Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi, në Shkodër:

Është, jo sepse duhet thënë për protokoll, por sepse ka një të vërtetë të madhe në këtë, një kënaqësi e veçantë që jemi këtu, sëbashku, për takimin e parë ndërqeveritar mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, këtu në Shkodër, në një qytet dhe kryeqendër ku ndërthuren më së miri dhe më së shumti elementë historikë, kulturore dhe natyrorë të dy vendeve tona, si dëshmi e një fqinjësie të gjatë dhe një miqësie të gjatë.

Më vjen shumë mirë ta theksoj se për ne, fqinjësia e mirë me Malin e Zi është shembulli më i shkëlqyer i marrëdhënieve vëllazërore mes fqinjësh. Ne jemi të lumtur që ndajmë kufirin me ju. Ashtu sikundër ndjekim me shumë dëshirë dhe më shumë respekt të gjithë progresin dhe përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme, që e kanë transformuar rrënjësisht Malin e Zi, duke e kthyer në një model referimi për të gjithë, në të gjitha aspektet.

Kemi një dialog, si s’ka më të mirë, politik dhe jemi bashkë të orientuar pakthyeshmërisht në rrugën e integrimit të plotë euroatlantik. Na vjen mirë që na u dha mundësia ta shprehim me veprim të gjithë dashurinë dhe respektin për ju, duke mbështetur pa rezerva procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Sot, edhe më skeptikët mund ta shohin se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka kontribuar në forcimin e stabilitetit të rajonit dhe në konsolidimin e perspektivës euroatlantike të popujve të tij.

I dashur Duško,

më vjen mirë që jemi këtu sëbashku, jo për faktin se ky është formati i parë i këtij niveli mes dy qeverive të dy vendeve, por për mundësinë që ky format na jep për të thelluar bashkëpunimin, për të konkretizuar aspekte të shumta dhe shumë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi dhe për të forcuar më tutje marrëdhëniet shqiptaro-malazeze si marrëdhënie të një rëndësie të veçantë.

Kur jemi takuar së bashku në Podgoricë në prill të vitit të kaluar, prej ku njoftuam bashkërisht mbajtjen e mbledhjes së parë mes dy qeverive tona, ne sëbashku theksuam rëndësinë e zhvillimit të potencialeve të mëdha brezit ndërkufitar që Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë. Është një fashë e begatë që lidh vendet dhe lidh dhe fatet tona dhe nuk është vetëm gjeografia e përbashkët, por edhe trashëgimia materiale e shpirtërore që ne e ndjejmë për detyrë ta ruajmë, ta zhvillojmë si një hapësirë prosperiteti për qytetarët e të dy anëve të këtij kufiri dhe si një model të bashkëpunimit ndërkufitar, pse jo, për të gjithë rajonin.

Sot, ne jemi më të ndërlidhur se asnjëherë më parë. Por sot, ne jemi dhe më të vetëdijshëm se asnjëherë më parë që në këtë ndërlidhje ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Është koha që t’i adresojmë këto potenciale dhe të përfitojmë sa më shumë nga shkëmbimi i ideve, shkëmbimi i eksperiencave dhe bashkimi i forcave mes nesh, duke filluar jo vetëm nga hapja e pikave të reja kalimtare kufitare, që përbën jo vetëm një sukses të përgatitur të këtij takim, por edhe një bazë më të gjerë për të zbatuar planet e zhvillimit të brezit ndërkufitar dhe duke vazhduar me vënien në pah dhe shfrytëzimin e vlerave të mëdha ekonomike dhe turistike që bart e gjithë zona që bashkëndajmë.

Kohët e fundit, duke ndjekur edhe shembullin tuaj të zhvillimit të turizmit, që është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne dhe duke komunikuar edhe me investitorë që tanimë janë të pranishëm në bregdetin tuaj, e kemi dëgjuar më shumë se njëherë nga ana e tyre nevojën për t’u zgjeruar në investime edhe në anën tonë të kufirit dhe për të ndërlidhur më shumë kapacitetet qeveritare, kapacitetet bashkiake, kapacitetet ekonomike dhe natyrore të të dy vendeve. Në mënyrë që të gjithë turistët që drejtohen, apo në një numër në rritje do vazhdojnë të drejtohen drejt kësaj zone duke pasur si pikë referimi Malin e Zi, të mund të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e zgjeruar dhe me një përfitim të madh, natyrisht reciprok.

Të gjithëve ne na është dhënë rasti që të konstatojmë, kur gjendemi këtu në Shkodër, se në fakt jemi në një hapësirë që gjithmonë është përjetuar si një hapësirë ndërveprimi. Nuk është aspak e rrallë të dëgjosh gjuhën tuaj, gjuhën malazeze, në restorante, në hapësira publike, apo në vende turistike si rezultat i udhëtimeve të vazhdueshme, historikisht të tilla, përpara se të na mbyllte kufijtë dhe të na ndante për së gjalli regjimi i vjetër dhe sot të gjesh të zhvilluara në vijimësi dhe të ripërtërira në jetën e përditshme, si ndërveprime dhe si komunikime krejt të zakonshme brenda një hapësire ku kufiri mes nesh është një konvencion për qytetarët këtej dhe andej kufirit.

Ashtu sikundër, ju e dini më mirë se unë, se sa shumë qytetarë nga Shkodra, por edhe nga e gjithë Shqipëria, udhëtojnë sa shpesh matanë kufirit, në Malin e Zi, gjatë të gjithë vitit e më së shumti, natyrisht, gjatë sezonit turistik. Kjo është përditshmëria e njerëzve tanë dhe është detyra jonë që mbi këtë përditshmëri të çojmë më tutje projekte, të cilat forcojnë lidhjet dhe rrisin mundësitë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies të njerëzve tanë.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë të bekuara me bukuri fantastike natyrore. Edhe pse dy vende të vogla në brendinë e tyre kanë itinerare magjike, që nga bregu i detit deri në majat e maleve. Promovimi i përbashkët i tyre, sidomos në hapësirën ndërkufitare, politikat e harmonizuara në mbrojtje të mjedisit dhe në zhvillimin racional të kapaciteteve turistike, duke shfrytëzuar bukuritë tona përrallore, do të na mundësojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve për të pritur edhe më shumë turistë, duke intensifikuar praninë e tyre në destinacione deri sot të pashfrytëzuara, por edhe forcimin real të nevojës së dëshiruar për njëri-tjetrin.

Më vjen shumë mirë që kemi gjetur sëbashku gjuhën pa asnjë mundim, për të inkurajuar shkëmbimet kulturore mes dy vënëve tona. Janë shkëmbime tërësisht natyrale, por në të cilat është gjithmonë nevoja e angazhimit dhe mbështetjes së qeverisë. Sot, panairet e librit janë bërë ngjarje të zakonshme për nga shpejtësia e tyre, qoftë andej, qoftë këtej kufirit. Megjithatë fuqia e impakti i kulturës që ndajmë sëbashku në shumë elementë të saj janë një arsye që ne të bëjmë më shumë për të trashëguar edhe tek më të rinjtë gjithçka që kemi të çmuar dhe kemi vlerë të bashkëndarë jo vetëm të popujve dhe të vendeve tona, por edhe trashëgimi kulturore europiane.

Patjetër kemi shumë për të bërë kur vjen puna tek nxitja e shkëmbimeve tona tregtare, që duhet ta pranojmë, nuk janë sot në shifra të atilla që të mund të reflektojnë të gjithë këtë afërsi e këtë ndërveprim mes njerëzve të zakonshëm dhe të gjithë këtë potencial mes nesh. Lëvizshmëria e produkteve, certifikimet e tyre, prania e balancuar e investimeve janë pika ku ne mund të bëjmë shumë më tepër sëbashku. Ashtu sikundër sëbashku mund të identifikojmë dhe të përcaktojmë incentiva lehtësuese për të dyja palët, në radhë të parë, duke hequr barrierat jotarifore, që shpeshherë bëhen një problem më vete për eksportuesit dhe importuesit tanë në dy anët e kufirit dhe dekurajojnë zhvillimin e mëtejshëm, ashtu siç do ta lejonte potenciali, të aktivitetit tregtar.

Më vjen shumë mirë që kjo mbledhje qeverie pasohet nga një forum i biznesit, që është një aktivitet bashkëlidhur këtij takimi kaq të rëndësishëm dhe ku na takon ne, që dëshirën dhe interesin e kompanive për tregun e Shqipërisë, apo të Malit të Zi, në të dy anët ta përkthejmë në mbështetje dhe në hapa konkretë lehtësues për ta.

Edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Dhomave respektive të Tregtisë dhe të Biznesit është një hap i mirë në këtë drejtim, siç është një hap i mirë, besoj, edhe marrëveshja e arritur mes Agjencisë tonë për Zhvillimin e Investimeve dhe Agjencisë së Malit të Zi për Promovimin e Investimeve, të cilat mund të bëjnë shumë sëbashku, duke shkëmbyer informacion dhe ndërtuar edhe paketa të përbashkëta për investitorë të interesuar për të dy anët e kufirit, njëkohësisht. Siç e thashë, po ndeshemi gjithmonë e më shumë me një interes të tillë dhe për këtë na takon që të gjejmë të gjitha mënyrat që ta adresojmë siç duhet.

Më vjen shumë mirë që të theksoj këtu, se mes nesh ka edhe një urë historike të pazëvendësueshme, që fatmirësisht, qoftë për ne, qoftë për ju, konsiderohet një pasuri e madhe, që është ura e minoriteteve. Është një tjetër shembull fantastik i bashkëjetesës mes nesh. Me miratimin e ligjit për minoritetet, Shqipëria i dha më në fund, edhe minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon, me ligj, paçka se, kur i themi ne “me zakon”, minoriteti malazez ka pasur atë vend, e ka pasur atë vlerë dhe në ndërveprimin dhe bashkëjetesën me shqiptarët nuk ka pasur kurrë problemin më të vogël.

Unë dua t’ju shpreh të gjithë respektin që nuk është asnjëherë i tepërt të përsëritet në shprehjen e vet, për vëmendjen në rritje që ju, Presidenti, miku ynë i shtrenjtë, Milo Đukanović, qeveria juaj i keni kushtuar shqiptarëve në Malin e Zi. Jam krenar për rolin e tyre shumë pozitiv në Malin e Zi, për qasjen e tyre qartësisht në krah të forcave progresive që kërkojnë integrimin e plotë të Malit të Zi në të gjithë hapësirën euroatlantike dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë Presidentit, jo thjesht personit, i cili meriton të gjithë mbështeten, por asaj që ai ka përfaqësuar me një dinjitet për t’u marrë shembull nga të gjithë, mbështetjen qysh në procesin e pavarësisë, pastaj edhe në procesin e anëtarësimit në NATO, që për ju rezultoi veçanërisht i vështirë në raport me situatën brenda Malit të Zi.

Jam shumë besimplotë që kërkesat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi, konform Kushtetutës së vendit tuaj dhe standardeve ndërkombëtare, do të jenë vazhdimisht në dëgjimin tuaj dhe do të kenë në vijimësi të gjitha përgjigjet që meritojnë.

Ka shumë gjëra për të thënë në një takim mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe nuk është aspak e zakonshme, sidomos në rajonin tonë, që të gjitha gjërat të jenë pozitive, por janë të gjitha pozitive dhe ne rrezikojmë këtu të dukemi sikur jemi mbledhur për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit. Por s’kemi asnjë çështje mes nesh ku mund dhe t’ia prishim qejfin njëri-tjetrit, qoftë dhe për të mos marrë mësysh. Kemi një traditë të përbashkët të vendosjes së hudhrave në një mjedis ku ka harmoni të plotë, për të larguar syrin e keq, megjithatë, besoj që në këtë rast është vetë Shkodra që largon çdo sy të keq nga takimi mes nesh.

Dua ta mbyll me kapitullin e rëndësishëm të bashkëpunimit që lidhet me Procesin e Berlinit dhe me projektet e mëdha të programit të bashkëpunimit rajonal, ndër të cilat, ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane është një projekt strategjik, i mbështetur fuqimisht nga të dyja palët. Ashtu sikundër nga ana jonë jemi në një proces intensiv lobimi për të mbështetur dhe mundësuar realizmin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, në mënyrë që Mali i Zi, Kroacia të përfitojnë drejtpërdrejtë nga gazsjellësi Trans-Adriatik dhe nga pikëpamja energjetike, sovraniteti rajonal, por dhe kapacitetet rajonale të fuqizohen në mënyrë të ndjeshme.

Këtu, me thënë të drejtën, kam edhe 3 herë kaq, të shkruara për të folur, por besoj se mjafton për të përfunduar fjalën time, duke qenë i bindur që të gjithë ministrat këtu kanë mundësi të mëdha dhe patjetër, edhe barrën e një interesi të përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin në çdo aspekt, nga ekonomia, deri tek siguria, për të cilën, ne jemi në një proces rritjeje të bashkëpunimit për të siguruar kufijtë nga të gjithë flukset e veprimtarive ilegale të natyrave të ndryshme.

Me dëshirën e madhe që ju të largoheni nga Shkodra me mbresat më të mira, pasi kemi mundësuar edhe diell, edhe erë, në mënyrë që edhe drita të jetë e plotë, por edhe vapa të mos e pengojë zhvillimin në freski të të gjithë kësaj ngjarjeje të rëndësishme mes dy vendeve, unë, i dashur Duško, po të kaloj fjalën, për të plotësuar të gjithë boshllëqet që unë lashë në fjalën time.

Fjala e Kryeministrit Duško Marković:

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar ministre dhe ministra,

Zonja e zotërinj!

Kryeministër Rama, i dashur Edi, të falënderoj për fjalët e mirëseardhjes.

Është nder i veçantë që t’ju drejtohem me rastin e mbledhjes së parë të përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, më datë 3 prill të vitit 2017, Kryeministri Rama ka deklaruar “kur vij në Mal të Zi, ndihem si në shtëpinë time”.

Sot, në Shkodër, unë kam të njëjtën ndjenjë. Fakti që kjo është edhe mbledhja e parë që qeveria e Malit të Zi e organizon me një vend tjetër, qartazi konfirmon miqësinë tonë, lidhjet e pazgjidhshme midis popujve tanë dhe vendosmërinë që të vazhdojmë të zhvillojmë raportet e mira fqinje. Fakti që kjo mbledhje po ndodh në Shkodër, me aq domethënie, histori e potencial që e ndajmë, është simbol i vërtetë i raporteve të Malit të Zi dhe të Shqipërisë.

Që nga viti i kaluar, ne jemi edhe aleatë në kuadër të aleancës së NATO-s, që është dhe një cilësi e shtuar e marrëdhënieve tona. A duhet posaçërisht të theksohet se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një nga prioritetet kryesore, jo vetëm të Malit të Zi, por dhe të Republikës Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky vit i ka sjellë mjaft vëmendje rajonit dhe perspektivës së tij europiane, nga strategjia për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Europian, pakos së zgjerimit, Samitit në Sofje, Samitit, porsa të zhvilluar, të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe pritshmërive nga Samiti i Londrës, me të vërtetë mund të jemi të kënaqur me intensifikimin e dialogut midisi BE-së dhe rajonit.

Për rezultatet e këtij dialogut, ende ka ndjenja dhe mendime të përziera për dinamikën e zgjerimit dhe a mund të bëhet më shumë dhe më mirë. Jam i bindur se gjithmonë mund të bëhet më mirë dhe më shumë, por ne duhet të përqendrohemi tek këto që mund të kryejmë vetë dhe duhet të punojmë tek shtëpia jonë, atë që mundemi dhe atë që është në interesin e demokratizimit dhe interesit të shtëpive tona.

Kam dëshirë ta uroj Shqipërinë për vendimin e Bashkimit Europian që të caktojë datën për fillimin e negociatave, me një bindje të thellë që do të vazhdojë me frymëzim të njëjtë procesin e reformave gjithëpërfshirëse dhe të përvetësimit të standardeve dhe vlerave europiane. Në lidhje me këtë kam dëshirë që të rikonfirmoj gatishmërinë e Malit të Zi që edhe në periudhën e ardhshme të jetë mbështetje në realizimin e qëllimeve të përbashkëta integruese dhe të ofrojë përvojat e veta. Për këto 6 vite që ne jemi në procesin e negociatave për anëtarësim, Mali i Zi ka hapur 31 kapituj për negociatat, ndërsa 2 përkohësisht i ka mbyllur. Kjo është një statistikë, por në prapavijë të saj ka shumë punë dhe pas të cilës duhet të punojmë madje edhe më shumë.

Atë që mund të përfundojmë nga kjo periudhë që e kemi lënë pas është se krahas përmbushjes së detyrimeve kemi përforcuar dhe avancuar kapacitetet që është një nga vlerat më të mëdha të këtij procesi dhe që do të ketë, unë do të them, efekte afatgjata pozitive. Por nuk duhet harruar pse jemi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Nuk është vetëm për t’u anëtarësuar, por për t’iu bashkuar vlerave, të cilat natyrisht i takojmë dhe ndaj të cilave historikisht ishim mbrapa për shkak të rrethanave, të cilat është më së miri t’i lëmë pas. Duhet shikuar përpara, për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Këtë duhet dhe mund ta bëjmë vetëm bashkërisht.

Prandaj, përveç anëtarësimit në BE dhe bashkëveprimit në kuadër të aleancës së NATO-s, vend i rëndësishëm, edhe i politikës sonë së jashtme i takon, siç kam thënë më parë, zhvillimit dhe përforcimit të marrëdhënieve tona fqinjësore, gjë që është e nevojshme edhe për qëllime të stabilitetit dhe prosperitetit rajonal, posaçërisht kohë kur jemi pothuajse përditë të ballafaquar me sfida politike dhe ato ekonomike.

Për këto arsye i jemi kushtuar bashkëpunimit rajonal, ku përmes nismave të ndryshme realizojmë format konkrete të bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtu posaçërisht do ta veçoja bashkëpunimin e vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit, për të cilin ka folur dhe Kryeministri Rama. Na gëzon që kjo iniciativë, e iniciuar nga Gjermania për qëllime të zhvillimit të rajonit dhe progresit cilësor të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, mbetet e fokusuar kryesisht tek asistenca konkrete e vendeve tona në realizimin e projekteve kyçe të komunikacionit dhe energjetikes, që do të kontribuojnë në zhvillimin individual dhe të përgjithshëm të rajonit.

Jemi të detyruar që të shfrytëzojmë këtë shans, të inkuadruar në një kontekst më të gjerë europian e t’i pozicionojmë vendet tona në drejtimet infrastrukturore kryesore europiane, sepse jam i mendimit se qytetarët tanë meritojnë shumë më shumë dhe se shkurtohen dhe qorrsokake ballkanike.

Përveç bashkëpunimit në kuotat e projekteve rajonale, posaçërisht është me rëndësi të zhvillohet edhe bashkëpunimi në nivelin e dy vendeve. Mali i Zi dhe Shqipëria i kanë marrëdhëniet e shkëlqyera, por edhe mundësitë e shumta për fuqizimin e tyre në të ardhmen.

Komunikimi i vazhdueshëm dhe cilësor ndërmjet dy vendeve do të rezultojë me nënshkrimin e sotëm të disa marrëveshjeve, si dhe me një marrëveshje mbi intensifikimin e bashkëpunimit në ato fusha ku ky bashkëpunim është i nevojshëm dhe i dobishëm, siç janë lufta kundër krimit ndërkufitar dhe kalimi i emigrantëve, shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Europian për modernizimin e pikave të kalimit kufitar, fushat publike si arsimi, shkenca, turizmi e të tjera.

Posaçërisht duhet të përpiqemi që të avancojmë bashkëpunimin ekonomik midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, posaçërisht duke marrë në konsideratë potencialin e madh në degët e shumta të ekonomisë, që mund të shfrytëzohen në mënyrë shumë më të mirë në periudhën e ardhshme.

Afërsia gjeografike dhe struktura ekonomike e ngjashme mund t’i kontribuojnë shumë lidhshmërisë më të fuqishme të dy ekonomive tona dhe realizimit të papenguar të aktiviteteve në kuadër të projekteve të akorduara. Pas kësaj mbledhjeje do të mbahet një forum biznesi, i cili duhet të konkretizojë këto potenciale të shumta të bashkëpunimit. Prandaj është shumë me rëndësi të tregojmë vendosmëri në përmirësimin e treguesve ekonomikë dhe në inicimin e aktiviteteve për projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës energjetike, si treguesve më të dukshëm të bashkëpunimit bilateral që deri tani nuk i kanë përcjellë marrëdhëniet e mira politike midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Jemi të vetëdijshëm që lidhjet e mira të komunikacionit rrugor janë kyç për plasmanin e të gjitha mallrave dhe shërbimeve, që prodhohen apo do të prodhohen në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa lidhshmëria e mirë energjetike është e domosdoshme si për investimet e ardhshme në sektorin energjetik, ashtu dhe për qarkullimin e lirë të energjisë në rajonin tonë, prej të cilit çdo vend në veçanti do të vjelë përfitime të qarta financiare dhe strategjike.

Hapja e pikës së kalimit kufitar Tuz – Baizë, modernizimi dhe zgjerimi i infrastrukturës në pikën kufitare Sukobinë – Muriqan do të krijonte mundësi për shfrytëzimin e kapaciteteve të plota për bashkëpunimin e dy ekonomive, valorizimin e potencialeve turistike të të dy palëve, avancimin e shkëmbimit tregtar, por edhe shfrytëzimin shumë më të mirë të kapaciteteve të porteve tona. Kjo posaçërisht në kontekstin e aktualizimit të autostradës Adriatik – Jon që është me një rëndësi vitale për dy vendet tona.

Gjithashtu duhet punuar në avancimin e mëtejshëm të kuadrit, duke nënshkruara marrëveshje ndërshtetërore me të cilat në mënyrë ligjore do të rregulloheshin raportet e ujërave, valorizomi i potencialeve hidroenergjetikë, të fuqizohej bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit, policisë dhe policisë kufitare.

Mali i Zi me devotshmëri do të marrë pjesë në projekte rajonale, të miratuara në Samitin e Triestes. Gjithashtu do të vazhdojmë me realizimin e aktiviteteve që i referohen dokumentacionit për projekte prioritare infrastrukturore dhe do të përpiqemi që të shfrytëzojmë sa më shumë grantet që i kemi në dispozicion në kuadrin investues të Ballkanit Perëndimor në këtë fushë, në mënyrë që edhe gjatë Samitit të Londrës, më 10 korrik të këtij viti, të shfrytëzojmë mjetet e shtuara, të pakthyeshme, për zbatimin e tyre.

Në kontekstin e bashkëpunimit dhe zhvillimit të rajonit jam i mendimit që duhet të përmendet dhe projekti rajonal i themelimit të Institutit Ndërkombëtar për Teknologjitë e Qëndrueshme të Europës Juglindore, si projekt që do të ishte i veçantë në rajon dhe në mënyrë të konsiderueshme do të ndikonte tek zhvillimi shoqëror dhe ekonomik i vendeve, parandalimi i derdhjes së talenteve, zhvillimi mjekësisë bashkëkohore.

Republika e Shqipërisë është një nga nënshkrueset e Deklaratës që u nënshkrua në Cern në datën 25 tetor 2017. Avancimi i bashkëpunimit në shkencë dhe konkurset për realizmin e projekteve shkencore dypalëshe do të sigurojnë zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes mbi Bashkëpunimin Shkencor dhe të Teknologjisë midis Malit të Zi dhe Shqipërisë që u nënshkrua në vitin 2008 dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për përforcimin e lëvizshmërisë së studiuesve, me fokus të posaçëm tek studiuesit e rinj, lidhjen dhe rrjetëzimin e tyre, si dhe tek mundësia e aplikimeve të përbashkëta, në kuptimin e absorbimit të mjeteve nga fondet europiane, ndërkombëtar dhe rajonale.

Si një temë të veçantë për përfundim, për shkak të rëndësisë së saj, kam dëshirë të theksoj pasurinë midis vendeve tona, që janë popujt tanë, të cilët jetojnë në njërin dhe në tjetrin vend si popujt pakicë dhe kam dëshirë të them, jetojnë si qytetarë shqiptarë në Mal të Zi dhe si malazezë në Shqipëri, që janë një nga bërthamat më të rëndësishme të dy vendeve tona. Shqiptarët në Mal të Zi janë qytetarë që i kontribuojnë zhvillimit të vendit, janë pjesëmarrës aktivë dhe promovues të realizimit të prioriteteve strategjike të shtetit, janë faktor i stabilitetit të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë të vendit, në të njëjtën mënyrë siç janë malazezët në Shqipëri, qytetarë që i kontribuojnë zhvillimit të saj dhe jetës politike dhe shoqërore, duke e ruajtur identitetit dhe traditën e vet. Natyrisht, gjithmonë mund të kemi prirje për më mirë dhe përpjekjet e qeverive tona duhet të jenë ende të drejtuara nga realizimi i të drejtave të popujve pakicë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Nënkryetarët e qeverive dhe ministrat do të japin më shumë detaje për fushat konkrete ku nevojitet që të vazhdojmë, apo të realizojmë progresin. Në fund, unë propozoj që pas kësaj mbledhjeje, bashkërisht të punojmë për përmbushjen e të gjitha atyre që do akordojmë sot, me qëllim që vitin e ardhshëm, në Mal të Zi të kemi mundësi që t’i verifikojmë e t’i analizojmë rezultatet e arritura gjatë mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe të Shqipërisë.

Edhe një herë ju falënderoj për fjalët e mira dhe mirëseardhjen, i nderuar mik Edi

Ju falënderoj!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.