Revolucioni digjital në shërbimet publike sjell të tjera risi. Këtë radhë është Posta Shqiptare, e cila kurorëzon një nga rrugët më të rëndësishme të hartës së Revolucionit Digjital 2020. “e-wallet” është portofoli i ri elektronik i çdo qytetari, për të kryer të gjitha shërbimet postare nga celulari i vet, pa pasur më nevojë për të harxhuar kohë në radhat e sporteleve për të marrë shërbimin e kërkuar.
Kryeministri Rama nga Elbasani mori pjesë në prezantimin e këtij aplikacioni, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Laert Duraj dhe Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja. “Shpresojmë që me e-wallet që po lancohet sot, një pjesë e qytetarëve që shlyejnë utilitetet në Postën Shqiptare të mbushin portofolin njëherë të vetme e pastaj mjafton aplikacioni elektronik e të shlyejnë çdo pagesë të ndryshme”, – u shpreh Duraj gjatë prezantimin të këtij aplikacioni inovativ për vendin.
Aplikacioni e-wallet ofron shërbime që qytetarët deri dje i merrnin nëpërmjet sportelit. Një tjetër plus i këtij aplikacioni është se nuk ka kosto ekstra për përdorimin, mjafton regjistrimi për herë të parë pranë Postës Shqiptare që identifikimi të jetë i sigurt. “Gjithë shqetësimi, në tërësi, jo vetëm i postës, ka qenë kontakti njeri me njeri, pafundësisht, për cdo gjë. Dhe subjektiviteti i punonjësit ka qenë dominat. Plus, radha. Transformimi i infrastrukturës është shumë i rëndësishëm për të krijuar komoditet në shërbim, për transparencë, për të krijuar një marrëdhënie normale në kushte njerëzore dhe jo në ato kushtet e stallave. Por kalimi në këtë platformë është një transformim gjigand, i cili zeron ryshfetin dhe zeron stresin që, në mos për shkak të ryshfetit, për shkak të vonesave, pengesave e zvarritjeve. Vërtetë që sot nuk mund të themi që e kemi çliruar plotësisht qytetarin nga kthetrat e burokracisë dhe të administratës, por, ama, krahasim të mundshëm me sot dhe dje, kur vjen puna tek shërbimet nuk ka, edhe pa këtë”, – tha Kryeministri Rama.
Kryeministri e konsideroi këtë aplikacion dhe shërbimet e tjera që sot ofrohen nga komoditeti i shtëpisë, si transformim epokal në fushën e shërbimeve digjitale. “Le të na kritikojnë, le të shajnë, le të thonë çfarë dëshirojnë, por nuk mundet dot të bëhet një krahasim. Sa mund të krahasosh këtë qiellin që shohim tani me Elbasanin në kohën e territ, aq mund të krahasohet e sotmja me të djeshmen. Më e rëndësishmja është që kjo është baza e një transformimi të jashtëzakonshëm që do kërkojë pak kohë, sa njerëzit të mësohen me këtë, sepse njerëzit mund ta dinë që mund ta marrin nga telefoni i tyre dhe prapë vazhdojnë vijnë”.