Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Ministerialin rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm, mbajtur në Tiranë:

Përshëndetje të gjithëve!

Është kënaqësi e veçantë që t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në emër të qeverisë shqiptare. Të gjithë e dimë se viti i shkuar, që përkonte me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu në Ballkan, ishte edhe viti i parë në historinë tonë të përbashkët, kur të gjithë ne mund të uleshim, siç u ulëm, në një tryezë të përbashkët jo për të shkuarën dhe as për të vënë në diskutim kufijtë mes nesh, por për të ardhmen dhe për hapësirën e jashtëzakonshme të një paqeje, të cilën Ballkani nuk e ka përjetuar kurrë më parë, në funksion të një bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal, që është në interes të secilit dhe të të gjithëve në këtë rajon.

Ne jemi të vetëdijshëm se kjo paqe është fryt i një përpjekjeje të hershme të partnerëve tanë të mëdhenj strategjikë, Shtetet e Bashkuara nga njëra anë, që udhëhoqën një përpjekje historike për ta çliruar Ballkanin nga diktatura e fantazmave të së shkuarës dhe Bashkimit Europian nga ana tjetër, që përbën për të gjithë ne, një aspiratë mjaftueshmërisht të fuqishme, një mundësi unike për të ndërtuar një bashkëjetesë të qëndrueshme, të begatë dhe demokratike.

Ne jemi të vetëdijshëm se koha për të qëndruar me kokën pas ia ka lënë vendin një kohe për të parë sëbashku përpara. Por, nga ana tjetër, jemi përditë e më të vetëdijshëm se bashkëpunimi në rajon dhe kontributi aktiv i secilit prej nesh për ta fuqizuar këtë bashkëpunim është një sfidë e rëndë. Është një sfidë, që askush prej nesh, popujve dhe shteteve të Ballkanit, nuk mund ta përballojë dot pa mbështetjen e Bashkimit Europian, në radhë të parë, si destinacioni, por edhe si partneri ynë në përpjekjen për t’u integruar në Familjen Europiane.

Nga ana tjetër e kemi parë dhe shohim në jetën e përditshme se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vijnë prej konflikteve, të cilat vazhdojnë pranë kufijve të Europës, nga dhuna dhe nga terrorizmi që janë sot e gjithë ditën, një faktor jashtëzakonisht shqetësues për shoqëritë tona. Një botë ku asgjë më nuk zhvillohet larg nesh, ku çdo gjë që ne e shohim në ekranin e televizorit si diçka që ndodh me kilometra të tëra larg, mund të ndodhë një çast më vonë në shtëpinë tonë. Prandaj, edhe ky samit besoj ka një rëndësi të posaçme si shprehje e një vullneti të përbashkët, por mbi të gjitha, e një vetëdije se bëhet fjalë për një sfidë që nuk është lokale, që nuk është kombëtare, por që është rajonale, siç është edhe globale.

Forcimi i ndërveprimit mes nesh, në funksion të forcimit të sigurisë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, ka një rëndësi themelore për ardhmërinë e aspiratave dhe të qëllimit tonë të përbashkët, që është të bëhemi pjesë e Familjes së madhe Europiane. E familjes, që është e lidhur me disa vlera dhe parime, për të cilat, në fakt, popujt tanë kanë mbështetur paqen, kanë mbështetur dhënien e dorës njëri-tjetrit të të gjithë liderëve të rajonit dhe kanë mbështetur e mbështesin çdo përpjekje në funksion të këtij qëllimi.

Në një studim të Observatorit Ballkanik të vitit 2003 thuhet se vendet e Ballkanit janë më pranë me BE-në se sa me vetveten. Është një konstatim i 12 viteve më parë, por që besoj ka vlerë edhe sot e gjithë ditën. E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin se sa me njëri-tjetrin. Ky është edhe problemi ynë i përbashkët, që besoj ne mund dhe duhet ta zgjidhim duke intensifikuar atë bashkëpunim rajonal që ka nisur, qysh prej vitit 2003, me axhendën e Selanikut dhe duke përforcuar ndërveprimin në të gjitha fushat.

Pakti i Stabilitetit shërbeu si një nxitës për ta tërhequr rajonin përtej krizave dhe konflikteve të dhunshme, për të promovuar bashkëpunimin rajonal dhe për të na yshtur të gjithëve drejt një strategjie të konsolidimit të paqes dhe të parandalimit të përbashkët të krizave.

Ne besojmë shumë se vitin e shkuar ka ndodhur një kthesë historike me procesin e Berlinit, ku u vendos një gur themeli si konfirmim i gatishmërisë jo thjesht të Gjermanisë, por të Komisionit Europian në tërësi, konfirmuar dhe nga prezenca e Presidentit të Komisionit Europian në atë takim, për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër dua të kujtoj që në shtator të vitit 2014, pak a shumë në të njëjtën kohë me procesin e Berlinit, Presidenti Obama u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së, që të bëjnë shumë më tepër përpjekje për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm në rajonet respektive. Pavarësisht se Ballkani nuk u citua, siç nuk u cituan dhe rajone të tjera në thirrjen e Presidentit Obama, ne vetë e dimë shumë mirë se nëse mund të flasim sot për rajone ku ekstremizmi i dhunshëm përbën një kërcënim të vazhdueshëm, një nga këto rajone është, pa dyshim, rajoni ynë.

Terrorizmi ndërkombëtar vazhdon të përbëjë një kërcënim për këtë rajon, sikundër për të gjithë paqen dhe sigurinë globale. Unë shpresoj që ky takim të mos konfirmojë thjesht gatishmërinë, por edhe vendosmërinë tonë për të mposhtur jo thjesht terrorizmin, kur ai na shfaqet ballë për ballë, por ideologjinë, frymën dhe mekanizmat që e mbështesin atë në çdo vend dhe që e bëjnë atë, një kërcënim befasues.

Ne jemi të bindur se kjo nuk është një përpjekje thjesht e jona apo e kujtdo prej vendeve, ashtu siç nuk është një përpjekje thjesht e Shteteve të Bashkuara që kanë lidershipin në këtë betejë, por është një përpjekje e të gjithëve së bashku. Është një përpjekje ku rëndësia dhe madhësia dhe pesha e vendeve ka një rëndësi relative, ndërkohë që ndërveprimi mes vendeve, pavarësisht rëndësisë së tyre, pavarësisht peshës së tyre, pavarësisht madhësisë së tyre ka një rëndësi absolute.

Shqipëria, pikërisht për të gjitha këto sa thashë, në Samitin e NATO-s në Uells e ka mbështetur fuqimisht nevojën për të përfshirë sa më shpejt në procesin e integrimit në NATO të gjitha vendet e Ballkanit. Duke pasur parasysh specifikisht, Malin e Zi, për të cilin prej kohësh, ne kemi mbrojtur bindjen se është një vend që e ka vendin në NATO, është një vend që e ka destinacionin në Bashkimin Europian. Është një vend që pavarësisht madhësisë ka një rol kyç në garantimin e stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së rajonit, përballë kërcënimeve për të cilat flasim.

Kosovën, padyshim që ne e shohim si pjesë të pandarë të këtij procesi dhe si një hapësirë që nuk duhet lënë të zbrazet nga aspiratat shumë të forta të shqiptarëve të Kosovës, në funksion të paqes, në funksion të bashkëpunimit rajonal, në funksion të betejës së përbashkët kundër terrorizmit. Dhe këtu, sigurisht vlen sa nxitja për të shtyrë procesin e përafrimit dhe më tutje, të integrimit të Kosovës me NATO-n, aq edhe thirrja për Bashkimin Europian, që më në fund dhe një orë e më parë t’u japë mundësinë qytetarëve të Kosovës të mos ndjehen si të kyçur në një karantinë absurde. Për shkak se janë i vetmi popull në Europën e sotme, që nuk lëvizin dot të lirë dhe që për të lëvizur duhet të vazhdojnë të aplikojnë për viza. Gjë që nuk e kanë bërë as kur ishin nën diktaturë. Ky është një paradoks dramatik, që rrezikon të zbrazë Kosovën nga një aspiratë e madhe dhe që nuk ndihmon në procesin për të cilin ne jemi të gjithë të angazhuar dhe të shqetësuar. Përkundrazi, çon ujë, siç i themi ne në shqip, në mullirin e armikut.

Patjetër dhe Maqedoninë, për të cilën ne kemi mbajtur gjithmonë, një qëndrim të qartë dhe mbështetës, por ndaj të cilës kemi qenë gjithashtu të detyruar që edhe në Samitin e Uellsit të kërkojmë ashtu siç u vendos edhe në konkluzionet e Samitit, respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit.

Do të ishte thjesht e pamundur që unë t’i shmangesha këtu, në këtë moment, dy fjalëve për Maqedoninë dhe për tragjedinë e Kumanovës, ku, fatkeqësisht, fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues, i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm, i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas.

Asgjë më e gabuar, asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodhë të gjithëve ne, në këtë betejë të përbashkët kundër terrorizmit, sesa të përziejmë termin terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por kanë të bëjnë me demokracinë dhe në trajtimin e fenomeneve që nuk janë kërcënime terroriste, por janë shprehje të problematikës së ngarkuar të degradimit të demokracisë. Dhe, përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme, siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe për qeverinë shqiptare, vonesa dhe ende më keq, mungesa e transparencës edhe e drejtësisë. E drejtësisë, për terrorin dhe për dëmet që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës.

Shqipëria, të gjithë ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, por jo të pajetueshme; Një Maqedoni demokratike për të gjithë, që duhet të jetë pjesë e NATO-s, por që s’mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, vlerat dhe parimet që e bëjnë NATO-n jo një klub ushtarak, por një aleancë të popujve dhe të vendeve demokratike në mbrojtje të paqes dhe të të drejtës së çdo populli për të jetuar i lirë dhe për të qenë i mbrojtur nga kërcënimi i jashtëzakonshëm i terrorizmit. Që do të thotë po ashtu, se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s.

Këtë vit, gjatë konferencës së SEECP-së, kryesuar nga Shqipëria, ne miratuam deklaratën e përbashkët kundër terrorizmit. Deklarata thekson angazhimet tona për zbatimin e mëtejshëm të reformave, për forcimin e shtetit të së drejtës, për përqafimin e bashkëpunimit mes të rinjve dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. E pra, nëse jemi të gatshëm të miratojmë deklarata pa ekuivok, për të qenë front i pandashëm kundër një të keqeje të madhe që e kërcënon edhe rajonin tonë, duhet të jemi po ashtu të vendosur që çka deklarojmë, ta mishërojmë në frymë dhe në germë, në jetën e përditshme të qytetarëve tanë, të komuniteteve, pa dallim feje, pa dallim etnie dhe pa dallim kufijsh.

Kemi rritur nivelin e shkëmbimit të informacionit me Europolin dhe me Interpolin, midis policive të vendeve të BE-së dhe të rajonit. Bashkëpunimi është zgjeruar edhe në shfrytëzimin e eksperiencave dhe hetimeve të përbashkëta, me policitë homologe të rajonit dhe të BE-së. Rezultatet janë para syve tanë. Nuk janë gjithçka, por janë mjaftueshmërisht inkurajuese për të na bindur se kjo është rruga dhe për të kuptuar se sa më shumë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, në funksion të sigurisë, aq më shumë do të forcojmë secilin prej vendeve dhe secilën prej shoqërive tona.

Në janar të vitit 2015-të është themeluar një grup i përbashkët pune me Italinë, me qëllim luftën kundër terrorizmit, kryesisht të natyrës fetare. Këtu, Shqipëria ka krenarinë që të tregojë një shembull, të cilin Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë e quajti jo shembull të harmonisë fetare, por shembull të vëllazërisë fetare. Një shembull rrezatues, që ne jemi shumë të vetëdijshëm se jo vetëm na takon ta përçojmë, por na takon edhe ta ruajmë dhe ta mbrojmë me vendosmërinë më të madhe, pasi e dimë mirë që kërcënimi që vjen nga ekstremizmat me natyrë fetare nuk është kurrë i largët dhe nuk është kurrë mjaftueshmërisht nën kontroll. Të njëjtën harmoni, ne besojmë se mund të krijojmë brenda diversitetit ballkanik, të cilin larmia e kombeve, e grupeve etnike, e feve, e kulturave dhe besimeve e bën një hapësirë sa të veçantë, në kuptimin e kompleksitetit të vetë dhe të sfidave që përmban, aq edhe unikale në gjithë hartën e projektit të madh të Europës së Bashkuar.

Nëse Europa sot përballet me sfida të mëdha ekonomike, politike, por besoj dhe kulturore, ku racizmi, nacionalizmi, ksenofobia po bëhen gjithmonë e më të zëshme, Ballkani ka mundësinë që kompleksitetin e vet në këtë drejtim ta kthejë në një atu shumë të fortë, për të bindur Bashkimin Europian për një të vërtetë të thjeshtë. Nëse 10 vjet më parë ishte Ballkani që kishte nevojë alarmante për Europën dhe Europa mund të bënte edhe pa Ballkanin, sot kjo është e pamundur. Sot, Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin, sa çka nevojë Ballkani për Bashkimin Europian dhe ne sëbashku duhet të bëjmë gjithçka, që nesër të mos jetë vonë.

Jemi të vetëdijshëm për faktin se Bashkimi Europian është gjithnjë e më shumë një fuqi reaguese, që merret me pasojat dhe jo me shkaqet e atyre që ndodhin. Edhe në këtë aspekt, ne kemi mundësi të japim një shembull, por shembulli ynë si rajon do të ishte i pamundur, nëse shembulli ynë si secili vend prej nesh nuk do të ishte mjaftueshmërisht bindës, në kuptimin e respektimit për liritë dhe të drejtat e njerëzve dhe për të gjitha ato vlera e parime që e bëjnë Bashkimin Europian, destinacionin tonë të vetëm dhe të patjetërsueshëm, alternativën tonë të vetme dhe të padiskutueshme.

Nga ana tjetër, ne besojmë shumë se eksperienca jonë vlen për të mësuar që arsimimi dhe lufta ndaj ekstremizmave me natyrë fetare shkojnë paralelisht me njëri-tjetrin dhe sa më shumë të bëjmë në këtë drejtim dhe sa më shumë të ndërveprojmë në këtë drejtim, duke u dhënë gjithmonë e më shumë hapësirë dhe rrugë të rinjve tanë për t’u arsimuar si duhet, aq më shumë jemi në drejtimin e duhur në funksion të objektivit afatgjatë, për ta bërë rajonin të paprekshëm nga epidemia e tmerrshme e barbarisë së ekstremizmit.

Sigurisht që, kjo temë është e pandashme nga krimi i organizuar dhe nga trafiqet e paligjshme, që janë një burim i madh shqetësimi për Bashkimin Europian dhe që në këtë rajon kanë gjetur dhe vazhdojnë të gjejnë hapësirë. Një hapësirë që, ne kemi gjithë mundësinë ta ngushtojmë sëbashku.

Sot, në Shqipëri dhe në rajon, ne jemi të sfiduar të ndryshojmë diçka që lidhet me të shkuarën dhe që është kultura e ligjit dhe kultura e rendit ligjor si rend bashkëjetese që nuk duhet të na dallojë nga Bashkimi Europian. Ndërkohë që sot jemi të vetëdijshëm që kjo kulturë është ende e mangët dhe na bën ende të dallueshëm për keq nga Familja Europiane ku ne aspirojmë të integrohemi.

Por, pa dyshim, që marrëdhëniet e mira fqinjësore që shkojnë paralelisht, siç kanë shkuar, me rritjen e sigurisë rajonale si një instrument jetik për prosperitet dhe stabilitet janë një pikë ku ne mund dhe duhet të kapemi fort, për të siguruar përmes ndërveprimit edhe forcimin e kulturës së ligjit dhe forcimin e kulturës së rendit ligjor, duke ngushtuar gjithmonë e më shumë së bashku, hapësirat e krimit të organizuar dhe rrugët e trafiqeve të paligjshme.

Nevoja për Europën dhe për njëri-tjetrin na bën që të ecim më shpejt në drejtimin e duhur, për të hapur një faqe të re të historisë dhe për ta shkruar atë sëbashku. Sot, Ballkani ka një shans historik, të cilin, modestisht, unë e shikoj të lidhur me marrëdhënien mes shqiptarëve dhe serbëve. Shqipëria, shqiptarët të gjithë sëbashku dhe serbët mund të bëjnë për Ballkanin, atë që Franca dhe Gjermania bënë pas luftës së dytë botërore për Europën, kuptohet në modestinë e shkallës. Kjo është plotësisht e mundur dhe jo vetëm është e mundur, por në këndvështrimin tim është e vetmja rrugë për të siguruar jo përmes shembullit të forcës, por përmes forcës së shembullit, qëndrueshmërinë e një rruge pa kthim, në emër të aspiratës së popujve tanë, që ka qenë kyç në paqen që ne kemi arritur.

Së fundi, dua t’ju them se në Shqipëri ekziston një legjendë, ajo e ndërtimit të kalasë së Rozafatit, e cila ndërtohej ditën dhe shkatërrohej natën. Tani nuk dua të hyj në debatin ballkanik se e kujt është e legjenda, se për çdo legjendë në Ballkan, ne kemi beteja për të drejtën e autorësisë, por rëndësi ka që në këtë rast, të gjithë e kemi të njohur këtë legjendë. Kjo legjendë duket shpesh si sinteza e vetë historisë së Ballkanit, shkatërro natën atë që ndërtohet ditën. Besoj që fati, koha, historia na ka dhënë ne mundësinë të jemi në vendin e duhur për të kapërcyer përtej mallkimit të kësaj legjende, që ngjan si e shkruar përmes një trashëgimie të gjatë të skepticizmit se me fqinjin mund të jetosh mirë.

Unë besoj se ne jemi më mirë sot se ç’ishim dje dhe do të jemi më mirë nesër nëse do të kuptojmë drejt të gjitha arsyet përse sot jemi më mirë se dje. Vetëm kështu, edhe miqtë tanë të Bashkimit Europian do ta kuptojnë se pa ne, pa Ballkanin, projekti i madh i Europës së Bashkuar është jo vetëm i kërcënuar, por edhe seriozisht i rrezikuar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.