Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti se qeveria nuk do të ndalë përpjekjet në betejën me zero tolerancë kundër krimit dhe posaçërisht për atë formë të krimit që shfaqet si krim ekonomik përmes aktivitetit të lojërave të fatit. Kryeministri paralajmëroi sot edhe nisjen e një reforme ligjore që do të përcaktojë kufij shumë të qartë edhe për pjesën legale të këtij aktiviteti.

Në një konferencë për media, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama tha gjithashtu se po punohet edhe për një strategji daljeje për të gjithë ata që në këtë aktivitet janë të licencuar dhe këtë aktivitet e ushtrojnë brenda kufijve të ligjit ekzistues.

“E ardhmja e këtij vendi nuk mundet të ketë të përbashkët me bixhozin”, theksoi  Kryeministri.

Në vijim, Kryeministri Rama njoftoi se përmes Ministrisë së Inovacionit do të kërkohet bllokimi i të gjithë websiteve, prej nga ku vendosen baste online, për të bërë të mundur që të mos ketë më në Shqipëri, baste online, që vendosen për të kërkuar fatin jashtë kufijve të vendit.

Kryeministri siguroi se askush dhe për asnjë arsye nuk do të mundet dot ta ndalë këtë nismë, e cila do të quhet e kryer atëherë kur Shqipëria e shqiptarët të mos lënë më asnjë qindarkë në kumar.

 

Më poshtë, e plotë konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Jam këtu për të dhënë një mesazh shumë të qartë që qeveria nuk do të ndalet, përkundrazi, do të intensifikojë dita-ditës, përpjekjet në betejën pa kompromis dhe me tolerancë zero kundër krimit dhe kundër çdo shfaqjeje të krimi, në çdo formë. Sot dua të flas, posaçërisht, për atë formë të krimit që shfaqet si krim ekonomik përmes aktivitetit të lojërave të fatit. Ky është një krim që prek familje të varfra. Ky është një krim që godet buxhetet shumë të shtrënguara të shumë familjeve shqiptare. Ky është një krim që cenon harmoninë familjare e deri edhe ekuilibrat psikikë të shumë njerëzve, duke shkaktuar plagë sociale të patolerueshme për një vend si i yni, për një vend që gjendet në mes të Evropës, për një vend ku ndërtohet dita-ditës perspektiva evropiane.

Ne jemi jo vetëm të vendosur, por edhe jemi shumë të qartë për shtrirjen e këtij aktiviteti, për lidhjet që ky aktivitet ka pasur dhe vazhdon të ruajë me politikën, për mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur deri në të shkuarën shumë të afërt dhe për mbulimin që ka siguruar falë korruptimit të politikës dhe të të gjithë zinxhirit të krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.

Nga ana tjetër, dëshiroj t’ju bëj me dije se plani ynë është jo vetëm i qartë, por edhe gjithëpërfshirës. Çka do të thotë se nga njëra anë, ne do të vazhdojmë betejën pa kompromis, në çdo lagje dhe në çdo kënd rruge të Republikës së Shqipërisë, për t’i dhënë fund këtij aktiviteti të zhvilluar në mënyrë ilegale, por paralelisht do të ecim përpara shumë shpejt me një reformë ligjore që do të përcaktojë kufij shumë të qartë edhe për pjesën legale të këtij aktiviteti. Ndërkohë që, po punojmë edhe për një strategji daljeje për të gjithë ata që në këtë aktivitet janë të licencuar dhe këtë aktivitet e ushtrojnë brenda kufijve të ligjit ekzistues. Strategji daljeje do të thotë me fjalë të tjera që ky nuk mund të jetë as legalisht një aktivitet i të ardhmes së këtij vendi. E ardhmja e këtij vendi nuk mundet të ketë të përbashkët me bixhozin.

Po ashtu, kemi marrë vendimin që përmes Ministres së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e të gjithë websiteve ku derdhen kursime të emigracionit për familjet shqiptare këtu në Shqipëri, apo derdhen paratë e fundit të familjeve në kushte të vështira, jashtë Shqipërisë. Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë dhe familjet shqiptare humbasin në aventurën e basteve online, në destinacione jashtë Shqipërisë, brenda një viti varion nga 500 në 700 milionë dollarë. Është një shifër tërësisht e papranueshme. Është një formë aktiviteti tërësisht e papranueshme për një vend evropian. Kështu që, do të kërkojmë që të gjitha kalimet e internetit për këto website dhe për këto burime të shfrytëzimit të iluzionit se mund të pasurohesh në këtë rrugë, të mbyllen. Nuk do të ketë më në Shqipëri, baste online, që vendosen për të kërkuar fatin jashtë kufijve të Shqipërisë.

Sigurisht, e gjitha kjo kërkon një reformë rregullatore. E përsëris, përsa i përket aktivitetit të licencuar.

Ndërkohë që, të gjithë kompanitë që janë të licencuara jo vetëm që duhet të derdhin një orë e më parë, të gjitha detyrimet e prapambetura, por duhet të përgatiten për të vepruar konform ligjit në fuqi. Ligj i aprovuar më parë që përcakton edhe vendndodhjen e tyre në një distancë të përcaktuar nga shkollat, nga spitalet, nga bankat dhe çfarë tjetër ligji ka përcaktuar. Afati për këtë është së shpejti, në bazë të ligjit. Në bazë të ligjit, të gjithë ata që ushtrojnë aktivitet të licencuar dhe që janë të rregullt në derdhjen e detyrimeve për shtetin duhet të sigurojnë zhvendosjen e tyre nga ato pika që nuk përmbushin kushtin e distancës nga shkollat, nga spitali, nga banka e me radhë.

Të gjitha këto vlejnë për t’u kthyer përsëri aty ku e nisa. Ne jemi këtu për të mbështetur familjet shqiptare në nevojë. Ne jemi këtu për të mbështetur familjet shqiptare në kërkim të punësimit. Ne jemi këtu për të mbështetur familjet shqiptare që kërkojnë një ekonomi kombëtare të shëndetshme, që kërkojnë një ekonomi familjare të qëndrueshme. Që të gjithë masat e marra lidhur me këtë aktivitet janë masa që lidhen me domosdoshmërinë për të kufizuar maksimalisht tundimet e pafundme që shkaktojnë këto lloj destinacionesh pa krye.

Së fundi, dua të nënvizoj se askush dhe për asnjë arsye nuk do të mundet dot ta ndalë këtë nismë që nuk është një aksion, nuk është as një sezon, por është një nismë që do të quhet e kryer, atëherë kur Shqipëria e kur shqiptarët nuk do të lënë më asnjë qindarkë në kumar.

 

Televizioni KLANSi është përllogaritur shifra që ju thoni për sasinë e parave që vihen falë basteve online që dalin jashtë Shqipërisë?

Këto javë që është shkrirë struktura e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, kush po e lufton krimin ekonomik?

Në Aktin Normativ të buxhetit, të miratuar dje nga parlamenti, është parashikuar një kufi prej 75% për planin tatimor. Pse është ulur ky kufi?

Së pari, ju siguroj që lufta ndaj krimit ekonomik sapo ka filluar. Ajo do të vazhdojë me një intensitet të panjohur më parë.

Së dyti, ju siguroj se sot Policia e Shtetit është drejt kthimit në krye të detyrës. Është një zotim solemn i yni që brenda 300 ditësh, Policinë e Shtetit do ta kthenim në krye të detyrës me fuqi të plota dhe në kontroll të plotë të territorit, për të garantuar sigurinë e jetës dhe të pronës publike dhe private. Po ecim ende më shpejt se sa e kishim parashikuar, fatmirësisht, falë përkushtimit të ministrit të Brendshëm dhe falë edhe përkushtimit të skuadrës së re të drejtuesve të Policisë, drejt këtij objektivi.

Së treti, më lejoni të përsëris se të gjithë ata që nën uniformën e Policisë së Shtetit, kanë qenë të angazhuar dhe të paguar nga taksat e qytetarëve për të luftuar krimin ekonomik, do t’i nënshtrohen hetimit lidhur me lulëzimin e veprimtarisë kriminale të lojërave të paligjshme të fatit. Ky hetim do të ndajë “të njomin” nga “i thati” dhe kush, në bazë të hetimit, do të  figurojë i pafajshëm, do të ripërfshihet në radhët e policisë, ndërsa kush do të figurojë i implikuar apo fajtor, me veprim ose mosveprim, do të përballet me organet e drejtësisë.

Për sa i përket shifrës, arsyeja pse dhashë një shifër që varion nga 500 në 700 milionë, lidhet, pikërisht, sepse nuk kemi një shifër të saktë, por kemi deduksione të bazuara në një studim analitik të kryer edhe me konsultat me ekspertë të huaj dhe vendas.

Lidhur me pyetjen e fundit, edhe pse jashtë  temës së konferencës, më lejoni t’ju them që parashikimi ynë për të ardhurat është një parashikim realist dhe ne nuk mund dot të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tona mbi plane të ndërtuara për fushata elektorale, siç ishte fushata që lamë pas, e cila praktikisht ka hapur një gropë shumë të madhe në buxhetin e këtij viti dhe ka zgjeruar në mënyrë shumë të ndjeshme gropën e madhe të ekonomisë dhe të financave të këtij vendi, për të cilën kemi folur ndër vite dhe me të cilën jemi të ngarkuar të merremi tani. Kështu që, mjafton që të shohësh të ardhurat nga Doganat e Tatimet të vitit të kaluar, të vitit përpara vitit të kaluar e me radhë, për të kuptuar se ulja që ne kemi parashikuar është tërësisht realiste dhe bazohet në trajektoren e asaj që figuron si e ardhur e realizuar në vite dhe jo si e ardhur e planifikuar nga mendje tërësisht të çorodituara prej etjes për pushtet; që e ka sjellë ekonominë e këtij vendi këtu ku jemi dhe që e ka vendosur Shqipërinë përballë një “shkëmbi” borxhesh që e kemi mu në mes të rrugës.

Megjithatë, ne jemi Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ne nuk jemi këtu për t’u justifikuar. Ne jemi këtu për të zgjidhur problemet. Borxhet nuk i kemi marrë ne, gropën nuk e kemi hapur ne, ekonominë kombëtare të këtij vendi nuk e kemi zhytur ne në krizë. Por ne jemi  votuar që të merremi me borxhet, ne jemi votuar që të mbyllim gropën, ne jemi votuar që ta rikthejmë ekonominë në normalitet dhe që Shqipëria të rifillojë, në një afat të mesëm, brenda mandatit, të ketë ritmet e rritjes ekonomike që shqiptarët meritojnë.

TOP Channel: Zoti Kryeministër, deklaruat se pas lojërave të fatit apo kumarit qëndrojnë lidhje me mbështetje politike. Kjo deklaratë e juaja lë të nënkuptohet që këta njerëz janë identifikuar, nëse nuk gabohem. Nëse është kështu, kur do shikojmë arrestimin e këtyre njerëzve, ose e thënë ndryshe, vënien përpara  drejtësisë?

Kjo në fakt, lë jo të nënkuptohet, po lë të kuptohet qartë atë që kuptohet qartë kur je përballë masivitetit të këtij aktiviteti, që ka lindur dhe është zhvilluar si një industri e krimit në sytë e të gjithëve dhe pa i bërë përshtypje askujt. Pa mbështetje politike nuk ka industri të krimit ekonomik. Është shumë e thjeshtë. Kjo është një industri e krimit ekonomik.

Agon Channel: Zoti Kryeministër, në këtë aksion të mbylljes së aktivitetit të lojërave të fatit keni përfshirë edhe Policinë e Shtetit. Cila ka qenë arsyeja e përfshirjes së Policisë së Shtetit për mbylljen e këtyre aktiviteteve, në një kohë kur Tatim – Taksat duhet ta kishin bërë këtë gjë?

Më vjen keq, por po flasim për një industri të krimit ekonomik dhe është detyrë funksionale e Policisë së Shtetit, siç ka qenë detyrë funksionale e gjithë zinxhirit të Antikrimit Ekonomik, në Policinë e Shtetit, që të mos lejojë jo transformimin e këtij aktiviteti në një industri të krimit ekonomi, por asnjë pikë ku zhvillohet ilegalisht ky aktivitet, që në kornizën ligjore të Republikës së Shqipërisë konsiderohet krim ekonomik.

Televizioni News 24: Doja t’ju pyesja lidhur me masat që do të ndërmerrni për ta shtrënguar apo për ta kontrolluar këtë aktivitet, pasi edhe në vende të tjera  praktika të tilla kanë rezultuar deri diku të dështuara, pasi është rritur forma ilegale e basteve. Kujtojmë këtu, edhe Amerika ka marrë masa të tilla, apo edhe shtete të tjera evropiane?

Në radhë të parë, faleminderit për komplimentin që na krahasoni me Amerikën, por unë nuk besoj se e meritojmë këtë kompliment. Ashtu sikundër, ju siguroj që në asnjë vend të Bashkimit Evropian ku ne duam të integrohemi, nuk ekziston në asnjë lloj proporcioni të krahasueshëm kjo që ekzistonte deri para pak ditësh në Shqipëri dhe as kërcënimi social i këtyre përmasave që ky aktivitet përbën për Shqipërinë. Shqipëria është një vend i varfër, Shqipëria është një vend me një papunësi marramendëse. Shqipëria është një vend që sot ka nevojë për alternativa punësimi, ka nevojë për alternativa arsimimi dhe edukimi, ka nevojë për alternativa të reja të kohezionit social, përmes politikash të reja të punësimit, të arsimimit dhe edukimit dhe të kohezionit social.

Shqipëria nuk ka nevojë për plagë dhe për dhimbje krejtësisht të evitueshme të kësaj natyre, plagë dhe dhimbje që krijohen dhe shkaktohen vetëm për të pasuruar një grusht njerëzish, duke shkatërruar familje të tëra, jetë të tëra, perspektiva të tëra, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe duke thithur në mënyrë marramendëse, në labirintet e këtij aktiviteti, djem të rinj, adoleshentë, nxënës, studentë, të  cilët në vend që të shkojnë në shkollë, dergjen dyerve të kazinove.

Kjo nuk do të vazhdojë! Çka ka filluar do të shkojë deri në fund. E deri në fund do të thotë, jo vetëm të ndalim aktivitetin kriminal, por edhe të përgatitim një strategji daljeje, me një afat të arsyeshëm, për ata që kanë investuar ligjërisht në këtë aktivitet.

Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku të luhet kumar.

Albanian Screen: Strategjia  e daljes do të thotë që pas pak do të kemi shpalljen ilegale të kumarit zyrtarisht në Shqipëri?

Strategjia e daljes do të thotë që të garantojmë një proces, ku ata të cilët sot janë tërësisht brenda kornizës së ligjit, kanë projektuar një investim, kanë bërë një investim dhe kanë zhvilluar një investim, bazuar mbi ligjin dhe mbi licencën e marrë në rrugë të ligjshme, të mos dalin të dëmtuar, por sigurisht të përgatiten për të mos fituar gjithë jetën me këtë aktivitet, sepse ky nuk është një aktivitet që do të zgjasë gjithë jetën, sepse Shqipërisë ky aktivitet nuk i duhet.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.