Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me nxënës që u renditën në ekselencën e barometrit global të arsimit, PISA 2015:

“Jepu njerëzve lëmoshë, apo jepu një mjet rrethanor pune dhe ata do të jetojnë vetëm shumë pak më mirë. Jepu atyre arsim dhe ata do ndryshojnë botën”. Këtë maksimë, ne e kemi vendosur në hyrjen e dokumentit të Strategjisë për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar 2014-2020.

Sigurisht, ta thuash është e bukur dhe e lehtë, por ta bësh, është jashtëzakonisht e vështirë.

Ne kemi vendosur që në krye të herës që të ndërmarrim një reformë që të tjerët nuk e ndërmorën kurrë, pasi preferuan të mjaftohen duke i dhënë njerëzve lëmosha. Të tilla siç ishin për fat të keq, të gjitha shtigjet e lehta të iluzioneve se të gjithë mund të merrni një diplomë, apo dhe vetë diplomat fiktive që përbënin jo vetëm një iluzion të madh, por dhe një tradhti të madhe ndaj Gjeneratës Tjetër.

Sikur reforma në arsim, -ashtu si dhe të gjithë reformat e tjera, – të ishte bërë 20 vjet më parë, sot do ishim duke bërë një diskutim krejt tjetër dhe do kishim një vend krejt tjetër. Por asnjëherë nuk është vonë, për më tepër kur është në pyetje fati i një gjenerate të tërë që vjen më pas. E nëse gjenerata e atyre që lindën kur ndryshoi sistemi, sot mund të konsiderohet një gjeneratë e tradhtuar nga shteti, gjenerata juaj, nesër duam që të jetë një gjeneratë që jo vetëm nuk do ndihet e tradhtuar, por do ketë në dispozicion mjete të siguruara nga dije, që do t’i japin shumë më tepër mundësi për të ndryshuar botën.

Ndryshimi i botës fillon nga ndryshimi i situatës në familjen tënde, në rrugën e shtëpisë tënde, në komunitetin tënd. Unë jam i bindur që, nëse do t’ju pyesja për gjendjen tuaj familjare, për ekonominë e familjes tuaj, për situatën në të cilën ndodhen prindërit tuaj, me siguri, këtu do të kishte nxënëse dhe nxënës që do të dëshmonin për vështirësi krejtësisht të mjaftueshme për t’u justifikuar për të mos shkuar në shkollë, për të mos mësuar, për të mos marrë nota maksimale.

Me siguri, këtu ka ndër ju, vajza apo djem, që kanë prindërit pa punë. Me siguri, këtu ka ndër ju, vajza apo djem, që përjetojnë vështirësinë e prindërve në fund të muajt, për të përballuar nevojat më të thjeshta të familjes. Me siguri, këtu ka ndër ju, vajza apo djem, që i kanë të gjitha arsyet dhe janë plotësisht të mirëkuptuar, nëse nuk do të ishin këtu, si përfaqësuesit e një ekselence të re shqiptare.

Të gjitha këto arsye, jo vetëm nuk janë kthyer prej jush në justifikime për të mos bërë detyrën tuaj ndaj vetes dhe prindërve, por, përkundrazi, ju kanë motivuar edhe më shumë, me siguri, që sot të vendosni që e ardhmja juaj përmes dijes do të jetë më e mirë se e sotmja e prindërve tuaj. Kjo e bën rezultatin tuaj, shumë më tepër sesa një rezultat shkollor. Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm i vetëvendosjes individuale, për të përballuar me dinjitet e sakrificë, me punë të ndershme, të pashoqe, sfidën e të qenit nesër, njerëz që do të keni në dorë të vendosni si do jetë e sotmja juaj.

Dua që ta dini, shumë sinqerisht, se ju jeni model frymëzimi për mua personalisht dhe për të gjithë ata që në Shqipëri kanë zgjedhur të guxojnë, të shpresojnë se në këtë vend mund të bëhet sukses.

Sëbashku mund të bëjmë sukses!

Për të gjithë ata që kanë zgjedhur rrugën e vështirë që nuk kalon nga kafja, nuk kalon nga orët e lira që i krijohen vetes duke lënë orët e mësimit, apo nga 1001 justifikimet dhe fajësimet e të tjerëve për një gjendje që mund të mos jetë optimale, kjo rrugë kalon nga vullneti i hekurt për t’ia dalë.

Rezultatet e PISA 2015 kanë qenë për mua personalisht, arsyeja për të marrë frymë thellë, i lehtësuar, për një fakt, që reforma jonë në arsim, me këto rezultate është provuar si gjëja e drejtë.

Natyrisht që rezultatet e reformës, ashtu si të çdo reforme, duan kohë, duan vite. Edhe reforma në arsim do të dojë kohë të provohet në faktet reale të jetës, përtej mureve të shkollës, si një nxitëse e pazëvendësueshme e një transformimi të madh ekonomik e social të Shqipërisë. Por çka ju keni provuar, është fantastike. Është fantastike për ju personalisht, është fantastike për të gjithë ne, është fantastike për t’i dhënë një kumt kujtdo që ka zgjedhur të rrijë duarkryq e të mallkojë errësirën, në vend që të ndezë një qiri, në radhë të parë për veten, pastaj për familjen, shoqërinë e tij apo të saj dhe komunitetin.

Ju jeni shëmbëlltyrat e asaj që këshillon Nënë Tereza: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. E nëse të gjithë do të ndezin nga një qiri, atëherë do të bëhet dritë. E nëse secili do të jetë një burim drite, pra, dije dhe aftësish që burojnë nga dija, jeta e përbashkët do të ketë shumë më tepër dritë sesa errësirë.

Rezultatet e mëparshme të këtij barometri global të matjes së dijeve kanë qenë më shumë sesa dekurajues. Ato kanë provuar sa fatkeqe ka qenë politika arsimore në këtë vend dhe sa shumë fatkeqësi ka sjellë për të ardhmen e nxënësve dhe nxënëseve, që mund ta kenë pasur të gjithë vullnetin, por nuk kanë pasur kushtet që përmes vullnetit të tyre të mund të japin maksimumin.

Ndryshimi i sistemit, që ka nisur në të gjitha nivelet e arsimit, ka filluar të japi rezultate. Në vitin 2000, Shqipëria ishte e dyta nga fundi në të gjitha vende e këtij programi dhe në 12 vjet, nga viti 2000 deri në vitin 2012 nuk bëri dot progres as 10 vende. E nënta nga fundi! Shumë larg të gjitha vendeve të rajonit tonë. Pa u krahasuar dot me vende si Turqia apo Brazili, vende të mëdha që kanë bërë investime gjigande në arsim, që sot janë pas nesh. Jo pas meje dhe qeverisë, por pas jush!

Fakti që kemi marrë një renditje që ka impresionuar të gjithë organizatorët e këtij barometri dhe për të cilën, ne kemi marrë përshëndetje entuziaste institucionesh e autoritetesh, të habitura nga rezultati i shqiptarëve, është nxitja më e jashtëzakonshme për ne. Nxitje që të vazhdojmë në rrugën e reformës në arsim me vendosmëri të plotë.

Gjithë kundërshtia e reformës në arsim nuk është përmbajtjesore. Është ideologjike. Ideologjia e lëmoshës. Ideologjia e qetësimit të gjakrave dhe e uljes së tensioneve për të kaluar radhën. Ideologjia qeverisëse e Shqipërisë për 20 e ca vite, ku kushdo që qeverisi nuk mendoi për Gjeneratën Tjetër, por mendoi për zgjedhjet e tjera. Nuk mendoi për të ardhmen e çdo individi që ishte subjekt dhe objekt i një politike, por mendoi për t’i blerë atij individi, kohë përmes lëmoshës, duke ju thënë të gjithë të rinjve: Je i papunë? Shko në universitet! Të gjithë në universitet! U thye një rekord negativ botëror, me 10 herë më shumë universitete për frymë se Britania e Madhe apo Gjermania.

Ndërkohë, rruga tjetër, ajo rrugë që do t’i kishte dhënë Shqipërisë sot, shumë më tepër investime prodhuese, shumë më tepër punësim real, rruga e arsimit profesional u braktis plotësisht.

Rritja e ndjeshme e rezultateve në kompetencat shkencore të nxënësve, sidomos në shkencat matematikore, është rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimit të sistemit të shkollës dhe i gjithë atyre masave që kanë shoqëruar Reformën në Arsim. Patjetër që kemi probleme shumë të mëdha ende. Kemi ende shumë nxënës që e mbyllin shkollën me rezultate të dobëta. Por as në ëndrrën më të bukur nuk do kishim parë, kur e kemi nisur këtë reformë, që 56 vajza e djem nga Shqipëria do të arrinin maksimumin, duke konkurruar me vajza e djem nga Gjermania, Franca e gjithë planeti. Për më tepër, disa do të kapërcenin shumëfish nivelin maksimal, me performancën e tyre.

Nuk diskutohet që lum kush ka vajza në Shqipëri [në 10-shen e parë 8 janë vajza]. Unë këtë gjë e di prej kohësh dhe për fat të mirë po e mësojnë të gjithë, pak nga pak, që vajzat dhe gratë janë fuqia më e madhe e arsyes dhe e shpresës së këtij vendi. Ne jetojmë në një vend ku gjuhej me pushkë kur lindte djalë dhe mbahej zi kur lindte vajzë. Por gjithë ky proces transformimesh ka vërtetuar se vajzat dhe gratë janë përpara djemve dhe burrave.

Dua sinqerisht t’ju shpreh respektin tim më të madh juve dhe atyre si ju, edhe pse ju jeni më të mirët në këtë rast, që na frymëzojnë e na bëjnë të mos ndjehemi vetëm, në përpjekjen për të provuar se në Shqipëri mund të bëhet sukses dhe se Shqipëria mund të bëjë sukses.

Ajo që na duhet, është t’i vendosim njerëzit në kushtet që ata të mund ta shprehin talentin dhe të mund ta mishërojnë dhuntinë e tyre konkretisht, përmes punës së tyre. Edhe fakti që këtu nuk janë vetëm nxënës e nxënëse nga Tirana, por edhe nga Gramshi, Pogradeci, Kavaja, është shumë kuptimplotë. Reforma ka bërë të mundur që në trupën mësimore të fillojë të krijohet një vetëdije e re. Edhe për faktin se mësuesit janë çliruar nga barra e vështirësive dhe marrëzive që kishte sistemi i vjetër. Janë çliruar nga mbi 600 tekste të pakuptimta, apo nga një metodë mësimdhënieje krejtësisht e lodhshme dhe kundërproduktive. Janë përfshirë në një proces edukimi në vazhdim. Ka filluar puna për edukimin në vazhdim të drejtorëve të shkollave.

Nuk jemi në fund, por në hapat e parë të një procesi që do të kërkojë vite. Por, jemi të bindur dhe këto rezultate na e konfirmojnë bindjen tonë se kjo është rruga. Është shumë e vështirë, është me shumë dhimbje. Patjetër që ka edhe “viktimat e veta”. Por është e vetmja rrugë.

U bë gjithë ajo zallamahi e madhe për hyrjen në universitet. Të gjithë ata që e frymëzuan zallamahinë, ishte habi, nuk mendonin për më të mirët, por mendonin për stresin e ngelësve, në vend që t’u thoshin atyre me rezultate më të dobëta që jeta juaj nuk mbaron këtu, përkundrazi, këtu jeta juaj merr një kthesë, ku ju duhet të jeni të vetëdijshëm se ka një rrugë tjetër, rruga e zanateve. Nuk do bëhen të gjithë shkencëtarë, juristë apo ekonomistë në Shqipëri. Vendi ka nevojë për shumë profesione e zanate që sot na mungojnë. Qahemi gjatë gjithë kohës se “nuk ka punë”. Nga Zogu i Zi deri në dalje për në plazh, në çdo godinë ku bëhet biznes ka vende të lira pune. Nuk ka një godinë, majtas apo djathtas, ku të trokasësh dhe të të thonë se s’kemi punë. Përkundrazi, 1 vend, 2, 50 apo 60 vende, por janë vende pune që kërkojnë zanate, kërkojnë njerëz të profilizuar dhe jo juristë me diploma të blera apo false.

Ky është transformimi që po ndodh dhe ju jeni shëmbëlltyra e përmbajtjes cilësore të këtij transformimi.

Unë dua t’ju falenderoj pafund për forcën e shembullit tuaj. Ju jeni shembulli konkret, fizikisht i pranishëm, me emër dhe mbiemër, i shqiptarëve dhe shqiptarëve që provojnë se nuk ka asnjë pengesë që nuk kapërcehet në rrugën e suksesit. Provojnë se vështirësitë nuk janë alibi për të ndenjur në kafe dhe për t’u ankuar e mallkuar, duke ia vënë fajin të gjithëve e të gjithave, përveçse duke marrë përgjegjësinë për vete. Përkundrazi, janë motive për të luftuar më shumë, për të sakrifikuar më shumë dhe në fund për t’ia dalë.

Këtë vit kemi çuar mbi 40 nxënës në një nga universitetet më të mirë të botës, në Stamboll. Një vit më parë çuam pesë dhe të pestë ekselentë dhe është universitet ndërkombëtar. Përpara vitit të ri kam komunikuar me rektorin e universitetit, i cili më ka marrë në telefon të më urojë Vitin e Ri e për të më falenderuar për nxënësit dhe nxënëset tona. Rektori më tha “Janë më të mirët”. E nuk është se janë disa të mirë e disa më pak të mirë. Janë të gjithë tek më të mirët.

E dini cili ka qenë kriteri për të përcaktuar emrat?

Kriteri ka qenë: Më të mirët e Maturës Shtetërore, me probleme sociale. Nuk ka në atë grup vajzash e djemsh, me prindër të pasur. Janë vajza e djem me prindër të shtresës së mesme ose shtresës së varfër. Vitin e kaluar, më e shkëlqyera në të gjithë universitetin ishte një vajzë nga Kavaja, një nga tre fëmijët e dy prindërve të vetëpunësuar në një kioskë. E mund të merren lehtë me mend vështirësitë e prindërve për të shkolluar fëmijët. Kur ne i dhamë bursën, i ati më tha se “gjithçka që kemi mundur të ndajmë mënjaneë e kemi investuar tek arsimi i fëmijëve. Kjo bursë na vjen si një shpërblim, në një moment kur nuk merrnim dot frymë nga vështirësia e llogarive, sesi do të vazhdojmë më tutje”.

E pra, për këtë ju meritoni përulësisht respektin më të madh.

E falenderoj Ministren që nuk zgjodhi të inaugurojë godinën e re të ministrisë me një mënyrë tradicionalisht të mërzitshme, por zgjodhi ta bëjë këtë inaugurim me ju. Një godinë që sot është e transformuar në shërbimin tuaj dhe të të gjithë nxënësve dhe studentëve shqiptarë.

Shumë njerëz ankohen “fasadat, zyrat”. Unë nuk di dhe jam i gatshëm të mirëpres të më tregojnë një vend ku mbretëron shëmtia dhe pisllëku dhe ku ka mirëqenie. Ka vende ku bukuria dhe pastërtia nuk kanë sjellë domosdoshmërish mirëqenie të lartë, por nuk ka vend, nuk ka qytet, nuk ka komunitet që të jetojë në pisllëk, në mungesë hapësirash publike, me godina të gërryera, gati sa nuk bien përtokë, ku të ketë mirëqenie. E bukura është promotor i mirëqenies. E shëmtuara është promotor i skamjes. Mjedisi publik, hapësira publike cilësore promovon mirëqenie, stimulon energji pozitive, krijon komunitet. Hapësira publike e braktisur me idenë se “njerëzit nuk kanë bukë të hanë, ç’ju duhet pastërtia, e bukuria”, vetëm riprodhon skamje, vetëm riprodhon dëshpërim.

Ta gëzoni ju dhe gjithë shoqet e shokët tuaj, Ministrinë e re të Arsimit! Ju siguroj se ne do të vazhdojmë vendosmërisht të jemi në krahun tuaj dhe në çdo hap, në çdo masë në funksion të zbatimit të reformës, ne do të mendojmë si më të mirët të ndjehen mirë. Të tjerët të mësojnë nga më të mirët, që të ndjehen edhe ata mirë.

Faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.