjerat me ministren i keni diskutimet. Unë jam në mbështetje. Çfarëdo qoftë që rezulton e bëshme, duhet bërë.

Ju falënderoj shumë edhe do shihemi bashkë në inaugurimin e qendrës së madhe. Do shihemi po më ftuat. E bëjmë kështu. Në qoftë se do ta marrësh në shtator për vit të ri do më ftosh, unë do vij. Po s’më ftove s’kam si vij!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.