Fuqizimi i arsimit profesional, si një kërkesë në rritje e tregut të punës, po evidentohet si përmes investimeve në infrastrukturën arsimore, edhe në rritjen e numrit të nxënësve që iu drejtohen këtyre shkollave. Në Elbasan, dy prej shkollave profesionale i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë, si dhe zgjerimit me një godinë tërësisht të re kushtuar vetëm praktikave mësimore, me perspektivë realizimin e një kampusi profesional me laboratorë dhe mjete bashkëkohore. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizituan 2 shkollat profesionale të qytetit, në të cilat studiojnë aktualisht mbi 1500 nxënës dhe janë të pajisura me salla të reja, laboratore, biblioteka dhe kabinete informatike. “Shumë interesante është rritja e numrit të studentëve në shkollat profesionale, – u shpreh ministrja Denaj, – ku në shkollën Ali Myftiu ka gjithsej 850 nxënës. Shkolla tjetër, që një pjesë është duke u rikonstruktuar, ka afro 700 nxënës”. Mjaft e rëndësishme për këto shkolla është pikërisht praktika profesionale, për të cilën ka mjaft marrëveshje edhe me bizneset e zonës, të cilat janë dhe punëdhënësit kryesore të atyre që përfundojnë studimet që në vitin e parë. “Kjo shkollë ka marrëveshje me 200 biznese, ndërsa shkolla tjetër me 100 biznese. Numri i nxënësve që dalin nga shkolla dhe futen në tregun e punës shkon në 55% që vitin e parë,” shprehet Denaj. Ministrja e Financave shprehet se për këtë investim janë dhënë rreth 150 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Investimi ka bërë të mundur që repartet ku bëhen praktikat të jenë sot me pajisje të reja dhe të ofrohen për nxënësit laboratorë të mirëfilltë bashkëkohorë. Edhe në shkollën tjetër profesionale ku zhvillohen degët si: hoteleri-turizmi, ekonomiku, tekstil-konfesione, IT, etj., po kryhen ndërhyrje, madje këtu po ngrihet një godinë tërësisht e re ku do bëhet pjesa praktike e të gjitha drejtimeve. “Do ketë laboratorë për 7 degët që ka shkolla,” shprehet ministrja Denaj, duke shtuar se praktika profesionale do ndërthuret edhe në biznes, edhe në shkollë. Sipas ministres, dyfishimi i turizmit në vend ka bërë që të rritet veçanërisht numri i nxënësve në degën e hoteleri-turizmit. Ministrja Denaj thotë se edhe kurrikulat mësimore janë rishikuar, si pjesë e një programi në të gjitha shkollat profesionale në të gjithë Shqipërinë. Drejtorja e shkollës pohoi se nga viti në vit ka profilizime të ndryshme, siç e kërkon tregu.
Newsroom
Elbasan, arsimi profesional fuqizohet me dy shkolla të reja dhe laboratorë me mjete moderne